Historia Shqiptare !

Shkruni qka dini per histori, vetni, msoni... ma mire se n'shkoll ko me u kan.

Moderator: AciDiuS

User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

2. VEPRIMET LUFTARAKE

Sukseset e para të kryengritësve
Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup.
Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Shefqet Turgut pasha u orvat ta përligjte atë në sytë e popullsisë së revoltuar dhe të bindte kosovarët se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë në këtë vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake të komanduara prej tij nuk qenë dërguar për të shkaktuar gjakderdhje, por për të vendosur rregullin e qetësinë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte gjithashtu se qeveria dëshironte t’i siguronte popullit shqiptar të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në interesin e tij dhe të shtetit që të gjithë kryengritësit të dorëzoheshin.
I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.
Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në perëndim të Ferizajt deri në anën jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë, i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan në Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë të tjerë filluan të vepronin në radhët e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë të dezertonin.
Në fazën e parë të operacioneve ushtria osmane pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj, e cila kishte për detyrë të dilte në fshatin Pozharan dhe me një veprim të shpejtë t’i rrethonte forcat kryengritëse të grupuara në këtë rajon, ndeshi në një qëndresë të ashpër dhe e ndërpreu përkohësisht marshimin e mëtejshëm.
Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën perëndimore të zonës kryengritëse. Forcat osmane të përqendruara këtu, më 21 prill, pas luftimesh të rrepta, arritën t’i afroheshin Shtimjes që mbrohej nga kryengritësit. U ndërpre lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin. Luftimet vijuan në Shtimje gjithë ditën, me humbje të mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë mbështetjen e zjarrit të artilerisë, nuk mundi ta merrte Grykën e Shtimjes. Në pritje të përforcimeve të reja nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej nën goditjet e vazhdueshme të kryengritësve.
Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtimje përshpejtoi veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë atë në një pozitë kritike. Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.
Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë të mirë të territoreve të vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit. Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.

Beteja e Kaçanikut
Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet Turgut pasha dhe e përbërë në fillim nga 9 000-10 000 veta, e përforcuar me reparte kalorësie dhe e mbështetur nga zjarri i artilerisë, filloi mësymjen kundër 3 000-4 000 kryengritësve shqiptarë të përqendruar në Shkallën e Kaçanikut të udhëhequr nga Idriz Seferi. Para sulmit të përgjithshëm ushtria osmane goditi me artileri fshatrat përreth. Masakrimi i grave, i fëmijëve dhe i pleqve që kishin mbetur atje, nuk solli, ashtu siç e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha, shkurajimin e mbrojtësve shqiptarë të Grykës së Kaçanikut. Përkundrazi, me gjithë epërsinë e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1 maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan aftësi të veçanta luftarake.
Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti në luftime kundër kryengritësve në Kosovë arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë e madhe e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut. Megjithëse ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme mbi forcat kryengritëse, këto i përballuan sulmet e tyre për shtatë orë rresht, duke kaluar edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit e kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën të dilnin nga rrethimi në mënyrë të organizuar dhe, duke u tërhequr në drejtim të Gjilanit, vijuan ta godisnin armikun.
Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi humbje të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Njësi të posaçme të ushtrisë turke dogjën fshatrat që nuk kishte arritur t’i rrafshonte artileria. Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak dënoi kryengritësit e zënë robër dhe përkrahësit e tyre. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej para popullsisë vendase të grumbulluar me forcë dhe nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të bandës ushtarake.
Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën popullore.
Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha, në ditët e para të majit, i përforcuar edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Një kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi, gjatë marshimit të saj nëpër Kumanovë, përgjatë hekurudhës, ndeshi në të hyrë të Grykës së Konçullit, në mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi. Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane u rezistuan për disa ditë forcave osmane, derisa atyre u erdhi në ndihmë një kolonë tjetër. Megjithatë, qëndresa e kryengritësve vijoi edhe më pas, por në grupe më të vogla, të përbëra nga 150-200 veta. Edhe në këto vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje, u vuri zjarrin fshatrave të tëra.
Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në mësymje në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin në zonën Shtimje-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini?, numri i të cilave nuk i kalonte 4 000 vetat. Për dy ditë dhe dy netë rresht u zhvilluan atje luftime të ashpra. Megjithëse nisi nga Ferizaj reparte të garnizoneve të Prizrenit dhe të Mitrovicës, që vepronin anës Grykës së Carralevës, komanda osmane nuk arriti t’i rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan të kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti të depërtonte në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u rënë prapa krahëve kryengritësve.
Taktika që përdorën udhëheqësit e kryengritësve, sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi për një kohë për të përballuar epërsinë e armikut në njerëz dhe në armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë e detyroi ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që të vihej vetë në krye të fushatës ushtarake në Shqipëri.

Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)
Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve, urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë. Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura nga artileria malore.
Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës, që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre u vështirësua kur u dolën në shpinë forca osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim të ushtrisë turke.
Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave të pambrojtura.
Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të tjera.
Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse u gjendën përballë një armiku që kishte epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët vijuan qëndresën në këtë pikë disa ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave që priteshin nga çasti në çast, e bënë të pamundur përballimin e mëtejshëm të sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.
Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.
Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë një forcë të përbërë prej 50 mijë ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë “Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë dhe në Qafën e Agrit
Në qershor ushtria osmane vijoi veprimet luftarake në zonën e Drenicës dhe përreth saj. Por paqësimi i Kosovës nuk qe i lehtë e u shoqërua me humbje të mëdha. Për këto humbje dëshmon edhe mbajtja e qindra ushtarëve të plagosur nëpër hekurudhën Mitrovicë-Selanik. Marshimi i forcave qeveritare në Kosovë, nën drejtimin e ministrit të Luftës, u shoqërua me terrorizimin e me poshtërimin publik të kryengritësve që nuk iu bindën autoriteteve osmane. Sheshet e qyteteve Prizren, Rahovec, Gjakovë, Pejë e të tjera u kthyen në arena të keqtrajtimeve të banorëve të Kosovës.
Bastisja e shtëpive dhe arrestimet në masë u bënë në bazë të urdhrit për dorëzimin e armëve brenda 12 orëve. Burgjet u mbushën me të burgosur, që u nënshtroheshin torturave. Edhe krerët, si Shaban Binaku, që do t’i besonin faljes së shpallur nga autoritetet xhonturke, u ekzekutuan me varje.
Për të nënshtruar përfundimisht Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe sidomos qëndresën e armatosur të shqiptarëve, repartet osmane, të riorganizuara në dy divizione, vijuan, gjatë muajve qershor-korrik 1910, operacionet edhe në zona të tjera, në perëndim të Rrafshit të Dukagjinit për t’u hedhur më pas në Shkodër dhe drejt Lumës dhe Dibrës. Këto forca dolën nga Rugova në Plavë, bllokuan të gjitha shtigjet e kufirit malazez, për të penguar kalimin e kryengritësve në Mal të Zi. Nëntë batalione ushtarësh, pasi kaluan Qafën e Prushit, u hodhën në zonën e Hasit.
Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.
Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin, në luginën e Shalës dhe të Thethit.
E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910.
Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës së Madhe.
Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.
Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi, në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.

Shtrirja e terrorit xhonturk në viset e tjera
Pas shtypjes së kryengritjes së Kosovës ekspedita ushtarake e komanduar nga Shefqet Turgut pasha u shtri edhe në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme.
Synimi i qeverisë xhonturke dhe i qarqeve ushtarake më të larta të Perandorisë ishte të shtypte jo vetëm qëndresën e armatosur të shqiptarëve, por edhe vatrat e organizmat e lëvizjes kombëtare. Klubet e organizatat e tjera kombëtare shqiptare u fajësuan si nxitëse të lëvizjes së armatosur. Anëtarët e klubeve, mësuesit e gjuhës shqipe, madje edhe ata që ndiqnin kurset e gjuhës shqipe, u bënë objekt i një terrori të paparë, njëlloj si pjesëmarrësit e kryengritjes së armatosur të Kosovës.
Përgjithësisht terrorit iu nënshtruan gjithë veprimtarët e lëvizjes kulturore e arsimore kombëtare, edhe pse kjo ishte një veprimtari e ligjshme.
Pre e terrorit xhonturk u bënë edhe qytetet, si Shkodra, Tirana, Elbasani e vise të tjera, që nuk qenë përfshirë në kryengritje. Edhe në këto treva u arrestuan, u burgosën dhe u internuan nga gjyqet speciale qindra atdhetarë. Për t’i poshtëruar në sytë e popullit dhe për ta frikësuar atë, këta në fillim i rrihnin publikisht nën tingujt e bandës ushtarake. U gjykuan dhe u dënuan në mungesë shumë atdhetarë të arratisur, të akuzuar për veprimtari antishtetërore.
Me vendim të qeverisë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe, u ndalua nxjerrja e gazetave dhe botimi i librave në gjuhën shqipe. U pushuan nga puna mësuesit e gjuhës shqipe të shkollave shtetërore, si dhe nëpunësit shqiptarë që kishin marrë pjesë në lëvizjen kulturore e arsimore kombëtare. Ndjekjeve iu nënshtruan edhe elementët e moderuar. Deputetët shqiptarë u akuzuan si përkrahës të kryengritjes dhe për lidhje të fshehta me kryengritësit.
Veprimtaria e çetave të armatosura vijoi edhe pas kalimit të forcave osmane, të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, nga Kosova në Shqipërinë e Veriut e të Mesme, madje edhe kur në Kosovë u vendosën përsëri forca të shumta ushtarake. U bënë të shpeshta përleshjet ndërmjet çetave shqiptare dhe ushtrisë osmane. Përleshje të tilla të armatosura ndodhën më 15 shtator 1910 afër Mitrovicës dhe më 28 shtator afër Pejës. Më 15 tetor valiu i Manastirit njoftonte Stambollin për përpjekjet e ushtrisë me çetat kryengritëse të Dibrës. Po në tetor valiu i Shkodrës njoftonte qeverinë se ushtria ishte demoralizuar krejtësisht dhe se kishte rrezik të bashkohej me kryengritësit. Më 9 nëntor valiu i Kosovës informonte qeverinë për sulmet e shqiptarëve kundër postkomandave ushtarake në nahijen e Beranës.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ushtroi ndikim të fuqishëm në zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Jehona e saj u ndje edhe në lëvizjet çlirimtare të popujve të tjerë, të Maqedonisë dhe të Arabisë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

3. QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
NDAJ KRYENGRITJES SHQIPTARE

Qëndrimi i shteteve ballkanike
Duke qenë se nuk mundën të gjenin aleatë të jashtëm në luftën e tyre kundër Perandorisë Osmane, krerët e kryengritjes së Kosovës u përpoqën të siguronin të paktën krahët nga sulmet e pritshme të armiqve të jashtëm. Për ta nuk qenë të panjohura synimet shoviniste të qarqeve politike të shteteve fqinje, që mund të shfrytëzonin luftën shqiptaro-osmane për plotësimin e qëllimeve të tyre. Megjithatë, krerët e kryengritjes u kërkuan autoriteteve shtetërore të vendeve fqinje ndihmë ushtarake, madje u bënë edhe propozime për aleancë.
Kështu, krerët e qëndresës së armatosur në Llap e në Shalë, sapo nisi kryengritja në muajin prill, kërkuan të mësonin nga konsulli i Serbisë në Prishtinë nëse Beogradi ishte i gatshëm t’i ndihmonte me armatime e municione dhe t’i strehonte në rast se do të ishin të detyruar të tërhiqeshin nga lufta kundër forcave osmane. Në përputhje me udhëzimet që kishte marrë nga ministri i Jashtëm Millovanoviç, konsulli Rakiq u tha shqiptarëve se në rast nevoje mund të gjenin strehim në Serbi, ndërsa kërkesën e tyre për armatime e kundërshtoi në mënyrë të prerë, me pretekstin se shqiptarët e kishin mbajtur të fshehtë nga Serbia përgatititjen e kryengritjes.
Qëndrimi negativ i qeverisë serbe ndaj kërkesave të shqiptarëve për ndihmë diktohej nga marrëdhëniet e mira që Serbia kishte në atë kohë me Turqinë, të cilat kushtëzoheshin nga interesat ekonomikë, politikë dhe ushtarakë të çastit. Kryengritja kundërosmane në Kosovë filloi në kohën kur mbreti Pjetër I, N. Pashiqi dhe Millovanoviçi, pas vizitës së tyre në Petrograd, shkuan edhe në Stamboll. Qeveritarët serbë shpresonin atëherë se do të mund të siguronin koncesionin e hekurudhës së Adriatikut.
Nga ana tjetër, Bullgaria bënte përpjekje të lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luftën e tyre në të mirë të synimeve të veta. Për këtë qëllim qeveria bullgare dhe vetë mbreti Ferdinand mbanin lidhje me organizatat shqiptare dhe me disa nga krerët shqiptarë. Ndërkaq qarqet politike dhe shtypi i Sofjes ndiqnin me interesim kryengritjen shqiptare. Disa prej tyre i shikonin ngjarjet në Kosovë si fillim i fundit të sundimit osman dhe kërkonin të përfitohej nga gjendja e krijuar për të ndërhyrë në Maqedoni. Grupe të tjera politike bullgare, duke i vlerësuar ngjarjet në Shqipëri si kalimtare, kërkonin që Bullgaria të mbante qëndrim korrekt kundrejt Perandorisë Osmane. Megjithëkëtë, si qarqet oborrtare të Sofjes të kryesuara nga princi Ferdinand, ashtu edhe qeveria bullgare, duke menduar se kryengritja shqiptare do t’i jepte një goditje të fortë regjimit xhonturk, parashikonin të nxirrnin përfitime prej saj. Shtypi zyrtar bullgar shkruante pas fillimit të kryengritjes, se Bullgaria, si fqinjë e mirë e Turqisë, dëshironte që qeveria osmane të vendoste qetësinë e rregullin në viset e përfshira nga kryengritja, por në rast se kjo kryengritje merrte përmasa të mëdha dhe shndërrohej në një të keqe që mund të cenonte paqen në Ballkan e të sillte pasoja të rënda për bullgarët e Maqedonisë, atëherë qeveria bullgare nuk mund të rrinte duarkryq.
Përfaqësuesi diplomatik serb në Sofje u përpoq të bindte kreun e qeverisë bullgare, se ishte në interesin e shteteve ballkanike t’i liheshin Turqisë duart të lira për të shtypur kryengritjen shqiptare.
Shqetësimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej nga Vjena, si pretekst për ndërhyrje në Ballkan, përbënte një arsye më shumë që Serbia të tregohej e rezervuar ndaj lëvizjes së armatosur në Kosovë. Këto zhvillime rrezikonin planet e saj të kahershme për ekspansionin drejt territoreve shqiptare. Synimet autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shtynin edhe më shumë qeverinë serbe që të kërkonte shtypjen e kryengritjes së Kosovës. Sendërtimi i tyre vlerësohej në Beograd si një pengesë shumë më e madhe për projektet e Serbisë, sesa pushteti i Perandorisë Osmane mbi trevat shqiptare. Fati i kësaj Perandorie tashmë ishte përcaktuar. Ajo po i afrohej me shpejtësi fundit të saj.
Millovanoviçi shprehu mendimin se ishte në interesin e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike që konflikti i armatosur i shqiptarëve me xhonturqit të ishte sa më i përgjakshëm, në mënyrë që të dyja palët të dobësoheshin sa më shumë. Sipas parashikimeve të tij, kështu do të arrihej qëllimi i dyfishtë: nga njëra anë, dobësimi i Perandorisë Osmane do ta lehtësonte luftën e ardhshme të Serbisë e të Bullgarisë kundër saj; nga ana tjetër, shqiptarët e mposhtur nga ushtria osmane do të arrinin në një gjendje të tillë sa të pranonin të viheshin nën Serbinë.
Diplomatët serbë ndiqnin me kënaqësi çarmatimin e shqiptarëve nga autoritetet ushtarake osmane. Përfaqësuesi i Beogradit në Stamboll e siguronte ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se Serbia ishte e gatshme t’i bënte Turqisë shërbimet e nevojshme për t’ia lehtësuar mposhtjen e kryengritjes. Edhe Porta e Lartë e priti me kënaqësi gatishmërinë e Beogradit për të ndihmuar në qetësimin e Kosovës.
Pas rënies së Grykës së Kaçanikut, kur ushtria osmane filloi marshimin në drejtim të Carralevës, konsulli serb në Prishtinë mori udhëzime për t’i dhënë ekspeditës turke çdo përkrahje. Me porosinë e tij fshatarët e mësuesit serbë u vunë në shërbim të Turgut Pashës. Sipas udhëzimeve që morën nga oficerët e shtabit turk në Ferizaj, ata mblidhnin të dhëna për gjendjen, organizimin e vendndodhjen e forcave kryengritëse dhe përhapnin lajme të rreme rreth marshimit të forcave të mëdha osmane për të shkurajuar shqiptarët.
Në kundërshtim me premtimin që u kishte bërë shqiptarëve në fillim të kryengritjes, Serbia nuk pranoi t’i strehonte kryengritësit. Beogradi pranoi të strehonte në Serbi vetëm disa prej krerëve, si Hasan Hysen Budakovën, Zejnel Beun nga Gjilani, Shaqir Çavdarbashën nga Peja dhe bajraktarin e Ostrozubit, duke shpresuar se mund t’i përdorte në shërbim të politikës serbe. Qeveria serbe i ofroi strehim edhe Idriz Seferit, por ky nuk e pranoi dhe qëndroi në malet e krahinës së vet, në Karadak.
Ndryshe nga Serbia, Mali Zi, edhe pse nuk e përkrahu kryengritjen shqiptare, nuk mbajti qëndrim armiqësor kundrejt saj dhe u dha strehim kryengritësve.
Kryengritësit e anës veriperëndimore të Kosovës në fillim u vendosën në Bjeshkët e Namuna. Por mungesa e ushqimeve dhe fillimi i të ftohtit e bëri të pamundur qëndrimin e tyre të mëtejshëm në ato anë. Në këto rrethana, Isa Boletini, në emër të të gjithë krerëve të kryengritjes, kërkoi nga Cetina që t’i strehonte në Mal të Zi. Kjo kërkesë u pranua nga qeveria e Malit të Zi, e cila formoi një komision të posaçëm për strehimin e emigrantëve. Ata u vendosën në Cetinë, në Podgoricë, në Shpuzë, në Nikshiq dhe në Ulqin.
Por pas deklaratave të princ Nikollës për motivet humanitare që e shtynë të mbante këtë qëndrim, fshihej synimi i tij për të bërë për vete krerët shqiptarë, duke shpresuar se me ndihmën e tyre do të kënaqte lakmitë territoriale ndaj tokave shqiptare që shkonin deri në Mat e më gjerë, ndërsa populli malalez i priti miqësisht refugjatët e ardhur nga territoret shqiptare.

Kryengritja e Kosovës dhe Fuqitë e Mëdha
Fuqitë e Mëdha, duke respektuar politikën e ruajtjes së status quo-së në Turqinë Evropiane dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengritjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë Stambollit për shtypjen e kryengritjes.
Por qëndrimi i Fuqive të Mëdha kundrejt lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve e sidomos ndaj metodave të dhunës e të terrorit që përdori ushtria turke për paqtimin e territoreve shqiptare, nuk ishte i njëjtë. Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Portës së Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë e këshillonte Stambollin që të mos shkonte shumë larg në masat e dhunës ndaj shqiptarëve.
Të njëjtin qëndrim mbajti në përgjithësi diplomacia gjermane. Nëpërmjet përpjekjeve diplomatike që bënë pranë qeverisë xhonturke, Vjena e Berlini i tërhoqën vërejtjen asaj për masat e tepruara shtypëse. Ato i bënë të ditur Stambollit se ndjekja e këshillave ruse për ashpërsimin deri në skaj të konfliktit me shqiptarët, do të sillte dobësimin e të dyja palëve dhe do t’ua lehtësonte shteteve ballkanike plotësimin e pretendimeve territoriale ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as Berlini, as Vjena.
Po kështu ministri i Jashtëm i Italisë, San Xhuliano, nëpërmjet ambasadorit të tij në Stamboll, ndonëse në mënyrë të kujdesshme e të matur, i bënte të qartë Portës së Lartë se edhe Italia nuk e miratonte aksionin energjik dhe masat e egra të ushtrisë turke në Shqipëri; ndërsa opinioni publik e shtypi italian shprehën simpatinë për kryengritjen shqiptare dhe dënuan politikën e egër të qeverisë xhonturke kundrejt shqiptarëve. Në këto qëndrime të dukshme proshqiptare ushtronte ndikimin e vet edhe mjedisi arbëresh.
Në pjesën tjetër të kontinentit evropian e të atij amerikan u ndje ndikimi i mitingjeve të protestës, i agjitacionit dhe i propagandës që kolonitë shqiptare të mërgimit, shoqatat dhe komitetet bënë në të mirë të kryengritjes shqiptare. Një vend të veçantë zë këtu mitingu i organizuar në Boston.
*
* *
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj.
Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit osman nuk arriti të shtrihej në një hapësirë të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ, as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në kufijtë e vilajetit të Kosovës nuk u arrit një bashkërendim i veprimeve luftarake. Ndonëse luftuan për të përballuar marshimin e ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut pasha, kryengritësit nuk arritën të organizonin një qëndresë të përgjithshme në gjithë vilajetin. Vatrat e qëndresës së shqiptarëve, siç qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në këto dobësi ndikoi edhe mungesa e një qendre të vetme drejtuese politike e ushtarake në shkallë kombëtare ose të paktën ndërkrahinore. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e vendit qëndroi mënjanë ngjarjeve të Kryengritjes së vitit 1910 dhe nuk u përfshi në luftën e armatosur kundër regjimit xhonturk. Shumica e veprimtarëve të klubeve atdhetare në vilajetet e Shkodrës, të Janinës dhe të Manastirit nuk ishte ende e bindur për domosdoshmërinë e luftës së armatosur. Edhe deputetët shqiptarë, duke përfshirë edhe ata më radikalët (me ndonjë përjashtim), nuk qenë të prirur në këtë kohë për të dalë nga kuadri i luftës parlamentare, ndërsa komitetet e fshehta në Jug të vendit, ndonëse ishin përkrahës të kryengritjes së armatosur, nuk ishin të përgatitur për të mbështetur me veprime të armatosura kryengritjen e Kosovës.
Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur, të stërvitur nga instruktorë të huaj.
Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që vijuan t’i përmbaheshin politikës, tashmë tradicionale, të ruajtjes së status quo-së.
Megjithëse Kryengritja e armatosur e vitit 1910 u shtyp, qeveria turke u detyrua të bëjë ndonjë lëshim. Në vjeshtën e vitit 1910 ajo hoqi ligjin për bandat, lejoi hapjen e ndonjë shkolle shqipe, pa hequr dorë nga përpjekjet për t’i detyruar shqiptarët që të përdornin alfabetin arab, ndërpreu zbatimin e masave për çarmatimin, për rekrutimin ushtarak e për mbledhjen e taksave dhe premtoi se do të përdorte një fond të posaçëm për ndërtimin e shtëpive të djegura e të rënuara gjatë fushatave ushtarake të vitit 1910. Për të penguar një shpërthim të ri të kryengritjes në Kosovë, Porta e Lartë dërgoi atje disa komisione që u ngarkuan të qetësonin vendin duke u marrë vesh me krerët shqiptarë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

MENDIMI POLITIK DHE KULTURA KOMBËTARE
NË VITET 50-70 TË SHEK. XIX

1. RRYMAT POLITIKE NË LËVIZJEN KOMBËTARE NË FUND
TË VITEVE 60 DHE NË FILLIM TË VITEVE 70

Në fund të viteve 60 u përpunua dhe u pasurua më tej mendimi politik kombëtar, u formuluan më qartë e në mënyrë të përcaktuar një varg kërkesash kombëtare në fushën ekonomike, politike e arsimore-kulturore, të cilat shprehnin nevojat e klasës së re, të borgjezisë dhe u përgjigjeshin njëherazi aspiratave të të gjithë popullit.
Pas shtypjes së kryengritjeve të viteve 40-60 kundër Tanzimatit, ku një rol të rëndësishëm luajtën qytetet kryesore të vendit, rrethet borgjeze i humbën shpresat se mund t’u vinte ndonjë ndihmë nga shteti osman për zhvillimin e tregtisë, të industrisë dhe për mbrojtjen nga depërtimi e konkurrenca e mallrave të huaja. Për më tepër, me zbatimin e reformave të Tanzimatit përfaqësuesit e borgjezisë shqiptare ishin përjashtuar pothuajse krejtësisht nga pozitat drejtuese në administratën e re. Përveç kësaj, dobësimi i Perandorisë Osmane po e bënte gjithnjë më të qartë se ajo nuk ishte në gjendje të mbronte territoret e saj nga orvatjet ekspansioniste të shteteve të tjera. Pikërisht këto lakmi të shteteve ballkanike fqinje, që u drejtuan në mënyrë të theksuar edhe ndaj tokave shqiptare, u bënë një faktor tjetër i rëndësishëm që shqetësonte forcat më të ndryshme shoqërore të vendit.
Qarqet borgjeze shqiptare ishin gjithashtu të interesuara të zhdukeshin anarkia dhe grabitjet sistematike që kryenin sunduesit osmanë në bashkëpunim me feudalët vendas. Përveç kësaj, ato ishin të pakënaqura nga shpenzimi joprodhues i shumave të mëdha që Stambolli nxirrte nga Shqipëria duke varfëruar fuqinë blerëse të tregut shqiptar, pa i dhënë vendit asgjë që të ndihmonte zhvillimin ekonomik.
Në këto kushte, në fund të viteve 60, ideologët e lëvizjes kombëtare i formuluan hapur e më gjerë kërkesat për zbatimin në Shqipëri të reformave që do t’i çelnin rrugën zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe politik të vendit. Një ndër këta ishte Zef Jubani nga Shkodra (1818-1880), bir i një tregtari dhe i një familjeje me tradita atdhetare. Mësimet e para i mori në Shkodër dhe i vijoi në shkollën e mesme tregtare në Maltë. Jashtë atdheut ai ra në kontakt, si dhe intelektualë të tjerë të rinj shqiptarë të kësaj kohe, me qarqet demokratike të vendeve të Evropës Perëndimore dhe veçanërisht të Italisë, ku u lidh ngushtë edhe me personalitet arbëreshe.
Zef Jubani formuloi për herë të parë kërkesat e borgjezisë së re shqiptare për reforma ekonomike, shoqërore e politike. Idetë e tij për gjendjen e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për nevojën e reformave për përmirësimin e saj, Zef Jubani i parashtroi në mënyrë më të qartë në dy studime: “Gjendja aktuale e popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundrime mbi gjendjen morale dhe mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar”, që u botuan më 1871 si hyrje e një përmbledhjeje këngësh popullore. Në ato vite ai i ishte kushtuar mbledhjes e studimit të folklorit shqiptar, për të cilin kishte bërë disa botime. Duke përshkruar, në dy studimet e mësipërme, gjendjen e vajtueshme ekonomike, shoqërore e kulturore ku e kishte lënë Shqipërinë sundimi i huaj, Zef Jubani vinte në dukje traditat pozitive të së kaluarës së popullit shqiptar, shprehte besimin në aftësitë e tij për të ecur përpara dhe bënte thirrje për bashkim e për të vënë të gjitha energjitë në shërbim të atdheut të robëruar.
Zef Jubani i kritikonte ashpër ligjet e padrejta, veprimet arbitrare, taksat e rënda, angaritë dhe gjykatat osmane, që drejtoheshin nga të paditur e që shkelnin drejtësinë. Ai dënonte qeveritarët osmanë, të cilët, gjoja për të luftuar zakonin barbar të hakmarrjes, përdornin mjete edhe më barbare. “Në këto kushte, - thoshte Jubani, - në Shqipëri nuk do të mund të zërë kurrë vend ideja e qytetërimit”.
Zef Jubani kërkonte që në Shqipëri të vendoseshin ligje të tilla që t’u siguronin barazinë politike gjithë banorëve të saj, pa marrë parasysh ndryshimet fetare, sepse shqiptarët “janë të një gjaku dhe janë të njëjtë për nga gjuha, për nga zakonet, për nga aspiratat”. Krahas ligjeve të përgjithshme të Perandorisë, ai kërkonte që të kishte edhe ligje të veçanta për Shqipërinë, të cilat të mbështeteshin edhe në traditat e mira të popullit të saj, “të nxjerra, - siç shkruante ai, - prej statutesh kombëtare nga më të mirat e më të përshtatshmet”. Ndërkaq, Zef Jubani shprehej në mënyrë të prerë kundër idealizimit të privilegjeve që kishte pasur dhe i ruante Malësia. Ruajtja e tyre donte të thoshte, sipas mendimit të tij, ruajtje e një gjendjeje arbitrariteti e barbarie. Ai kërkonte zbatimin e reformave që do të çonin në zhvillimin ekonomik të vendit; ishte për ndërtimin e rrugëve e të hekurudhave, për themelimin e “ndërmarrjeve publike”, për zhvillimin e lundrimit me avullore e të tregtisë, për shfrytëzimin e pasurive të vendit. Shqipëria, shkruante ai, kishte miniera të pashfrytëzuara, pyje shekullore, lëndë të çdo lloji, tokë me pasuri të begata natyrore, që, po të dinë të nxjerrin prej tyre dobi, mund t’i çojnë shqiptarët në mirëqenie.
Si iluminist i shquar, Zef Jubani mendonte se një rol të rëndësishëm për zhvillimin e aftësive të popullit shqiptar, për forcimin e ndjenjave të tij kombëtare dhe për përparimin e tij, duhej të luante shkolla kombëtare laike, me mësues vendas e jashtë çdo ndikimi fetar. Arsimi shqiptar duhej të përbëhej nga shkollat fillore, që duhej të çeleshin në çdo vend, nga gjimnazet në qytete, si edhe nga shkollat profesionale. Mësimin e gjuhës shqipe ai e quante shumë të nevojshëm për veprimtarinë e ndërmarrësve shqiptarë, sesa atë të turqishtes ose të italishtes, aq më tepër që shkollat në gjuhë të huaja e ftohnin ndjenjën kombëtare. Zef Jubani arriti në përfundimin e drejtë se përhapja e mësimit shqip nuk mund të arrihej pa një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe dhe kundërshtonte ata që shkruanin vetëm me shkronjat latine ose greke. Krijimin e një alfabeti të përbashkët ai e quante një domosdoshmëri dhe shërbim të paharrueshëm për popullin shqiptar. Në shkrimet e tij në shqip ai përdori një alfabet të posaçëm me një sistem të ri shkronjash me bazë alfabetin latin dhe hartoi një gramatikë të thjeshtë të gjuhës shqipe.
Për të ngritur ndërgjegjen e krenarinë kombëtare të bashkatdhetarëve të tij, Zef Jubani, ashtu si rilindësit e tjerë, iu drejtua së kaluarës historike të shqiptarëve, shkroi një “Histori të jetës dhe të veprave të Gjergj Kastriotit”, që mbeti dorëshkrim e nuk mundi të shohë dritën e botimit. Zef Jubani e përshkruan Gjergj Kastriotin si një yll që ndrit e udhëheq popullin shqiptar edhe në kohët moderne, ndërsa trimëria e mençuria e tij simbolizonte virtytet e vetë popullit shqiptar. Kjo vepër është një kushtrim, një thirrje drejtuar shqiptarëve për luftë, për çlirimin e atdheut, duke ndjekur shembullin e Skënderbeut.
Ndonëse vinte në dukje me ngjyra të forta gjendjen e mjerueshme që karakterizonte Shqipërinë, Zef Jubani theksonte se nuk kishte arsye për t’u dëshpëruar, kishte besim në të ardhmen e saj, të cilën do ta siguronin vetë shqiptarët. Ai u drejtohej me zemërim të veçantë “reshperëve që s’bëjnë asgjë dhe presin, duke ndenjur me duar kryq, shpëtimin dhe qytetërimin e Shqipërisë nga kombet e huaja”, d.m.th. atyre përfaqësuesve të borgjezisë tregtare që e kishin lidhur fatin e vet politik me një shtet të huaj. “Unë nuk i besoj sinqeritetit të të huajve që na bëjnë një të mirë pa pasur një qëllim të dytë”, deklaronte Zef Jubani. Në këtë vështrim ai nuk shihte me sy të mirë as veprimtarinë e klerit të huaj katolik në Shqipërinë e Veriut, e cila u shërbente më shumë të huajve. Klerikët e huaj kishin përvetësuar këtu monopolin e arsimit e të kulturës dhe, siç theksonte ai, nuk ndihmonin në përparimin e popullit. Zef Jubani u shpreh edhe kundër pozitës mbizotëruese që mbante Austro-Hungaria në ekonominë e Shqipërisë, duke dëmtuar kështu interesat e borgjezisë shqiptare. Për shkak të këtyre qendrimeve u kritikua ashpër nga kleri katolik, që e quante atë “njeri të asnjë feje”, “... shumë të rrezikshëm nga çdo pikëpamje, sidomos në raportet politike”.
Duke kërkuar ligje, kode e institucione të veçanta, të përshtatshme për popullin shqiptar, i cili tashmë, sipas tij, ishte “formuar si një komb i bashkuar”, Zef Jubani shprehte heshtazi kërkesën e borgjezisë shqiptare për autonomi, d.m.th. për njohjen e interesave të veçanta të territorit që banohej nga kombi shqiptar dhe që dallohej nga territori i kombësive të tjera të Perandorisë Osmane.
Në një kohë me Zef Jubanin, në fundin e viteve 60, kur u acaruan marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan, parashtruan mendimet e tyre për rrugët e shpëtimit të Shqipërisë edhe rilindës të tjerë, si Thimi Mitkoja (1820-1890), Preng Doçi etj. Ata shfaqën mendimin se kishte ardhur koha për një kryengritje të përgjithshme kombëtare dhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia.
Thimi Mitkoja lindi në qytetin e Korçës në një familje tregtare me tradita arsimore e kulturore. Ndoqi shkollën në gjuhën greke në Korçë. Veprimtaria tregtare më pas i dha mundësi të njihej me Vjenën, Triesten, Venedikun, Stambollin, Athinën, Bukureshtin etj. dhe të bjerë në kontakt me lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit e të Evropës. Në vitet 60 u vendos në koloninë shqiptare të Egjiptit, ku punoi për organizimin e lëvizjes patriotike dhe u përpoq për vllazërimin e mëmëdhetarëve jo vetëm në Egjipt, por edhe në vende të tjera.
Pikëpamjet e tij i shprehu në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimin me rilindësit e tjerë e me albanologë të huaj. Si iluminist ai i kushtoi kujdes të veçantë ngritjes së nivelit kulturor e politik të shqiptarëve. Ashtu si Naum Veqilharxhi, ai e quante lëvrimin e gjuhës shqipe një nga detyrat më të ngutshme të lëvizjes për çlirim kombëtar. Thimi Mitkoja punoi me përkushtim për të krijuar te bashkatdhetarët bindjen se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Ballkanit, më të bukurat dhe me aftësi shprehëse të pasur. Duke iu drejtuar historisë në trajtimin e çështjes së gjuhës shqipe, mbështeste tezën për origjinën pellazgjike të shqiptarëve, me të cilën desh të vërtetonte lashtësinë e tyre dhe të gjuhës shqipe. “Shqiptarët, - shkruante Thimi Mitkoja, - janë i vetmi komb autokton i gadishullit të Ballkanit…, një komb i lidhur me një gjuhë dhe histori të tijën”.
Thimi Mitkoja shënoi një kthesë edhe në fushën e ideve e në atë politike. Zhvilloi një veprimtari të gjerë për afirmimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në opinionin publik ndërkombëtar. Ishte ithtar i kryengritjes së armatosur si mjet për çlirimin e popullit shqiptar. U bënte thirrje shqiptarëve “të rroknin armët për të rrëzuar tiraninë”. Ishte një ndër përkrahësit e idesë së lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Kërkonte formimin e një shteti kombëtar shqiptar me ligjet e veta, që të ishte në marrëdhënie të mira me fqinjët dhe i pavarur prej askujt.
Por, nga ana tjetër, vetë Thimi Mitkoja mendonte në këtë kohë se shteti i ri shqiptar do të ishte tepër i dobët për t’u bërë ballë rreziqeve që i vinin nga jashtë dhe prandaj kërkonte që Shqipëria, duke ruajtur individualitetin e vet shtetëror, të formonte me fqinjën e saj në jug, me Greqinë, një lloj lidhjeje federative ose një mbretëri dualiste, sipas shembullit të Austro-Hungarisë. Thimi Mitkoja mendonte se ishte në interes të vetë Greqisë t’u respektonte shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare në shtetin e tyre, për t’i pasur si aleatë kundër një zgjerimi territorial të Serbisë drejt jugut e veçanërisht në Maqedoni. Ky mendim, i cili përkrahej edhe nga disa qarqe arbëreshe, nënvleftësonte rrezikun që kërcënonte Shqipërinë për shkak të prirjeve ekspansioniste të qarqeve drejtuese të Greqisë që Thimi Mitkoja, me sa duket, nuk i njihte mirë. Vënia në jetë e kësaj ideje do të krijonte kushte shumë të favorshme për realizimin e planeve shoviniste të Athinës. Vetë Thimi Mitkoja pas disa vjetësh do të hiqte dorë nga kjo ide.
Edhe intelektualët arbëreshë, si dhe shkrimtarja përparimtare rumune me prejardhje të largët shqiptare, princesha Elena Gjika (1828-1888)?, që bashkëpunonte me ta, mendonin se kriza e krijuar në Ballkan duhej shfrytëzuar për një kryengritje shqiptare që do të lidhej me lëvizjet e tjera kryengritëse në Evropë. Për këtë qëllim grupi i arbëreshëve u vu në lidhje me ato qarqe demokratike përparimtare italiane dhe të Evropës Perëndimore në përgjithësi, të cilat mendonin se në Gadishullin Ballkanik vendin e Perandorisë Osmane që po shthurrej, duhej ta zinte një konfederatë popujsh e shtetesh me të drejta të barabarta.
Elena Gjika, e lindur në Kostancë të Rumanisë, e pajisur me arsim e kulturë të pasur falë studimeve që kreu në Rumani, në Vjenë e në vende të tjera, iu kushtua çështjes shqiptare, për të cilën mbante lidhje me De Radën, Zef Jubanin, Thimi Mitkon, Dhimitër Kamardën dhe me shkrimtarë e atdhetarë të tjerë. Punoi për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, por mbi çdo gjë vlerësonte nevojën e bashkimit të tyre kombëtar. “Shqiptarët, - theksonte ajo, - duhej të merreshin vesh me njëri-tjetrin, t’i harronin përçarjet, të mos ketë më as gegë, as toskë, as lebër, as çamër, por bij të devotshëm të të njëjtit atdhe, sepse kështu gjaku nuk do të shkojë kot”. Për këtë ajo i referohej së kaluarës, historisë së lashtë të popullit shqiptar e veçanërisht epokës së Skënderbeut dhe kontributit të shqiptarëve në kryengritjet çlirimtare të popujve fqinjë. Këto i sillte si argumente për të provuar të drejtën e tyre për të siguruar lirinë dhe për të themeluar shtetin e tyre të pavarur. Ashtu si Naum Veqilharxhi, Elena Gjika mendonte se nuk mund të arrihej bashkimi kombëtar pa përhapjen e arsimit e të diturisë në gjuhën shqipe dhe shtronte si detyrë më të ngutshme përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në popull e lëvrimin e saj. Elena Gjika i shikonte kryengritjet shqiptare e veçanërisht ngjarjet e viteve 1866-1867 si paralajmërim të pavarësisë së Shqipërisë.
Por, në kushtet e Shqipërisë, kur shumica e madhe e feudalëve të vendit e shihnin të nevojshme ruajtjen e lidhjeve me Portën e Lartë dhe lidhjet fetare me kalifatin ushtronin gjithnjë një ndikim të madh në masat e besimtarëve myslimanë, kur borgjezia shqiptare ishte e dobët, pjesërisht e varur nga tregu i huaj dhe e përçarë nga ndikimi i feve, më realiste ishin kërkesat e atyre përfaqësuesve të mendimit politik shqiptar, si Zef Jubani etj., të cilët, pa hequr dorë nga synimi kryesor i çlirimit të vendit, e quanin të parakohshme shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia. Ata mendonin gjithashtu se një Shqipëri e pavarur, por ende e dobët dhe e pamëkëmbur, mund të binte së shpejti viktimë e politikës grabitqare të shteteve fqinje, ndërsa, duke qëndruar në kuadrin e Perandorisë Osmane si provincë autonome, Shqipëria do të siguronte më mirë tërësinë e saj, jo vetëm sepse tërësia tokësore e Perandorisë mbrohej edhe nga Porta, por edhe sepse ajo ishte garantuar nga një sërë marrëveshjesh të Fuqive të Mëdha.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

