Kolonizimi dhe Dekolonizimi në filozofinë e Frantz Fanonit

Gjithqka rreth politikes..

Moderators: Beka Floyd, SadButTrue, bg82

Post Reply
User avatar
Al-Shama
Posts: 3436
Joined: Mon Mar 01, 2004 9:53 pm
Location: n'shpi!

Kolonizimi dhe Dekolonizimi në filozofinë e Frantz Fanonit

Post by Al-Shama »

Recension i librit : "The Wretched of the Earth" – ("Të mjerët e botës"), i autorit Frantz Fanon – Teoricien i Revolucionit.
E mërkurë, 23 Shtator 2009 16:27


Shkruan: Fatlum Sadiku


Kolonizimi dhe Dekolonizimi sipas Frant Fanonit shënojnë një sfond apo një pikëtakim të dy forcave divergjente njëra me tjetrën, të kundërta në vetë qenësinë e tyre, të cilat para së gjithash i kanë borgj njëra tjetrës origjinalitetin e llojit të pavarësisë së tyre që rezulton dhe derivon si një dhe i vetëm nga situata e krijuar në vendin e kolonizuar. Pikëtakimi i tyre i parë, është i predestinuar të kalojë si i dhunshëm sepse vetë ko-eksistenca e tyre e përbashkët (që nënkupton eksploatimin e të kolonizuarit nga kolonizuesi) deri në atë moment është vetëm një amputim i dhunshëm i një realiteti social-politik në menyrë imponuese dhe pa çare, me bajoneta dhe topa me të cilat disponon kolonizuesi.

Dekolonizimi së këndejmi shtron së pari detyrën e revizionimit të situatës kolonizuese. Kjo për sa i përket rrafshit teorik. Kjo më saktësisht ekstrapolohet nëse do të shërbeheshim me thënjen e njohur: "I dyti duhet të jetë i pari dhe i pari duhet të jetë i dyti". Dekolonizimi rrjedhimisht është mëtim që kjo maksimë të vihet në praktikë. Dekolonizimi si proces i vërtetë, pra ai i zhveshuri nga alibitë pefeksioniste, ngërthen në vete plumbat depërtues dhe thikat e përgjakura në trupat e njerëzve që e përshkojnë atë si proces. Kjo sepse vetëm në këtë menyrë është i arritshëm sfondi pikëtakues ndërmjet dy protagonistëve.

Bota e kolonizuar është botë e ndarë në dy pjesë. Linjat e ndarjes dhe kufinjtë janë të ndarë me anë të kazermave ushtarake dhe stacioneve të policisë. Në vendin e kolonizuar polici dhe ushtari janë "shërbyes", "prijës institucional", "përfaqësues publik" të të kolonizuarëve dhe të qeverisjes së dhunshme që kanë ngritur mbi ta dhe pa vullnetin e tyre.

Në shoqëritë kapitaliste perendimore sistemi i edukimit çoftë ai sekular apo fetar, përgjithësisht gjeneron një strukturë pothuajse të ngjashme të praktikumit moral shoqëror.Kjo sepse sistemi politik mbetet konsistent, policentrik dhe i pandryshueshëm pavarësisht servirimit të çfarëdo mundshëm të praktikave edukative. Konsekuimet morale të përcjellura nga i ati tek i biri, nderimi që i bëhet punëtorit me medalje për "kontributin e tij pesëdhjetëvjeçar në punë", "etika publike" e kolonizuesit me variatetet e mirësjelljes që mëtojnë të jenë secila më viabile se njëra tjetra, të gjitha këto janë një tog shërbesash që për emërues të përbashkët kanë një intencë të vetme interesi : eksploatimin, nëpërmjet krijimit të një atmosfere të pavetëdijshme dhe inhibizuese për të kolonizuarin. Gjithnjë në shoqëritë kapitaliste gama e mësimeve morale menagjohet dhe funksionalizohet, vetëm nga ana e atij që zotëron me forcën : eksploatuesit. Në shoqëritë koloniale përkundrazi, polici dhe ushtari pa bashkëpunuar fare, pra nëpërmjet aktivitetit partikular, sundojnë mbi të shtypurin nëpërmjet çizmes me gomë të dhëmbëzuar. Këtu është mjaft e çartë që agjentët e shtetit flasin me gjuhën e një fuçie të pastër. Kolonizatori këtu as nuk e "lehtëson" e as nuk e fsheh dominimin : ai praktikat e tij i implementon në terren me të vetmin qëllim : "ruajtjen e rendit".

