Millosh Gjergj Nikolla-Migjenicory taylor wrote:asi, ne cilen periudh ka jetu millosh gjergj nikolla edhe ncilen periush e ka shkru poemen e mjerimit ... (kush ka qen ne pushtet)???
1911-1938...Migjeni gjate gjithe jetes se tij u mundu me damasku sistemin e prapambetur shoqeror si dhe fashizmin qe po e kercenonte Shqiperine dhe gjithe Evropen ne ate kohe...Ka jetu ne periudhen kur Shqiperia ka qene nen sundimin turk..pastaj n'vitin 1912 Shqiperia e shpalli Pavaresine...Poemen e Mjerimit e shkroi ne periudhen e pas shaplljes se Pavaresise...deri kur erdhi ne pushtet Mbreti Ahmet Zogu ne vitin 1928...
më shumë:
Cikli i dytë i "Vargjeve të lira" nis me "Poemën e mjerimit", kryevepër poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore. Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën. Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s'arrit ta ndryshojë këtë pamje tragjike, megjithë lutjet e mëshirat mijëvjeçare. Pas kësaj poeti konkludon:
Mjerimi s'do mëshirë, por don vetëm të drejtë!
I gjithë cikli pavarësisht nga dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit, koha do të dijë t'i qetësojë.
Në këtë cikël poeti na jep për herë të parë me shumë art figurën e punëtorit që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë, duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.
Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore të asaj shoqërie që pjell mjerimin. Në ciklin e tretë "Kangët e prendimit", Migjeni, sjell pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën ekonomike përpiqen t'i mbulojnë me pseudoart, me vepra e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë të shtëllungave të tymit e të avujve, të djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij cikli poeti sjell imazhin e një bote sonambul që po rrëshqet drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës. Kjo botë e zhytur në mjergull ende s'po e kupton se po i pregatisin një tragjedi të re. Për t'u orientuar në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga bota punëtore e uzinave me thirrjen poetike:
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,
Si vazhdim i këtij mendimi poetik, autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën "Kangë më vete" ku ai sjell më konkret imazhin e luftës së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin, që po hyn si hajn edhe në Ballkan.
Menjëherë pas kësaj vjen cikli "Kangët e Rinisë", që së bashku me ciklin "Kangët e fundit" janë më intime, më shprehës të shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve të tij.
Te "Kangët e rinisë" bën pjesë vjersha "Ekstazë pranverore", që së bashku me këngët e ringjalljes dhe "Sonet Pranveror", janë krijimet më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i triunfit të një bote të re, që do të jetë gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë poeti t'a shijojë këtë pranverë? Parandjenja e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që, ndoshta, s'ka për ta parë këtë botë të re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën e pesimizmit.
Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi.
Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.
Në disa vjersha "Rezignata", "Trajtat e mbinjeriut" etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë. Ai është një figurë, që merr përsipër të udhëheqë masat drejt një bote të re, ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i turbullt dhe lë shteg për t'u interpretuar në mënyra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët, optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për të renë, për të bukurën.