2. KULTURA KOMBËTARE NË VITET 50 - 70

Përpjekjet për organizimin e shoqërisë kulturore dhe çështja e alfabetit të gjuhës shqipe (vitet 1850-1871)
Qysh në vitet 50, jo vetëm në Shqipëri e Vllahi, ku vazhdonte punën Naum Veqilharxhi, por edhe në Stamboll, ku ishin grumbulluar shumë shqiptarë, tregtarë, nëpunës, intelektualë, të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, vijuan përpjekjet për lëvrimin e shqipes dhe për hapjen e shkollave kombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim u bë në vitet 50 me themelimin e një shoqërie kulturore në Stamboll, qëllimi i së cilës ishte të grumbullonte mjetet e nevojshme për shtypjen e librave dhe për mbajtjen e shkollave. Shoqëria i vinte vetes si detyrë të përfshinte në gjirin e saj përfaqësues të të gjitha krahinave dhe feve. Vetëm kështu, siç deklaronte më 1857 një nga anëtarët e saj, Thimi Mitkoja, do të mund të sigurohej qëllimi i shoqërisë, “ringjallja e përgjithshme kombëtare”.
Themelimi i shoqërisë kulturore të Stambollit qe hapi i parë që bënë aktivistët e lëvizjes shqiptare për të dalë nga faza e veprimeve të veçuara, për të krijuar një bërthamë organizative e përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Anëtarët e shoqërisë bënë përpjekje brenda dhe jashtë Shqipërisë për të siguruar përkrahje për realizimin e qëllimeve të saj.
Por veprimi i patriotëve shqiptarë nuk dha fryte, sepse u prit me armiqësi nga Porta e Lartë dhe nga qarqet panheleniste me Patrikanën greke të Stambollit në krye.
Situata e krijuar veçanërisht me krizën e viteve 60, e cila u hapi popujve të robëruar të Perandorisë perspektivën e çlirimit, i nxiti patriotët që të rifillonin përpjekjet për organizimin e lëvizjes kulturore kombëtare. Nismën për këtë e mori Kostandin Kristoforidhi (1830-1895) nga Elbasani.
Kostandin Kristoforidhi i kishte kryer studimet e larta në Maltë dhe në Angli. Nga albanologu i njohur J. G. Han ai kishte marrë nxitjen e parë për t’iu kushtuar studimeve shqiptare dhe shumë shpejt u bë një njohës i thellë i gjuhës shqipe.
Si Naum Veqilharxhi, edhe Kostandin Kristoforidhi kishte arritur në përfundimin se mësimi i shqipes kishte një rëndësi të jashtëzakonshme si shprehje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe e të drejtave të tij, si mjet vëllazërimi ndërmjet shqiptarëve të feve e të krahinave të ndryshme. Ai e shprehte këtë më vonë me fjalët: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar në hartë të botës”.
Qysh në vitin 1864, sapo kishte vajtur në Stamboll, në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tjerë që ndodheshin atje, si Pashko Vasa nga Shkodra, Ismail Qemali nga Vlora, Hasan Tahsini nga Filati i Çamërisë, Kostandin Kristoforidhi kishte organizuar një varg mbledhjesh për ringjalljen e shoqërisë kombëtare. Në këto mbledhje morën pjesë shumë shqiptarë që ndodheshin në Stamboll, që biseduan përsëri për nevojën e sigurimit të mjeteve financiare për “shkronja dhe për shkolla shqipe”. Por kusht i domosdoshëm për hapjen e shkollave dhe për shtypjen e librave shqip ishte caktimi i një alfabeti të vetëm të shqipes, që të njihej dhe të përdorej nga të gjithë shqiptarët si alfabeti i tyre kombëtar në vend të alfabeteve të shumta që ishin në përdorim dhe pengonin mësimin e gjuhës amtare (alfabeti latin në Shkodër, alfabeti grek ndër ortodoksët e jugut, alfabeti arab midis myslimanëve, alfabeti i Dhaskal Todrit ose i Naum Veqilharxhit në disa krahina të veçanta).
Por që në mbledhjet e para u dukën shenja moskuptimi ndërmjet pjesëmarrësve në lidhje me caktimin e alfabetit. Mosmarrëveshjet nxiteshin edhe nga Porta e Lartë, e cila ia arriti qëllimit që mbledhja të shpërndahej pa dhënë fryte.
Më 1867 këto përpjekje u përsëritën. Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, me të cilët u bashkuan edhe shqiptarë të tjerë, si bankieri Kristaq Zografi, funksionarë shqiptarë të Portës, si Mustafa pashë Gjiriti, Rustem pashë Leskoviku etj., si përfaqësues të një komisioni nismëtar për themelimin e një shoqërie kulturore shqiptare, iu drejtuan kryeministrit, Ali Pashës, me lutje që të lejonte formimin e një shoqërie shqiptare me karakter kulturor.
Gjendja e nderë në Ballkan i kishte bindur Ali Pashën dhe disa përfaqësues të qarqeve qeveritare osmane se vazhdimi i politikës së forcës ndaj shqiptarëve dhe pengimi i çdo përpjekjeje të tyre për përparim do ta thellonte armiqësinë ndaj Portës jo vetëm të të krishterëve, por edhe të myslimanëve shqiptarë dhe do të bënte që shqiptarët të merrnin të gjithë anën e armiqve të Perandorisë. Përkundrazi, liria e mësimit të gjuhës, sipas tyre, do t’i lidhte myslimanët shqiptarë më ngushtë me Portën, ndërsa të krishterët do t’i neutralizonte. Për këtë arsye Ali Pasha autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vijonte mbledhjet e tij.
Anëtarët e komisionit iu përveshën përsëri punës për ringjalljen e shoqërisë kulturore. Mirëpo hovi që po merrte lëvizja patriotike në radhët e shqiptarëve ortodoksë e shqetësoi Patrikanën greke, e cila ushtroi trysni mbi ta për t’i larguar nga rruga e lëvizjes kombëtare. Në të njëjtën kohë filloi të ndryshonte edhe qëndrimi i kryeministrit turk ndaj nismës shqiptare. Qarqet konservatore në Portën e Lartë “kursin e butë” të Ali Pashës ndaj çështjes shqiptare e shikonin si të rrezikshëm për unitetin e islamizmit dhe të Perandorisë, meqenëse u hapte shtegun edhe kërkesave të kombësive të tjera myslimane. Nën trysninë e tyre Ali Pasha filloi t’i nxirrte pengesa komisionit nismëtar e pak më vonë e ndaloi krejtësisht veprimtarinë e tij.
Me gjithë dështimin që pësoi më 1867, grupi i atdhetarëve të Stambollit nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të krijuar një qendër të lëvizjes kombëtare. Kjo mbetej një detyrë e përhershme veçanërisht në kushtet e zgjerimit të luftës që i bënin lëvizjes shqiptare Patrikana dhe Porta. Në vitin 1867 nën hijen e Patrikanës ishte themeluar organizata me emrin “Vëllazëria qendrore kulturore” dhe më 1871 “Silogu (klubi - shën. i aut.) kulturor epiriot”, president nderi i të cilit u zgjodh renegati i çështjes shqiptare, bankieri Kristaq Zografi. Synimet e vërteta të Silogut shiheshin qartë në statutin e tij, ku gjente shprehje shqetësimi që kishte kapur Patrikanën e qarqet shoviniste greke për përparimin që po bënte Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe për rritjen e ndikimit të saj në popullsinë e krishtere shqiptare. Duke vënë në dukje se edhe në vise të largëta malore, siç ishte krahina e Shpatit të Elbasanit, kishte filluar të mësohej fshehurazi gjuha shqipe, statuti theksonte nevojën për të shtuar përpjekjet për përhapjen e arsimit grek në Shqipëri. Nën kujdesin e Silogut e me lejen e qeverisë osmane në Shqipërinë e Jugut e të Mesme u hapën dhjetëra shkolla greqisht krahas atyre turqisht.
Kjo veprimtari e qarqeve shoviniste greke bashkërendohej me politikën thellësisht antishqiptare të Portës së Lartë, e cila ua mohonte shqiptarëve të drejtën për të mësuar gjuhën amtare. Edhe gazeta zyrtare, që filloi të dilte më 1871 në Prizren, botohej turqisht e serbisht, ndërsa ajo e Janinës turqisht e greqisht.
Në këto kushte, në vitin 1871 patriotët shqiptarë të Stambollit i rifilluan përpjekjet për krijimin e një organizate patriotike shqiptare. Një rol të rëndësishëm në këto përpjekje, krahas Kostandin Kristoforidhit, luajti Hasan Tahsini (1811-1884), i cili i kishte bërë studimet në Francë dhe ishte një figurë e shquar e shkencës. Hasan Tahsini nuk reshti së predikuari se mësimi i gjuhës shqipe, edhe me shkronja joarabe, nuk ishte aspak në kundërshtim me frymën e kuranit. Rreth tij u bashkuan jo vetëm personalitete që ishin aktivizuar qysh në përpjekjet e para, por edhe intelektualë të rinj, si Sami Frashëri, Jani Vretoja etj., që rimëkëmbën komisionin nismëtar. Por Porta e Lartë edhe kësaj here i nxori pengesa komisionit nismëtar duke ngulur këmbë që puna e tij të kufizohej vetëm me të krishterët shqiptarë, kurse myslimanët s’duhej të kishin asnjë lidhje me këtë çështje.
Kundërshtime u shfaqën edhe në vetë gjirin e komisionit. Disa pashallarë, të nxitur nga Porta, kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab. Kundër kësaj zgjidhjeje doli shumica e anëtarëve të komisionit, të cilët vinin në dukje se jo vetëm për arsye shkencore, por edhe politike, shqiptarët, si anëtarë të familjes evropiane, nuk duhej të përdornin një alfabet oriental, por evropian.
Një grup tjetër, me Jani Vreton në krye, duke iu mbajtur tezës mbi origjinën e përbashkët pellazgjike të popullit shqiptar e grek dhe të lidhjeve kulturore ndërmjet tyre, u shprehën për alfabetin grek. Për alfabetin latin ishte më në fund një grup i tretë, me Pashko Vasën, Ismail Qemalin dhe Kostandin Kristoforidhin, të cilët mbështeteshin jo vetëm në argumente historiko-politike, por edhe në ato praktike (siç ishte fakti që shkronjat latine nuk duheshin derdhur veçanërisht, por gjendeshin të gatshme në çdo shtypshkronjë).
Një zgjidhje tjetër propozonte Hasan Tahsini, i cili, ashtu si Naum Veqilharxhi, mendonte se në kushtet e Shqipërisë duhej përdorur një alfabet i ri, krejt i veçantë, për të cilin shkronjat i kishte shpikur vetë.
Komisioni arriti më në fund në marrëveshjen për të hartuar alfabetin duke u mbështetur në parimin themelor: “për secilin tingull një shkronjë”. Ky parim përjashtonte pranimin e pandryshuar të një alfabeti latin, ashtu edhe të alfabetit grek, të cilët tingujt e veçantë të shqipes nuk mund t’i jepnin pa dyzime shkronjash. Por çështja e alfabetit dhe formimi i shoqërisë kulturore shqiptare nuk mundën të zgjidheshin përfundimisht. Porta mbajti një qëndrim kërcënues dhe pashallarët shqiptarë u larguan menjëherë nga komisioni. Në të njëjtën kohë edhe Patrikana i shtoi intrigat e saj kundër lëvizjes patriotike shqiptare. Në këto kushte komisioni u detyrua të ndërpriste edhe këtë herë punën pa arritur ndonjë përfundim konkret.
Me gjithë vështirësitë që hasën, atdhetarët nuk hoqën dorë nga qëllimet e tyre. Por, duke mos pasur lejen dhe mundësitë që të vepronin haptazi për lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare, ata përpiqeshin të punonin fshehurazi, duke bërë çdo gjë fli. Koto Hoxhi nga Qestorati i Gjirokastrës (1824-1895), i cili ishte emëruar më 1873 mësues në normalen e Qestoratit, në orët e lira u mësonte fshehurazi nxënësve shqipen dhe u ngjallte atyre dashurinë për gjuhën, për atdheun, për bashkatdhetarët e feve të tjera. Kjo veprimtari patriotike e futi Koto Hoxhin në grindje me konsullin grek dhe me peshkopin e Gjirokastrës. Peshkopi e shkishëroi dhe njëkohësisht vuri njerëz ta sulmonin. Por ky nuk u tërhoq para vështirësive. Kështu, nga shkolla e Qestoratit nuk dolën vetëm mësues fanatikë të helenizmit, por edhe atdhetarë si Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, të cilët ndoqën rrugën e Koto Hoxhit.

Lëvizja letrare dhe botimet shkencore
Fundi i viteve 60 shënojnë një etapë me rëndësi në përparimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që u pasqyrua edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Një veprimtari të madhe në këtë fushë zhvilloi Kostandin Kristoforidhi. Duke hyrë në shërbim të një organizate protestante angleze, të Shoqërisë Biblike, e cila botonte përkthime të ungjillit në gjuhë të ndryshme të botës për përhapjen e besimit fetar, Kostandin Kristoforidhi kishte shpresë që të vinte në jetë planet e tij për zhvillimin e letërsisë në gjuhën shqipe me fondet e kësaj Shoqërie. Dhe me të vërtetë, në vitet 1864-1872, me ndihmën e Shoqërisë Biblike, ai mundi të botonte mbi 10 vëllime, ndërmjet të cilave ishin disa përkthime të rëndësishme fetare, si “Dhjata e re” etj.
Por Kostandin Kristoforidhi nuk mendonte ta kufizonte veprimtarinë e vet vetëm në botime fetare. Në këtë kohë ai vijoi punën për hartimin e një fjalori themelor të gjuhës shqipe dhe përgatiti një varg botimesh popullore, si dhe një revistë kulturore. Nga këto ai mundi të botonte më 1867 “Abetaren e gjuhës shqipe” toskërisht e gegërisht. Ndonëse planet e tij për mungesë përkrahjeje nuk mundën të arriheshin veçse pjesërisht, veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit në këto vite pati rëndësi të madhe. Përkthimet e shkrimeve fetare të Kostandin Kristoforidhit u bënë objektivisht një mjet lufte kundër propagandës shkombëtarizuese të kishës greke; ato shënonin një hap të ri drejt krijimit të një kishe ortodokse shqiptare dhe rrëzonin pretendimet e “panhelenistëve” që thoshin se gjuha shqipe ishte një gjuhë e varfër dhe nuk mund të shërbente si gjuhë kulture. Me përkthimet e tij Kostandin Kristoforidhi bëri gjithashtu një punë të madhe për pasurimin e gjuhës së shkruar me një varg termash dhe shprehjesh të nxjerra nga gjuha e popullit. Për më tepër, me shkrimet e tij ai ndihmoi për afrimin e dy dialekteve kryesore të shqipes, të gegërishtes dhe të toskërishtes, duke marrë si bazë për përkthimet e tij gegërisht autorët e vjetër të Shqipërisë së Veriut, që ishin shumë afër toskërishtes.
Në këto vite letërsia shqiptare filloi të merrte përmbajtje të re më të përparuar, lidhur me detyrat e reja që shtronte koha dhe gjendja e vendit. Kështu, krahas shkrimeve me karakter fetar e didaktik që kishin mbizotëruar deri tani, filloi të trajtohej tema patriotike. Në këto krijime rilindësit u bënin thirrje bashkatdhetarëve për të luftuar sundimin e huaj, për ta vënë çështjen kombëtare përmbi fetë, për të zhvilluar e për të lëvruar gjuhën e kulturën kombëtare. Një rol të rëndësishëm si aktivist i letërsisë artistike shqipe dhe i lëvizjes kombëtare në përgjithësi filloi të luante në këto vite Thimi Mitkoja nga Korça. I mërguar në Egjipt, ai zhvilloi një veprimtari të madhe e të frytshme për mbledhjen e folklorit shqiptar.
Në të njëjtën kohë filloi të shkruante vjersha Spiro Risto Dineja nga Vithkuqi i Korçës (1846-1922), që përshkoheshin nga fryma atdhetare. Shovinistëve grekë Spiro Dineja nuk ua kurseu qortimet për armiqësinë që tregonin kundrejt shqiptarëve, si p.sh. për vrasjen e pabesë të Naum Veqilharxhit.
Dashuria për atdheun gjeti një shprehje të zjarrtë dhe artistikisht të lartë në vjershat e Preng Doçit (1846-1917), siç dëshmojnë ndër të tjera vargjet: “Shqyptarë trima, zgjedhën lshoni, / kputni prangat e luftoni!”
Fryma patriotike përfshiu edhe të tjerë poetë klerikë katolikë të veriut si Pjetër Zarishin (1806-1866), Ndue Bytyçin (1847-1917), Leonard de Martinon (1830-1923) etj.
Në këtë lëvizje morën pjesë edhe intelektualë arbëreshë, duke dhënë një ndihmë të çmuar në dobi të çështjes kombëtare. Besnikë ndaj traditave demokratike, që ishin shfaqur edhe me pjesëmarrjen masive të arbëreshëve në Revolucionin e vitit 1848 edhe në lëvizjen për çlirimin e Italisë në vitet 1859-1861, një plejadë intelektualësh arbëreshë, midis të cilëve shquheshin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Vinçenc Dorsa, Zef Serembe etj., iu dhanë me mish e me shpirt mbledhjes dhe studimit të thesareve të gjuhës e të kulturës së popullit shqiptar.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim vijonte të luante Jeronim de Rada (1814-1903) me punën e tij si poet i shquar, studiues i palodhur dhe propagandist i flaktë i çështjes së çlirimit të popullit shqiptar. Me veprat e tij shkencore, si “Vjetërsi e kombit shqiptar”, me poemat epike madhore, si “Skënderbeu i pafanë”, të botuara në vitet 60 e në fillim të viteve 70, De Rada u bë një figurë e madhe e kulturës shqiptare, e njohur jo vetëm në kolonitë arbëreshe e në Shqipëri, por edhe në botën letrare e kulturore evropiane. Veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e nderonin De Radën si një udhëheqës të shquar të luftës së tyre. Veprat e tij i çmuan edhe figurat e mëdha të letërsisë evropiane të kohës, si A. de Lamartinë, F. Mistral; ato u përkthyen në një varg gjuhësh të huaja.
Në vitin 1866 u botuan dy përmbledhje të rëndësishme të folklorit arbëresh-shqiptar, njëra “Rapsodi e një poemi shqiptar” prej De Radës dhe tjetra prej filologut të shquar Dhimitër Kamarda (1821-1882) nga Hora e Arbëreshve pranë Palermos, si “Shtojcë” e veprës “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Nëpërmjet pasurisë së madhe artistike që paraqiste folklori, të dy studiuesit arbëreshë u përpoqën me sukses të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik botëror mbi popullin shqiptar dhe lashtësinë e tij, si dhe mbi të drejtën e tij për t’u njohur si komb më vete. Nga viti 1865 filloi të bashkëpunonte me studiuesit arbëreshë edhe Dora d’Istria (Elena Gjika). Ajo zhvilloi një veprimtari të gjallë publicistike veçanërisht mbi tema lindore, midis tyre edhe shqiptare, që e bënë më shumë të njohur dhe shërbyen njëkohësisht për ta popullarizuar çështjen shqiptare në opinionin publik botëror.
Duke marrë shkas nga libri i De Radës, Dora d’Istria botoi po atë vit (më 1865) në gjuhën frënge një studim me titull “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”. Në të autorja vinte në dukje se këngët popullore historike shqiptare, e në mënyrë të veçantë rapsoditë e botuara nga De Rada që kishin si figurë kryesore Skënderbeun, flisnin jo vetëm për aftësitë krijuese artistike të një populli me kulturë të lashtë, por përbënin edhe një dokument historik, i cili dëshmonte për dashurinë për liri e pavarësi që kishte ruajtur populli shqiptar gjatë shekujve, me gjithë kushtet e vështira të pushtimit të huaj. “Ka ardhur koha, - i shkruante ajo De Radës, - që historia jonë të dalë gjithashtu nga varri ku e kanë groposur kaq e kaq farisej”. Duke u mbështetur në të dhënat e historisë, në këtë vepër dhe në vepra të mëvonshme, Dora d’Istria vinte në dukje se shqiptarët kishin të drejtë, me rastin e një risistemimi të ardhshëm politik të Evropës Juglindore, të fitonin lirinë e tyre dhe mundësinë për përparim në kuadrin e shtetit të tyre të pavarur.
Grupi i patriotëve arbëreshë u vu në lidhje me atdhetarë shqiptarë në Shqipëri dhe në kolonitë, si p.sh. me Zef Jubanin në Shkodër, Thimi Mitkon në Egjipt etj., të cilët u dhanë zemër për të vijuar veprimtarinë politike e letrare për të mirën e çështjes shqiptare. Duke u nisur nga parimi i shprehur nga Dora d’Istria, se “pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike”, grupi arbëresh përpiqej të themelonte një shoqëri letrare mbarëshqiptare, që do të botonte një gazetë me emrin “Flamuri i Skënderbeut”, një fjalor dhe një gramatikë të gjuhës shqipe.
Grupi arbëresh zhvilloi një veprimtari të rëndësishme për të bërë të njohur çështjen shqiptare në opinionin publik botëror dhe për të krijuar lidhje me lëvizjen atdhetare në Shqipëri. Dëshmi e këtij bashkëpunimi u bë libri me titull “Dora d’Istrias - shqiptarët”, një përmbledhje vjershash botuar nga Dhimitër Kamarda më 1870, për të cilën kishin bashkëpunuar autorë shqiptarë dhe arbëreshë të kolonive të Italisë e të Greqisë si Zef Jubani, Thimi Mitkoja, I. Pema, Preng Doçi, Jeronim de Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj. Përtej qëllimit kryesor, për t’i shprehur filoshqiptares së shquar mirënjohjen për ndihmën që i jepte çështjes shqiptare, libri u bë një manifest i parë, i përbashkët i lëvizjes letrare kombëtare që po rritej në këto vite.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Familja Mbreterore Shqiptare

Familja Mbreterore Shqiptare mberriti ne qershor ne Tirane duke i dhene fund nje mergimi 63 vjecar. Nje avion "Boing 727" i kompanise "Million Air", transportoi nga aeroporti Lanceria i Johanesburgut, Nenen Mbretereshe Geraldina, Trashegimtarin e fronit Leka Zogu, pjesetaret e Familjes Mbreterore, stafin e tyre te ngushte dhe nje pjese te personelit te sherbimit.

-Largimi i familjes Mbreterore nga Shqiperia
Me 27 prill te vitit 1938, me nje ceremoni madheshtore te zhvilluar ne ambjentet e Pallatit Mbreteror ne Tirane, Mbreti i shqiptareve Ahmet Zogu vuri kuroren martesore me princeshen Geraldina Apony, e cila rridhte nga nje familje ariostokrate. Cifti mbreteror nuk mundi te jetonte me shume se nje vit ne Shqiperi, sepse me 6 prill 1939 , kur atyre kishte vetem dy dite qe u kishte lindur trashegimtari, u detyruan qe te largoheshin nga Shqiperia per ne Greqi . Shkaku i largimit te familjes Mbreterore nga atdheu ishte agresioni italian ne Shqiperi , per te cilin ai kishte zgjedhur daten e lindjes se djalit te Mbretit Zog dhe trashegimtarit te vetem te familjes Mbreterore. Mbreteresha Geraldine se bashku me djalin dhe njerezit qe e shoqeronin, me 6 prill 1939 kaloi kufirin dhe hyri ne territorin grek duke u vendosur ne qytetin e Follorines. Nje dite me pas u bashkua me ta edhe Mbreti Ahmet Zogu. Mbreti Jorgos i Greqise duke mos dashur te hynte ne konflikte me Italine , i sugjeroi Mbretit Zog qe te vazhdonte udhetimin e tij me ne lindje , ku ai do te ishte me i qete dhe do te kishte ndihmen e pakursyer te miqve te tij te vjeter.

-Prill 1939, ne Greqi dhe Turqi
Nga mesi i muajit prill te vitit 1939, Mbreti Ahmet Zogu me Oborrin e tij Mbreteror dhe rreth 2000 besniket e tij , u nis nga Greqia dhe mberriti ne Stamboll te Turqise. Aty dolen per ta pritur me mijra vete kryesisht shqipetare te vendosur aty prej vitesh, te cilet pershendeten ardhjen e tij dhe shprehen zemerim per pushtimin e Shqiperise nga Italia Fashiste. Mbreti Zog megjithe mbeshtetjen qe gjeti ne Turqi vendosi te largohej , pasi e ndjente veten krejt te izoluar nga shtetet Perendimore te Europes ku dhe luhej e gjithe politika. Ai vendosi te largohej ne France e cila i kishte dhene me pare garancine se pranonte ta priste Mbretin Zog me gjithe suiten mbreterore.