Megjithëkëtë ai sjell dëmin e tij në shtëpitë dhe vendin e banorëve. Zona në të cilën jetojnë të kolonizuarit nuk është kompatibile me atë në të cilën jetojnë kolonizuesit. Dy zona vihen kundër njëra tjetrës dhe që të dyja thirren në principin e ekskluzivitetit reciprok. Qyteti i kolonizatorit është fuçishëm i ndërtuar nga guri e çeliku. Ai është "qytet hyjnor", lagjet janë të shtruara në asfalt, kontinjerë ka më shumë se sa mbeturina, kudo që të kërkohen. Supet e banorëve të këtij qyteti nuk janë asnjeherë të zhveshura, përpos kur e frekuentojnë detin. Megjithkëtë i kolonizuari si një "i gjorë" nuk do ta ketë kurrënjëherë mundësinë as paktën t'i shohë ata nga afër duke u larë. Këmbët e tyre janë të siguruara me çizme të forta, anipse lagjet e qytetit të tyre janë pa gropa dhe pa asnjë guralec të vetëm. Qyteti i kolonizuesëve është "i ushqyer" si është më së miri. Lukthi i tyre është gjithmonë përplot gjëra të mira. Qyteti i kolonizatorit, është qytet i njerëve të bardhë. I atyre që për ne janë të huaj.

Në anën tjetër, qyteti që u takon njerëzve të kolonizuar, është një "fshat i zi", rezervatë dhune, është vend i krimit të predeterminuar, vend i njerëzve që "nuk ju shkon zëri". Ata janë të lindur atje, pak është me rëndësi ku dhe si. Ata vdesin atje, pak është me rëndësi ku dhe si. Një jetë e tërë e padefinuar : njerëzit jetojnë krejtësisht afër njëri tjetrit të druajtur nga kseonofobia dhe ankthi, shtëpitë e tyre janë pothuajse të ngjitura skaj njëra tjetrës. Qyteti i kolonizuar është qytet i uritur, i uritur për bukë, mish, veshmbathje, naftë e dritë. Qyteti i kolonizuar është "shalë" - mjet i shfrytëzuar si rehatuese e përhershme - e zotëriut mbi të. Ky pra është qyteti i "arabëve të ndyrë". (autori aludon në Kudsin, por për shkaqe subjektive apo objektive nuk i'a përmend emrin, vërejtje F. Sadiku)

Në vendin e kolonizuar i huaji ka ardhur nga vendi tjetër, dhe ka imponuar qeverisjen e tij me forcën e armëve dhe makinerisë. Përkundër transformimit të tij deri diku të suksesshëm si dhe përkundër "natyralizimit" të tij sipas mundësive me vendin që e ka pushtuar, kolonizatori për të kolonizuarin mbetet i huaj. Ai vazhdon të konsiderohet si racë e huaj, dhe për vendasin e ligjshëm ai vazhdon të mbetet tjetri.

Thyerja e botës së kolonializuar nuk do të thotë edhe thyerje e kufinjëve në mes të dy zonave (qytetit të kolonizuesit dhe qytetit të të kolonizuarit), dhe as rikonjuktim i raporteve në mes të këtyre palëve të ekskomunikuara. Për tu thyer bota e kolonizuar, nuk është nevojshme as më pak e as më shumë se sa zhdukja e njërës nga të dy zonat, triumfi i njërës zonë mbi tjetrën apo edhe dëbimi i të huajit, nga vendi, i atij që është protagonisti i vërtetë i dikotomisë ndarëse në zona.

Bota e kolonizuar sipas Fanonit është botë ekskluzivisht bardhë e zi. Nuk është e mjaftueshme për kolonizatorin të kufizojë çarkullimin fizik të të kolonizuarit nëpërmjet ushtrisë dhe policisë.

Sikur dëshiron ta dëshmojë karakterin e tij totalitarist, ai nga i kolonizuari sendërton objektin e shtypjes rutinore dhe ky shëmbëllim ngërthen në vete afinitetin e kolonizatorit që edhe kufomën e të të kolonizuarit t'a konjukturalizojë në shërbim të një konstruksioni imagjinar të armikut. Në anën tjetër, bashkësia e kolonizuar nuk është assesi e predestinuar të jetë një bashkësi të cilës i mungojnë vlerat. Përkundrazi, ajo në periudhën parakolonizuese mund të ketë qenë bastion i gjenerimit të vlerave. Megjithatë sërish nuk është e mjaftueshme për kolonizatorin që ato vlera t'i konsiderojë si të "paqena për momentin", apo si të "humbura", apo në kontekst më vulgar të mos e pranojë se ato kanë eksistuar ndonjeherë, duke nihilizuar me to. Kolonizatori nuk ngopet lehtë.

Agjenda e kolonizatorit është substancialisht më e thellë se kaç. Intencë parimore e tij është që të kolonizuarin ta degradojë fundamentalisht, duke e paraqitur botërisht si një HIÇ, si të "egër", si të "pandjeshëm ndaj etikës", dhe jo vetëm si të largët nga vlerat por edhe si ekstrapolim i negacionit ndaj vlerave. Ai është (nëse flasim gjithnjë nga këndi i kolonizatorit), "armik i vlerave" dhe në këtë kontekst i kolonizuari është gjithsesi "kriminel" , "terrorist", "secesionist" etj. Ai për më tepër është "faktor destabilizues" i çdo gjëje që ka pranë vetes, ai "nuk i lë dy gurë bashkë", ai është "element deformues", ai shkatërron gjithçka që ka të bëjë me "të bukurën" (ama konturat dhe modusin e së cilës i përcakton vetë kolonizuesi sipas shijes së tij!?), ai nuk ka të bëjë me "moralin" (?!), ai është "rezervatë i energjive negative", që vetëm pret momentin për t'i vënë në funksion këto energji si dhe forca të tjera të errëta që derivojnë nga "kanibalizmi" i tij.

Me gjuhën e Mussolinit, kolonizatori jo vetëm që i bënë "shërbim të madh" botës që shtyp ekscentrizmat e mundshëm të "papërparuarëve" (të tillë i konsideronte në veçanti etiopianët dhe shqiptarët), por edhe vetë të kolonizuarit duhet të jenë krenarë (?!), "që kanë fatin që ti civilizojë - civiluzuesi" (lexo: kolonizatori).!

Konstelacionet e këtilla shpeshëherë logjikisht të qojnë në konkludimin se i kolonizuari definitivisht dehumanizohet, për të mos thënë se kthehet në shtazë. Zaten pikërisht termet dhe etiketimet të cilat i përdorë kolonizuesi kur përmend të kolonizuarin janë terme dhe etiketime shtazarake.

Me një fjalor neodarvinist dhe fundamentalisht racist dhe përçmues ai të kolonizuarin e konsideron si të ngecur në evolucion tek familja e reptilëve. Si ekstrapolim konkret në këtë drejtim mund t'i përmendim serbët që shqiptarët i etiketonin si "njerëz me bishta" (madje në vitin 1912 kryeministri serb Vladan Djordjeviç kishte arritur t'i bindë me plot kuptimin e fjalës edhe disa "intelektual" europian gjoja se shqiptarët me të vërtetë kanë bishta !?) , apo edhe çifutët të cilët në komunikimet e tyre në mes vete të gjithë jo-çifutët i quajnë goya (njejës : gomar), apo/edhe goyom (shumës : popull gomar).

I kolonizuari i pashpresë së këndejmi qeshet me situimin e krijuar, i qeshet nga humori i zi, i qeshet në secilin rast kur dëgjon aluzionin për të dhe botën shtazore në fjalët e të tjerëve. Kjo sepse ai e di që nuk është kafshë dhe pikërisht kur fillon t'a kuptojë të qenurit e tij, si qenie humane, atij i bie ndërmend që di ta përdor armën e cila do t'ia sigurojë fitoren.

Në kontekstin kolonialist, kolonizatori mbaron me punën e tij vetëm në momentin kur i kolonizuari e pranon vetë supremacinë e të fortit, madje fillon edhe ta konsiderojë të fortin si shpëtimtar. Arritjen e këtij stadi të kolonializimit, Fanoni e konsideron kulmin e gjithçkaje që ka të bëjë me kolonializimin. Personalisht frikohem se kjo po ngjet pikërisht në Kosovë tash e dhjetë vite, por edhe në Afganistan e Irak.

Faktor krucial i dekolonizimit sipas Fanonit është rikthimi i të kolonizuarëve besnikërisht kah vlerat e veta. Kjo sipas Fanonit, nuk do të thotë që i kolonizuari të dalë nga lëkura e tij, por të sillet mendësisht, politikisht, e diplomatikisht ashtu siç sillet në front. Në front ai e di që vëllëzërit e tij nuk posedojnë tankse e aeroplanë-gjuajtës, por megjithatë ai sikurse ata vazhdon të luftojë me një kallashnikov të ndryshkur dhe madje t'i kurajojë edhe shokët e tij për vetëbesim.Gjithashtu ai e di se në rast të plagosjes, mjetet sanitare dhe medikamentet janë në nivel të ulët dhe të pakrahasueshme me ato të kundërshtarit, por ai vazhdon të sakrifikojë me risqet, si dhe të marrë mbi supe të gjitha konsekuencat e mundshme, çoftë edhe më fatalen: vdekjen.