-Gusht 1939,ne France dhe ne Angli
Udhetimi i Mbretit Zog zgjati disa muaj duke udhetuar nga Turqia ne Bullgari, Rumani, Poloni, Suedi dhe prej andej mberriti ne Paris. Gjate ketij udhetimi te gjate ne ndalesat qe u bene ne Bukuresht dhe ne Varshave , Mbretin Zog kishin dal per ta pritur me mijra vete te cilet shprehnin simpatine per Familjen Mbreterore. Ai nuk qendroi per shume kohe ne France , pasi ajo rrezikohej te pushtohej nga Gjermania , dhe keshtu ai vazhdoi udhetimin e gjate per te mberritur ne Angli. Ne Angli Mbreti Zog si fillim u vendos ne nje hotel te Londres dhe me pak u largua per ne nje qyteze te vogel jo shume larg Londres. Nje nga pasurite qe kishte mundur te merrte me vete Familja Mbreterore ishte edhe nje "Mercedes" te cilin atyre ua kishte bere dhurate Hitleri me rastin e marteses se Zogut me Geraldinen. Mbreti Zog kete makine ja beri dhurate Kryqit te Kuq te Anglise. Gjate qendrimit ne Angli, ai, beri tentativa me autoritet e larta britanike per tu kthyer ne Shqiperi por duke qene se anglezet e kishin njohur pushtimin e Shqiperise nga Italia ata e kishin te pamundur te njihnin qeverine shqiptare ne mergim.


-1945 ne Egjipt
Viti 1945 shenoi edhe fundin e Luftes se Dyte Boterore, gje e cila i shoi edhe shpresat e Mbretit Zog per tu rikthyer ne Shqiperi. Mbreti Zog vendosi keshtu te largohej nga Anglia per ne Egjipt ku ne fuqi ishte Mbreti Faruk. Atje Zogu me familjen e tij u vendos ne nje vile luksoze ne Aleksandri . Gjate qendrimit atje Mbreti Zog ndermorri nje udhetim ne SH.B.A.ku pati disa takime ne Departamentin e Shtetit. Autoritetet amerikane i ofruan Zogut zbarkimin e disa besnikeve te tij ne Shqiperi , te cilet do te pergatisnin situaten per te rrezuar Qeverine Komuniste atje. Ndonese amerikanet e mbajten fjalen nuk u be e mundur qe Zogu te kthehej ne Shqiperi. Nderkohe ne Tirane u ekzekutuan njerezit besnike te Zogut.Gjate qendrimit ne Egjipt Princi Leka I u shkollua ne "Victory Collage" ku dhe u diplomua. Pas renies se Mbretit Faruk dhe ardhjes ne fuqi te Naserit , ai vendosi te largohej nga Egjipti.

-Gusht 1956, ne France
Ne gusht 1956 Mbreti Zog u vendos ne qytetin Cannes ne Francen Jugore, dhe me pas u shperngul ne Paris.Aty ai qendroi deri ne vitin 1961 kur gjendja e tij shendetesore u rendua keqazi dhe Mbreteresha Geraldine e shtroi ne nje nga klinikat me moderne te Parisit. Ai mbylli syte pergjithmone ne 6 prill te atij viti ne moshen 65 vjecare.Pak dite me vone ne baze te Statutit te Mbreterise Shqiptare te vitit 1928 princi Leka ne pranine e qindra shqipetareve te ardhur nga shume shtete te botes beri betimin ne hotelin "Bristol" duke u shpallur Mbreti Leka I.

-1961 ne Spanje
Mbreteresha Geraldine dhe Mbreti Leka I u larguan nga Franca drejt Spanjes sepse aty ishte ne fuqi Gjenerali Franko i cili u siguroi atyre nje jete krejt te qete. Atje Mbreti Leka I i vazhdoi perseri studimet ne "Royal Academy" e me pas u diplomua ne shkencat politike ne Sorbon te Frances.Ne Madrid ku ai jetonte me te emen ai takonte eksponente antikomuniste e bisedonte me ta per rrezimin e qeverise se Enver Hoxhes. Me 10 tetor 1975 Mbreti Leka I u martua me mbretereshen Suzane qe kishte lidhje gjaku me familjen mbreterore te Anglise.

-1978, ne Afriken e Jugut
Pas largimit nga Spanja Mbreti Leka i Pare u vendos ne Afriken e Jugut.Pas shume vite qendrimi ne Afriken e jugut , ne veren e 1994 , pas shembjes se diktatures ne Shqiperi, Mbreti Leka i Pare erdhi ne Tirane i shoqeruar nga Ministri i Oborrit Abedin Mulosmani, ku ai nuk qendroi me shume se 48 ore.Arsyeja e largimit te tij u komunikua nga media zyrtare me faktin se ai nuk kishte ardhur si nje qytetar i zakonshem por me pasaporten e Mbreterise Shqiptare te vitit 1928, gje e cila binte ndesh me ligjet e shtetit shqiptar ne fuqi.

-Prill 1997, ardhja ne Shqiperi
Ne Prill te vitit 1997 teksa Shqiperia gjendej e zhytur ne kaos per shkak te shembjes se firmave piramidale, Mbreti Leka i Pare mberriti ne Tirane.Ai mori pjese ne fushaten elektorale per zgjedhjen e formes se regjimit ne Partine e Legalitetit duke vajtur pothuaj ne te gjitha rrethet e Shqiperise. Ne keto zgjedhje Monarkia fitoi 36% te votave sipas Komisionit Qendror te Zgjedhjeve. Ky rezultat u shpall i falsifikuar nga Leka i Pare .Nisur nga kjo tre dite pas zgjedhjeve, Partia e Legalitetit organizoi nje miting proteste ku simpatizantet e saj bashke me Leka Zogun marshuan drejt qendres se Komisionit Qendror te Zgjedhjeve ku pati edhe konfrontime me policine . Pak dite me pas u hap nje proces hetimor ndaj Leka Zogut duke e akuzuar ate per sulm te armatosur ndaj institucioneve te Shtetit. Zogu u denua ne mungese dhe pastaj perfitoi nje amnisti. Heqja e kesaj pengese beri qe Leka Zogu trashegimtari i ligjshem i fronit Mbreteror te Shqiperise u kthye ne atdheun e tij.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Shqipëria dhe Bizanti
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës-Apoloni-Peqin-Ohër) janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme të historisë bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella në katër provincat ilire: të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë, sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali, bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve” (numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine të Italisë e në provinca të tjera në Evropë e Azi.

Përhapja e krishterimit në Shqipëri
Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që në shekujt e parë të erës së re, në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Elbasan, Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Butrint e akoma më në jug.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergj), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.
Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në këtë kohë në toponomastikën e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin, Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII). Të tilla toponime, që në Ballkan në një masë e në një shtrirje të tillë gjenden vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella malore larg bregdetit, është një e dhënë më shumë që provon se këto hapësira mbetën në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të madhe të Ilirisë së Jugut.
Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit. Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi (Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë të emëronin, të shkarkonin, të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kishin të bënin me administratën kishtare të provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë të klerit të botës së krishterë, për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu, në Koncilin e famshëm të Nikesë, më 431, mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte herezinë nestoriane. Në Koncilin tjetër të rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.

Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana e Konstandinopojës u përpoq t’i vërë në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519). Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patriarkati i Konstandinopojës. Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patriarkatin e Konstandinopojës. Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit. Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin e Konstandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të Konstandinopojës për t’i shtënë ato në dorë.
Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve, një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.
Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të Konstandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve, kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit bizantin mbi Papën e Romës.
Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës në një varg dioqezash të Shqipërisë së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të veçantë. Në këtë drejtim luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë gjithë mesjetës.

Dyndjet e popujve, ngulimet sllave në Ballkan
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik. Po këtu ndodhej edhe selia e kryetarit të kishës së kësaj prefekture.
Ndonëse nuk ndodhej në kushtet e dëshpëruara ku e kishte zhytur kriza e thellë ekonomike, shoqërore e politike pjesën perëndimore të Perandorisë Romake, edhe Perandoria Romake e Lindjes po i vuante pasojat e krizës së kapërcimit të dy epokave. Brishtësia e strukturave të saj shtetërore e ushtarake doli në pah gjatë ballafaqimit me dyndjet e popujve gjatë shek. IV-VII.
Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Popujt që u dyndën dhe invaduan Ballkanin shkaktuan dëme e rrënime të mëdha në të cilat u futën. Për periudhën e “dyndjes së popujve” burimet e shkruara janë mjaft të rralla dhe përbëhen nga kronikat bizantine. Historianët që janë marrë me këtë periudhë e kanë shpeshherë të vështirë t’i akordojnë këto burime midis tyre. Edhe materiali tjetër burimor, arkeologjik është i pamjaftueshëm.
Sipas burimeve tashmë të njohura vizigotët, pas betejës së Adrianopojës të vitit 378, arritën deri në brigjet e Adriatikut. Në marrëveshje me perandorin Theodhosi I, e me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak, ata u lejuan të vendoseshin në pjesën veriore e perëndimore të Gadishullit Ballkanik, dhe ndërprenë për një kohë sulmet e tyre. Dyndjet e “barbarëve” vazhduan edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë të veçanta, në atë të lindjes dhe në atë të perëndimit (395).
Të dyja pjesët e perandorisë u detyruan për një kohë të gjatë t’u bënin ballë sulmeve e invazionit të “barbarëve”. Për pjesën lindore të Perandorisë, atë Bizantine, një rrezik të madh përbënin asokohe gotët e perëndimit që ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik. Prijësat e tyre kishin arritur të zinin poste të larta si komandantë të besëlidhur - foederati, sikurse u quajtën “barbarët”. Këta të fundit ishin të pakënaqur nga marrëdhëniet me perandorinë. I pari u ngrit Alariku, prijësi i vizigotëve, me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat e premtuara si të besëlidhur. Me forcat e Alarikut u bashkuan edhe gotë të tjerë të vendosur në krahina të ndryshme të Ballkanit; kryengritësit filluan plaçkitjen e Greqisë dhe të trevave iliro-shqiptare. Perandoria Bizantine mundi të dalë nga kjo gjendje, pas paqes që bëri me Alarikun në vitin 398, duke lejuar vendosjen e ushtrive gote në krahinat jugperëndimore të Gadishullit si të besëlidhur dhe duke e emëruar prijësin e tyre si kryekomandant të ushtrive bizantine në Ilirik. Pas 10 vjetëve Alariku me vizigotët u largua për në Itali, ku në vitin 410 pushtoi Romën.
Sulmet e gotëve shkaktuan një rënie të mëtejshme të ekonomisë fshatare e qytetare, shkretimin e shumë krahinave. Ja si e ka përshkruar gjendjen Hieronimi nga Stridoni i Dalmacisë: “Më vjen të rrënqethët kur mendoj të tregoj shkatërrimet në kohën tonë, ka më tepër se 12 vjet që gjaku shkon rrëke. Gotët, sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë, shkatërrojnë dhe plaçkitin Trakinë, Maqedoninë, Thesalinë, Dakinë, Akajen, Epirin dhe gjithë Panoninë. Kudo dhunë, kudo psherëtima, kudo fytyra e tmerrshme e vdekjes; për këtë dëshmitare është Iliria, dëshmitare është Trakia, dëshmitar është edhe vendi ku kam lerë, ku çdo gjë u shkatërrua, përveç qiellit e tokës, ferrave dhe pyjeve të dendura”.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë Bizantine.
Në vitin 479, trevat iliro-shqiptare të përfshira në provincën e Epirit të Ri, u goditën nga sulmi më i rëndë i ostrogotëve të udhëhequr nga Teodoriku. Ostrogotët, rreth 50 mijë veta, ndër të cilët 10 mijë luftëtarë, u lëshuan nga vendbanimet e tyre provizore në Traki dhe nëpërmjet rrugës Egnatia depërtuan deri në viset bregdetare pranë Durrësit. Vetë kjo qendër e rëndësishme ra në duar të ostrogotëve. Perandoria Bizantine bëri ç'qe e mundur për t'i larguar të porsaardhurit nga ato treva, që ishin të një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për perandorinë. Në fakt ostrogotët shumë shpejt u detyruan të tërhiqeshin prej andej.
Në periudhën midis viteve 500-517 hordhi hunësh të nisura nga rrjedha e poshtme e Danubit, përshkuan viset ballkanike deri në Epir e Thesali, duke shkretuar gjithë vendin. Bregdeti i Shqipërisë vuajti në atë kohë edhe nga sulme të ostrogotëve të organizuara nga Italia, ku ky popull ishte vendosur qysh prej fundit të shek. V.
Gjithsesi, pas kalimit të ostrogotëve në perëndim (488), në pjesën lindore të Perandorisë intensiteti i sulmeve të “barbarëve” u ul ndjeshëm. Kjo gjendje qetësie relative do të zgjaste deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek.VI, kur në kufijtë veriorë u shfaqën popuj të rinj: bullgarët, avarët, antët, gepidët, e mbi të gjitha sllavët. Inkursionet e tyre u intensifikuan qysh në kohën e sundimit të perandorit Justinian. Rreth vitit 548 një turmë e madhe sllavësh plaçkiti e shkretoi disa provinca, duke depërtuar deri në afërsi të Durrësit. Komandantët ushtarakë të Justinianit nuk guxuan t'i futnin trupat e tyre në luftim dhe u mjaftuan t'i ndiqnin nga larg veprimet e sllavëve. Inkursionet sllave u përsëritën thuajse rregullisht edhe në vitet pasardhëse.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve” nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë nga Taurisium i Dardanisë, më i madhi i perandorëve të periudhës së hershme bizantine, i kushtoi vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të jugut. Sipas Prokopit të Cezaresë, historian i oborrit të Justinianit, vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Numri i kështjellave të ndërtuara në të katër provincat e Ilirisë së Jugut arriti në 168.
Por këto masa mundën t'i frenojnë vetëm përkohësisht sulmet e popujve “barbarë”. Këto u bënë edhe më kërcënuese, kur me sllavët u bashkuan edhe avarët, një popull luftarak nomad. Pas vdekjes së Justinianit (565), hordhitë sllave shpeshherë së bashku me avarët ose të prira prej tyre, u lëshuan në drejtim të jugut. Rrugët e rrahura prej tyre zbrisnin nga rrjedha e Danubit në drejtim të jugut e juglindjes, ku synonin të godisnin qendra të tilla, si Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Më 586 Selaniku u rrethua nga sllavët, të cilët e vazhduan marshimin e tyre në jug, deri në Peloponez.
Por sulmi më i fuqishëm avaro-sllav në Ilirik qe ai i vitit 609. Hordhitë sllave shkretuan vise të tëra në Maqedoni, Thesali, Beoci e deri në Peloponez, prej nga arritën me anije edhe në ishujt e Egjeut e deri në Azinë e Vogël. Nga kjo valë u prekën edhe provincat e Dardanisë e të Epirit të Vjetër. Atë kohë Selaniku pësoi rrethimin më të gjatë të tij. Në qytet erdhën dhe u strehuan edhe të ikur nga viset më veriore, ndër të cilët edhe nga Nishi.
Megjithëse drejtimi kryesor i dyndjeve avaro-sllave ishin viset jugore të Ballkanit dhe qendrat e mëdha si Selaniku e vetë Konstandinopoja, inkursionet shkatërruese nuk kursyen edhe brezin perëndimor të trevave iliro-shqiptare. Në radhë të parë prej tyre vuajtën viset dalmatine dhe provinca e Prevalit. Në vitin 592 një pararojë avaro-sllave arriti të shtyhej deri në qytetin e Lezhës. Disa vjet më vonë prej sllavëve u pushtua dhe u shkretua përfundimisht Salona. Banorët e qytetit dalmatin gjetën shpëtim në ishujt pranë e në Split. Në provincën e Prevalit, u rrënua qyteti i Dioklesë, banorët e të cilit kaluan në Tivar. Qendrat e tjera, si Budua, Ulqini, Shkodra, Lezha, rezistuan dhe patën vazhdimësi jete edhe në shekujt e ardhshëm.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini" (vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft të madh, në Peloponez. Prej Maqedonie, grupe të veçanta sllavësh arritën të depërtojnë dhe të vendosen në lartësitë përgjatë luginës së lumit Devoll e Osum, por pa formuar bashkësi kompakte.
Në bregdetin dalmat, duke filluar nga gryka e Kotorrit e sipër, u vendosën tributë sllave të trebinjëve, kanavlitëve, zaklumëve, narentanëve. Konstandin Porfirogjeneti, perandor e historian bizantin i shek. X, i numëron këto bashkësi si fise sllave. Por diokleasit, që banonin më poshtë grykës së Kotorrit, ai nuk i përfshin ndër popujt sllavë. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve dhe të serbëve. Këta të fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim serbët kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë, që ndonjëherë njësohen me serbët. Bërthamën e vendeve serbe e përbënte krahina e Rashës, që e merrte emrin nga kështjella me të njëjtin emër, në veri të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug vendet e serbëve arrinin deri në burimet e lumit Lim.
Në përfundim të dyndjeve të popujve gjatë shek. IV-VI e sidomos të kolonizimit sllav të shek. VI-VII, përbërja etnike e trevave ballkanike, pësoi modifikime të ndjeshme. Në viset danubiane, në ato të Istries, të Dalmacisë e të rajoneve të brendshme u vendosën në mënyrë mjaft intensive popullsitë e reja sllave: trebinjatët, kanavlitët, paganët, serbët, kroatët. Masa sllavësh u vendosën në zonën e Nishit dhe përgjatë luginës së Vardarit, e deri në Selanik. Prej këndej, grupe të veçuara depërtuan nëpër luginat e Devollit e Vjosës, duke zënë kryesisht lartësitë përgjatë tyre. Ngulime sllave pati edhe në malësitë midis Thesalisë dhe Epirit (malet e Pindit). Vendosje masive të bashkësive sllave pati në Traki e Greqi, veçanërisht në Gadishullin e Peloponezit. Historiani bizantin i shek. X, Konstandin Porfirogjeneti, thotë se në atë kohë Peloponezi "ishte sllavizuar plotësisht". Gjithsesi, burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë e ku më pak të thellë drejt brendësisë, është ndër rajonet më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv. Një zhvendosje e tillë e popullsisë autoktone iliro-shqiptare drejt zonave më të sigurta jugore dëshmohet pas rënies së Nishit, të Dardanisë e të Salonës në bregdetin dalmat pas vitit 612.
Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë normale të jetës në shekujt e errët të mesjetës.
Grupet e izoluara sllave që kishin arritur të depërtonin drejt luginave të Devollit e Osumit, nuk arritën të organizoheshin në bashkësi kompakte. Për më tepër, duke filluar me Justinianin II, me qëllim që të siguronte ndërlidhjet jetike me bregdetin adriatik në boshtin e rrugës Egnatia, Perandoria Bizantine shpërnguli popullsi të tëra sllave nga viset që ishin në rrezen e saj duke i çuar në Azinë e Vogël.
Fuqizimi i shtetit bullgar, sidomos gjatë sundimit të carëve Simeon e Samuel, në shek. IX - X, u shoqërua me depërtime grupesh sllave, përkatësisht bullgare, që u vendosën kryesisht në vendet e prekura që më parë nga kolonizimi sllav. Por, me rënien e Perandorisë Bullgare dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin në këto treva, bashkësi të tëra sllave u shpërngulën nga perandorët bizantinë dhe u vendosën në Traki e në Azinë e Vogël. Kjo vlen në radhë të parë për zona me rëndësi strategjike, siç qe Shqipëria. Grupe të tjera, në marrëdhënie me popullsinë vendase erdhën vazhdimisht duke u tretur e duke u asimiluar.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).
Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare.
Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët, u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella. Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në Diokle.
Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si "ilirë" ose "barbarofonë", pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret termi "arbëreshë" (arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku i Manuel Paleologut" apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen e Epirit.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.

Shqiptarët e hershëm dhe “Kultura e Komanit”
Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur "Kultura e Komanit" (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës së Komanit" janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.
Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit" dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e "Kulturës së Komanit" kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

2. RURALIZIMI I JETËS NË MESJETËN E HERSHME

Kushtet natyrore
Tabloja mjaft e larmishme e kushteve natyrore përcaktoi në një shkallë të madhe ndarjen e trevave shqiptare në disa rajone bujqësore me drejtime e karakteristika të ndryshme të prodhimit.
Dallohej pa dyshim në këtë drejtim ajo që historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, e quan "fusha ilirike" dhe që njësohej me ultësirën perëndimore shqiptare, ku ndodheshin rajonet bujqësore dhe qytetet ndër më të begatat e Shqipërisë mesjetare. Këto vise ofronin kushte të përshtatshme për zhvillimin e një bujqësie intensive dhe për zbatimin e një agroteknike të përparuar. I tillë ishte rajoni i Shkodrës, ai i Durrësit (fusha e Skurrisë etj.), zona e Karavastasë si pjesë e fushës së Myzeqesë (Myzakia=vendi i Muzakëve) dhe treva tejet e begatë e Vagenetisë (Çamërisë) në skajin jugor. I gjithë ky rajon karakterizohej nga një pjellori relativisht e lartë e tokës dhe që deri në shek. XIV nuk ishte prekur ende nga dukuria e moçalizimit, që erdhi si rezultat i shpyllëzimeve masive dhe i braktisjes së tokave në prag të pushtimit osman. Drithërat (gruri, elbi, meli) përbënin produktin kryesor të këtyre zonave. Por po aq të dëgjuara ishin prodhimet e kopshtarisë, vreshtarisë e të blegtorisë. Kultura e ullirit kishte përhapje mjaft të gjerë, duke u shtrirë në veri deri në rrethinat e Ulqinit, të Shkodrës e të Drishtit, ndërsa kultura e mëndafshit (serikultura) qe e përqendruar në zonën e Shkodrës, Vlorës, Beratit e të Këlcyrës.
Në të gjithë ultësirën perëndimore shqiptare, ku dikur kishin lulëzuar latifondet e mëdha, edhe në kushtet e reja prona e madhe tokësore vazhdoi të ekzistonte në zotërim të personave laikë apo të institucioneve fetare. Këto të fundit dalin që herët si grumbulluese fondesh të mëdha tokësore. Që në shek. VI bëhet fjalë për prona të mëdha të kishës (patrimonia) në zonën e Shkodrës (të Prevalitanisë). Një pjesë e mirë e këtyre, bashkë me toka të tjera, figurojnë më vonë si pronë e manastireve të mëdha, katolike e ortodokse, të atij rajoni. Njëlloj të pasura me toka ishin edhe manastiret dhe peshkopatat e zonës së Durrësit, ato të Beratit apo të Vagenetisë në jug.
Njëkohësisht me institucionet fetare, fonde të mëdha tokash figurojnë në pronësi të personave laikë, që i përkisnin aristokracisë vendase por që, në ndonjë rast, ishin edhe fisnikë të huaj. Prania e këtyre të fundit, dhe në përgjithësi kontaktet që bregdeti i Adriatikut dhe ai i Jonit patën me Italinë, bënë që marrëdhëniet agrare të ndikoheshin aty nga modeli perëndimor i feudalizmit. Në dokumentet e shek. XIII-XV, që kanë të bëjnë me këto treva, ndeshet vazhdimisht një terminologji që flet për praninë aty të institucioneve feudale, tipike perëndimore, siç qe feudi (feudum), vasaliteti (vassallagium), betimi (juramentum), mbrojtja feudale (protectio), imuniteti (immunitas) etj.
Rajone të zhvilluara dhe dendësisht të banuara qenë edhe ato të rrafshnaltave ose luginave të brendshme të Kosovës, Dibrës, Ohrit, Korçës, Devollit, Matit, Këlcyrës, Drinit etj. Këto përshkoheshin nga një rrjetë e dendur rrugësh komunikimi dhe nuk përbënin kurrsesi enklava të izoluara. Edhe këtu, ashtu si në ultësirën bregdetare perëndimore, procesi i përqendrimit të tokave në pak duar ndodhi shpejt dhe pjesa më e madhe e fondit tokësor ndahej mes një grupi pronarësh të mëdhenj ose institucioneve fetare. Këto treva qenë në Shqipëri trevat ku gjeti përhapjen klasike feudalizmi i tipit bizantin, i mishëruar në institucionin e pronies.
Së fundi, rajoni i tretë ishte ai i malësive dhe i zonave të thella, që zinte një pjesë të mirë të territorit. Këtu peshën kryesore në veprimtarinë ekonomike e zinte blegtoria, kurse kultivimi i arave kufizohej në lugina e në ngastra të ngushta të hapura me mund në sipërfaqet e pjerrëta apo në pyjet. Karakteristikë e këtyre zonave ishte mobiliteti (lëvizshmëria) periodike e një pjese të popullsisë të lidhur kryekëput me ekonominë blegtorale dhe që përcaktohej nga ndërrimi i kullotave, nga mali në verë, në fushat bregdetare gjatë stinës së dimrit (tranzumanca). Ndonëse banesa e qëndrueshme e blegtorëve ndodhej në katundin malor, ndodhte shpesh që, gjatë shtegtimit me bagëtitë e tyre drejt fushave bregdetare, në dimër, ata të merrnin me vete edhe familjet, me të cilat sistemoheshin përkohësisht në kasolle të ngritura kryesisht me dru e kashtë. Jo rrallë kjo popullsi blegtorale, e vendosur përkohësisht gjatë muajve të dimrit në zonat fushore bregdetare, ngulej aty në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në strukturën dhe shpërndarjen e popullsisë. Nga ana tjetër, me zhvendosjet e saj të pandërprera nga fusha në mal e anasjelltas, kjo popullsi blegtore bëhej një faktor ndërlidhës midis sektorëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare duke kontribuar në homogjenizimin e saj. Kështu, norma, doke dhe institucione të kahershme shqiptare, të ruajtura në malësi në format e tyre të pastra, me kohë zbritën dhe depërtuan edhe në shoqërinë shqiptare të zonave fushore bregdetare dhe të qyteteve, ndërkohë që praktika dhe institucione të shoqërisë "së qytetëruar" arritën deri në viset më të largëta malore, duke ndikuar në zhvillimet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të tyre.

Marrëdhëniet e pronës në fshatin shqiptar në shek. VIII-X.
Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në Shqipëri e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik në fshat, ku qe përqendruar edhe masa dërrmuese e popullsisë. Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe këto, duke përjashtuar Durrësin edhe ndonjë tjetër, përgjithësisht mbijetuan si qendra administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa syresh, si Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj., pushuan së ekzistuari si qendra të banuara që në të dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë bashkësia fshatare, një grupim njerëzish i organizuar mbi bazën e një territori të përbashkët dhe të interesave të përbashkët. Lidhjet e gjakut te bashkësia fshatare ruajnë deri diku rëndësinë e tyre, por ato nuk janë më kryesore, si dikur në bashkësinë fisnore. Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmënden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në Perandorinë Bizantine në fazën e hershme (shek. VII-VIII) pasqyrohet në një dokument juridik të kohës, në të ashtuquajturin "Ligji bujqësor" (nomos georgikos). Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine dhe, në këtë kuadër, edhe për trojet shqiptare. Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor" pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare. Mullinjtë, dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin pronë e individëve të veçantë. Si pronë vetjake, arat, vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të trashëgoheshin, të shkëmbeheshin, të ndaheshin, të jepeshin me qira, të liheshin peng, madje më vonë edhe të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë. Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dënime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës. S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në kohën e veprimit të tij, pronësia e përbashkët nuk ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat, tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte një fond tokash të lira e të papunuara, që herë pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve të bashkësisë duke zbatuar sistemin e shortit (kleros). Një mbeturinë e kohëve, kur tokat ishin pasuri e përbashkët, ishte edhe sistemi i "arave të hapura", sipas të cilit, me përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit. Po ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar, i ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund t`i përdorte për të kompensuar anëtarët e bashkësisë që kishin nevojë për ngastra të reja shtesë ose që dëshironin të ndërronin tokën e mëparshme. Bashkësia, gjithashtu, kujdesej për veprimtari me interes të përbashkët, për shfrytëzimin e ujrave, për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e fshatit dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga kullotat verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve zejtarë që kryenin punime për nevoja të bashkësisë dhe të anëtarëve të veçantë të saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë ishte familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa breza dhe që drejtohej nga më plaku. Të parët e familjeve, pjesëtarë të bashkësisë, formonin "këshillin e pleqve", i cili trajtonte dhe zgjidhte në bazë të dokeve, të gjitha problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën e pasigurisë, që karakterizoi kalimin nga koha e vjetër në kohën e mesme, të shoqëruar me përmbysje të mëdha ekonomike, shoqërore, etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje dhe solidaritet antarëve të saj, bashkësia fshatare përfaqësonte një zgjidhje të përshtatshme për përballimin e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një formë organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë feudale. Farët e diferencimit shoqëror janë të dukshme në të. Dokumente të shek. VIII-X provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e "të fuqishmëve" (dynatoi) apo e "të mëdhenjve" (megistanes). Inventari arkeologjik i varrezave të ndryshme të gjetura në vendin tonë, dhe që i përkasin kësaj periudhe të vënies në lëvizje të procesit të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të prekshme, materiale, të diferencimit shoqëror që po përvijohej në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza floriri, monedha e pajisje luftarake, gjenden më së shumti edhe varre me inventar të varfër, ku qenë varrosur ata që në "Ligjin bujqësor" quhen "të skamurit" (aporoi). Këta punonin ngastrat e të tjerëve dhe jepnin për këta të dhjetën e prodhimit ose punonin si rrogtarë të thjeshtë (mistotë).
Përveç faktorëve të brendshëm, në diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive ndikoi dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë një njësi fiskale, përveçse njësi administrative, shteti mblidhte prej tyre rregullisht detyrime, të cilat rëndonin jo njëlloj mbi anëtarët e bashkësisë. Për t`u shpëtuar tatimeve, të varfërit e gjenin shpesh herë rrugëzgjidhjen në shitjen apo braktisjen e ngastrave të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte zvogëlimin e sasisë së rentës, që i jepej shtetit nga bashkësia, sepse ky zbatonte sistemin e garancisë kolektive (alelengyon), sipas të cilit bashkësia paguante edhe për ata anëtarë që nuk qenë në gjendje të paguanin ose që kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur të tjerëve. Në këtë rast të fundit, me qëllim që të mos prishej homogjeniteti i bashkësisë, ligji përcaktonte se të drejtën për blerjen e një ngastre të një anëtari të bashkësisë e kishte së pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar çfarëdo i saj. Kjo normë, që synonte të pengonte depërtimin e pronarëve të huaj në bashkësi, quhej e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX-XI, njohën një përhapje të gjerë të ashtuquajturat "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak. Sistemi i "pronave ushtarake" njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut-ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine. Ndaj perandorët bizantinë bënë të pamundurën për t`i ruajtur të paprekura "ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve të mëdhenj. Por nëse për një farë kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke nxjerrë edhe legjislacion të posaçëm në mbrojtje të pronës së vogël, me kalimin e kohës u pa qartë se procesi i gllabërimit të ngastrave të vogla ishte i pandalshëm. Rrënimi i këtyre të fundit, qofshin ato prona të stratiotëve apo të anëtarëve të bashkësive fshatare, shkaktoi fillimin e një krize të gjatë e të pandalshme ekonomike, financiare e ushtarake që përfundoi në fund të fundit me vetë shembjen e Perandorisë Bizantine.

3. ORGANIZIMI SHTETËROR DHE JETA POLITIKE

Regjimi i Temave në Shqipëri.
Tema e Durrësit
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të temave.
Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Temës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Temës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.
Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një temë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.
Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së temës përmblidhej brenda kufijve të temës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit". Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.

Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri
Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741), Perandoria Bizantine u përfshi nga një konflikt i ashpër i brendshëm fetar. Në thelb të tij qëndronte interpretimi i ndryshëm që i bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat) kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga koha e Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve (ikonolatria) njohu një përhapje aq të gjerë në kishën bizantine, saqë u kthye në një nga format kryesore të shprehjes së ndjenjës fetare. Kishat e manastiret u mbushën aso kohe me ikona shenjtorësh të çmuara e të kushtueshme, duke u bërë njëherësh tregues i luksit dhe i pasurisë në të cilin notonin kleri dhe institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente pakënaqësi në një masë të gjerë njerëzish të çdo niveli shoqëror, të cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në kohën e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga ana tjetër, nuk mungonin edhe në vetë gjirin e kishës prirje kundër kultit të ikonave, sipas të cilave një kult i tillë s’kishte asgjë të përbashkët me krishterimin, si fe krejtësisht shpirtërore. Këto prirje ishin më të forta në provincat lindore të Bizantit, tokë gjithnjë pjellore për lëvizje fetare, ku vazhdonin të mbijetonin mbeturina të monofizizmit dhe ku atë kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve, që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.
Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave ishte rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin bizantin feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti ishte në kontakt të vazhdueshëm. Të dyja këto fe janë prerazi kundër çdo forme të riprodhimit në figurë të shenjtorëve të vet. Në këtë mënyrë, lufta kundër kultit të ikonave (ikonoklastia) kishte rrënjë të thella fetare, kulturore e shoqërore.
Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën kundër kultit të ikonave, synonte në radhë të parë të afirmonte fuqinë e pushtetit qendror mbi pushtetin e pakufizuar të institucioneve fetare si dhe mbi provincat, veçanërisht ato periferike, që jo rastësisht u rreshtuan në krahun e adhuruesve të ikonave. Ikonoklastia ndeshi në kundërshtim të ashpër në provincat bizantine të Italisë e të Ilirikut, që ishin nën juridiksionin kishtar të Papës së Romës. Megjithatë edhe këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë për vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit, dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit, mësohet se ikonoklastia ishte përqafuar në atë dioqezë edhe nga përfaqësues të klerit rregullar (murgjit), të cilët përgjithësisht qenë kundërshtarët më të rreptë të saj.
Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë në trevat shqiptare format e ashpra që pati në pjesë të tjera të Perandorisë Bizantine. Megjithatë, në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje me rëndësi të madhe për zhvillimet jo vetëm kishtare, por edhe për ato politike në trevat shqiptare. Perandori ikonoklast Leoni III i shkëputi ato nga juridiksioni i Papës së Romës dhe i vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë të Patriarkatit të Konstandinopojës (732). Ky hap, i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim të shek. IX, të temës bizantine të Durrësit e asaj të Nikopojës, ndikoi së tepërmi në forcimin e kontrollit të pushtetit qendror në këto provinca perëndimore të Perandorisë.

Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)
Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës së Durrësit në gjysmën e parë të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht i atij bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre bullgare (me origjinë turke), u krijua midis Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin “Perandor i Bullgarisë” dhe të martohej me një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç të përvitshëm.
Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën në Gjirin e Korintit.
Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë e kush më pak, sovranitetin bizantin.
Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit, Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë më 864.
Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine, si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi të dorës së parë dhe u përfshinë për së afërmi në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.
Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut. Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të tjera.
Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II, i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025). Përpjekja e parë serioze e tij për të goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva e madhe bizantine e Bazilit II.
Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep. Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).
Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali.
Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive, që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu, ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët më të shquar të tij në betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.
Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë e veçantë të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën e Shkupit.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve bizantinë
të Durrësit në gjysmën e dytë të shek. XI
Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë të tërë trazirash e revoltash, që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët (strategët) e temave të veçanta. Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në ato vite një nga pikat më të nxehta të Perandorisë Bizantine.
Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë qëllim edhe një legjislacion të posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit të pronës së vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.
Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.
Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arbri, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen e lëvizjes.
Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre të trevës së Arbrit, nuk vonoi të pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën në favor të nëpunësve, siç ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë të Durrësit të gjysmës së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve të Italisë, të cilët tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë Bizantine.
Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.
Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.
I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine, ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI
Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.
Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.
Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.
Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

ZHVILLIMI EKONOMIK DHE SHOQËROR I SHQIPËRISË
GJATË SHEK. XIX - FILLIMI I SHEK. XX

Shtrirja e trojeve shqiptare
Gjatë çerekut të dytë të shek. XIX, me gjithë disfatat e shpeshta që kishte pësuar në të kaluarën, Perandoria Osmane zotëronte ende territore të gjera në Lindjen e Afërme, në Gadishullin Arabik, në Afrikën Veriore dhe në Gadishullin Ballkanik. Brenda këtyre territoreve banonin afërsisht 33 milionë banorë. Në Evropën Juglindore Perandoria Osmane kishte humbur territore të rëndësishme (Hungarinë, Kroacinë, Besarabinë etj.). Veç kësaj, pak kohë më parë Greqia kishte fituar pavarësinë kombëtare në një pjesë të territoreve të saj, ku banonin rreth 850 mijë frymë. Më 1840 në viset ballkanike, të cilat ndodheshin ende nën kontrollin e Perandorisë Osmane, banonin rreth 10,5 milionë frymë. Prej tyre, Mali i Zi, Serbia, Vllahia e Moldavia, me gjithsej 4,8 milionë frymë, kishin fituar autonominë nën suzerenitetin e sulltanit?. Viset e tjera (me gjithsej 5,8 milionë banorë), përfshirë edhe trojet shqiptare, ndodheshin nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.
Si edhe më parë, popullsia e Perandorisë përbëhej nga një mori kombësish, të cilat ndryshonin nga gjuha, nga feja, nga zakonet dhe nga mënyra e jetesës. Shteti osman vijonte të mos e pranonte konceptin e kombësisë. Duke qëndruar e lidhur pas konceptit teokratik mesjetar, që e identifikonte kombësinë me fenë, Porta e Lartë vazhdoi t’i ndante shtetasit e vet, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, në “myslimanë”, në “rumë” (ku përfshinte ortodoksët), në “latinë” (ku përfshinte katolikët etj.) dhe në “jahudi” (çifutë). Ajo nuk u kishte dhënë asnjëherë rast atyre të deklaronin të paktën gjuhën e tyre amtare, as kur bëhej regjistrimi i popullsisë. Për këtë arsye qeveria turke nuk e shpalli ndonjëherë numrin e popullsisë së saj sipas përbërjes kombëtare, rrjedhimisht as numrin e banorëve të kombësisë shqiptare.
Qysh në pjesën e parë të shek. XIX, me lindjen e lëvizjeve kombëtare të popujve ballkanikë, filloi interesimi i qarqeve të ndryshme evropiane për strukturën etnike të Perandorisë Osmane. Por, nga mungesa e të dhënave zyrtare të sakta, autorë të ndryshëm shpallën njoftime që binin në kundërshtim ndërmjet tyre, ndërsa qarqet politike greke, serbe e bullgare, të cilat, për të përligjur pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare, filluan t’i konsideronin shqiptarët ortodoksë në jug si grekë, në veri si serbë, në lindje si bullgarë, kurse shqiptarët myslimanë të këtyre viseve herë si turq, herë si grekë, si serbë a si bullgarë të islamizuar dhe pastaj të shqiptarizuar.
Megjithatë, një shumicë studiuesish dhe udhëtarësh të huaj, të cilët gjatë shek. XIX e njohën nga afër strukturën etnike të Gadishullit të Ballkanit, vunë në dukje se, me gjithë sundimin katërshekullor osman, popullsia shqiptare e ruante gjithnjë të paprekur identitetin e kombësisë së vet. Këtë identitet nuk e kishte cenuar as kthimi i shumicës së shqiptarëve në fenë islame, as politika turke e diskriminimit fetar kundrejt shqiptarëve të krishterë, as fryma e dasisë fetare që qendrat e huaja kishtare kishin përhapur në Shqipëri. Sikurse shënonte udhëtari anglez Xh. K. Hobhauz (J. C. Hobhouse), i cili e vizitoi Shqipërinë më 1809, shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten, siç ndodhte me popullsitë e tjera të Perandorisë, as “myslimanë”, as të “krishterë”, por në radhë të parë me emrin e tyre etnik “shqiptarë”.
Shqiptarët banonin në të njëjtat troje ku kishin jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në mes të shek. XIX trojet e tyre mbulonin një sipërfaqe prej rreth 75 mijë kilometra katrorë. Ato shtriheshin: në veri deri në Tivar, në Podgoricë, në Rozhaj e në Novi Pazar (Pazari i Ri), në verilindje deri në Nish, në Leskovc e në Vranjë, në lindje deri në Kumanovë, në Shkup e në Manastir, në jug deri në Konicë, në Janinë e në Prevezë. Brenda kësaj treve banonin 1 800 000-1 900 000 frymë.
Megjithatë, si pasojë e kushteve historike që njohu Gadishulli Ballkanik gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane, në disa vende të trojeve shqiptare, kryesisht në ato periferike, kishin depërtuar si kolonistë edhe pjesëtarë të kombësive të tjera. Prania e këtyre kombësive nuk ishte e njëllojtë kudo. Nga kjo pikëpamje treva shqiptare ndahej në dy zona të mëdha: në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin shumicën absolute të popullsisë, dhe në brezin anësor, ku shqiptarët përbënin pakicën e saj, krahas popullsive të tjera. Me gjithë ngushtimin që kishte pësuar gjatë shekujve mesjetarë, trungu etnik përfshinte, në mesin e shek. XIX, viset e Gegërisë (ku bënte pjesë edhe Kosova) dhe të Toskërisë (ku përfshihej edhe Çamëria), me një sipërfaqe prej rreth 52 mijë kilometra katrorë, me rreth 1 300 000 frymë, shumica e të cilëve qenë shqiptarë?. Së bashku me banorët shqiptarë të brezit anësor, numri i popullsisë shqiptare arrinte në atë periudhë në rreth 1 500 000 frymë. Në brezin anësor, me një sipërfaqe prej 23 mijë kilometra katrorë dhe me një popullsi e cila sipas burimeve të ndryshme arrinte në rreth 500 000-600 000 frymë, përveç shqiptarëve, kishte popullsi malazeze në veriperëndim (Podgoricë, Shpuzë, Zhabjak, Moraçë), boshnjake në veri (Kolashin, Rozhaj, Novi Pazar), serbe në verilindje (Vranjë, Leskovc, Nish), maqedone në lindje (Shkup, Perlep, Manastir) dhe greke në jug (Artë, Prevezë, Janinë)??. Në kushtet e lindjes së lëvizjeve kombëtare ballkanike, kjo rrethanë u shfrytëzua nga qarqet nacionaliste të vendeve të Ballkanit dhe nga Fuqitë e Mëdha, që i përkrahnin ato për të realizuar lakmitë e tyre shoviniste. Pasojat negative të kësaj politike, e cila filloi të shfaqej qysh në vitet 40 të shek. XIX, i ndjeu në radhë të parë popullsia shqiptare.

Struktura ekonomike dhe shoqërore e viseve shqiptare në vitet 30-40
Në çerekun e dytë të shek. XIX viset shqiptare, me gjithë përparimin që ishte dukur në zhvillimin e ekonomisë në periudhën e mëparshme, karakterizoheshin ende nga prapambetja e theksuar dhe ruanin gjithnjë tiparet e një vendi agrar të prapambetur. Shumica dërrmuese e popullsisë merrej, si edhe më parë, me bujqësi e blegtori. Në fshat banonin, ku më shumë e ku më pak, rreth 87% të banorëve të këtyre viseve.
Shqipëria ishte e begatë nga natyra, kishte mjaft toka pjellore, siç ishin: fusha e Zadrimës, tokat e Rrafshit të Dukagjinit, të Fushë-Kosovës, të Gjilanit, trevat bregdetare fushore midis Shkodrës e Durrësit që bashkëkohësit i quanin “të shkëlqyera, të vaditura nga shumë rryma uji”, fushat midis Tiranës dhe Elbasanit etj. Në juglindje shtrihej fusha pjellore e Korçës. Toka pjellore gjendeshin edhe në pellgun Strugë-Ohër-Resnjë. Për pjellorinë e tyre shquheshin edhe fushat e Delvinës, të Pargës, të Paramithisë, të Margëllëçit, të Filatit etj. Pjelloria e luginës së Dropullit kishte tërhequr vëmendjen e agjentëve konsullorë e ushtarakë anglezë, francezë dhe austriakë. Në trevën e Çamërisë dhe në ndonjë vend tjetër merreshin dy prodhime në vit. Toka të përshtatshme për bujqësi kishte edhe në trevat malore në Guci, në luginat e Mirditës, në Malin e Sharrit, në viset kodrinore të Drenicës, të Podgorit, të Pejës, në Lugun e Drinit në viset malore midis Lezhës, Krujës, Durrësit dhe Elbasanit, që në mjaft raste ishin punuar më mirë se në viset fushore.
Megjithatë ekonomia bujqësore karakterizohej nga një prapambetje e theksuar. Në viset e Shqipërisë së Ulët Bregdetare sipërfaqe të mëdha tokash qëndronin të përmbytura nga ujërat. Por edhe në fushat jomoçalore sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore, ndonëse mjaft pjellore, rrinin të papunuara, pasi, për shkak të zotërimit të pronave të mëdha çifligare, popullsia fshatare në këto fusha ishte shumë e pakët. Përqindja më e madhe e popullsisë fshatare ishte përqendruar në viset e brendshme.
Kudo toka punohej kryesisht me parmendën e drunjtë të pajisur me një plor hekuri dhe të tërhequr nga penda e qeve ose e buajve. Parmenda me rrota përdorej aty-këtu vetëm në zonën e Shkodrës. Si në Ballkan, ashtu edhe në Shqipëri plehërimi sistematik i tokave ende nuk njihej. Tokat plehëroheshin vetëm rastësisht me pleh organik. Sipërfaqen më të madhe nën kulturë për çdo ekonomi agrare e kishte Kosova. Rendimentet në bujqësi ishin shumë të ulëta. Rendimentet më të larta siguroheshin nga misri, i cili zinte në gjithë Perandorinë Osmane vendin e parë në kulturat bujqësore. Si drithëra buke pas misrit vinin gruri, thekra dhe elbi. Orizi kultivohej në disa vise të Shqipërisë së Ulët Bregdetare (në fushat e Tiranës, të Ishmit, të Shkumbinit, të Kavajës e të Shkodrës). Ndër bimët industriale vendin e parë e zinte duhani, i cili kultivohej kudo; liri, kërpi dhe meli mbilleshin në sasira të kufizuara; pambuku kultivohej vetëm në trevën e Tiranës, të Maliqit e të Devollit. Në Shqipërinë Bregdetare kishte ullinj me shumicë, aq sa vaji së bashku me duhanin zinin vendin e parë ndër artikujt bujqësorë që eksportoheshin nga Shqipëria. Vreshtaria ishte mjaft e përhapur si në fushë, ashtu dhe në malësi. Në Shqipëri njiheshin në përgjithësi të gjitha perimet që kultivoheshin në Perandorinë Osmane. Më të përhapurat ishin fasulja, thierza, qepa, lakra, preshi e kungulli. Fshatarët kudo merreshin me rritjen e bletëve, në disa vise gjithashtu me kulturën e mëndafshit.
Krahas bujqësisë një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit zinte, si edhe më parë, blegtoria. Madje në disa vende ajo ishte dega kryesore e ekonomisë. Blegtoria përbëhej kryesisht nga dhentë e dhitë dhe më pak nga bagëtitë e trasha. Një pjesë e mirë e fushave të Shqipërisë, si ajo e Ulqinit, Zadrima dhe Bregu i Matit, shfrytëzoheshin më shumë si kullota dimërore sesa si toka bujqësore. Bjeshkët kryesore të Kosovës, si Podgori, Rugova, Juniku, Jezeri e sidomos Sharri, të pasura me kullota e me lirishte pyjore, ushqenin një numër të madh bagëtish të imëta, kurse fushat e Kosovës e të Pollogut dalloheshin për numrin e madh të tufave të bagëtive. Udhëtarëve të huaj u kishte tërhequr vëmendjen pasuria e madhe në bagëti të imëta e të trasha e fushës së Myzeqesë. Treva midis Strugës, Pogradecit, Voskopojës, Korçës, Kolonjës, Konicës, si edhe krahina e Labërisë shquheshin gjithashtu për zhvillimin e blegtorisë. Në Shqipëri ishte zhvilluar edhe rritja e shpendëve, një pjesë e të cilëve eksportohej në viset më të ngrohta; në vendet ku mbillej mani rritej krimbi i mëndafshit.
Nuk kishte pothuajse asnjë ekonomi fshatare pa ekonominë ndihmëse blegtore. Madje, në disa vise malore, mjaft familje fshatare të ardhurat kryesore i siguronin nga blegtoria. Në blegtori, ashtu si edhe në bujqësi përdoreshin mjete e metoda të prapambetura.
Sikurse fshati, edhe qyteti nuk ishte shkëputur ende nga prapambetja ekonomike. Përqindja e ulët e popullsisë qytetare (rreth 13% e popullsisë së vendit) pasqyronte shthurjen me ritme të ngadalshme të ekonomisë natyrore në fshat dhe sundimin e plotë të prodhimit zejtar në qytet. Në fund të viteve 30 qytetet më të rëndësishme në trevën e katër vilajeteve? ishin Manastiri (35 000 banorë), Shkodra (25 000 banorë), Janina (25 000 banorë), Prizreni (20 000 banorë) dhe Shkupi (15 000 banorë). Vinin pastaj Gjirokastra (10 000 banorë), Peja (10 000 banorë), Prishtina (10 000 banorë), Elbasani (8 000 banorë), Berati (8 000 banorë), Ohri (8 000 banorë), Tirana (7 000 banorë), Gjakova (7 000 banorë), Tetova (5 000 banorë), Korça (5 000 banorë), Dibra (4 000 banorë), Kruja (4 000 banorë), Preveza (4 000 banorë) etj. Në të gjitha qytetet zotëronte ekonomia e vogël zejtare. Edhe tregtia zhvillohej me vështirësi për shkak të rrjetit të prapambetur të komunikacionit. Në këto vise edhe rrugët e karrove e të qerreve nuk ishin të mjaftueshme. Transporti i brendshëm kryhej kryesisht me kafshë barre. Në Janinë, në Shkodër, në Prizren, në Manastir, në Berat e gjetkë ishin shfaqur prej disa dhjetëvjeçarësh më parë punishte të tipit manifakturor, por ato ende nuk ishin çliruar nga normat tradicionale esnafore.
Edhe përsa i përket strukturës shoqërore të popullsisë, viset shqiptare ruanin ende tiparet e shoqërisë feudale, ndonëse tashmë në shthurje të shpejtë. Grupimin kryesor shoqëror në ekonomi e formonin, si edhe më parë, feudalët çifligarë së bashku me funksionarët e lartë të aparatit burokratik dhe shtresat e sipërme të klerit, të cilët përfaqësonin rreth 0,2% të popullsisë së vendit. Veç kësaj, edhe pse sistemi i timareve u hoq në fillim të viteve 30, një pjesë e feudalëve i ruante ende pozitat ekonomike të mëparshme. Krahas bejlerëve çifligarë, të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha tokash të punueshme e të papunueshme, sundonin ende feudalët derebej, spahinjtë e timareve dhe bajraktarët e malësive.
Në radhët e prodhuesve të fshatit zotëronin gjithashtu shtresat e mëparshme - fshatarët pronarë, të cilët formonin gjithnjë shumicën dërrmuese të popullsisë agrare (84-86%). Por, sado që zyrtarisht ishin çliruar nga sistemi i timareve, ata ndodheshin gjithnjë nën varësinë e derebejve, të spahinjve ose të bajraktarëve. Pjesën tjetër të popullsisë agrare (14-16%) e përbënin fshatarët pa tokë, bujq e argatë, të cilët vazhdonin të mbeteshin nën varësinë ekonomike të bejlerëve çifligarë.
Në katet e larta të popullsisë qytetare qëndronin, si edhe në shekullin e kaluar, krerët e esnafëve dhe reshperët e mëdhenj së bashku me aparatin burokratik dhe me ulematë. Pjesën dërrmuese (afërsisht 76-80%) të popullsisë qytetare e formonin zejtarët e thjeshtë dhe tregtarët e vegjël. Pjesën tjetër (afërsisht 20-24%) e përbënin shtresat e ulëta, të zhveshura nga çdo lloj pasurie, të cilat formonin vegjëlinë qytetare (kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, druvarët dhe punëtorët e ndryshëm të krahut).
Politika obskurantiste që Perandoria Osmane kishte ndjekur për katër shekuj me radhë, jo vetëm e kishte lënë vendin me një rrjet arsimor shtetëror të prapambetur, por kishte krijuar një situatë mbytëse edhe për ngritjen e shkollave private të arsimit të përgjithshëm. Porta e Lartë kishte nxitur vetëm zhvillimin e arsimit fetar (islamik në turqisht, ortodoks në greqisht dhe katolik në italisht). Megjithatë edhe numri i shkollave fillore e fetare turke (mektebeve dhe medreseve) ishte shumë i kufizuar, kurse ai i shkollave fetare të krishtera edhe më i pakët. Brenda katër vilajeteve, ku bënin pjesë viset shqiptare, kishte vetëm një shkollë të mesme të arsimit të përgjithshëm - gjimnazi greqisht “Zosimea” në Janinë. Si rrjedhim, në vitet 40 gati 98% e popullsisë ishte analfabete. Madje në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk kishte asnjë njeri të shkolluar, qoftë edhe me arsim të ulët, fillor.
Shkaktare kryesore e kësaj prapambetjeje të përgjithshme ishte vetë Perandoria Osmane, e cila me regjimin e saj feudal-ushtarak kishte penguar për shekuj me radhë zhvillimin e lirë ekonomik e kulturor të vendit. Ndonëse gjatë njëqind vjetëve të fundit ekonomia natyrore kishte hyrë në rrugën e shthurjes dhe vendin e saj po e zinte ekonomia e tregut, qarqet sunduese osmane vazhdonin të ruanin regjimin e vjetruar politik feudal, absolutizmin sulltanor me karakter teokratik mesjetar, që nuk u përshtatej kushteve të reja historike. Jeta politike në Shqipëri ndodhej ende nën zgjedhën e derebejve, të funksionarëve parazitarë dhe të ulemave fanatikë, të cilët, ndryshe nga feudalët çifligarë, ishin të shkëputur nga sfera e prodhimit dhe e shkëmbimit. Ata i nxirrnin të ardhurat e tyre kryesisht duke grabitur popullsinë me anën e dhunës ose arkën e shtetit me anën e posteve qeveritare. Si rrjedhim i dhunës, i grabitjes, i arbitraritetit e i pasigurisë, ekonomia e viseve shqiptare ndodhej në një amulli të theksuar. Për këtë arsye, punishtet e para manifakturore që kishin filluar të lindnin nëpër qytete qysh në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII mbetën në hapat fillestarë nuk u kthyen në industri të mirëfillta kapitaliste. Edhe pronësia tokësore çifligare, e cila gjithashtu ishte rritur qysh në shek. XVIII, në vend që të përvetësonte, siç ishte e natyrshme, format e ekonomisë së tregut, ishte gozhduar në qerthullin e marrëdhënieve feudale.

Ndryshimet administrative. Organizimi i vilajeteve
Pasi shtypi qëndresën e feudalëve separatistë provincialë, Porta e Lartë nuk e rimëkëmbi më sistemin e vjetër administrativ të ejaleteve, i cili ishte përmbysur në viset shqiptare qysh në gjysmën e dytë të shek. XVIII, pjesërisht nga anarkia feudale që pushtoi këto vise dhe kryesisht nga ekzistenca relativisht e gjatë e pashallëqeve të Shkodrës e të Janinës. Vendin e ejaleteve e zunë pashallëqet, të cilat u ndërtuan mbi parimet centraliste. Për të mos u dhënë mundësi guvernatorëve provincialë që të forcoheshin politikisht dhe ekonomikisht, njësitë e reja administrative ishin shumë më të vogla se ejaletet e dikurshme. Në krye të pashallëqeve tani u emëruan si guvernatorë pashallarë të karrierës ushtarake, të pajisur me grada sipas sistemit evropian.
Në kuadrin e kësaj reforme administrative, territoret me popullsi shqiptare u ndanë, në fillim të viteve 30, midis 9 pashallëqeve (pashallëqet e Manastirit, të Janinës, të Shkodrës, të Prizrenit, të Pejës, të Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës e të Leskovcit). Kryengritjet që shpërthyen në gjysmën e parë të viteve 30 e detyruan Portën e Lartë t’i krijonte përsëri më 1836 njësitë e mëdha administrative e sipas kësaj reforme, viset me popullsi shqiptare u ndanë midis 3 ejaleteve: në ejaletin e Manastirit, guvernatori i të cilit, me titullin “valiu i Rumelisë”, tani kishte në administrim pashallëqet e Manastirit, të Shkodrës, të Prizrenit dhe të Pejës; në ejaletin e Sofjes, me në krye një mareshal (myshir), nën vartësinë e të cilit hynë gjithashtu pashallëqet e Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit; në ejaletin e Janinës, me në krye një vezir, në kufijtë e të cilit hyri, përveç trojeve jugore shqiptare, edhe pashallëku i Thesalisë. Më 1846, pashallëku i Shkodrës dhe ai i Prizrenit u shkëputën nga valiu i Rumelisë (nga ejaleti i Manastirit) dhe formuan një njësi administrative më vete, me emrin ejaleti i Shkodrës, i varur drejtpërdrejt nga Stambolli.
Me qëllim që ta forconte më tej pushtetin qendror dhe të rriste kontrollin e vet në provinca, Porta e Lartë ndërmori më 1864 një reformë tjetër administrative, sipas së cilës vendin e ejaleteve e zunë vilajetet, me në krye një vali (guvernator). Edhe vilajetet u ndanë si dikur ejaletet në sanxhakë, në kaza e në nahije. Vilajeti u pajis me një aparat burokratik të plotë. Në mënyrë të veçantë ky aparat kishte për detyrë të vilte taksat për shtetin, të nxirrte rekrutët për ushtrinë dhe të suprimonte venomet tradicionale. Sipas shembullit të shteteve evropiane, nën urdhrat e valiut qëndronte Mexhlisi, d.m.th. këshilli administrativ i vilajetit, nga i cili vareshin drejtoritë e ngarkuara për sektorë të veçantë të administratës (drejtoria e financës, e vakëfeve, e ekonomisë, e arsimit etj.). Repartet ushtarake të vilajetit me komandantin e tyre me gradë, sipas rastit, gjeneral divizioni ose gjeneral armate, tani vareshin drejtpërdrejt nga sulltani nëpërmjet shtatmadhorisë së përgjithshme të ushtrisë osmane. Krahas tyre kishte një varg organesh të tjera, siç ishin ato gjyqësore dhe zyrat e sheriatit, të cilat në disa vise mbetën përsëri në fuqi, ato të xhandarmërisë e të policisë, të cilat vareshin drejtpërdrejt nga valiu.
Një strukturë administrative pak a shumë të njëllojtë kishte edhe sanxhaku me kazanë.
Vilajetet nuk u krijuan menjëherë. Madje disa prej tyre u suprimuan dhe u rikrijuan përsëri më vonë. Veç kësaj, edhe kufijtë e tyre administrativë nuk qenë të qëndrueshëm. Shpeshherë krahina të tëra shkëputeshin nga një vilajet dhe futeshin nën vartësinë e një vilajeti tjetër.
Trojet shqiptare u prekën pjesërisht nga reforma e re administrative më 1867 me krijimin e vilajetit të Selanikut, i cili përfshiu disa krahina të Shqipërisë Lindore (rrethet e Matit, të Dibrës, të Strugës, të Pogradecit e të Korçës). Dy vjet më vonë, më 1869, u krijua vilajeti i Shkodrës, në kufijtë e të cilit hynë, përveç viseve të Shqipërisë Veriore, edhe krahinat e Matit, të Dibrës, të Prizrenit, të Gjakovës etj. Më 1873 kufijtë e vilajetit të Shkodrës u ngushtuan në favor të një vilajeti të ri, të vilajetit të Prizrenit, i cili përfshiu gjithë Kosovën së bashku me sanxhakët e Dibrës, të Shkupit e të Nishit. Gjatë kësaj kohe edhe ejaleti i Janinës u kthye në një vilajet.
Megjithatë, ndryshimet më të shpeshta dhe më të thella harta e vilajeteve i pësoi gjatë viteve të Krizës Lindore (1875-1878). Në mënyrë të veçantë vilajeti i Kosovës, qendra e të cilit kaloi nga Prizreni në Prishtinë, pësoi ndryshime të rëndësishme në shtrirjen e vet territoriale pothuajse çdo vit, në ndonjë rast edhe dy herë në vit. Kështu, për shembull, më 1875 ai shtrihej vetëm në viset e Kosovës, kurse dy vjet më vonë nën juridiksionin e tij u përfshi një territor i gjerë, që nga Dibra deri në Nish. Po ashtu ndodhi edhe me vilajetin e Shkodrës, i cili, pasi u suprimua më 1875, u riorganizua më 1877 jo si vilajet, por si ejalet, me një territor gati dy herë më të vogël se ai që kishte katër vjet më parë. Në të njëjtën kohë, vilajeti i Manastirit, i cili u krijua për të parën herë më 1875, dy vjet më vonë u suprimua duke hyrë në juridiksionin e vilajetit të Selanikut.
Pavarësisht nga këto ndryshime të thella dhe të shpeshta, trojet shqiptare mbetën më tepër të ndara midis katër vilajeteve. Veç kësaj, në secilin nga këto vilajete u përfshinë edhe kombësi të tjera: në vilajetin e Kosovës popullsi shqiptare, serbe e maqedone, në atë të Manastirit popullsi shqiptare, maqedone e greke, në vilajetin e Janinës popullsi shqiptare, greke dhe vllehe, kurse në atë të Shkodrës popullsi shqiptare e malazeze. Megjithatë, shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në çdonjërin prej tyre dhe në të katër vilajetet të marra së bashku. Më shumë se kurdoherë tani që në Ballkan kishin marrë hov të madh lëvizjet për çlirim kombëtar, qëllimi që ndiqte Porta e Lartë me këtë politikë administrative ishte t’i mbante të përçara popullsitë joturke të Perandorisë, duke i vënë në grindje kombësitë e ndryshme të një vilajeti dhe duke penguar bashkimin politik të popullsisë së një kombësie të vetme, që ishte e shpërndarë në vilajete të ndryshme.
Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por edhe tani trojet shqiptare mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve. Madje, një pjesë e trungut etnik (krahina e Ulqinit) dhe disa vise të brezit anësor (krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit) tani mbetën jashtë Perandorisë Osmane, pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali i Zi dhe nga Serbia në vitet 1878-1880. Më 1888 ndarja e katër vilajeteve në sanxhakë dhe e sanxhakëve të tyre në kaza, ndarje e cila mbeti në fuqi deri në fund të sundimit osman, ishte në këtë mënyrë:

Vilajetet Sanxhakët dhe kazatë
vilajeti i
Shkodrës 1. Sanxhaku i Shkodrës (kazaja e Shkodrës, e Tuzit, e Lezhës, e Pukës, e Mirditës, e Krujës)?.
2. Sanxhaku i Durrësit (kazaja e Durrësit, e Kavajës, e Shijakut, e Tiranës).
vilajeti i Kosovës 1. Sanxhaku i Shkupit (kazaja e Shkupit, e Kumanovës, e Kaçanikut, e Shtipit, e Radovishtës, e Koçanës, e Kratovës, e Peçevës, e Egri-Palankës).
2. Sanxhaku i Prizrenit (kazaja e Prizrenit, e Lumës, e Tetovës).
3. Sanxhaku i Pejës (kazaja e Pejës, e Gjakovës, e Gucisë, e Beranës, e Tërgovishtës).
4. Sanxhaku i Prishtinës (kazaja e Prishtinës, e Mitrovicës, e Vuçiternës (e Vushtrisë), e Gjilanit, e Preshevës).
5. Sanxhaku i Pazarit të Ri - Novi Pazari (kazaja e Pazarit të Ri, e Senicës, e Kolashinit, e Akovës, e Novi Varoshit, e Prepoljes).
vilajeti i Manastirit 1. Sanxhaku i Manastirit (kazaja e Manastirit, e Ohrit, e Follorinës, e Kërçovës, e Përlepit).
2. Sanxhaku i Korçës (kazaja e Korçës, e Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit, e Hurupishtit).
3. Sanxhaku i Elbasanit (kazaja e Elbasanit, e Çermenikës, e Peqinit, e Gramshit).
4. Sanxhaku i Dibrës (kazaja e Dibrës, e Radomirës, e Matit, e Rekës).
5. Sanxhaku i Selfixhesë (kazaja e Selfixhesë, e Kozhanit, e Naseliçit, e Lapsishtit, e Grebenesë, e Kajlarit, e Elasonës).
vilajeti i Janinës 1. Sanxhaku i Janinës (kazaja e Janinës, e Leskovikut, e Konicës, e Filatit, e Ajdonatit, e Mecovës).
2. Sanxhaku i Gjirokastrës (kazaja e Gjirokastrës, e Tepelenës, e Përmetit, e Himarës, e Delvinës, e Pogonit).
3. Sanxhaku i Beratit (kazaja e Beratit, e Vlorës, e Myzeqesë, e Mallakastrës, e Skraparit, e Tomorricës).
4. Sanxhaku i Prevezës (kazaja e Prevezës, e Margëllëçit, e Paramithisë, e Lorosit).