Mirëpo kur është fjala tek hapat politik dhe ata diplomatik Fanoni vë në theks pikërisht armën kryesore të armikut : krijimin e dikotomisë dhe skizmës në mes popullit dhe prijësve të popullit, armë kjo që e bënë të pamundur konjuktimin e praktikës së njejtë politike me praktikën e sjelljes në front. Me fjalë të tjera Fanoni aludon në faktin se në luftë mund t'u besosh të paktën atyre pak armëve që i ke, anipse ato janë gjësende dhe jofrymore, ndërsa në politikë nuk mund ti besosh as vllaut tend e lëre më "prijësve politik", anipse këta janë frymorë. Këtu Fanoni në dukje të parë duket se lajthitë për faktin se këtë gjë e konsideron si diçka amplifikuese dhe të veçantë. Në fakt kjo është fare simplifikuese dhe e përgjithshme.

Kjo ngase nëse nisemi nga pikëvështrimi i realitetit të sotëm politik global, del se një situatë e ngjashme është prezente çdokund, madje edhe tek vetë amerikanët ku qytetarët më tepër i bojkotojnë zgjedhjet se sa që dalin në to (rast konkret është Ronald Regani që ka mbajtur postin me vetëm 16% të votave të elektoratit të deleguara në Kongres), por këtu megjithatë kemi dy anë të medaljes ngase fundja ç'rol luan për amerikanët apo/dhe për çifutët (jo)probabiliteti i elektoratit, kur në fakt ata veçse janë në ofanzivë ndërkaq që në rastin tonë myslimanët në defanzivë ?! Andaj së këndjemi kujt më shumë se myslimanëve i duhet sot koheziviteti politik popull-prijës politik ?! A ka diçka më të rëndësishme se sa ngjizja afatgjate në mes këtyre dy komponentëve kur dihet mirë fakti se myslimanët janë të ndarë dhe kanë qeverisje anti-popullore që nga Maroku deri në Indonezi ?!

Pamundësia e veprimit për të kolonizuarin e zhvesh atë nga mundësia për të zgjedhur, prerogativë aq e domosdoshme për të. Një situatë e tillë e katandisë atë pranë një dileme bazike : të kolaboroj me kolonizatorin në favor të të mirave personale të cilat ai i'a ofron në këmbim të tradhtisë ndaj vendit të tij, apo së bashku me vëllëzërit e tij të luajë me kartën e nacionalizmit – ideologji kjo që historikisht nuk është derivat i të shtypërve, por postulat sikurse doktrinar ashtu edhe praktik i shtypësve.

Nacionalizmi si eksponent në këtë kontekst së pari nuk i shërben kauzës, apo më mirë thënë i shërben relativisht të kolonizuarit e shumë më shumë kolonizuesit. Të parit me ndonjë përfitim të vockël territorial, të dytit me realizimin e politikës shumë të preferuar të tij : divide at impera ("përçaj dhe sundo"), dhe këtë nëpërmjet mundësisë të cilën paradoksalisht i'a ofron vetë i pari, e që kur këtu futen edhe viktimat e rëna në emër të nacionalizmit, i bie që kolonizuesi fiton si mysafir në terren të të kolonizuarit. Me fjalë të tjera prerogativa e nacionalizmit e nisur nga i kolonizuari, i jep përparësi një pjesë të integritetit territorial në dëm të integritetit biologjik të tërë atyre akterëve që vdesin për idealin e pashkruar, abstrakt, partikular dhe i cili çonë ujë në mullirin e kundërshtarit. Së dyti nacionalizmi i të kolonizuarit është i predestinuar të dështojë sepse në mungesë të aleatëve, ai rrëshqet në unicentrizëm në një koklavitje të pashpresë dhe të kotë alla hitleriane "vetëm ne kundër të gjithëve" Së treti Fanoni ka rezerva për nacionalizmin edhe për faktin se e konsideron si prerogrativë të udhëheqësve me prejardhje nga klasat e mesme dhe të cilët lehtë do të mund të binin pre e privilegjeve të ofruara nga kolonizatorët. Për këtë arsye ai fton për rikthimin e popujëve kah vlera e veta duke mos absorbuar ideologji që tëhuajsojnë dhe eksterminojnë fundamentet bazike të vlerave të një populli.