Popullsia që banonte në territoret e 4 vilajeteve ishte më 1850, afërsisht 1 700 000 banorë, kurse më 1912 rreth 2 354 000 banorë*. Kjo rritje shumë e ngadalshme (40% brenda 60 vjetëve) përcaktohej nga niveli ekonomik e shoqëror shumë i prapambetur i vendit, konkretisht nga përqindja e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve, nga epidemitë e shpeshta që pllakosnin Turqinë, nga mesatarja e ulët e moshës së popullsisë dhe nga mërgimi i dendur që pushtoi këto vise pas mesit të shek. XIX.
Për nga numri i banorëve katër vilajetet kishin dallime të ndjeshme ndërmjet tyre. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të sundimit osman, popullsinë më të madhe e kishte vilajeti i Kosovës, i cili kishte në të njëjtën kohë edhe numrin më të madh të popullsisë shqiptare. Pastaj vinin me radhë vilajeti i Manastirit, i Janinës dhe i Shkodrës. Sipas statistikave zyrtare osmane të vitit 1912 popullsia e të katër vilajeteve ishte afërsisht kjo:

Vilajetet Popullsia Popullsia shqiptare %
vilajeti i Kosovës 909 700 258 900 61,4 %
vilajeti i Manastirit 694 800 375 900 54,1 %
vilajeti i Janinës 559 700 330 800 59,1 %
vilajeti i Shkodrës 190 000 186 500 98,2 %
gjithsej 2 354 200 1 452 100 61,7 %

Sipas përllogaritjeve të përafërta, përbërja etnike e popullsisë së katër vilajeteve të marra bashkërisht (pa sanxhakun e Selfixhesë) ishte më 1912:

shqiptarë …………………..
maqedonë ………………….
grekë………………………..
serbë ……………………….
turq ………………………..
vllehë ………………………
të ndryshëm……………….. 1 452 100 frymë
317 500 “
170 000 “
163 900 “
130 400 “
117 400 “
2 200 “ 61,7 %
13,5 %
7,3 %
6,9 %
5,5 %
5,4 %
0,1 %
2 354 200 frymë 100 %

Raporti i shqiptarëve kundrejt kombësive të tjera ndryshonte nga njëri vilajet në tjetrin. Në vilajetin e Shkodrës shqiptarët përfaqësonin 98,2 %, kurse malazezët 0,6 %, të tjerët 2 %. Në vilajetin e Janinës, kundrejt shqiptarëve që zinin 59,1 %, grekët mbulonin 29,4 %, vllehët 10,4 %, të tjerët 1,1 %. Në vilajetin e Kosovës, ku qe përfshirë edhe pjesa lindore e Maqedonisë, me shumë pak banorë shqiptarë (kazatë e Shtipit, të Radovishtës, të Koçanës, të Kratovës, të Peçevës, të Kriva-Palankës), shqiptarët përfaqësonin 61,4 %, kurse serbët 16,2 %, maqedonët 13,3 %, turqit 9,1 % (pa sanxhakun e Shkupit, në vilajetin e Kosovës, shqiptarët përfaqësonin 79,1 %. Në vilajetin e Manastirit, pas shqiptarëve që zinin 54,1 %, vinin maqedonët 27,3 %, vllehët 7,4 %, turqit 5,8 %, serbët 2,1 %, të tjerë 0,1 %.
Shpërndarja e popullsisë shqiptare nuk ishte e njëllojtë as në 16 sanxhakët e katër vilajeteve. Në 11 sanxhakë shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, nga 62,2 % në atë të Prevezës deri në 98 % në atë të Shkodrës. Këta sanxhakë ishin: i Shkodrës, i Elbasanit, i Durrësit, i Beratit, i Dibrës, i Pejës, i Prizrenit, i Prishtinës, i Gjirokastrës, i Korçës dhe i Prevezës. Në katër sanxhakët e tjerë, raporti i shqiptarëve me popullsitë e tjera ishte i tillë: në atë të Novi Pazarit shqiptarët përbënin gjysmën e popullsisë; në atë të Shkupit shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë vetëm në kazanë e Shkupit dhe në qytet; në sanxhakun e Manastirit po ashtu shqiptarët kishin shumicën vetëm në kazanë e qendrës dhe në qytetin e Manastirit; në sanxhakun e Janinës shqiptarët përbënin shumicën në pjesën perëndimore të tij; në sanxhakun e Selfixhes shqiptarët nuk çonin peshë.
Me këtë strukturë etnike, katër vilajetet perëndimore të Turqisë Evropiane merrnin kështu, si bashkërisht ashtu dhe veçanërisht, karakterin e vilajeteve shqiptare. Mbi këtë bazë lindi platforma e rilindësve, të cilët kërkonin përfshirjen e tyre brenda shtetit të ardhshëm shqiptar. Megjithatë, atdhetarët përparimtarë, duke qenë më objektivë, pranonin që brenda kufijve të Shqipërisë mund të mos përfshiheshin kaza të veçanta pa popullsi shqiptare.

2. ZHVILLIMI I EKONOMISË SË TREGUT NË QYTET

Ekonomia qytetare. Shthurja e esnafeve
Në çerekun e dytë të shek. XIX, në qytetet shqiptare mbisundonte ende prodhimi i vogël i mallrave. Masën dërrmuese të popullsisë qytetare (afërsisht 76-80%) e përbënin si dhe më parë zejtarët dhe tregtarët e vegjël. Në shumicën e rasteve zejtarët ua shisnin ende konsumatorëve prodhimet e tyre pa ndërmjetësinë e tregtarëve. Çdo zejtar kishte punishten e vet të vogël. Masën më të madhe e përbënin zejtarët, të cilët kishin të angazhuar në punishten e tyre një kallfë dhe një çirak. Punishtet me dy a më tepër kallfë ishin të pakta.
Në qytetet kryesore të vendit ekzistonin pak a shumë po ato degë prodhimi që ishin zhvilluar gjatë shekujve të kaluar dhe në mënyrë të veçantë gjatë shek. XVIII. Të tilla ishin zejtaritë që merreshim me përpunimin e metaleve (armëtarë, farkëtarë, kovaçë, bakërxhinj, kazanxhinj, teneqexhinj etj.). Shkodra, Prizreni, Elbasani dhe Peja ishin gjithnjë të përmendura për prodhimin e stolive prej ari e argjendi. Një masë e konsiderueshme e zejtarëve merrej me prodhimin dhe zbukurimin e artikujve të veshmbathjes (tabakët, shajakxhinjtë, rrobaqepësit, xhokaxhinjtë, opingarët etj.). Kishte pastaj një numër të madh zejtarësh të degëve të ndryshme, të cilët prodhonin artikuj ushqimorë (furrxhinj, sheqerxhinj, gjellbërës, kafexhinj, vajxhinj) ose merreshin me përpunimin e lëndës së drurit (marangozë, tavanxhinj, sëndukxhinj, vozaxhinj, çibukxhinj, drugdhendës, qerrexhinj etj.). Dyqanet ose punishtet e zejtarëve, ishin gjithnjë të grumbulluara në një lagje më vete - në çarshi a në pazar - të veçuara nga lagjet e banuara të qytetarëve. Gjithashtu çarshitë ose pazaret ruanin akoma tiparet e mëparshme. Brenda tyre, dyqanet dhe punishtet zejtare të një dege prodhimi ishin të rreshtuara në të njëjtën rrugë.
Në vitet 30-40 qëndronin gjithnjë në këmbë organizatat esnafore të zejtarëve. Formalisht çdo esnaf e ruante ende monopolin e prodhimit të vet. Askush nuk kishte të drejtë të hapte një punishte të re zejtare pa lejen e këshillit të esnafit. Në përgjithësi, esnafët vazhdonin sipas traditës të caktonin çmimin e shitjes së artikujve që prodhonin zejtarët e tyre. Megjithatë disiplina e vjetër esnafore kishte filluar prej kohësh të shkelej. Ku më shumë e ku më pak, zejtarët nuk i respektonin më rregullat e dikurshme në lidhje me sasinë, cilësinë dhe çmimin e artikujve që prodhonin për treg. Monopoli esnafor i prodhimit kishte pësuar një goditje të rëndë dhe në një drejtim tjetër. Në disa lloje zejesh, zejtarët kishin fituar të drejtën të shisnin prodhimet e tyre edhe në viset e tjera. Madje, në disa raste, nën presionin e zejtarëve, Porta e Lartë kishte filluar ta hiqte krejtësisht monopolin esfanor për një varg prodhimesh. Qysh në vitin 1841, sulltan Abdyl Mexhiti, me një ferman perandorak drejtuar gjithë ejaleteve, hidhte poshtë lutjen e esnafit të opingarëve të zonës së Përmetit, të cilët kërkonin ta ruanin më tej monopolin e prodhimit të tyre, mbasi ky pretendim, siç thuhej në ferman, ishte në kundërshtim me sistemin e Tanzimatit.
Pasojat e zhvillimit të ekonomisë monetare ishin ndier në mënyrë të veçantë në radhët e esnafëve, të tregtarëve apo të tyxharëve, siç quheshin në atë kohë. Disiplina esnafore në gjirin e tyre ishte shthurur qysh në shek. XVIII. Reshperët e mëdhenj, të cilët kishin dalë nga radhët e borgjezisë tregtare, ishin pasuruar sidomos me veprimtarinë tregtare që zhvillonin me tregun e huaj. Rreth mesit të shek. XIX, reshperët e mëdhenj, si pronarë të kapitalit tregtar monetar, mund të mateshin, për nga fuqia ekonomike, me çifligarët e vendit. Të tillë reshperë kishte në të gjitha qytetet e rëndësishme, por masa e tyre kryesore ishte përqendruar në Shkodër, ku disa firma tregtare e vazhdonin veprimtarinë e tyre qysh nga shekulli i kaluar. Firmat e mëdha shkodrane shquheshin për rrezen e gjerë të veprimtarisë tregtare në të cilën hynin jo vetëm Shqipëria Veriore, Qendrore dhe Verilindore (Kosova), por edhe treva e Malit të Zi, madje edhe pjesa veriore e Maqedonisë. Reshperët e Shkodrës kishin agjenci tregtare në Durrës, Tiranë, Prizren, Pejë, Ulqin, Tivar, Shkup, kurse rreth 60 firma shkodrane kishin agjentë ose korrespondentë tregtarë në Trieste, prej nga ata lidheshin me tregun evropian. Në radhë të dytë vinin tregtarët e Beratit, të cilët kishin agjensi ose korrespondentë të tyre në Durrës e Vlorë, kurse jashtë vendit në Trieste, Korfuz e Maltë. Reshperët ushtronin edhe veprimtarinë kamatare dhe valutore (kambiste). Megjithatë, si kudo në Perandorinë Osmane, edhe në viset shqiptare funksionin ekonomik kryesor borgjezia reshpere e kryente si ndërmjetëse midis tregut të brendshëm dhe tregut të jashtëm, duke u varur kryesisht nga tregu i huaj.
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë monetare, i cili mori një hov të madh sidomos gjatë viteve 40 e 50, e shpejtoi ritmin e shthurjes së esnafëve. Nën nxitjen e kërkesave të qytetarëve e të fshatarëve për prodhimin e qytetit, regjimi i vjetër esnafor mori nga vetë zejtarët dhe tregtarët vendas goditjen përfundimtare. Komisionet lokale, të cilat për hir të traditës vazhdonin në çdo kaza të caktonin akoma çmimet javore të prodhimeve qytetare e fshatare, u suprimuan përfundimisht gjatë viteve 50. Më 1861 u hoq zyrtarish me dekret perandorak edhe privilegji i fundit që u kishte mbetur organizatave esnafore, e drejta e lejes për ushtrimin e zejeve, e cila tani kaloi në kompetencë të organeve shtetërore lokale. Organizatat esnafore vazhduan të ekzistonin edhe më vonë, por tani ato nuk e kryenin më funksionin ekonomik që kishin gëzuar, si institucione të rendit feudal, gjatë shekujve të kaluar. Tani esnafët morën pamjen e organizatave shoqërore dhe ndikimi tradicional, që ato ushtronin akoma mbi zejtarët dhe tregtarët, erdhi përherë e më tepër duke u dobësuar.
Si përfundim, qysh gjatë viteve 40 punishtet zejtare u kthyen në njësi ekonomike në pronësi të plotë të mjeshtrave zejtarë, të pavarura nga disiplina esnafore. Me shthurjen dhe pastaj me heqjen e esnafeve u hap përfundimisht rruga e konkurrencës së zejtarëve dhe e tregtarëve në fushën e çmimeve. Më parë në qytetet kryesore, dhe pastaj në tregjet e vogla, filloi të vepronte lirisht ligji i vlerës, lëvizja e çmimeve sipas ofertës dhe kërkesës, lufta për të ulur koston dhe për të shtuar prodhimin. Kështu në tregun shqiptar filluan dalngadalë të vepronin ligjet e ekonomisë së tregut.

Zhvillimi i mëtejshëm i tregut të brendshëm
Mbisundimi për një kohë të gjatë i ekonomisë natyrore dhe i regjimit të timareve që mbështetej në të e kishte vonuar së tepërmi zhvillimin e tregut të brendshëm shqiptar. Deri një shekull më parë lidhjet e fshatit me qytetin ishin shumë të dobëta. Në treg shkonin kryesisht prodhimet fshatare, të grumbulluara në formën e rentës feudale nga ana e spahinjve. Gjithashtu nevojat e fshatarëve për prodhimet zejtare të qytetit ishin të pakëta, sepse këto nevoja ata i plotësonin brenda ekonomisë së tyre individuale. Veç kësaj, sa kohë sundonte regjimi i timareve, nevojat, që u lindnin herë pas here fshatarëve për tokë suplementare, ata i siguronin me anën e tokave “vakante” që ndodheshin brenda timarit, të cilat spahiu i dikurshëm ua jepte pa ndonjë vështirësi me tapi, mbasi këto sillnin rritjen e të ardhurave edhe për vetë spahiun.
Por qysh gjatë shek. XVIII, me shthurjen e vazhdueshme të regjimit të timareve, mundësia për të zgjeruar bashtinën individuale mori fund për fshatarët, sepse tokat “vakante” filluan të binin në duart e bejlerëve çifligarë. Fshatarët e vegjël, që mbetën me toka të pakëta, u detyruan ose të vendoseshin në çifligjet e bejlerëve feudalë, ose të kërkonin burime jetese suplementare. Meqenëse zgjedhja feudale në çifligje ishte shumë e rëndë, fshatarët e varfër përpiqeshin me çdo kusht t’i shmangeshin kthimit të tyre në bujq-çifçinj. Por edhe nëpër qytete, fronti i punës ishte shumë i kufizuar qoftë për nivelin jo aq të zhvilluar të ekonomisë monetare, qoftë për pengesat që vinin nga regjimi feudal esnafor. Për këto arsye, deri në vitet 40, burimet suplementare të jetesës fshatarët e vegjël i siguronin, në një masë të kufizuar, me anën e mercenarizmit, kurse shumica e tyre dërrmuese me anën e një veprimtarie të dytë ekonomike. Këtë veprimtari suplementare ekonomike ata e zhvillonin brenda ose jashtë fshatit, brenda ose jashtë sferës bujqësore. Për fshatarët e vegjël që zotëronin pak dynymë tokë shpeshherë të ardhurat nga veprimtaria suplementare zinin vendin e parë në buxhetin e varfër të familjes. Sipas veprimtarisë së dytë që zhvillonin, fshatarët e varfër kishin fituar tiparet e reja social-ekonomike. Një pjesë e tyre ishte kthyer në paraqendarë - fshatarë, të cilët pjesën e tokës që u nevojitej e merrnin me qira nga pronarët çifligarë duke u kthyer kështu në gjysmëpronarë dhe gjysmëbujq. Një pjesë tjetër qe kthyer në argatë (fshatarë gjysmëpronarë e gjysmëpunëtorë), të cilët largoheshin gjatë disa muajve të vitit nga toka e tyre e pamjaftueshme dhe punonin me mëditje pranë ekonomive të tjera bujqësore, si druvarë, shataxhinj, lamaxhinj, kosaxhinj, belaxhinj, kazmaxhinj, sharrëxhinj etj. Krahas tyre në fshatin shqiptar kishte edhe fshatarë-zejtarë, të cilët pranë ekonomisë së vogël bujqësore organizonin brenda në familje një punishte të vogël zejtare për prodhime artikujsh të caktuar të destinuar për treg?. Kishte më në fund edhe një kategori tjetër banorësh të fshatit, fshatarët-kurbetlinj, të cilët nevojat e tyre i plotësonin me të ardhurat që një ose dy nga anëtarët e familjes u dërgonin nga kurbeti qytetar, brenda ose jashtë vendit, ku ata qëndronin për periudha të gjata dhe punonin si punëtorë, si zejtarë ose si tregtarë.
Diferencimi i radhëve të fshatarësisë tregonte se ekonomia natyrore, mbështetja e rendit feudal, tashmë kishte hyrë në rrugën e shthurjes së shpejtë. Masa të konsiderueshme fshatarësh kishin filluar të shisnin në treg jo vetëm prodhimet e tyre bujqësore, blegtorale, zejtare, por në mjaft raste, siç ndodhte me argatët ose kurbetlinjtë, edhe fuqinë e tyre të punës.
Heqja e regjimit feudal-ushtarak, sanksionimi i pronësisë tokësore çifligare, lënia e lirë e çmimeve të tregut, rritja e vazhdueshme e peshës së taksave dhe vendosja e shërbimit të gjatë ushtarak e shpejtuan më tej procesin e varfërimit të fshatarëve. Ky varfërim e rriti numrin e prodhuesve të vegjël, të cilët, për të siguruar burime të tjera jetese, ishin gati të shisnin kudo fuqinë e tyre të punës. Si rrjedhim, pas viteve 40, zhvillimi i tregut të brendshëm të fuqisë punëtore u krye me ritme më të shpejta.
Tani që mundësitë për të rritur tokën pa blerje u prenë dhe kërkesat fiskale shtetërore u shtuan, fshatarët u detyruan t’i kushtonin më tepër kujdes edhe shfrytëzimit të ekonomisë së tyre. Kjo solli rritjen, ndonëse me ritme të ngadalshme, të prodhimit bujqësor dhe të kontaktit të fshatarëve me tregun. Pas viteve 40 fshatarët filluan të vinin gjithnjë e më shpesh në qytet për të shitur prodhimet e tyre. Tani atyre u nevojiteshin të holla më tepër se më parë për të paguar taksat shtetërore që erdhën duke u shtuar, qoftë për të blerë artikuj industrialë për të cilat tani kishin nevojë më tepër se më parë.
Zgjerimi i lidhjeve të fshatit me qytetin i dha gjithashtu hov prodhimit zejtar. Hov morën sidomos zejtaritë që përpunonin prodhimet e fshatarëve (lëkurë, lesh, li, pambuk, mëndafsh, ullinj, duhan), po edhe zejtaritë që prodhonin artikuj për fshatin (vegla, enë, veshje, mbathje, pajime të ndryshme). Kjo solli rritjen e numrit të zejtarëve dhe të tregtarëve. Nga viti 1842 në vitin 1888 numri i punishteve zejtare dhe i dyqaneve tregtare në qytet u rrit: në Shkodër nga 2 600 në 3 500, në Prizren nga 950 në 1 560, në Korçë nga 480 në 840, në Berat nga 680 në 820, në Elbasan nga 580 në 730, në Tiranë nga 610 në 720, në Tetovë nga 450 në 610, në Prishtinë nga 380 në 530 etj. Një rritje të tillë patën të gjitha qytetet e vendit duke përfshirë këtu edhe qytetet e vogla (për shembull, brenda të njëjtës periudhë numri i dyqaneve u rrit në Përmet nga 84 në 188, në Gostivar nga 40 në 97, në Starovë nga 45 në 85, në Peqin nga 48 në 96, në Tepelenë nga 15 në 45 etj.). Veç kësaj, në çdo krahinë fushore ose malore lindi tregu lokal ku fshatarët vinin çdo javë, ditën e pazarit, për të shitur prodhimet e tyre dhe për të blerë sendet e nevojshme. Disa nga këto qendra të vogla, të cilat në vitet 40 e ruanin akoma karakterin e fshatit, si Fieri, Lushnja, Ballshi, Këlcyra, Frashëri, Kukësi, Shijaku, tani kishin me dhjetëra dyqane zejtarie e tregtie.
Depërtimi me ritme më të shpejta i ekonomisë monetare në fshat u pasqyrua gjithashtu me rritjen e marrëdhënieve të shkëmbimit me vendet e huaja. Brenda 50 vjetëve (që nga viti 1842 deri në vitin 1892) lëvizja tregtare u rrit afërsisht katër herë. Si dhe më parë, ajo filloi të zhvillohej kryesisht me anën e detit. Numri i anijeve që preknin skelat shqiptare erdhi gjithnjë duke u rritur. Nga rreth 160 ngarkesa e shkarkesa anijesh në vit që kryheshin në mesin e shekullit, numri i tyre arriti, në fund të shekullit, në rreth 400. Nga interesi që paraqisnin tani viset shqiptare për tregun evropian, anijet e shoqërive të mëdha të lundrimit të Austrisë e të Italisë, siç ishin “Llojdi”, “Pulia” (Puglia), “Adria” filluan të frekuentonin rregullisht, një herë, pastaj dy herë dhe më tutje tri herë në javë skelat e Shëngjinit, të Durrësit, të Vlorës e të Sarandës. Madje qysh në vitet 50 e 60 edhe familjet reshpere shkodrane Daragjati, Bianki dhe Muzhani blenë me fondet e tyre anije me avull, me të cilat kryenin lundrime tregtare të rregullta midis skelave shqiptare dhe skelave të Adriatikut. Një zhvillim relativisht të madh mori gjatë kësaj periudhe edhe lëvizja tregtare me viset e brendshme të Gadishullit Ballkanik, e cila, edhe pse kryhej gjithnjë me karvane kuajsh, kishte përsëri leverdi për tregun e brendshëm shqiptar. Lidhjet gjithnjë e më të shpeshta të fshatit me tregun i tregon sidomos rritja e vëllimit të artikujve bujqësorë e blegtoralë, nga rreth 6 milionë franga ari më 1850 në afërsisht 12 milionë franga ari më 1898, që eksportoheshin nga skelat shqiptare në tregjet evropiane. Atë e tregon gjithashtu lista gjithnjë në rritje e artikujve që importoheshin nga tregjet e huaja, të cilat vinin nga jashtë ose në gjendje të gatshme (vajguri, sheqer, kafe, pëlhura, vegla, armë, llamba, sapunë, kinkaleri etj.) ose si lëndë e parë dhe përpunoheshin nga zejtarët vendas (hekur, çelik, plumb, kallaj, zink, lëkurë, stofë etj).
Zhvillimi i tregut të brendshëm solli si kudo edhe në Shqipëri nevojën e veprimeve më të lehta financiare dhe të lëvizjes më të shpejtë të mallrave. Nën ndikimin e këtyre nevojave, filluan të ngrihen dhoma e tregtisë, gjykata tregtare, zyra postare dhe agjenci lundrimi. Qysh në vitet 80, Banka Perandorake Osmane çeli degë të saj në qendrat e katër vilajeteve, të cilat nga ana e tyre krijuan korrespondentë bankarë në qytetet e tjera të vendit. Në të njëjtën kohë u ngritën në të gjitha qendrat e sanxhakëve dhe të kazave degë ose arka të Bankës Bujqësore osmane (Ziraat Bankasi), të cilat kryenin edhe veprime krediti. Gjithashtu krijuan agjenci në Shkodër, në Durrës e në Vlorë edhe disa nga shoqëritë e mëdha të sigurimeve të Triestes e të Venedikut. Nga 2 shtete të huaja që kishin më 1840 konsullata në viset shqiptare (Franca, Anglia), në fund të shek. XIX kishin konsullatat e tyre në këto vise 9 shtete (Franca, Anglia, Austria, Italia, Rusia, Greqia, Serbia, Rumania, Mali i Zi). Që nga pjesa e fundit e shek. XIX, nën presionin e kërkesave të reshperëve shqiptarë, u dukën edhe hapat e parë në ndërtimin e rrugëve të komunikacionit, nga të cilat patën një farë interesi rrugët e qerreve që lidhën Shkodrën me Lezhën e Shëngjinin, Tiranën me Durrësin e Kavajën, Sarandën dhe Gjirokastrën me Janinën, Manastirin me Korçën dhe Janinën, Elbasanin me Kavajën e Durrësin. Gjatë viteve 70 u ndërtua gjithashtu hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë, e cila kalonte përmes viseve të Kosovës.
Shthurjen gjatë kësaj periudhe me ritme më të shpejta të ekonomisë natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm e tregon më në fund ngritja e dyqaneve tregtare dhe e punishteve zejtare nëpër fshatrat e vendit. Në vitet 40 të tilla dyqane jashtë qyteteve ishin shumë të rralla, gjë që ndodhte pjesërisht edhe nga pasiguria që sundonte në këto vise. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, edhe pse pasiguria nuk u likuidua plotësisht, numri i tyre erdhi vazhdimisht duke u rritur, në mënyrë të veçantë në ato krahina të Shqipërisë së Jugut ku ekonomia monetare kishte depërtuar me ritme më të shpejta se gjetkë. Sipas njoftimeve zyrtare turke, në vitet 80 kishte jashtë qyteteve: në kazanë e Korçës me 168 fshatra 1 175 dyqane, në atë të Beratit me 175 fshatra 360 dyqane, në kazanë e Përmetit me 140 fshatra 340 dyqane, në atë të Gjirokastrës me 62 fshatra 240 dyqane, në atë të Delvinës me 130 fshatra 140 dyqane, në kazanë e Vlorës me 64 fshatra 45 dyqane, në atë të Tepelenës me 61 fshatra 35 dyqane. Rrjeti i dyqaneve u ngrit, ndonëse me përpjestime më të vogla, edhe në vise të tjera të vendit. Për shembull, po atë vit kishte: në kazanë e Peqinit me 97 fshatra 80 dyqane, në atë të Dibrës së Epërme me 142 fshatra 76 dyqane, në kazanë e Dibrës së Poshtme me 38 fshatra 25 dyqane, në kazanë e Elbasanit me 97 fshatra 20 dyqane, në atë të Matit me 33 fshatra 15 dyqane, në atë të Gramshit me 66 fshatra 5 dyqane etj.
Shtrirja e rrjetit të tregtisë në fshat i dha një shtytje të madhe forcimit të lidhjeve ekonomike midis tregjeve lokale dhe qyteteve kryesore, njëkohësisht edhe midis vetë qyteteve kryesore të vendit. Me gjithë pengesat që vinin nga vështirësitë e komunikacionit dhe nga pasiguria e qarkullimit, qendrat kryesore ekonomike të vendit tashmë u lidhën me njëra-tjetrën ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, duke u kthyer në hallka të veçanta të tregut të brendshëm kombëtar. Si rezultat i këtij zhvillimi, gjatë kësaj periudhe u formua bashkësia e jetesës ekonomike në viset shqiptare.