Njerëzit e kolonizuar nuk janë të vetëm. Pikërisht kolonizimi sipas Fanonit i kontribuon internacionalizimit të çështjes dhe problemit të vendit të kolonizuar, megjithkëtë natyrisht krejt kjo në kuadrin e suazave e interesit dhe potencialeve tërheqëse që ka vendi i kolonizuar për t'u bërë objekt interferimi në mes të subjekteve ndërkombëtare. Fitorja e madhe e vietnamezëve kundër francezëve pranë Dien Bien Phua-s nuk është më ekskluzivisht vetëm një tregim vietnamez. Që nga 1954-ta, pytja që shtrohet ka të bëjë me atë se cili do të jetë Dien Bien Phua i rradhës ? Apo çfarë Dien Bien Phua mund t'a bëjmë ne ?! Asnjë individ i kolonizuar sot nuk dyshon në mundësinë për një Dien Bien Phua të rradhës në token që ai e konsideron të pafalshme. dhe gjithnjë preokupohet për mjetet dhe mundësitë se si t'a realizojë një Dien Bien Phua tjetër. Ky zhvillim nuk prek vetëm të kolonizuarit, por u shkakton kokëçarje edhe kolonizatorëve respektvisht qeverisë së tyre të ndërtuar dhunshëm mbi vullnetin dhe pa vullnetin e vendasëve. Pasi që të jenë stërlodhur nga kolonizimi, qëllim i tyre tani edhe nëse nuk është tërheqja, mund të jetë dezorientimi i politikave të të kolonizuarit i cili po merr këmbët.

Ndaj potezave gjeostrategjik alla Dien Bien Phua-s të zgjedhur nga ana e të kolonizuarit, kolonizuesi eksperimenton me politikën perfide të njohjes së ndonjë "pjese të çliruar" të ndonjë territori nga ana e kolonizatorit, me të vetmin qëllim që duke shfrytëzuar grumbullimin e tërë njerëzve, aseteve ekonomike dhe potencialeve ushtarake të të kolonizuarit në pjesët në fjalë, dhe kështu duke e izoluar të kolonizuarin t'ia jap atij goditjen vendimtare pikërisht në ato "pjesë të çliruara".

Ajo çfarë sipas Fanonit e kolapson çështjen me tu bartur kjo e fundit në tryezën politike është pikërisht perfiditeti që ngërthen në vete politika. "Internacionalizimi i çështjes", mundësia e kompromiseve të rrezikshme, dhe në lënia në duar të politikanëve e "zgjedhjes së çështjes", e vë substancialisht në peshojë mundsinë e dekolonizimit.

Efektet kontrapsikologjike të bartjes së kauzës nga fronti në tryezën politike, Fanoni i shpjegon me shembullin e rrahjes së dy individëve (algjerianë) në mes vete, të cilët anipse ishin në Amerikë (mijëra kilometra larg nga Algjeria) dhe anipse ishin që të dy të mendimit se duhet luftuar kundër kolonializmit francez, ata divergjonin në mes vete politikisht (pra për rrugët politike që duhet ndjekur) që ishte edhe arsyeja e vetme e rrahjes së tyre në mes vete. Në kontekst pra, Fanoni politikën e sheh si armikun kryesor të dekolonizimit dhe me apo pa dashje ngjanë me George Konradin dhe "Antipolitikën" e tij.

Njerëzit e kolonizuar sipas Fanonit kuptojnë se asnjë konflikt nuk është i suazave të lokalizuara. Ata pra e kuptojnë se esenca e konfliktit nuk është vetëm lokale apo regjionale, por më e gjerë, ndërkombëtare. Duke dëgjuar përditë se ndonjë flotë luftarake e gjashtë apo e shtatë është nisur drejt një limani detar të kundërshtarit, duke u habitur se si Hrushovi vendos t'i ndihmojë Kastros por më vonë tërhiqet, duke dëgjuar se Kenedi "papritmas" vendos për ndonjë zgjedhje të çështjes së Laosit duke marrur ndonjë "vendim drastik", njerëzit e kolonizuar e kuptojnë se ata nuk janë në fund të botës por janë pikërisht pjesë e narracionit të një biznesi të madh ndërkombëtar dhe ku ata pra janë vetëm objekt biznesi dhe personazhe të pavlera të narracionit.