Punishtet manifakturore dhe fabrikat e para
Zhvillimi i ekonomisë monetare dhe shthurja e disiplinës esnafore i dhanë një shtytje shtimit të prodhimit të punishteve zejtare. Ky proces pushtoi sidomos punishtet zejtare të këpucëve, të opingave, të lëkurëve, të shajakëve, të qilimave, të armëve, të argjendarisë, të qëndistarisë etj. Rreth mesit të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan, Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin 5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në 15 krahë pune. Në këto punishte procesi i prodhimit vijoi të kryhej, si edhe më parë, me po ato vegla dore, por tani mori një përmbajtje të re social-ekonomike. Si trajtimi i krahëve të punës, ashtu dhe shitja e prodhimeve të tyre, nuk vareshin më nga disiplina esnafore, por nga ligjet e tregut të lirë. Kallfa dhe çiraku i djeshëm u kthyen në një shitës të “lirë” të krahut të tyre të punës, kurse mjeshtri zejtar në një pronar i plotë i mjeteve të prodhimit. Si rrjedhim, pas viteve 40 në gjirin e punishteve të mëdha zejtare filluan të lindnin, ku më parë e ku më pas, elementet e para të marrëdhënieve të ekonomisë së tregut.
Por në punishtet e mëdha zejtare të kësaj periudhe mbeti për disa kohë në fuqi ndarja e mëparshme e punës. Procesi i kooperimit të thjeshtë hyri me vështirësi në gjirin e tyre. Megjithatë, nën nxitjen e konkurrencës së lirë, që u zhvillua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, qoftë midis prodhimeve të zejtarëve lokalë, qoftë midis tyre dhe prodhimeve evropiane, nga radhët e borgjezisë tregtare dolën nisma për të ngritur punishte manifakturore me një bazë teknike më të përparuar se ajo e punishteve zejtare. Filluan të duken makineritë e para të sjella nga jashtë për punimin e lëndës së parë vendase. Nga vitet 70 të shek. XIX lindën elementet e para të industrisë me motor, u ngritën ndërmarrjet industriale të mekanizuara (fabrikat), që punonin me fuqi motorike. Por këto ndërmarrje kishin më shumë pamjen e punishteve të zgjeruara me disa makina. Të tilla qenë për shembull flandrat për përpunimin dhe endjen e mëndafshit, që tregtari shkodran Filip Parruca solli qysh në vitin 1860 nga Italia, filatura mekanike me avull që sollën nga jashtë afërsisht në atë kohë vëllezërit Bianki në Shkodër, makinat e dorës për përpunimin e gajtanëve ose çarqet për prodhimin e shiritave, që disa pronarë punishtesh sollën gjithashtu nga jashtë pak vite më vonë. Por ndërmarrjet më të rëndësishme të industrisë në Shkodër ishin fabrika e sapunit (e ndërtuar nga Stefan Bianki dhe Engjëll Çoba, e cila prodhonte afër 180 tonë sapun në vit), fabrika e makaronave, ajo e brezave, e tisazhit, e cigareve (ku punonin mbi 100 punëtore), fabrika e tullave, mullinjtë e blojes me fuqi motorike, shtypshkronja, fabrika e uthullës dhe e verës, një kantier i vogël për ndërtimin e riparimin e barkave, furra moderne Hofman etj. Në Ulqin ishin ngritur kantieret e ndërtimit të anijeve, në njërin prej të cilëve punonin deri në 50 punëtorë.
Në qendrat e tjera të vendit lindën gjithashtu ndërmarrjet e para industriale për përpunimin e artikujve të konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave, të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj. Më 1870 u ndërtuan në Korçë dy furra moderne për prodhimin e gëlqeres, një mulli drithi me kapacitet bluarjeje 150 kv në 24 orë, një fabrikë miellit etj. Në fundin e shek. XIX u ndërtuan në Prishtinë dy fabrika mielli dhe disa mullinj me motorë, ndërsa në viset e tjera të vilajetit të Kosovës u ngritën një fabrikë sapuni, një sharrë mekanike për përpunimin e drurit (me kapital shqiptaro-gjerman), fabrika e birrës, e miellit, e tullave dhe e tjegullave; në Tetovë ishte ngritur fabrika e gajtanit, 15 punishte për prodhimin e pëlhurave dhe fabrika e miellit (e ndërtuar nga një firmë hungareze); në Prizren dhe në Plevlje kishte dy fabrika të tjera gajtani. Në Durrës ishte ngritur një sharrë mekanike (që i përkiste një shoqërie franceze) dhe disa mullinj me fuqi motorike; në Vlorë ishte ngritur industria nxjerrëse e bitumit të Selenicës, kriporja, një poçeri (ku punonin më shumë se 100 punëtorë), disa fabrika të kohës për prodhimin e vajit; në Elbasan ishin ndërtuar dy presa moderne dhe një makinë hidraulike për prodhimin e vajit, një fabrikë sapuni, fabrika e duhanit dhe ajo e miellit; në Gjirokastër ishte ngritur fabrika e përpunimit të lëkurës; në Kavajë kishte kripore, punishte të qeramikës, dy mullinj me fuqi motorike; në Prevezë u ngrit një fabrikë sapuni etj.
Gjatë kësaj periudhe u dukën edhe investimet e huaja, të cilat u kufizuan vetëm në sferën e shfrytëzimit të minierave dhe të pyjeve. Qysh më 1875 Shoqëria angleze “Mejers” (Mayers) mori për shfrytëzim minierat e serës në Selenicë; më pas (më 1891) këtë koncesion e mori nga Shoqëria “Mejers”, një shoqëri frënge, e formuar në Paris posaçërisht për shfrytëzimin e kësaj miniere (Société des bitumes de Selenitza). Më 1904 Shoqëria italiane “Firpo e Berberis” mori për shfrytëzim pyjet e Thumanës afër Durrësit dhe solli këtu sharra mekanike moderne. Më 1910 Shoqëria tjetër italiane “Vismara” filloi, gjithashtu, me anën e sharrave moderne shfrytëzimin e pyjeve të Mirditës. Në vitet e fundit të sundimit osman u ngritën nga investitorë të huaj një fabrikë makaronash në Shkodër, një fabrikë vaji në Vlorë etj.
Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse me një teknikë më të përparuar, të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër të kufizuar punëtorësh, madje disa prej tyre më pak se punishtet e mëdha zejtare. Pesha e prodhimit të tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore, zinte një vend fare të parëndësishëm kundrejt prodhimit që dilte nga duart e zejtarëve të vegjël, të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale të vendit. Veç kësaj, megjithëse borgjezia reshpere zotëronte fonde monetare të mëdha dhe ndonëse kishte një treg të lirë krahësh pune, as fabrikat e reja, as punishtet manifakturore nuk e rritën më tej prodhimin dhe nuk u kthyen në industri moderne. Për më tepër, disa prej tyre e pushuan pas disa kohësh veprimtarinë ekonomike. Arsyeja kryesore e zhvillimit shumë të ulët të prodhimit industrial kapitalist në Shqipëri qe varfërimi me ritme shumë të shpejta që i shkaktuan tregut të brendshëm, nga njëra anë sistemi fiskal parazitar i sunduesit osman, nga ana tjetër vërshimi i pandalshëm i mallrave të huaja të vendeve të zhvilluara të Evropës.
Çdo vit me miliona groshë mblidheshin në formë taksash nga Shqipëria dhe merrnin rrugën e Stambollit, ndërsa në vend shpenzoheshin shuma tepër të pakëta vetëm për mbajtjen e administratës shtetërore. Kështu, për shembull, në vitin 1888, sipas të dhënave të salnamesë osmane për vilajetin e Manastirit, nga tre sanxhakët shqiptarë të këtij vilajeti (sanxhakët e Korçës, të Elbasanit dhe të Dibrës) shuma e taksave të vjela ishte 13,8 milionë groshë, kurse pjesa e shpenzuar në vend vetëm 3,7 milionë groshë. Po kështu ndodhte edhe në viset e tjera. Sipas salnamesë turke për vilajetin e Janinës, në vitin 1900 në sanxhakët e Gjirokastrës, të Beratit e të Prevezës u grumbulluan atë vit 16,4 milionë groshë dhe u shpenzuan në vend vetëm 2,7 milionë groshë. Kjo grabitje e vazhdueshme, e cila bëhej në kurriz të shtresave të gjera të popullsisë, që ishin pothuajse të vetmit kontribuesë të buxhetit turk dhe konsumatorë kryesorë të prodhimeve industriale, solli si pasojë dobësimin e vazhdueshëm të tregut të brendshëm shqiptar.
Faktori tjetër që shpuri në dobësimin e tregut të brendshëm shqiptar ishte konkurrenca e mallrave evropiane, të cilat në bazë të kapitulacioneve hynin në Shqipëri me një tagër tepër të ulët doganor. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, prodhimi i punishteve zejtare e manifakturore lokale, duke mos qenë në gjendje t’i bënte ballë konkurrencës së prodhimeve industriale të huaja, hyri në një krizë të rëndë, e cila e çoi në një rënie të vazhdueshme. Goditjen e parë e pësuan prodhimet e tekstileve, siç qenë tekstilet e linjta, të leshta dhe të mëndafshta. Me vërshimin e mallrave të huaja, eksportimi i këtyre prodhimeve nga Shqipëria u ndërpre, madje këto prodhime filluan të mos gjenin treg as brenda vendit. Si pasojë, filandrat dhe makineritë, që u sollën në vitet 60-80 në Shkodër, në Korçë e në Berat për prodhimin e tekstileve të leshta e të mëndafshta filluan të mbylleshin njëra pas tjetrës. Në fillim të shek. XX jetonte ende prodhimi i vogël i grave shtëpiake (shajaku në Korçë e në Berat, mëndafshi në Tiranë e në Shkodër), por edhe këtu ky prodhim ishte në rënie të plotë. Për të njëjtat arsye, rënia që ishte shfaqur qysh më parë në prodhimin e armëve të zjarrit (pushkë, kobure, fishekë) tani u thellua më tej. Pas mesit të shek. XIX zejtarët armëtarë, që mbushnin ende pazaret e Shkodrës, të Prizrenit dhe të Elbasanit nuk i prodhonin më të gjitha pjesët e armëve. Disa prej tyre, siç qenë për shembull tytat e pushkëve e të kobureve, filluan t’i sillnin nga jashtë. Por edhe kjo nuk vijoi gjatë. Me vërshimin në Shqipëri të armëve martina, më të lira dhe më moderne, prodhimi vendas i pushkëve e i kobureve, me gjithë traditat e lashta, ra përfundimisht, derisa u zhduk fare gjatë çerekut të fundit të shek. XIX. Gjatë kësaj periudhe filloi të binte edhe zejtaria e tabakëve, e cila gjithashtu nuk qe më në gjendje t’i konkurronte nga çmimi lëkurët e regjura në fabrikat moderne evropiane. Këtë fat pësuan edhe degë të tjera, siç qenë zejtaritë e argjendarëve, të remtarëve, të drugdhendësve etj.
Nga ana tjetër, me vërshimin e mallrave të huaja dhe me rrënimin e punishteve të vendit, u përmbys raporti që ekzistonte më parë në bilancin e tregtisë së jashtme të viseve shqiptare. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX vëllimi i mallrave të importuara nga tregjet evropiane erdhi duke u rritur. Në listat e tyre tani bënin pjesë edhe artikuj të cilët më parë prodhoheshin nga zejtarët shqiptarë, madje edhe artikuj të cilët më parë figuronin në listat e mallrave që eksportonte Shqipëria (fije mëndafshi, fije pambuku, stofra të leshta, pëlhura mëndafshi, enë shtëpiake, lëkurë të punuara, shuall e këpucë, armë e barut, brava e gozhdë, feste e breza, kazma e lopata etj.). Për më tepër, në listën e mallrave që tani eksportoheshin nuk figuronin më si dikur artikuj të përpunuar dhe aq më pak mallra të gatshme, por vetëm bagëti të imëta e të trasha, shumë pak prodhime bujqësore dhe kryesisht lëndë të para në gjendje natyrore (lesh, lëkurë, duhan, ullinj, dyllë i papunuar etj.). Diferenca midis importimeve dhe eksportimeve erdhi kështu vazhdimisht duke u rritur. Në fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara nga skelat bregdetare ishte tri herë më e madhe se ajo e mallrave të eksportuara (më 1898 nga skelat e Shqipërisë u importuan mallra me një vleftë prej 34 milionë franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara ishte rreth 12 milionë franga ari). Ky deficit i theksuar që vazhdoi me dhjetëra vjet e varfëroi edhe më shumë pasurinë monetare të vendit. Shterrimin e plotë të kësaj pasurie e frenuan deri në një farë shkalle vetëm dërgesat periodike valutore të kurbetlinjve (emigrantëve) shqiptarë, që punonin në vise të huaja dhe që i kishin lënë familjet në Shqipëri.
Karakteri parazitar i administratës osmane dhe konkurrenca tregtare e shteteve evropiane, duke varfëruar sistematikisht pasurinë monetare vendase, e dobësuan thellësisht fuqinë blerëse të masave popullore dhe krijuan kështu një situatë mbytëse për zhvillimin e industrisë kombëtare shqiptare. Për këtë arsye trojet shqiptare mbetën deri në fund të sundimit osman pa asnjë industri të zhvilluar.
Më 1912 në trojet e trungut etnik shqiptar kishte, përveç punishteve manifakturore, shumë pak fabrika të vogla me motorë:

Mullinj drithi ……………………. 26 njësi
Fabrika vaji ……………………... 4 “
Fabrika sapuni ………………….. 2 “
Fabrika lëkurësh ………………... 2 “
Fabrikë tisazhi ………………….. 1 “
Fabrika cigaresh ………………... 2 “
Fabrikë makaronash ……………. 1 “
Shtypshkronja …………………... 5 “
Sharra mekanike ………………... 7 “
50 “

Të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet shumë të kufizuar prodhimi. Numri i punëtorëve të këtyre njësive ishte gjithashtu fare i vogël. Në secilën prej tyre punonin 3-15 punëtorë dhe fare rrallë mbi 16 punëtorë, kurse numri i tyre i përgjithshëm llogaritej në disa qindra punëtorë. Si përfundim, marrëdhëniet karakteristike për ekonominë e tregut në u dukën Shqipëri jo aq në rritjen e ndërmarrjeve moderne kapitaliste, por kryesisht në veprimin e ligjeve të ekonomisë së tregut.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Struktura shoqërore e qyteteve
Ekonomia e re e tregut, që lindi në Shqipëri gjatë shek. XIX solli ndryshime në strukturën shoqërore të qyteteve. Por për shkak të ruajtjes së strukturës shtetërore feudale të Perandorisë Osmane, e cila qëndronte në fuqi vetëm në saje të dhunës, qytetet shqiptare nuk u çliruan dot nga zgjedha e shtresës së vjetër feudale sunduese. Përfaqësuesit kryesorë të saj, funksionarët e lartë të administratës shtetërore, shtresat e sipërme të klerit islamik dhe feudalët e fuqishëm derebej, të shkëputur si edhe më parë nga sfera e prodhimit, vijuan të grabisnin popullsinë dhe arkën e shtetit me anën e dhunës, të arbitraritetit, të mashtrimit dhe të spekulimeve. Për këtë arsye ata nuk ishin aspak të interesuar për ta ndryshuar strukturën ekonomike, shoqërore e politike të Perandorisë Osmane. Në kushtet e reja të krijuara nga veprimi i ligjeve ekonomike kapitaliste, karakteri parazitar i tyre u bë më i theksuar. Nga pjesëtarët e klasës së vjetër sunduese qenë prekur vetëm krerët e feudalizuar të esnafeve, të cilët, me heqjen e monopolit esnafor, humbën bazën e tyre ekonomike, si rrjedhim burimin e pushtetit të tyre të dikurshëm. Deri në vitet 60 ata vazhduan të bënin pjesë në shtresat e larta të popullsisë qytetare, vetëm për hir të traditës shekullore ose përkrahjes politike që Porta e Lartë u detyrua t’u jepte për të shuar trazirat e shkaktuara prej tyre.
Borgjezia tregtare, sidomos reshperët e mëdhenj, me rritjen e mëtejshme të tregtisë grosiste, u fuqizuan më shumë. Me krizën që shkaktoi ndër prodhuesit shqiptarë vërshimi i mallrave të huaja, edhe burimi tjetër i fitimit të tyre, fajdeja, erdhi gjithashtu duke u rritur (në vitet 80 në tregun e Shkodrës fajdeja kapte normalisht 50-60%). Në qytetet e pajisura me garnizone ushtarake reshperët nxorën fitime të mëdha edhe nga kontratat për furnizimin e ushtrisë me ushqime, veshmbathje e pajime të ndryshme. Në tregjet kryesore të vendit ata futën nën varësinë e tyre shumë nga zejtarët e vegjël dhe nga gratë shtëpiake, të cilat tani përpunonin lëndën e parë vendase të grumbulluar prej reshperëve dhe të destinuar për eksport (lesh, lëkurë, mëndafsh, bimë, fruta etj.). Reshperët u pajisën me anije lundrimi (12 anije deri më 1912) dhe përqendruan në duart e tyre kapitale tregtare e monetare të mëdha. Por kjo pjesë e borgjezisë, në kushtet e arbitraritetit të administratës osmane dhe të zhvillimit të dobët të tregtisë, nuk arriti të kalonte kapitalet e saj nga sfera e qarkullimit në atë të prodhimit, mbeti e lidhur deri në fund të sundimit osman me veprimtarinë tregtare e kamatare, duke i akorduar kredi edhe vetë financës shtetërore lokale. Veç kësaj, me hyrjen gjithnjë e më shumë të tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, një pjesë e tregtarëve u bënë njëkohësisht pronarë çifligjesh, duke u kthyer kështu në një borgjezi reshpero-çifligare.
Forca e re shoqërore që lindi në këtë kohë, borgjezia industriale, për shkak të klimës mbytëse që sundoi për zhvillimin e ekonomisë së tregut, sidomos pas viteve 70, pati deri në fund të sundimit osman një peshë të parëndësishme.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut filloi të shfaqej në viset shqiptare edhe një shtresë tjetër shoqërore, punëtorët, bërthamën e së cilës e përbënin mëditësit e thjeshtë që punonin në fabrikat, minierat, kriporet, anijet, sharrat dhe punishtet e ndryshme. Por në radhët e kësaj shtrese shoqërore hynin edhe prodhuesit e tjerë të qytetit, siç ishin kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, qiraxhinjtë, hamejtë, druvarët, prodhuesit e vegjël të pazarit e të shtëpisë që punonin për reshperët e mëdhenj dhe, së bashku me ta, shtresa e të papunëve. Punëtorët e të gjitha kategorive punonin pa përjashtim deri 14 orë në ditë dhe merrnin një pagë shumë të ulët, që shpesh jepej në formën e qesimit. Deri në fund të sundimit osman nuk doli asnjë legjislacion që të mbronte të drejtat më elementare të punëtorëve.
Me gjithë pasojat që pati për prodhimim e vogël vërshimi i mallrave të huaja, masën dërrmuese të popullsisë së qyteteve e formonin, si edhe më parë, zejtarët e tregtarët e vegjël. Edhe pse disa nga zejtaritë e vjetra u zhdukën nga pazaret e qyteteve ose ishin në rënie të plotë, forcimi i vazhdueshëm i lidhjeve të fshatit me qytetin u dha mundësi zejtarëve që merreshin me veshmbathjet fshatare t’i shpëtonin rrënimit ekonomik (zejtarët që prodhonin tirqe, shallvare, poture, kallca, opinga, breza, qeleshe etj.). Veç kësaj, në disa degë të prodhimit zejtar artikujt evropianë nuk arritën ta konkurronin prodhimin vendas, i cili shitej më lirë se prodhimi i huaj (prodhimet e remtarëve, të farkëtarëve, të poçarëve, të saraçëve, të këpucëtarëve etj.). Më në fund, rritja e kërkesave të vetë popullsisë qytetare solli në disa fusha shtimin e numrit të zejtarëve (rrobaqepës, marangozë, furrxhinj, sheqerxhinj, sahatçinj etj.). Zhvillimi i tregut të brendshëm, vërshimi i mallrave të huaja dhe zhvillimi i jetës qytetare sollën nga ana e tyre rritjen e mëtejshme të dyqaneve të tregtarëve të vegjël dhe të lokaleve të shërbimit social (hotele, hane, restorante, pijetore etj.). Por rritja e numrit të zejtarëve të vegjël nuk tregonte aspak lulëzimin e tyre ekonomik. Sikurse shënonte një udhëtar i huaj, që kaloi në Shqipëri më 1910, shumica e zejtarëve ishte e zhytur në varfëri të thellë dhe qëndronte në dyqanet e veta vetëm sepse nuk gjente punë tjetër.
Megjithëse ekonomia feudale ishte shthurur, sundimtari osman vijonte ta ruante të paprekur sistemin politik e shtetëror feudal. Ndërsa zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit kërkonte shkëputjen e viseve shqiptare nga grabitja sistematike e huaj, sundimtari osman përpiqej ta forconte më tej shtypjen e vet shekullore në Shqipëri.

3. DEPËRTIMI I EKONOMISË SË TREGUT NË FSHAT

Rritja dhe copëzimi i pronës çifligare
Në fillim të viteve 40 timari feudal turk zyrtarisht nuk ekzistonte më në Perandorinë Osmane. Ai ishte suprimuar me ligj nga Porta e Lartë qysh në vitin 1834. Në të vërtetë, timari ishte zhdukur nga tokat më pjellore të viseve shqiptare, të cilat kishin hyrë në sistemin e çifligut, përpara se të hiqej zyrtarisht. Timari qëndronte ende vetëm në fshatrat me toka buke të pakëta, por edhe këtu zotëruesit e tyre, spahinjtë, në shumicën e rasteve ishin kthyer prej kohësh në feudalë-derebej. Si të tillë ata i ruanin pozitat sunduese vetëm në saje të përkrahjes që u detyrua t’u jepte sulltani me anën e sistemit të “harxheve”. Sipas këtij sistemi, feudalët spahinj gëzonin të drejtën në kohë lufte të rekrutonin kundrejt “harxheve” (shpërblimeve) mercenarë për në luftë dhe në kohë paqeje të vilnin, kundrejt një shume të caktuar, taksat shtetërore brenda timarit të tyre.
Megjithatë, pas vitit 1834 spahinjtë nuk u ngjanin atyre të shekujve të kaluar, pasi tani nuk e gëzonin tesarrufin (zotërimin) mbi tokat e fshatarit. Si rrjedhim ata e kishin humbur zotërimin feudal mbi tokën. Por edhe pse e humbën tesarrufin, spahinjtë derebej, duke u mbështetur në forcat e tyre të armatosura dhe në përkrahjen e Portës së Lartë, vijuan të ushtronin pushtet mbi fshatarët e zonës së tyre.
Për të njëjtat arsye Porta e Lartë nuk preku as bajraktarët e krahinave malore të veriut. Ata vijuan të gëzonin si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje po ato detyra dhe po ato të drejta që kishin pasur gjatë shekullit të kaluar. Megjithatë, në viset malore të Veriut, për shkak të mbeturinave ende të gjalla të normave fisnore, dhuna dhe arbitrariteti i bajraktarëve nuk morën përpjesëtime aq të mëdha, sa ato të derebejve në viset e tjera të vendit.
Me heqjen e sistemit të timarit dhe me njohjen zyrtarisht të pronësisë private mbi tokën, pronësia çifligare u njoh ligjërisht nga shteti osman. Bejlerët çifligarë fituan të drejtën jo vetëm ta administronin, por edhe ta zgjeronin lirisht pronën e tyre, e cila për më tepër hyri nën mbrojtjen e dretpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Madje Porta e Lartë, shumicën e çifligjeve që ua kishte konfiskuar dikur feudalëve të dënuar si kryengritës, në radhë të parë Ali pashë Tepelenës, Ibrahim pashë Vërlacit, Ibrahim bej Alltunit, Osman bej Kryekuqit, i shpalli pronësi private shtetërore, duke e kthyer kështu vetë Perandorinë Osmane në një pronare të madhe çifligare. Të drejtën e pronësisë e fituan edhe institucionet fetare islamike e të krishtera. Si rrjedhim, me likuidimin e pronësisë feudale-ushtarake, ajo feudale-çifligare u bë forma kryesore e pronësisë tokësore, mbi të cilën tani mbështetej shteti feudal turk.
Në vitet 40 çifligjet kapnin në viset e katër vilajeteve rreth 700 mijë hektarë ose rreth 55 për qind të tokave të punueshme. Por shpërndarja e tyre nuk ishte e njëjtë kudo. Në krahinat e vilajetit të Janinës çifligjet zinin rreth 70 për qind të tokave të punueshme, në viset e vilajetit të Shkodrës rreth 60 për qind, në të Manastirit rreth 52 për qind dhe në viset e Kosovës rreth 40 për qind.
Pronësia çifligare nuk ishte rritur njësoj as brenda secilit vilajet. Ajo ishte shtrirë kryesisht në viset fushore, aty ku ndodhej pjesa më e madhe e tokave të punueshme. Nga të dhënat për ejaletin e Janinës del, se më 1850 në rrethet e sotme të Fierit dhe të Lushnjës të gjitha fshatrat pa përjashtim (184 fshatra) ishin kthyer në çifligje. Në disa vise të tjera të ejaletit, si në rrethin e Pogonit, pronësia çifligare zinte 93 për qind të fshatrave, në atë të Paramithisë 91 për qind, në atë të Filatit 64 për qind, në kazanë e Delvinës 58 për qind, në atë të Gjirokastrës 35 për qind, në atë të Vlorës 29 për qind, në krahinën e Mallakastrës 20 për qind, në kazanë e Përmetit 12 për qind, kurse në kazanë e Tepelenës 9 për qind. Brenda ejaletit të Janinës kishte gjithashtu vise, siç ishte kazaja e Skraparit dhe ajo e Tomoricës me 43 fshatra, të cilat nuk e njihnin fare institucionin e çifligut.
Shumica dërrmuese e pronës çifligare, rreth 76 për qind e sipërfaqes së saj, ishte në pronësi private të bejlerëve feudalë, mjaft nga të cilët e kishin grumbulluar me grabitje gjatë dyqind vjetëve të kaluar. Gjatë viteve 40 ajo ndodhej e përqendruar ende në duart e pak familjeve feudale, që të gjitha me origjinë shqiptare. Disa prej tyre zotëronin sipërfaqe të mëdha jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në krahinat e tjera të Turqisë Evropiane: p.sh., familja e Skyfterajve të Libohovës zotëronte rreth 28 000 ha tokë në Toskëri, në Çamëri e në Thesali, kurse ajo e Begollajve të Pejës rreth 22 mijë ha në Kosovë, në Bosnjë e në Serbi. Pronarë të mëdhenj feudalë, të cilët zotëronin çifligje në viset shqiptare, ishin Kokatët e Delvinës (rreth 18 000 ha), Gjinollët e Prishtinës (rreth 16 000 ha), Toptanët e Tiranës (rreth 15 000 ha), Dërrallat e Tetovës (rreth 12 000 ha), Rrotullat e Prizrenit (rreth 10 000 ha), Bushatllinjtë e Shkodrës (rreth 8 500 ha), Okllapajt e Gjilanit (rreth 8 000 ha), Alizotët e Gjirokastrës (rreth 7 500 ha) etj.
Pas bejlerëve feudalë, vendin e dytë si pronar latifondist e zinte vetë shteti osman, i cili zotëronte rreth 20 për qind të pronës çifligare. Pjesa dërrmuese e çifligjeve shtetërore, rreth 105 000 ha (afërsisht 75 për qind e sipërfaqes së tyre), ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse pjesa tjetër ishte e shpërndarë në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës dhe të Kosovës.
Institucionet fetare myslimane, të cilat zinin vendin e tretë, zotëronin rreth 4 për qind të sipërfaqes së përgjithshme çifligare. Afërsisht gjysma e tyre ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse në vilajetet e tjera çifligjet vakëfore ishin shumë të copëzuara.
U rritën edhe zotërimet tokësore të kishave ortodokse e katolike. Në vitet 60-70 të shek. XIX 23 kisha e manastire zotëronin rreth 1 300 ha tokë të punueshme dhe pyje.
Me gjithë shtrirjen e madhe të pronësisë çifligare numri i bujqve të vendosur nëpër çifligje ishte i vogël në krahasim me mundësitë e shfrytëzimit të saj. Në të vërtetë, ndërsa çifligjet zinin rreth 55 për qind të tokave të punueshme, në këto toka punonin rreth 25 për qind të familjeve fshatare. Më shumë se 2/3 e tokave çifligare ishin lënë djerr. Kështu në fushën e Myzeqesë në 184 fshatra qenë vendosur vetëm 2 616 familje bujqish çifçinj.
Me përfshirjen e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, vlefta e saj si burim të ardhurash për pronarin erdhi vazhdimisht duke u rritur. Kjo pati pasoja të thella në fushën e pronësisë tokësore.
Te bejlerët çifligarë, të cilët nuk iu përshtatën kushteve të reja që u krijuan me zhvillimin e ekonomisë monetare, përfshirja e tokës në sferën e tregtisë solli copëzimin e saj në duart e trashëgimtarëve të ndryshëm dhe pastaj shitjen e saj pjesë-pjesë. Ky proces, i cili vijoi deri në fund të sundimit osman, dobësoi, si pronarë çifligarë, mjaft nga familjet e vjetra feudale të vendit, siç ishin Kokatët, Skyfterajt, Alizotët, Delvinajt, Toptanët, Bushatllinjtë etj.?
Përkundrazi, familjet feudale, të cilat u lidhën me ekonominë çifligare, i pushtoi lakmia për të shtënë në dorë toka bujqësore. Si rrjedhim, çifligjet e tyre u rritën me ritme të shpejta. Kjo rritje u bë me rrugë të ndryshme. Njëra prej tyre ishte rruga e vjetër e përvetësimit të tokave shtetërore “vakante”, siç quheshin tokat e mbetura prej kohësh të papunuara. Kjo ndodhi sidomos në fushat e Shqipërisë së Ulët, ku të ashtuquajturat toka vakante zinin sipërfaqe të mëdha. Me anën e ryshfeteve mjaft pronarë të rinj siguruan pa ndonjë vështirësi, nga administrata e korruptuar osmane, tapitë përkatëse, duke u kthyer kështu në pronarë të këtyre tokave.??
Rrugë tjetër e rritjes së pronës çifligare ishte shtënia në dorë e tokave të fshatarëve të vegjël nga ana e bejlerëve të pasur. Kjo mënyrë, e cila ishte zbatuar edhe më parë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX mori një përhapje më të madhe. Shumë fshatarë të vegjël i humbën tokat e tyre ngase i shitën për të shlyer borxhet e rënda ose u konfiskuan me anë gjyqi nga kreditorët. Ata që përfituan më shumë nga shitja e këtyre qenë jo vetëm bejlerët e mëdhenj (Toptanët, Vrionët, Vlorajt, Vërlacët, Biçakçinjtë), por edhe mjaft bejlerë të dorës së dytë, të cilët me këtë mënyrë u kthyen në pronarë të mëdhenj (Vokopolat, Bonotët, Hamzarajt, Resulajt etj.).
Prirja për të grabitur tokat pushtoi edhe feudalët derebej. Zakonisht, pasi vinin njërën këmbë në një fshat, bejlerët derebej e vijonin dhunën përpara syve të administratës shtetërore derisa e kthenin fshatin në çiflig, duke u kthyer kështu dhe ata vetë në pronarë çifligarë. Me anën e këtij sistemi pronësia çifligare u shtri jo vetëm në viset e ulëta, por edhe në krahinat e brendshme, si në rrethet e Korçës, të Kolonjës, të Dibrës, të Matit, të Kukësit etj., ku më parë kjo pronësi njihej pak ose nuk njihej fare.
Bejlerët çifligarë i rritën pronat e tyre duke blerë gjithashtu çifligjet që vinin në shitje feudalët e ndryshëm. Veç kësaj, bejlerët çifligarë përfituan edhe në kurriz të çifligjeve shtetërore, të cilat Porta e Lartë i vinte në shitje sa herë ndodhej në vështirësi financiare, sidomos çifligjet që ndodheshin të shpërndara andej-këtej si ishuj të rrethuar nga fshatra të lira. Të tilla ishin kryesisht çifligjet shtetërore të kazave të Delvinës, të Përmetit, të Mallakastrës, të Tepelenës, të Korçës, të Lezhës, të Shkodrës, të cilat në pjesën e tyre më të madhe fundi i sundimit turk i gjeti çifligje private. Çifligjet private u rritën edhe në kurriz të çifligjeve sulltanore me anën e dhuratave që sulltan Abdyl Hamiti II u jepte herë pas here bejlerëve shqiptarë ose në formë shpërblimi për shërbime në favor të pallatit, ose në formë prike kur martoheshin me gratë e haremit perandorak.
Si rrjedhim i këtij zhvillimi në krye të pronarëve të mëdhenj çifligarë qëndronin më 1912 familjet e Vrionëve me 16 300 ha, e Toptanëve me 13 500 ha, e Vlorajve me 13 000 ha, e Dërrallave me 8 500 ha, e Vërlacëve me 7 500 ha, e Kryezinjve me 7 500 ha, e Dinove me 6 500 ha, e Dragave me 6 000 ha, e Biçakçinjve me 5 400 ha dhe një numër i madh bejlerësh pak të njohur në mesin e shek. XIX, por që tani kishin grumbulluar me mijëra hektarë tokë, si Resulajt në Lushnjë (4 500 ha), Bonatët në Peqin (4 500 ha), Vokopolajt në Lushnjë (3 000 ha), Risiliajt në Vlorë (2 000 ha), Shaskat në Vlorë (2 000 ha) etj. Megjithatë, në radhët e tyre, krahas rritjes së pronës çifligare, veproi gjithashtu, nëpërmjet së drejtës së trashëgimisë, copëzimi i saj. Kështu, për shembull, më 1912 pronat e Vrionëve qenë ndarë, ndonëse në mënyrë jo të barabartë, në 9 pronarë, ato të Toptanëve në 8, të Biçakçinjve në 8, të Vlorajve në 4 e kështu me radhë.
Copëzimi i pronësisë çifligare me anën e shitjes dhe të trashëgimisë shkaktoi, veç të tjerave, diferencimin ekonomik të çifligarëve, pasi pranë pronarëve të mëdhenj u rrit numri i pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël. Por radhët e tyre u rritën më shumë me pronarë të ndryshëm që nuk kishin origjinë feudale, pasi tokat që shitën fshatarët e varfëruar, madje edhe një pjesë e tokave që shitën vetë feudalët çifligarë, ranë ku më shumë e ku më pak, në duart e tregtarëve të qyteteve e të fshatarëve të pasur, të cilët në këtë mënyrë u kthyen në çifligarë të vegjël e të mesëm. Madje, ndonjëri prej tyre u bë çifligar i madh, si Iljaz Qoku (Dibër), Milto Shallvari (Durrës), Jaho Çiniu (Gjirokastër), Muhamet Abazi (Gjirokastër), të cilët më 1912 zotëronin rreth 4 000 ha secili. Kjo kategori e re çifligarësh me origjinë jofeudale u shfaq pothuajse në të gjitha krahinat e vendit, në mënyrë të veçantë në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Tiranës e të Vlorës.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX u rritën edhe çifligjet vakëfore, kryesisht në kurriz të pronës çifligare shtetërore (12 fshatra të Myzeqesë u kthyen në vitet 80 nga pronësi shtetërore në pronë çifligare vakëfore).
Por krahas rritjes së pronës çifligare u zhvillua edhe procesi i kthimit të saj në pronë fshatare. Ky proces u krye me anën e blerjes së tokave çifligje nga ana e fshatarëve, të cilët u bënë pronarë të mesëm e të vegjël (siç ndodhi, për shembull, në një pjesë të tokave të Kokatëve, të Alizotëve, të Toptanëve, të Skyfterajve) ose nga bujqit çifçinj, të cilët me sakrifica të mëdha u kthyen në pronarë të vegjël (siç vepruan, për shembull, bujqit e çifligjeve Drenovë e Boboshticë në Korçë, Kapinovë e Vertenik në Berat, Levan e Visokë në Mallakastër, Labovë e Glinë në Gjirokastër, Qilarisht e Bodar në Përmet etj.).
Si rrjedhim, sipërfaqja e pronës çifligare filloi të ulej vazhdimisht. Më 1912 ajo ishte në të katër vilajetet bashkërisht rreth 620 mijë ha, pra rreth 100 mijë ha më pak se më 1840. Ulja u duk në të katër vilajetet: në vilajetin e Janinës nga 240 mijë ha në 228 mijë ha, në atë të Kosovës nga 216 mijë ha në 184 mijë ha, në atë të Manastirit nga 202 mijë ha në 160 mijë ha, kurse në vilajetin e Shkodrës nga 55 mijë ha në 48 mijë ha. Më 1912 prona çifligare përfaqësonte në gjithë Shqipërinë rreth 45 për qind të tokës së punueshme*.
Si pasojë e këtij procesi ndryshoi edhe raporti ndërmjet tri kategorive të pronës çifligare. Më 1912 prona private zinte 81 për qind, prona shtetërore 15 për qind dhe prona vakëfore 4 për qind të sipërfaqes tokësore çifligare. Veç kësaj, prona private çifligare tani nuk ishte më aq e përqendruar si në vitet 40 në duart e pak familjeve feudale. Pjesa më e madhe e saj tani ishte e pjesëtuar në duart e disa mijëra pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël me origjinë pjesërisht feudale, pjesërisht borgjeze.
Si përfundim, edhe pse prona çifligare zinte ende një sipërfaqe të madhe (rreth 45 për qind të tokës së punueshme), ajo nuk e ruante karakterin e pronësisë feudale. Fakti që toka kishte hyrë përfundimisht në sferën e qarkullimit të mallrave dhe se sipërfaqja çifligare rritej ose pakësohej kryesisht me anën e parasë, tregonte se prona çifligare tashmë kishte fituar tiparet e pronës borgjeze.

Marrëdhëniet agrare brenda çifligjeve
Deri në vitet 40 çifligjet e katër vilajeteve ruanin ende, në vijat e tyre të përgjithshme, tiparet themelore të çifligjeve feudale, pak a shumë ashtu siç ishin formuar gjatë shekujve të kaluar. Në gjirin e tyre ekonomia natyrore ishte shthurur me ritme më të ngadalshme se në fshatrat joçifligje të vendit. Pothuajse të gjitha karakterizoheshin nga prapambetja e theksuar e teknikës bujqësore. Secili bujk ishte i pajisur me një ngastër toke, në të cilën ai kishte ngritur ekonominë e vet. Kafshët e punës së bashku me veglat e tjera të prodhimit ishin pothuajse kudo pronë e fshatarit çifçi. Edhe pse juridikisht quhej si ortak me pronarin, çifçiu në të vërtetë ndodhej në vartësinë e plotë të feudalit të fuqishëm çifligar. Marrëdhëniet ndërmjet çifçinjve dhe çifligarit vijonin të ndërtoheshin sipas traditës mbi bazën e së tretës, të gjysmës dhe të qesimit, të praktikuara pothuajse në të gjitha pronat çifligare. Nga mesi i viteve 60 të shek. XIX filluan të përpiloheshin edhe kontrata qiraje me shkrim, dukuri që erdhi duke u shpeshuar. Këto marrëdhënie mbështeteshin tani, në ligjin agrar të vitit 1858, sipas të cilit fshatarët mbaheshin si qiramarrës të thjeshtë dhe juridikisht të lirë, ndërsa ndarja e prodhimit vijoi të bëhej siç kishte qenë para Tanzimatit. Nga këto sisteme, më i përhapuri vijoi të ishte ai i së tretës. Madje, krahas të tretës së prodhimit ose të qesimit në natyrë që i jepte pronarit, bujku ishte ngarkuar prej kohësh edhe me detyrimin e angarisë, të cilin kanunametë e vjetra nuk e kishin lejuar. Si rrjedhim, detyrimet e fshatarit çifçi ndaj çifligarit e ruanin karakterin e mëparshëm të detyrimit joekonomik.
Zhvillimi ekonomik e shoqëror që u duk në viset shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe viteve të para të shek. XX preku jo vetëm karakterin e pronësisë çifligare, por edhe regjimin e brendshëm të çifligjeve. Zhvillimi i tregut të brendshëm, rritja e popullsisë qytetare dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare me viset e huaja e përfshiu me ritme të shpejta në sferën e qarkullimit të mallrave edhe prodhimin bujqësor të çifligjeve. Meqenëse në tregun shqiptar çmimet e prodhimeve bujqësore pësonin ndryshime të theksuara nga një stinë në tjetrën, pronarët çifligarë vijonin ta kërkonin rentën në natyrë dhe jo në të holla, sepse, duke e grumbulluar drithin në verë për ta shitur në dimër, ata nxirrnin fitime më të mëdha. Kështu bejlerët pronarë filluan të ktheheshin edhe në tregtarë hambarxhinj. Lidhja e prodhimit të çifligut me tregun ndikoi në ekonominë e bujkut çifçi, sepse ky tani filloi të detyrohej nga çifligari që të kultivonte ato kultura bujqësore, të cilat kishin leverdi tregtare për atë. Në këto rrethana, pas mesit të shek. XIX ekonomia natyrore u shthur në gjirin e çifligjeve me ritme të shpejta.
Veç kësaj, disa çifligarë filluan të praktikonin jo sistemin e së tretës, por atë të qesimit (sasi e caktuar drithi që bujku detyrohej t’i jepte feudalit pavarësisht nga prodhimi i korrur). Sistemi i qesimit ishte në interes të çifligarit, sepse me anën e tij renta vjetore ishte e sigurt. Veç kësaj ai ia linte pronarit përherë shtegun të hapur për t’ia rritur bujkut më tej detyrimin. Në të vërtetë, aty ku ky sistem u zbatua, masa e detyrimit u rrit kohë pas kohe. Nga 2,5 deri në 3 kv drithë për ha që ishte më 1880, ai arriti në 4 deri 5 kv drithë për hektar më 1912, sasi kjo e madhe po të merret parasysh teknika e prapambetur e bujqësisë dhe rendimentet e ulëta të prodhimit. Veç kësaj, ky sistem e detyronte bujkun ta dorëzonte sasinë e caktuar të drithit edhe në vitet me korrje të këqija, gjë që sillte rrënimin e tij ekonomik. Për këto arsye shumica e bujqve nuk e pranoi sistemin e qesimit, prandaj ai nuk u shtri në të gjithë vendin, por u kufizua vetëm në disa çifligje të viseve të ulëta.
Depërtimi i vazhdueshëm i ekonomisë së tregut në fshat pati edhe pasoja të tjera për fshatarët-bujq. Një pjesë e vogël e tyre arriti me sakrifica ta blinte tokën dhe të kalonte në radhët e fshatarësisë pronare. Megjithatë, numri i fshatarëve bujq nuk u pakësua, sepse radhët e tyre shtoheshin vazhdimisht me fshatarë të vegjël, të cilët, duke mos i bërë ballë varfërimit ekonomik, shisnin tokat e tyre dhe hynin si bujq nëpër çifligje. Si rrjedhim, në vitin 1912 fshatarët bujq përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë fshatare.
Duke mos i bërë dot ballë rritjes së kërkesave të çifligarit dhe lëvizjes stinore të çmimeve, ekonomia e shumicës së tyre filloi të lëkundej. Bujqit filluan të merrnin gjithnjë e më shumë borxh. Meqë nuk ishin në gjendje t’i shlyenin ato, bujqit e varfëruar filluan të shisnin kafshët e tyre të punës. Për ta mbajtur në këmbë ekonominë e tyre, u detyruan të merrnin me qira nga pronari së bashku me tokën e bukës edhe pendën e qeve?. Numri i këtyre bujqve punëtorë (gjysmatarë ose qesimtarë) që ishin jo vetëm pa tokë, por edhe pa veglat kryesore të punës (qetë), erdhi vazhdimisht duke u rritur. Më 1912 çifligjet pa të tillë bujq ishin shumë të rralla. Në disa raste ata formonin brenda çifligut edhe pakicën (për shembull, në çifligun Rreth afër Durrësit kishte 15 bujq pa pendën e qeve dhe 28 bujq me kafshët e punës). Po kishte dhe çifligje ku ata formonin shumicën dërrmuese (në çifligun Kullë afër Shijakut kishte atë vit 44 bujq pa kafshët e punës dhe vetëm 6 bujq me pendën e qeve).
Në disa raste varfërimi i fshatarëve bujq shkoi edhe më tej. Disa prej tyre, të mbetur pa kafshë pune dhe të zhytur në borxhe, nuk qenë në gjendje ta mbanin në këmbë ekonominë e tyre individuale. Prandaj jo vetëm si individë, por edhe si familje u kthyen në argatë të thjeshtë, punëtorë të përhershëm bujqësorë.
Në kushtet e zhvillimit të ekonomisë monetare dhe të vendosjes së pronësisë private të tokës, detyrimi që i jepte pronarit çifligar jo vetëm bujku i varfëruar (gjysmatari), por edhe ai që zotëronte ende veglat kryesore të prodhimit (tretari) pushoi së qeni formë e rentës feudale. Në të dy rastet ai mori karakterin e qirasë së tokës, kurse fshatari bujk rentar, gjysmatar ose qesimtar atë të një qiramarrësi të thjeshtë. Për më tepër si të tillë ata i njohu edhe Ligji i tokës (Eraz-i Kanuni) i vitit 1858, me të cilin fiksoheshin marrëdhëniet e reja agrare në Perandorinë Osmane. Në të vërtetë, nëpër çifligjet e Shqipërisë filloi të përhapej gjithnjë e më shumë praktika e “marrëveshjeve” ndërmjet bujkut e çifligarit në lidhje me kushtet e punës dhe me format e detyrimit. Sipas vendeve këto “marrëveshje” përsëriteshin çdo 1, 2 ose 5 vjet, madje në vitet e fundit të sundimit osman, në disa raste, ato filluan të fiksoheshin me shkrim. Nevoja që kishte bujku për tokë dhe pozita e tij e ulët shoqërore, i jepte mundësi pronarit çifligar t’i diktonte atij kushte të rënda, të kërkonte, krahas të tretës a qesimit, edhe disa ditë pune angari ose dhurata të ndryshme në bagëti, shpendë, vezë etj. Megjithatë, në kushtet e krijuara pas mesit të shek. XIX, nënshtrimi i bujkut nuk rridhte nga vartësia e tij ligjore ndaj feudalit, por nga nevoja e jetës, nga po ajo nevojë që e shtynte punëtorin të pranonte mëditjen që i diktonte pronari i fabrikës. Pra, qiraja që bujku tani i jepte pronarit filloi të vishej me karakterin e detyrimit ekonomik.

Lindja e borgjezisë agrare
Tërheqja e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, lidhja e prodhimit bujqësor të çifligut me tregun, pjesëmarrja e çifligarëve në veprimet tregtare dhe aspirata e tyre për investime në fushën e industrisë i futi pronarët çifligarë në rrugën e borgjezimit.
Shprehja më e thjeshtë e borgjezimit të pronarëve feudalë ishte prirja që pushtoi çifligarët për të përqendruar në duart e tyre së bashku me tokën edhe veglat kryesore të punës. Përqendrimi i qeve, i farës e i banesës së bujkut në duart e çifligarit ishte një lloj investimi që pronari i tokës bënte në fushën e prodhimit, të cilin nuk e njihte rendi feudal. Si rrjedhim, përballë bujkut që zotëronte vetëm krahët e punës, qëndronte çifligari si zotërues i tokës, i mjetit kryesor të prodhimit dhe i veglave kryesore të punës, që e bënin atë të afërt me një pronar kapitalist.
Borgjezimi i pronarëve çifligarë u shpreh edhe në forma më të përparuara. Me qëllim që të rritnin të ardhurat nga të tretat ose nga qesimi, disa bejlerë çifligarë filluan të nxitnin përdorimin nga fshatarët çifçinj të një teknike më të përparuar në bujqësi. Interesimi për farë dhe për fidanë më të mirë filloi, me sa dihet, qysh në vitet 40. Në vitet 60 Kahreman bej Vrioni solli nga jashtë jo vetëm farë të zgjedhur, por edhe plugje të hekurta, kurse nipi i tij, Azis pashë Vrioni, u përpoq të përhapte gjerësisht në çifligjet e veta kulturën e orizit e të duhanit. Po këto nisma mbetën në mes të rrugës. Shfrytëzimi i bujqve ishte aq i egër, sa varfëria e thellë, në të cilën ata ishin zhytur, nuk u jepte asnjë mundësi për ta çuar ekonominë e tyre sadopak përpara. Për këtë arsye deri në fund të sundimit osman përdorimi i plugut të hekurt mbeti shumë i kufizuar dhe rendimentet në bujqësi tepër të ulëta.
Lakmia për të siguruar fitime sa më të mëdha nxiti edhe te bejlerët prirjet për të kaluar në qeverisjen e drejtpërdrejtë të pronave të tyre. Duke zgjedhur tokën më të mirë të çifligjeve, bejlerët shpërngulën në toka të tjera bujq çifçinj dhe i zëvendësuan me familje bujqish argatë, të cilët nuk kishin as ekonomi individuale, as kafshë pune, as shtëpi banimi. Ata punonin si mëditës të thjeshtë në tokën e pronarit çifligar me veglat e punës të pronarit dhe nën varësinë e tij ekonomike. Lindën kështu mbi truallin e pronësisë çifligare fermat bujqësore me elementet e marrëdhënieve kapitaliste.
Të tilla ferma bujqësore u dukën gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX pothuajse kudo ku kishte latifunde çifligare. Madje, në ndonjë rast pronarët e tyre bënë përpjekje të mëtejshme për t’i kthyer ato në ferma bujqësore moderne. Qysh në vitet 80 Syrja bej Vlora pruri në fermën e vet, që organizoi në Skroftinë (Vlorë), disa bujq arbëreshë nga Italia për të përhapur kulturën e patates dhe pak më vonë një grup teknikësh hungarezë për të administruar me sistemin borgjez të qeverisjes tokat e tre çifligjeve (Frakull, Çerven, Ferras, gjithsej 1 600 ha). Por në kushtet e regjimit anakronik osman, të prapambetjes së theksuar të vendit, të mungesës së plotë të rrugëve dhe të prirjes së bejlerëve pronarë për të siguruar fitime sa më të mëdha me investime sa më të pakëta, as fermat bujqësore nuk u zhvilluan më tej. Në të tilla rrethana bejlerët pronarë parapëlqyen t’i depozitonin kapitalet e tyre monetare nëpër bankat e huaja dhe të vijonin t’i administronin çifligjet, si edhe më parë, pa bërë investime me peshë. Kështu, për shembull, më 1912, në çifligun e Mifolit (Vlorë), pronë e Xhemil bej Vlorës, nga 21 familje bujqish vetëm 2 qenë familje argatësh; në çifligun Rreth (Durrës), pronë e Esat pashë Toptanit, nga 48 familje bujqësh vetëm 5 qenë familje argatësh etj. Madje disa bejlerë pronarë nuk merreshin fare me qeverisjen e drejtpërdrejtë të çifligjeve të tyre. Si rrjedhim, qeverisja e drejtpërdrejtë kapitaliste e çifligjeve nga bejlerët pronarë u frenua menjëherë, sapo filloi të duket në truallin e Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, pronarët çifligarë filluan të humbisnin dalëngadalë fizionominë e mëparshme që kishin si pronarë feudalë dhe të përvetësonin, ndonëse me vështirësi, tiparet e një borgjezie çifligare, të lidhur me metodat e vjetra të shfrytëzimit të fshatarëve bujq.
Në të njëjtën kohë, diferencimi ekonomik që veproi pas mesit të shek. XIX në gjirin e çifligjeve, krijoi mundësinë që punën e çifçinjve të kthyer në argatë ta shfrytëzonin edhe fshatarët bujq, të cilët për hir të rrethanave të veçanta kishin një ekonomi individuale më të konsoliduar. Këto familje të veçuara bujqish filluan të merrnin me qira nga çifligari toka të tepërta për t’i punuar pjesërisht me anëtarët e familjes dhe pjesërisht me bujqit argatë. Më 1912 kjo dukuri vërehet në shumë çifligje, për të cilat ka njoftime deri diku të hollësishme. Sipas të dhënave të këtij viti, disa bujq kishin deri 3 nganjëherë edhe më shumë argatë të përhershëm të pajtuar me rrogë vjetore, përveç argatëve stinorë, të cilët i pajtonin me pagë ditore gjatë periudhës së mbjelljeve e të korrjeve. Edhe pse nuk ishin pronarë të tokës që qeverisnin, ata pushuan së qeni fshatarë çifçinj, përderisa përdornin në ekonominë e tyre individuale punën e të tjerëve dhe siguronin nga puna e tyre të ardhura të mëdha. Si të tillë këta qiramarrës të thjeshtë përvetësuan dalëngadalë tiparet e fermerit bujk.
I njëjti proces ndodhi gjatë kësaj kohe edhe në radhët e fshatarësisë pronare. Tokat që shitën fshatarët e vegjël të rrënuar ekonomikisht nuk ranë të gjitha në duart e bejlerëve çifligarë. Pjesërisht ato u blenë nga elementë të veçuar që dolën prej radhëve të fshatarëve, të cilët u kthyen në pronarë të pasur. Kështu, nga procesi i diferencimit ekonomik që pushtoi vendin pas viteve 40 të shek. XIX, numri i fshatarëve të pasur pothuajse u pesëfishua. Në fillim tokat e tepërta ata ua jepnin me qira fshatarëve bujq ose fshatarëve - paraqendarë, duke u kthyer në çifligarë të vegjël. Por me kohë disa fshatarë të pasur filluan të praktikonin në tokat e tyre punën e argatëve të përhershëm a stinorë. Kështu, në periudhën e fundit të sundimit osman, krahas qiramarrësve lindën në fshatin shqiptar, si rrjedhim i zhvillimit të ekonomisë së tregut në bujqësi, edhe fshatarët e pasur.
Fshatarët e pasur dhe fermerët bujq së bashku me pronarët çifligarë të fermave ishin kategori të reja shoqërore, të cilat fshati shqiptar nuk i njihte më parë. Ato lindën në kushtet e shthurjes së mëtejshme të ekonomisë feudale dhe të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë monetare. Por, nga ana tjetër, ato lindën në kushtet e varfërisë dhe të prapambetjes së thellë, ku e kishte lënë vendin sundimi i gjatë osman. Për këtë arsye pronarët e fermave, fermerët bujq dhe fshatarët e pasur mbetën të vjeguar pas formave të prapambetura të qeverisjes bujqësore dhe nuk patën asnjë nxitje për të përvetësuar metodat e teknikën e përparuar të ekonomisë kapitaliste. Megjithatë ata përbënin borgjezinë agrare, sepse tipari i tyre themelor ishte përdorimi i punës së fshatarëve argatë, të cilët në këtë periudhë përfaqësonin mëditësit e fshatit.

Fshatarët pronarë
Me heqjen e regjimit të timareve (vitet 30) ndryshoi edhe gjendja e fshatarëve pronarë. Me këtë masë në kategorinë e fshatarëve pronarë u përfshinë ata fshatarë që kishin ruajtur tapitë deri në prag të reformave centralizuese dhe të Tanzimatit. Tani ata nuk ishin më, de jure, raja të spahiut, sepse ligjërisht nuk ndodheshin më nën vartësinë e tij feudale. Formalisht fshatarët e mesëm e të vegjël u kthyen në fshatarë të lirë dhe ligjërisht u njohën pronarë të tokës së tyre, të cilën tani mund ta shitnin, ta jetërsonin dhe ta hipotekonin lirisht.
Megjithatë, fshatarët me tokë nuk u bënë plotësisht të lirë, pasi vendin e marrëdhënieve të mëparshme me feudalin spahi tani e zunë marrëdhëniet me shtetin feudal osman, i cili i grabiste me anën e feudalëve derebej, të sipërmarrësve të taksave (myltezimëve) e funksionarëve të administratës. Ata u njohën juridikisht si zotërues privatë të tokës mirie, ndonëse patën ende disa pengesa fiskale për përdorimin e lirë të saj.
Pozitat e fshatarëve pronarë të mesëm e të vegjël u tronditën jo vetëm nga rritja e vazhdueshme e taksave shtetërore (taksë mbi tokën, mbi banesën, mbi prodhimin, mbi bagëtinë, mbi shpendët, për bletët, për mullirin, për rrugën, për shërbimin ushtarak, abuzimet e shumta etj., por edhe nga veprimi i ligjeve të ekonomisë së tregut në fshat (sidomos nga luhatja e theksuar stinore e çmimeve). Tronditjen e ndjenë sidomos fshatarët pronarë të vegjël, të cilët për shkak të të ardhurave të pakëta nga toka bujqësore ishin të detyruar të blinin çdo vit drithë me të hollat që nxirrnin nga veprimtaria e tyre suplementare. Por me vërshimin e mallrave të huaja dhe me konkurrencën e prodhimit të qyteteve, të ardhurat e tyre nga kjo veprimtari erdhën duke u pakësuar. Si rrjedhim, varfëria i detyronte fshatarët të merrnin borxhe nga fajdexhinjtë. Afatet e borxheve mbaronin zakonisht në kohën e korrjeve ose të vjeljeve. Për të shlyer borxhin fshatari detyrohej të shiste drithin në verë kur çmimet ishin të ulëta dhe ta blinte në pranverë kur ato ishin më të larta. Me forcimin e administratës perandorake osmane pas mesit të shek. XIX, pesha e taksave shtetërore në kurriz të masave fshatare erdhi duke u rritur. Barrë e rëndë u bë edhe shërbimi i gjatë ushtarak për popullsinë myslimane ose taksa e shërbimit ushtarak për popullsinë e krishterë. Për t’i bërë ballë varfërimit të vazhdueshëm, pronarët e vegjël filluan të shisnin kafshët e punës dhe pastaj bagëtitë e imëta, të cilat ose ranë në duart e fshatarëve të pasur dhe mbetën përsëri në vend ose u blenë nga reshperët e mëdhenj për t’u eksportuar. Me thellimin e tij të mëtejshëm, ky proces po e detyronte fshatarin e varfëruar të shiste më në fund edhe tokën. Megjithatë, numri i tyre nuk u pakësua. Madje u rrit për arsye të pjesëtimit të familjeve midis djemve të fshatarit, kurse për shkak të shitjeve sipërfaqja u pakësua. Kështu gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, në viset e katër vilajeteve shtresa e fshatarëve pronarë u rrit (nga afërsisht 220 mijë familje më 1840 në rreth 280 mijë familje më 1912), por si përqindje në krahasim me popullsinë fshatare u pakësua (nga rreth 84% më 1840 në rreth 79% më 1912). Kjo qëndresë e fshatarësisë së vogël vetëm në një masë të vogël qe rrjedhojë e hapjes së tokave të reja nga fondi i kujrisë ose nga prona e përbashkët e fshatit. Kryesisht ajo u arrit në saje të mërgimit të krahëve të tepërta të familjes së fshatarit.

Kurbeti
Mërgimi, që u zgjerua në këtë periudhë, pati diku karakter stinor, diku karakter shumëvjeçar; një pjesë mërgonte brenda vendit, kurse shumica jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë mërgimi i fshatarëve në masën dërrmuese u bë pa e shpërngulur familjen nga fshati dhe pa e prishur ekonominë e vogël bujqësore.
Fshatarët shqiptarë e shfrytëzonin edhe më parë mërgimin stinor. Por përmasat e tij ishin mjaft të kufizuara në krahasim me valën e madhe të mërgimit stinor që pushtoi vendin gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe pjesës së parë të shek. XX. Numri i të mërguarve është vështirë të përcaktohet qoftë edhe afërsisht, pasi fshatarët e varfër largoheshin për disa muaj nga vendi i tyre pa lënë gjurmë në dokumentet e kohës. Pasi përfundonin mbjelljet dhe vjeljet e vjeshtës, zakonisht në fillim të nëntorit mijëra krahë pune linin familjet e shkonin jo vetëm nëpër qytetet e katër vilajeteve shqiptare, por deri thellë në Greqi, në Serbi e në Bullgari, pa përjashtuar Stambollin e fshatrat rreth e rrotull kryeqytetit turk. Ky mërgim stinor vazhdonte deri në fillim të pranverës, kur fshatarët e mërguar ktheheshin me kursimet e domosdoshme për të mbuluar bilancin pasiv të ekonomisë së tyre bujqësore.
Edhe mërgimi shumëvjeçar nuk ishte i panjohur për fshatarësinë shqiptare. Madje me të tillë fshatarë, të cilët mërgimin shumëvjeçar e kthenin brenda në Shqipëri në mërgim të përhershëm, ishin rritur edhe vetë qytetet e vendit. Por deri në fund të shek. XVIII mërgimi ekonomik jashtë trojeve shqiptare bëhej kryesisht në drejtim të Stambollit. Vetëm nga fundi i shek. XVIII e sidomos nga fillimi i shek. XIX u dukën mërgimet shumëvjeçare në vende të tjera të huaja, siç ishin Rumania, pastaj Egjipti dhe pak më vonë Greqia ose Serbia. Megjithatë, kurbeti ekonomik shumëvjeçar mori një karakter masiv të paparë vetëm pas mesit të shek. XIX. Ai përfshiu edhe shtresat e ulëta qytetare, megjithatë pjesën dërrmuese të kurbetlinjve e përbënin gjithnjë fshatarët e vegjël.
Mërgimi shumëvjeçar preku sidomos fshatarët e varfër të Shqipërisë së Jugut, sepse në këto vise ekonomia monetare kishte depërtuar më thellë se gjetkë. Për disa dhjetëvjeçarë qyteti që tërhoqi më shumë kurbetlinj qe përsëri Stambolli. Në vitet 80 Stambolli kishte rreth 60 mijë shqiptarë të ardhur nga të katër vilajetet. Ai u bë qyteti me popullsi më të madhe shqiptare edhe kundrejt qyteteve të Shqipërisë. Duke tërhequr njëri-tjetrin shqiptarët vijuan të mërgonin gjithashtu në Egjipt e në Rumani, ku u vendosën jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e luginës së Nilit e të Danubit. Sipas njoftimeve që jep P. Kabue (P. Caboué), në fund të sundimit osman kishte në Egjipt rreth 30 mijë e në Rumani rreth 10 mijë shqiptarë, të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me bujqësi. Nga radhët e tyre ishte formuar edhe një shtresë tregtarësh të pasur. Nga vitet 70 kurbetlinjtë shqiptarë filluan të çanin rrugën nëpër vende të tjera të panjohura për ta më parë. Njëri prej tyre ishte Rusia, ku mërguan me qindra veta, kryesisht fshatarë të krahinave juglindore. Më vonë, në vitet 90, në Rusi shkuan me qindra punëtorë për ndërtimin e hekurudhës transiberiane, të cilët pastaj u vendosën me punë të ndryshme në Odesë, në Vladivostok, në Irkutsk e gjetkë. Me fitoren e autonomisë së Bullgarisë (1878), shumë kurbetlinj fshatarë u vendosën nëpër qytetet e saj, sidomos në Sofje, në Filipopol e në Vranë duke formuar këtu brenda një kohe të shkurtër një koloni prej 2 mijë shqiptarësh. Në përpjesëtime të vogla kurbetlinjtë rrahën edhe vise të tjera të huaja, si Austrinë, Italinë etj. Në periudhën e fundit të sundimit osman vendi që tërhoqi pjesën më të madhe të kurbetlinjve shqiptarë qe kontinenti amerikan dhe kryesisht Shtetet e Bashkuara. Të mërguarit e parë shqiptarë zbritën në SHBA në fillim të viteve 80, kurse vala e madhe e këtij mërgimi filloi në fund të shek. XIX. Më 1912 në ShBA numëroheshin rreth 40 mijë kurbetlinj shqiptarë, pothuajse të gjithë me origjinë nga Shqipëria e Jugut. Në fillim kurbetlinjtë fshatarë u grumbulluan njëri pas tjetrit në Boston Mass, në Nju-Jork dhe në Sen-Lui (Saint-Louis), ku formuan edhe lagje me shqiptarë, por pastaj u vendosën edhe në vise të tjera të ShBA-së, deri në brigjet e Paqësorit. Një pjesë e vogël e kurbetlinjve u vendosën në shtete të tjera të kontinentit amerikan (Kanada, Argjentinë etj.).
Fshatarët që shkuan në kurbet lanë pas tyre familje të varfëruara. Për të blerë navllon (biletën e udhëtimit detar) ata u detyruan të shisnin kafshët e punës dhe të hynin në borxh. Po edhe atje ku vajtën i prisnin kushte të vështira jetese. Duke mos e njohur gjuhën e huaj dhe duke mos pasur ndonjë profesion, ata u detyruan të kryenin punët më të rënda. Zakonisht shkonin në kurbet që të ktheheshin pas dy ose tre vjetësh dhe, pasi të qëndronin disa muaj pranë familjeve të tyre, të niseshin përsëri. Por shpesh herë ata qëndronin në mërgim për periudha shumë të gjata, disa harroheshin fare në dhe të huaj. Kështu kurbeti u bë një plagë shoqërore për masat fshatare dhe qytetare.
Mërgimi stinor a shumëvjeçar ndikoi në ekonominë e vendit në dy drejtime: nga njëra anë, duke i dhënë mundësi fshatarit të vogël të përballonte deri diku nevojat familjare, e ngadalësoi procesin e rrënimit të tyre të plotë ekonomik; nga ana tjetër, dërgesat periodike të kurbetlinjve, të cilët erdhën duke u shtuar derisa arritën në vitet e fundit të sundimit osman afërsisht 14-16 milionë franga ari në vit, e frenuan deri në një farë shkalle asfiksinë e plotë që po i shkaktonte ekonomisë së vendit grabitja fiskale e Stambollit dhe vërshimi i mallrave të huaja.

Malësorët e Veriut
Trevat shqiptare nuk u zhvilluan të gjitha njëlloj nga pikëpamja ekonomike e shoqërore. Në përshtatje me kushtet historike e natyrore, disa nga krahinat e thella malore u zhvilluan me ritme më të ngadalshme se viset që kishin një truall bujqësor relativisht më të pasur. Prapambetja më e theksuar dukej sidomos në malësitë e Mbishkodrës, të Dukagjinit, të Mirditës, të Pukës dhe të Gjakovës, në të pesë “Malet e Mëdha”, siç quheshin ato në shek. XIX.
Marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore në këto zona rregulloheshin sipas së drejtës zakonore të trashëguar nga shekujt e kaluar. Megjithatë, asnjëra nga këto malësi nuk ndodhej në stadin e rendit fisnor, qoftë dhe në shpërbërje e sipër. Jo vetëm në çdo “mal” (krahinë), por edhe në çdo fshat, madje në shumicën e rasteve edhe në çdo lagje, banonin familje që nuk kishin lidhje gjaku ndërmjet tyre. Baza e organizimit fisnor - pronësia e përbashkët mbi fondin e tokave bujqësore - ishte zhdukur. Prona private mbi tokat e bukës ishte vendosur prej disa shekujsh. Kjo pronë ishte sanksionuar në mënyrë të theksuar edhe në të drejtën zakonore, me të gjitha tiparet e saj kryesore, siç janë shitja, blerja, jetërsimi. Në kanunin e Lekë Dukagjinit, që është mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi në fund të shek. XIX, prona private ishte shpallur e shenjtë, e paprekshme. Edhe në rast se një familje shpërngulej nga fshati, thuhet në kanun, “po s’e shiti trollin e tokën, ashtu do t’i rrijë e nuk ka tager (të drejtë - shën. i aut.) kush me ngulë mbi to”. Paprekshmëria e tokës garantohej me norma të veçanta nga kanuni. Kufijtë e pronave nuk mund të prekeshin, as mund të lëvizeshin: “me luejt kufinin, - thuhet në kanun, - asht nji si me luejtë me eshtent’e të dekunve”. Gjurmët e pronësisë së përbashkët të fisit mbi tokën e bukës dhe dukuria e ndarjes së herëpashershme të tokave ndërmjet anëtarëve të fisit qenë zhdukur krejtësisht.
Toka blihej e shitej, ajo trashëgohej pa ndonjë pengesë. Jo vetëm toka, por edhe radha e ujitjes dhe e mullirit mund të shitej. Toka u shitej edhe kushërinjve më të afërt, gjë që shpreh edhe më shumë konsolidimin e pronës private mbi tokën.
Institucioni i pronës private mbi tokën dhe mbi veglat e punës kishte sjellë në gjirin e malësorëve të krahinave të veriut të gjitha pasojat e diferencimit të popullsisë. Shumë malësorë kishin humbur pronat e tyre dhe ishin kthyer në bujq ose argatë, të cilët shfrytëzoheshin nga pronarët e pasur të tokave. Këta të fundit tokat i jepnin me qira ose merrnin pranë ekonomive të tyre punëtorë mëditës, rrogëtarë me pagë vjetore ose argatë me pagë ditore nga radhët e malësorëve të varfëruar, që i kishin humbur a i kishin shitur pronat e tyre. Figurën e pronarit të pasur të tokave dhe atë të fshatarit bujk pa tokë e gjejmë të pasqyruar edhe në kanunin e maleve. “Bulg, - thuhet në kanun, - thirret njaj, i cili hinë me punue tokën e njaj zotnije”. Një varg normash rregullonin marrëdhëniet ekonomike ndërmjet pronarit e bujkut; detyrimi i bujkut (qiraja) caktohej edhe këtu sipas marrëveshjes së “lirë”: “Gjithçka të mbjellë bulgu në tokë të zotnis do ta ndajë me zotnin mbas vendimit qi të kenë ba”. Edhe këtu shkalla e shfrytëzimit ishte shumë e lartë, deri në gjysmën e prodhimit. Në kanun thuhet: “Në se e pastë bulgu gjan’ e zotnis përgjymës, kashti i rrin bulgut e me pleh do të plenohen tokët. Mundin e puntoris e njeh bulgu”.
Në këto vise malore ka pasur edhe bujq, të cilët detyroheshin të merrnin me qira së bashku me tokën edhe kafshët e punës. Në kanun bëhet fjalë edhe për kushtet e marrjes së kafshëve të punës me qira, për të cilat bujku i paguante pronarit 1,50 kv kur e dimëronte vetë kaun dhe 2,25 kv kur e dimëronte pronari. Këtë qira ai do t’ia paguante pavarësisht nëse e shfrytëzonte ose jo në punë kaun e parmendës. Duhet shtuar këtu se, me gjithë kushtet e rënda në të cilat ishte vënë, bujku i këtyre krahinave të prapambetura nuk e njihte angarinë. Ai ishte i ngarkuar me korrjen, shirjen, zhveshjen e misrit, por vetëm në tokën e tij. Në rast se pronari e mblidhte vetë misrin, bujku, thuhet qartë në kanun, nuk kishte detyrë për zhveshjen e misrit, por vetëm t’ia mbartte pranë kullës pronarit.
Një tjetër figurë shoqërore, që tregonte diferencimin e malësorëve të varfër, qe dalja edhe atje në shesh e rrogtarit (e fshatarit argat). Në kanun bëhet fjalë për normat që rregullonin marrëdhëniet ndërmjet rrogtarit e punëdhënësit. Atje thuhet shprehimisht se rrogtari “po s’eci mbas andes së zotnis, ky mund t’a dajë...”.
Me toka shumë të pakëta, burimi kryesor i jetesës së malësorëve të varfër ishte blegtoria. Në të vërtetë, para mesit të shek. XIX këto vise qenë shumë të pasura me blegtori. Familjet malësore kishin tufa bagëtish, të cilat numëronin me qindra ose me disa dhjetëra krerë të imëta e të trasha. Kjo gjendje e dikurshme pasqyrohej edhe në kanunin e Lekës, sidomos aty ku bëhet fjalë për gjobat e ndryshme. Gjobat me 10 kokë bagëti qenë të zakonshme; por kishte gjoba edhe më të mëdha, si për shembull, për një vrasje 100 deshë e një ka. Në një vend tjetër të kanunit thuhet: “Ma e ulta giobë mbrrin në nji dash e ma e nalta nuk mund të kalojë mbi njiqind desh”.
Përveç blegtorisë, burim tjetër të ardhurash për malësorët ishin shpërblimet në të holla që merrnin për shërbimet e tyre si mercenarë. Mercenarizmi ishte për këto krahina një dukuri e diktuar nga kushtet e sundimit osman, nga varfëria e thellë ekonomike dhe nga pamundësia për të siguruar të ardhura me anë të punës. Blegtoria, bujqësia dhe mercenarizmi kishin krijuar deri në mesin e shek. XIX njëfarë ekuilibri në bilancin e ekonomisë familjare të këtyre malësorëve.
Por gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX ky ekuilibër u prish. Me përgjithësimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të ardhurat nga mercenarizmi u prenë. Me centralizimin e pushtetit perandorak, Porta e Lartë filloi të kërkonte taksa edhe nga malësorët e varfër. Veç kësaj, duke mos qenë shumë larg Shkodrës, Gjakovës e Pejës, edhe këto krahina të veçuara filluan të ndienin ndikimin e marrëdhënieve të tregut. Qoftë për të siguruar bukën e vitit, qoftë për të paguar taksat shtetërore, fshatarët malësorë, filluan të merreshin me veprimtari suplementare ekonomike, grumbullonin katran, gështenja, lëndë, dru, të cilat i shisnin në Shkodër. Por edhe kjo nuk i shpëtoi nga varfërimi. Me anën e kryengritjeve të shpeshta ata i shpëtuan për njëfarë kohe pagesës së taksave shtetërore. Me keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, malësorët filluan të shitnin edhe bagëtitë, e vetmja pasuri me peshë që kishin. Brenda disa dhjetëvjeçarëve pasuria blegtorale e këtyre viseve ose u pakësua nga shitja në tregjet e qyteteve, ose u përqendrua në duar të disa familjeve të pasura malësore. Si kudo edhe këtu fenomeni i borxheve u përhap me ritme shumë të shpejta. Gjendja e tyre në mjerim të vazhdueshëm i shtynte fajdexhinjtë të kërkonin kamatë të madhe, duke shkelur e duke lënë mënjanë dispozitat e kanunit të Lekë Dukagjinit, të cilat e ndalonin fajdenë.
Mërgimi stinor nuk la pa prekur as fshatarët e varfër të këtyre malësive, të cilët filluan të largoheshin gjatë disa stinëve nga fshati për të kërkuar punë në vende të ndryshme, sidomos në Shkodër. Ky mërgim që u përhap me shpejtësi krijoi edhe këtu një kategori malësorësh, të cilët për të jetuar u detyruan të shitnin fuqinë e tyre të punës si mall.
Diferencimi shoqëror solli edhe këtu konflikte ndërmjet vegjëlisë e bajraktarëve të viseve malore. Këto konflikte janë pasqyruar në kanun, megjithëse jo aq qartë për shkak të mbledhjes dhe të kodifikimit jo të plotë. “Po u çue një katund, - thuhet në kanun, - për me u ngrefë luftë Krenvet, Strapleqvet e Vogjlis së Flamurit, nën të cilin gjindet, atbotë do të bahet me dije Dera e Gjomarkut në za të së cilës do të çohen edhe Flamujt tjerë e nën prirje të kësaj Dere do të msyhet katundi i dalun dore, edhe i biejn në mend me ndëshkime giobësh, me të nxjerrun prej vendit, a edhe me të grime katundisht, në pastë ba kush ndo’i faj për të grim”.
Megjithatë në malësitë e Veriut kishte akoma mbeturina të largëta të marrëdhënieve patriarkale e fisnore. Të tilla ishin kujtimi i fisit dhe kujria e fisit, karakteri patriarkal i familjes dhe rendi i trashëgimisë së pronës, rendi i shitjes së tokave dhe norma e martesave, zakoni i gjakmarrjes dhe kuvendi i fisit.
Në viset malore të Shqipërisë së Veriut ruheshin ende gjurmët e barazisë së vjetër fisnore, megjithëse kishin filluar të përforcoheshin privilegjet e bajraktarëve, e sidomos të familjes së Gjonmarkajve në Mirditë. Gjurmët e barazisë së dikurshme ruheshin vetëm në të drejtën e shprehur. Kështu, për shembull, në kanun thuhej se “gjithsa djelm të lejn, njihen të mirë e nuk veçohen njeni prej tjetrit”; “Kanunet qi ven një katund me Pleq e Vogjli për vedi... as Flamuri e as Dera e Gjonmarkut nuk mund t’ua luej”.