Të zhgënjyer por dhe të përforcuar nga dështimi i universalitetit të proklamuar socialist, njerëzit e kolonizuar rrokin armët dhe sërish zgjedhin frontin si vend adekuat për shprehjen e paknaqësive të tyre dhe si vend për qërimin e hesapeve të mëtutjeshme. Kështu Rendi Ndërkombëtar edhe ashtu i polarizuar, polarizohet edhe më tej, siç ishte rasti i Luftës së Ftohtë kur SHBA-të moralisht "përkrahnin" kërkesat e vendeve afrikane për dekolonizim nën parollën "Afrika për afrikanët" duke i bërë thirrje europianëve për tërheqje sikurse që përkrahnin edhe çdo ekcentrizëm anti-socialist/sovjetik, por ama SHBA-të, Europa dhe Sovjetët ishin në paqe në mes vete sado të brishtë. Afrikanët nuk i shijonin 4 miliardë dollarët e SHBA-vë që dedikoheshin ekskluzivisht për Izraelin, por luftonin me kolonizuesit nga të katër anët si dhe me SIDËN e dalur pikërisht nga laboratoret amerikane. (sic, vërejtje Fatlum.Sadiku).

Është normale sipas Fanonit që konfliktet e amputuara në mes shteteve të pafuçishme të mbahen të tilla në vazhdimësi përderisa një situatë e tillë i shërben vetë shteteve të fuçishme. Në sytë e imperializmit është e rëndësisë që socializimi të hyjë në zemrat e masës subkoshiente që vetëm pason sistemet e servuara politike, përderisa vetë eksistenca e socializimit është në interes të imperalizmit dhe kontrollohet nga vetë imperializmi. Duke zhdukur ndjenjat nacionale, socializimi i kontribuon mbajtjes së luftërave larg SHBA-vë, strategji kjo e propozuar nga gjeopoliticieni Alfred Mahani.. Se socializimi është vetëm një lojë në duar të imperialistëve, Fanoni këtë e ilustron duke parafrazuar Çurçillin: "Ai që e lexon "Manifestin Komunist" në moshën 18 vjeçare e nuk bëhet KOMUNIST, ai nuk ka zemër. Ai që e lexon "Manifestin Komunist" në moshën 25 vjeçare e bëhet KOMUNIST, ai nuk ka tru".

Megjithkëtë brenda për brenda rrethit vicioz të koeksistencës në paqe, është gjykuar që kolonitë të zhduken dhe në për një kohë të gjatë ish vendet e kolonizuara të kenë marrdhënie të mira me vendet kapitaliste. Kjo për faktin se njerëzit e kolonizuar shumë mië e dinë kush sundon me botën, ndaj që pasja e marrëdhënieve të mira me vendet e kolonizuara në kohë të caktuara është një imperativ i vetë shteteve kapitaliste. Por e tëra kjo në suaza të Realpolitikës. Doktrina më e re kolonialiste amerikane e Zbigniew Brzezinskit mbi botën islame është fare e thjeshtë: "Në vendet armike duhet t'i zgjojmë myslimanët, në vendet mike t'i shtypim ata".

Mobilizimi i masave në fazën e parë dhe dalja nga lufta nënkupton përpëlitjen identitare të pjestarëve të një kombi për identitet, ardhmëri dhe vetëdije të përbashkët. Në fazën e dytë shtrohet si detyrë standardi imediat i ruajtjes së asaj që ësht fituar. Kështu gjatë periudhave të parreshtura dhe ravijëzuse të kolonializmit njerëzit janë thirrur në luftë kundër represionit ; pas çlrimit thirren në luftë kundër varfërisë, analfabetizmit dhe prapambeturisë. Lufta, thonë, vazhon tutje. "Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera" - pati thënë *** Won Clausewitzi. Hegeli e pati quajtur "Fortunë që largon pluhurin nga moçali". Por nëse vetëm pasohet dhe duke pasuar mëtohet të sendërtohet anticipimi mbi të si koncept, kurrë nuk do të mund të konkludohet se ajo është realisht planifikohet dhe fabrikohet nga një çendër e caktuar ! Për këtë në vend të të pasuarit, duhet analizuar, krahasuar, logjikuar e vlerësuar. Për këtë e kemi trurin !

"Njeriu që pason, është ROB. Njeriu që mendon, është I LIRË" - Robert Ingersol.


Autori është student i vitit të tretë të Shkencave Politike në UP
http://www.mesazhi.com/news_detail.php?id=15053
Post Reply