Struktura shoqërore e fshatit në fund të sundimit osman
Në kushtet e krijuara pas viteve 40, erdhën duke u ndryshuar si fizionomia e shtresave të shoqërisë agrare, ashtu edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Në radhë të parë këto ndryshime prekën feudalët si kategori shoqërore. Me heqjen e sistemit të timareve, feudalët spahinj nuk përbënin më, si në të kaluarën, mbështetjen kryesore të sundimit osman. Tani që humbën tesarrufin, nga i cili buronte pushteti i tyre feudal, mjaft spahinj u shndërruan në feudalë derebej ose u bënë funksionarë të administratës. Këta feudalë derebej, duke u mbështetur krejtësisht në dhunën e hapur dhe duke përfituar nga dobësia e pushtetit qendror, vijuan njëri pas tjetrit të kthejnë mjaft fshatra të lira në fshatra çifligje, duke u bërë pronarë çifligarë. Megjithatë figura e derebeut nuk u zhduk nga fshati shqiptar. Deri në fund të sundimit osman shtresa e feudalëve derebej, edhe pse erdhi duke u zvogëluar, vazhdoi të shtypte dhe të shfrytëzonte fshatarët e lirë.
Me heqjen e sistemit të timareve, vendin kryesor në grupimin sundues të shoqërisë agrare e zunë bejlerët çifligarë, pesha e të cilëve në jetën ekonomike e shoqërore të vendit erdhi duke u rritur.
Pronarët e mëdhenj me origjnë feudale, të lidhur pas metodave të vjetra të përdorimit të punës së bujqve, nuk kishin interes për ta ndryshuar strukturën shoqërore e shtetërore të Perandorisë, për më tepër ata ishin kundër reformave të reja osmane. Si të tillë ata formonin një koalicion të përbashkët me shtresat e tjera konservatore të vendit, të cilat bënin gjithashtu pjesë në radhët e parisë sunduese, siç ishin shtresat e larta të hierarkisë klerikale dhe funksionarët e lartë të administratës perandorake osmane.
Të tjerët, çifligarët e prirur për metodat e organizimit kapitalist të çifligjeve, kërkonin zbatimin e reformave shtetërore në dobi të ekonomisë së tyre çifligare. Veçanërisht të interesuar për të ashtuquajturin evropianizim të Turqisë ishin pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët synonin t’i investonin kapitalet e tyre jo vetëm në fushën bujqësore, por edhe në sferën industriale, duke u bërë kështu jo vetëm pronarë çifligjesh, por edhe pronarë fabrikash?. Me një bazë të tillë ekonomike këta bejlerë çifligarë kishin një fizionomi shoqërore të dyfishtë: si pronarë tokash ata kishin pika takimi me bejlerët feudalë, si veprimtari ekonomike anonin kryesisht nga borgjezia reshpere, në ndonjë rast edhe nga borgjezia industriale.
Shprehje e depërtimit të ekonomisë së tregut në bujqësi ishte lindja e një force të re në shoqërinë fshatare, e borgjezisë agrare (fshatarët e pasur dhe fermerët bujq). Por në rrethanat e përqëndrimit të fondit kryesor të tokës në duart e bejlerëve çifligarë, borgjezia agrare, e lindur nga radhët e fshatarëve pronarë, dhe e bujqve çifçinj nuk pati kushte të favorshme zhvillimi. Për këtë arsye, ashtu si borgjezia industriale, edhe ajo mbeti deri në fund të sundimit turk në hapat e saj fillestarë si klasë, shumë e pakët në numër dhe tepër e dobët nga pesha ekonomike.
Në radhët e popullsisë së fshatit pjesën më të varfër e përfaqësonin bujqit çifçinj dhe fshatarët argatë. Në mënyrë të veçantë fshatarët argatë tani kishin marrë krejtësisht tiparet e punëtorëve të fshatit, pasi ata nuk kishin tanimë ekonomi individuale. Megjithatë, si fshatarët argatë, ashtu edhe bujqit çifçinj, në kushtet e atëhershme, nuk e shikonin shpëtimin e vet te zbatimi i ndonjë reforme agrare si ato që u bënë në vendet e tjera të Evropës, por te pajisja e tyre me tokë me anë të blerjes dhe me rrugë individuale.
Deri në fund të sundimit osman pjesën dërrmuese të popullsisë agrare e formuan fshatarët pronarë, kurse në radhët e tyre fshatarët e vegjël. Edhe pse pronarë të tokës që punonin, fshatarët e vegjël ishin aq të varfër, sa nuk mund të siguronin jetesën pa punuar jashtë ekonomisë së tyre brenda ose jashtë vendit.
Sikurse qyteti, ashtu edhe fshati shqiptar karakterizohej në fund të sundimit osman nga një kompleks i tërë kontradiktash. Ndërsa fondi kryesor i tokave të punueshme (rreth 45 %) ishte në duart e pronarëve çifligarë, prodhuesit fshatarë që punonin në këto toka (bujqit dhe argatët) përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë agrare. Së bashku me malësorët fshatarët e vegjël e të mesëm përbënin rreth 65% të popullsisë agrare, kurse pesha e prodhimit të tyre bujqësor ishte, për shkak të tokave të pakëta që zotëronin, (rreth 25%) shumë e ulët kundrejt prodhimit global bujqësor. Edhe pse jeta ekonomike e fshatit ecte drejt ekonomisë së tregut, mungonin kushtet e domosdoshme për zhvillimin e borgjezisë agrare. Shumica dërrmuese e popullsisë agrare nuk kishte fare marrëdhënie ekonomike me ekonominë e tregut. Nga ana tjetër, baza ekonomike e feudalizmit ishte shthurur përfundimisht, ndërsa në Perandorinë Osmane vijonte të ruhej struktura shtetërore feudale. Po ashtu edhe bejlerët çifligarë, ndërsa mbanin nën shtypje ekonomike fshatarët bujq e fshatarët argatë, linin pa shfrytëzuar një pjesë të mirë të tokës së punueshme, u hiqnin fshatarëve të vegjël mundësinë të pajiseshin me toka për të cilat kishin nevojë dhe pengonin zhvillimin e lirë të borgjezisë agrare.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

2. PASHALLËKU I SHKODRËS NËN SUNDIMIN E BUSHATLLINJVE.
LUFTA PËR SHKËPUTJE NGA STAMBOLLI
(1771-1796)

Ardhja në fuqi e Bushatllinjve
Qeverisja e sanxhakut të Shkodrës nga përfaqësuesit e pashallarëve të Gjakovës dhe të Pejës, nuk mundi të ndalte gjendjen anarkike; konfliktet nuk reshtën as në qytete e as në krahina ku vepronin përkrahësit e dy familjeve të fuqishme feudale shkodrane: Çaushollajve dhe Bushatllinjve. Më 8 shtator 1736 në mes të tregut të Shkodrës u vranë e u plagosën 29 veta nga tarafet e esnafëve të tabakëve (që përkrahnin Bushatllinjtë) dhe të terzijve (që përkrahnin Çaushollajt). Tetë ditë më vonë u vranë e u plagosën 87 veta në një konflikt midis krahinave të Shkrelit dhe të Kastratit, i cili filloi me armë zjarri dhe përfundoi me shpata.
Gjatë luftës austro-osmane të viteve 1736-1739 banorët e Malësisë së Madhe u ngritën përsëri kundër sundimit osman nën nxitjen e kryepeshkopit të Tivarit, Mëhill Sumës, dhe, duke u bashkuar me ushtritë austriake, u bënë ballë me sukses ekspeditave ndëshkimore të vezir Mahmud pashë Begollit. Ndërkohë feudalët shkodranë e vlerësuan fuqinë e tyre luftarake dhe bënë përçapjet e duhura për ta përdorur atë në dobi të synimeve të veta. Që në këtë kohë malësorët filluan të luanin rol me rëndësi në luftën e familjeve rivale vendase për të shtënë në dorë pushtetin e sanxhakut. Çaushollajt ishin të parët që e shfrytëzuan këtë forcë kundër vezirit pejan, Mahmut pashë Begollit, dhe përkrahësve të tij, Bushatllinjve. Me ndihmën e malësorëve Çaushollajt, më 5 shkurt 1739 vranë vezirin në mes të rrugës dhe arritën të merrnin pushtetin në sanxhakun e Shkodrës që e mbajtën thuajse për dhjetë vjet rresht. Gjatë kësaj kohe dështuan orvatjet e Bushatlinjve dhe të përkrahësve të tyre, tarafit të fuqishëm esnafor të tabakëve të Shkodrës dhe agallarëve të pasur e guximtarë të Ulqinit, për të përmbysur Çaushollajt. Këta, duke bërë për vete malësorët dhe duke gëzuar përkrahjen e tarafit esnafor të terzijve, që mbronte edhe interesat e tregtarëve shkodranë, arritën të hynin në luftë dhe të sprapsnin me armë forcat e valiut të Rumelisë, të cilat erdhën në Shkodër për të nxjerrë disa taksa të reja, që tregtarët shkodranë nuk deshën t’i paguanin. “Nuk ka krahinë në botë kaq të pabindur ndaj sulltanit”, shkruante në këtë kohë zëvendëskonsulli venedikas, Anton Duoda. Duke organizuar një sulm rrethues, Çaushollajt vranë më 8 gusht 1731 në sarajin e vet edhe Ethem pashë Begollin me të vëllanë, të cilët Porta e Lartë i kishte dërguar të qeverisnin në Shkodër pas revoltës së Çaushollajve kundër valiut të Rumelisë. Por dy vjet më vonë, më 1753, Porta u detyrua t’u ligjëronte pushtetin. Megjithatë, lufta e Çaushollajve kundër Begollajve, Kryezinjve dhe Bushatllinjve, vazhdoi të ashpërsohej dhe të dëmtonte veçanërisht zhvillimin ekonomik të vendit, gjer në tetor të vitit 1755.
Paaftësia e Çaushollajve për të vendosur hegjemoninë e tyre mbi kundërshtarët dhe për t’i dhënë fund anarkisë në sanxhak, e detyroi tarafin e terzijve të mos i përkrahte më ata dhe të pajtohej me tarafin e tabakëve, në krye të të cilit kishte dalë Mehmet bej Bushatlliu (vdiq më 1775). Në këtë mënyrë ata shpresonin që të vendosej një pushtet i vetëm e i fortë, për të cilin ishin të interesuar kryesisht zejtarët e tregtarët. Lufta shpërtheu dhe në këto rrethana, Çaushollajt të braktisur nga forcat kryesore të tarafeve të tyre, u dëbuan nga Shkodra. Bushatllinjtë mbetën e vetmja familje e madhe vendase që mundi të merrte pushtetin e sanxhakut.
Pas dëbimit të Çaushollajve, Mehmet bej Bushatlliu ende nuk ishte emëruar qeveritar i sanxhakut të Shkodrës, por, i përkrahur nga dy tarafet esnafore dhe nga forca malësorësh me rrogë, ai ishte në fakt sundimtari i vërtetë i vendit, derisa Porta e njohu atë si mytesarif të sanxhakut të lartpërmendur në gusht të vitit 1757, duke i dhënë edhe titullin pashë. Nga kjo kohë e deri më 1831 familja e Bushatllinjve, e mbështetur në shumicën e ajanëve të sanxhakut, të bylykbashëve dhe të bajraktarëve, si dhe nga një pjesë e mirë e zejtarëve, të tregtarëve e të detarëve, mbajti pa ndërprerje këtë pushtet duke e trashëguar.
Për përforcimin e pushtetit të vet, Mehmet pashë Bushatlliu ndoqi në përgjithësi një politikë të brendshme që u përshtatej edhe interesave kryesorë të vendit. Synimi i kësaj politike ishte në radhë të parë të vendoste rregullin e qetësinë kaq të dëshiruar si nga fshatarësia, ashtu edhe nga qytetarët e dëmtuar rëndë gjatë periudhës së anarkisë.
Arritja e këtij synimi ishte e pashkëputur nga zgjidhja e një vargu çështjesh. Një nga këto ishte mposhtja e ajanëve të fuqishëm kundërshtarë. Që para njohjes së tij si mytesarifi i sanxhakut, Mehmet Pasha e kishte filluar këtë detyrë dhe thuajse kishte eleminuar krerët e tarafeve esnafore të tabakëve dhe të terzinjve, si dhe një varg krerësh të tjerë. Disa krerë kishin mundur të arratiseshin, por ai nuk i la të qetë gjatë gjithë jetës së vet.
Mehmet Pasha i kushtoi vëmendje mbështetjes së pushtetit të tij nga ana e elementit të krishterë, forca ushtarake e të cilit në sanxhakun e Shkodrës ishte shumë e rëndësishme. Këtë mbështetje ai e arriti duke mbrojtur tregtarët e krishterë e duke bashkëpunuar me ta, duke shtuar pjesëmarrjen e malësorëve katolikë në ushtrinë e tij me pagesë dhe duke mos penguar veprimtarinë e klerit katolik. Me përkrahjen e krerëve ushtarakë malësorë dhe me njohjen e privilegjeve të tjera të malësive, ai arriti të siguronte prej këtyre një burrë për shtëpi në rast lufte dhe pagesën e një dukati për shtëpi në vit.
Një çështje e rëndësishme, kryesisht me karakter ekonomik, ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis ulqinakëve dhe venedikasve, të cilat pengonin zhvillimin e lirë e të sigurt të tregtisë në sanxhakun e Shkodrës. Konkurrenca e pamëshirshme e venedikasve me flotën ulqinake në rritje e sipër, kishte shtyrë një pjesë të mirë të agallarëve të Ulqinit qysh në vitet 20 të shek. XVIII të lidheshin shumë ngushtë me një rival të fuqishëm të Venedikut, me Beun e Tripolit. Si rrjedhim, flota e Ulqinit dhe e Tripolit bashkëpunonin për mbrojtje, por në disa raste sulmonin edhe flotat perëndimore e sidomos atë të Venedikut. Kështu, pirateria kishte marrë hov në Adriatik dhe Ulqini ishte bërë një fole piratësh. Mehmet Pasha e luftoi me ashpërsi piraterinë e ulqinakëve si dhe lidhjet e tyre me Tripolin, duke djegur të gjitha anijet pirate që shtiu në dorë. Kështu brenda një kohe të shkurtër Ulqini u kthye në një qytet normal tregtie e lundrimi dhe Bushatlliu siguroi marrëveshjen si me agallarët e këtij qyteti, që kërkonin të punonin me anijet e tyre në kushte të qeta brenda e jashtë vendit, ashtu edhe me autoritetet e Republikës së Venedikut, në duart e së cilës ishte një pjesë e mirë e tregtisë në Adriatik. Si rrjedhim, Anton Duoda njoftonte: “askush nuk guxon më të shkojë në Berberi (është fjala për Tripolin - shën. i aut.)”, se u shpall urdhri që “në brigjet e Tivarit, Valdanosit e Shën Gjinit të Medues si dhe në Grykën e Bunës, askush të mos guxojë të trazojë shtetasit venedikas, sepse i shkon koka”.
Frytet e një politike të tillë të brendshme, që vendosi me të vërtetë rregullin e qetësinë, u panë qysh në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës, sidomos në fushën e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave.

Qyteti i Shkodrës, qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë së Veriut
Ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, Shkodra kishte kushte shumë të favorshme për t’u bërë qendra më e rëndësishme ekonomike e vendit.
E vendosur anash një liqeni të madh, të pasur me peshk dhe të lidhur me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha, që udhëtarët i kishin cilësuar “të bukura e pjellore”, e përshkuar nga rrugë tregtare që vinin nga Kosova, nga Shqipëria Qendrore e Jugore, nga Maqedonia e nga Bosnja, Shkodra u rrit jo vetëm si qendra administrative e një sanxhaku të rëndësishëm, por para së gjithash si qendër zejtare e tregtare. Përveç skelës së saj në lumin Bunë, limanet e Tivarit, Ulqinit, Lezhës dhe të Durrësit ishin gjithashtu skela të saj. Më 1736, zëvendëskonsulli venedikas në Shkodër, që ishte tregtari shkodran Anton Duoda, shkruante se qyteti i Shkodrës numëronte një mijë dyqane në treg. Tre vjet më vonë, gjeografët venedikas njoftonin se Shkodra ishte “një qytet i madh”, ishte “qyteti kryesor i Shqipërisë”. Aty nga fundi i shek. XVIII ajo numëronte 6 700 shtëpi, d.m.th rreth 30-35 mijë banorë, ndërsa konsulli rus në Raguzë, himarioti Gjika, e çmonte popullsinë e qytetit deri në 60 000 frymë.
Për fuqizimin ekonomik të Shkodrës shërbeu në mënyrë të veçantë qyteti shqiptar i Ulqinit me 7-8 mijë frymë, i cili qysh në fillim të shekullit kishte një flotë tregtare prej 250 njësish të mëdha e të vogla të ndërtuara në kantieret e veta, prej nga vazhdimisht hidheshin në det anije të ndryshme të tipave tartanë, polakë, pink, trabekull, felikë si dhe një numër i madh barkash. Punëtorët, të gjithë myslimanë, zotëronin dijeni të shumta e të shumëllojshme për ndërtimin e anijeve. Duke qenë fare afër kësaj skele dhe duke qenë pjesëtarë në investimet e flotës ulqinake, tregtarët e Shkodrës, e rrjedhimisht edhe qytetarët e saj, patën te kjo flotë një mjet të rëndësishëm për tregtinë e mallrave.
Tregtarët shkodranë, ashtu si shumë tregtarë të tjerë shqiptarë, e lidhën veprimtarinë e tyre me Venedikun qysh në fillim të shek. XVIII. Me kalimin e viteve, duke shfrytëzuar me zgjuarsi konkurrencën midis porteve rivale të detit Adriatik, ata lidhën marrëdhënie tregtare edhe me Ankonën, Triesten etj. Jo vetëm në skelat veriore të vendit, por edhe në skelën me rëndësi ndërballkanike të Durrësit, ku ishin vendosur konsujt e Venedikut, Raguzës, Francës, Anglisë, Holandës dhe të Austrisë, shkodranët u dalluan si më aktivët. Mbi 80 për qind e tyre ishin myslimanë që tregtonin pjesën dërrmuese, rreth 90 për qind të vëllimit të mallrave. Kjo pasqyronte jo vetëm përbërjen fetare të banorëve të Shkodrës, por edhe fuqinë ekonomike të popullsisë myslimane që ishte më e madhe nga ajo e të krishterëve.
Hov më të madh tregtia shkodrane mori pas ardhjes në fuqi të Bushatllinjve e sidomos në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës. Krahas zhdukjes së piraterisë dhe rregullimit të mosmarrëveshjeve me venedikasit, rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të Shkodrës luajti rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral për treg. Ekonomia bujqësore u lidh me tregun në të tillë shkallë, sa çifligarët, për të realizuar fitime të mëdha, filluan të mbillnin ato kultura që kërkonte më shumë tregu. Një ndër këta çifligarë ishte vetë Mehmet Pasha, i cili qysh në vitin 1764 mbolli sipërfaqe të mëdha me oriz e pambuk, dhe, si shumë feudalë të tjerë, u bë pjesëtar në tregti dhe në lundrim duke investuar këtu shuma të konsiderueshme. Në këtë periudhë tregtia shkodrane u gjallërua edhe për shkak se ajo filloi të përdorë gjerësisht kreditin. Konsulli venedikas i Durrësit shkruante më 1762 se pjesa më e madhe e tregtisë shqiptare ishte në duart e tregtarëve shkodranë dhe se ata ishin bërë “shpirti i saj”. Tregtarët shkodranë grumbullonin lesh, dyllë, lëkurë të punuara, drithëra dhe prodhime të tjera bujqësore e zejtare sidomos nga Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjakova, Prizreni, Ohri e nga tregje të tjera shqiptare, ku kishin arritur të përcaktonin edhe çmimet e blerjes dhe të shitjes së mallrave. Ata futeshin edhe në Rumeli, e sidomos në Manastir, Shkup, Seres dhe në krahinat përqark tyre gjer në zonën e Selanikut, ku grumbullonin lesh, pambuk, lëkurë etj. Përveç Rumelisë tregtarët e Shkodrës kalonin thellë edhe në Serbi, Vllahi, prej nga sillnin dyllë, mëndafsh etj. Këto mallra ata i blinin ose kundrejt të hollash, ose kundrejt cohërash, pëlhurash mëndafshi etj. Në vitet 1760-1769, nga i gjithë vëllimi i mallrave që eksportoheshin për në Venedik prej limaneve të Durrësit dhe të Shkodrës, shkodranëve u takonte 87,4 për qind e leshit, 95,3 për qind e dyllit, 98,3 për qind e mëndafshit, 56,8 për qind e lëkurëve të punuara dhe kështu edhe për artikujt e tjerë.
Duke qenë se kapitali tregtar shkodran ishte bërë ndërlidhës kryesor i krahinave të ndryshme të Gegërisë me Shkodrën, pavarësisht nga copëzimi administrativ-politik ekzistues, lidhjet ekonomike të krijuara qysh nga gjysma e parë e shekullit, u përforcuan aq shumë në kohën e sundimit të Bushatllinjve sa morën trajtën e një tregu të madh ndërkrahinor. Ky treg ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara drejt formimit të tregut të brendshëm kombëtar. Pjesa kryesore e kapitalit tregtar, në formë mallrash, anijesh, magazinash e parash, ndodhej ende në duart e çifligarëve, e veçanërisht të ajanëve të mëdhenj.

Formimi i Pashallëkut të Shkodrës
Nën qeverisjen energjike të Mehmet Pashës, i cili nuk la pa përdorur edhe pushtetin e vet në dobi të përforcimit të lidhjeve ekonomike të Shkodrës me krahinat e tjera, tregtarët vendas arritën të vinin në duart e tyre, me përjashtim të duhanit, gjithë tregtinë që kryenin venedikasit në bregdetin shqiptar dhe ta detyronin kapitalin venedikas të rriste kreditin në favor të tregtarëve shqiptarë, në mënyrë që mallrat e tyre të mos kalonin në skelat e tjera të Adriatikut e veçanërisht në Trieste. Por edhe këtu sa vinte e po shtohej numri i agjencive tregtare shqiptare.
Lidhjet e tregut të Shkodrës me krahinat e tjera nuk mund të kryheshin pa pengesa e rreziqe. Dihet se skelat e rrugët tregtare gjendeshin në sanxhakët fqinjë, ku rivaliteti i grupeve të ndryshme feudale për çështjen e pushtetit dhe të sipërmarrjeve të taksave, i kishte bërë këta sanxhakë fole grindjesh të vazhdueshme dhe njëkohësisht qendra të rrezikshme edhe për vetë pushtetin e Bushatllinjve në sanxhakun e Shkodrës. Kështu, bejlerët e Lezhës, që sundonin në fushën e Zadrimës, bënin pjesë në tarafin e rivalëve kryesorë të Bushatllinjve, të Begollajve të Pejës, dhe gëzonin përkrahjen luftarake të forcave mirditore të komanduara nga Gjon Marku; Toptanët e Krujës ishin lidhur me Çaushollajt e arratisur dhe kërcënonin aleatët e Bushatlliut; në gjirin e familjes së Alltunëve të Kavajës, të cilët ishin sipërmarrës të dytë të skelës së Durrësit, kishte hyrë një grindje për punë të kësaj sipërmarrjeje. Një gjendje e tillë kërkonte medoemos vendosjen e një pushteti të vetëm mbi këto krahina. Mehmet pashë Bushatlliu nuk ngurroi t’i hynte kësaj detyre me energji e zgjuarsi në kohën e luftës ruse-osmane të viteve 1768-1774.
Pasi mori pjesë me të gjitha forcat e sanxhakut në luftën kundër Malit të Zi më 1768, ai dërgoi nën komandën e djalit të madh, Mustafa Beut, një repart të fortë luftëtarësh në frontin rus në mars të vitit 1769, ndërsa një repart tjetër nën komandën e djalit të dytë, Mahmut Beut, mori pjesë në shtypjen e një kryengritjeje në More më 1770. Kështu ai mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman. Ky, pasi dënoi me vdekje Kahreman pashë Begollin e Pejës për rebelizëm dhe shpërdorim financiar, i dha Mehmet pashë Bushatlliut qeverisjen e sanxhakut të Dukagjinit dhe, nga ana tjetër, e gradoi Mustafa Beun pashë për një akt trimërie në luftë. Duke marrë zemër nga këto ofiqe, Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve kundërshtarë të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në zotërim Zadrimën. Në të njëjtën kohë ai ndërhyri në Tiranë. Kështu bëri hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit të vet mbi këto zona, që bënin pjesë në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.
Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin e dytë që do të shpinte në formimin e Pashallëkut të madh të Shkodrës. Pas disfatës së flotës osmane në betejën detare të Çesmës në Detin e Zi, ai i kërkoi Portës së Lartë komandën e një armate detare, të cilën u zotua ta krijonte me forcat e veta për mbrojtjen kundër rusëve në det dhe kundër aleatëve të tyre, malazezëve, në tokë. “Për faktin se rrethanat dhe gjendja e tanishme kërkojnë vendosjen e një personaliteti të fuqishëm në krye të punës, në atë të frontit, - thuhet në dekretin përkatës të emërimit të tij si vezir, - doli urdhri i lartë mbretëror që Mehmet Pashës t’i jepet posti e grada e lartë e vezirit..., dhe të birit të tij, Mahmudit, t’i jepet sanxhaku i Shkodrës me titullin mirimiran, ndërsa djalit tjetër t’i jepet një sanxhak sikurse Elbasani”. Grada e vezirit u shoqërua me shtrirjen e kontrollit të vezirit shkodran edhe në sanxhakun e Ohrit. Për këtë ngjarje, konsulli venedikas i Durrësit njoftonte qeverinë e vet në fillim të vitit 1772, se Mehmet Pasha u bë aq i fuqishëm, sa “prej kufijve venedikas gjer nën Manastir komandon absolutisht dhe e druajnë të gjithë”.
Kështu u zgjerua pushteti i Bushatllinjve mbi trojet e katër sanxhakëve, atje ku shtrihej më e fortë rrezja e veprimit të tregut ndërkrahinor të Shkodrës. I përbërë nga sanxhakët e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Elbasanit, qysh në vitin 1771 u krijua kështu një formacion politik i bashkuar në dorën e një pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës.
Skela e Durrësit kishte një rëndësi po aq të madhe për tregtinë e Pashallëkut të Shkodrës sa edhe skela e Shkodrës. Mirëpo oxhaqet e Alltunëve të Kavajës dhe të Toptanëve të Krujës ishin bërë pengesë e madhe për vendosjen e rregullit dhe të qetësisë në këtë zonë të varur drejtpërdrejt nga veziri i Shkodrës. Toptanët kishin mbyllur rrugët tokësore për tregtarët shkodranë. Për më tepër, këta tregtarë si dhe lundërtarët ulqinakë nuk gjenin në skelën e Durrësit mbrojtjen e duhur. Tarafët e tabakëve dhe të terzinjve, si dhe, në radhë të parë, tregtarët e Shkodrës kërkonin me çdo kusht, bashkë me lundërtarët e Ulqinit, përmirësimin e gjendjes së krijuar në zonën Durrës-Kavajë-Krujë.
Për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente e me shumë rëndësi veziri i Shkodrës bëri për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua të pajtohej me Toptanët e Krujës. Kështu u hapën rrugët tregtare dhe zona e skelës së Durrësit u fut nën ndikimin e pushtetit të Shkodrës.
Ndërkohë Mehmet Pasha, sipas premtimit të tij, kishte marrë urdhër nga Porta për të dërguar në luftë me rusët një armatë detare dhe një ushtri tokësore. Por në vend të tridhjetë anijeve të mëdha me gjashtë mijë detarë, veziri përgatiti vetëm një të tretën. Edhe këtë fuqi, që e armatosi keq, e vonoi dhe e nisi në shtator 1772 nën komandën e të birit, Mustafa Pashës, vetëm kur midis palëve ndërluftuese ishte arritur një armëpushim. Po kështu ai i ktheu në Stamboll me duar zbrazur të dërguarit e sulltanit, të cilët kishin ardhur në Shkodër për të dërguar ushtrinë tokësore në frontin rus. Veziri nxori si shkak për këtë rritjen e rrezikut malazias, sepse prijësi i Malit të Zi, agjenti rus i quajtur Stefani i Vogël, po kërcënonte Podgoricën.
Në këtë mënyrë veziri Bushatlli i shkeli urdhrat perandorakë dhe zotimin e tij lidhur me luftën për të rregulluar punët e veta. Që të siguronte kufirin verior nga sulmet e kuçasve mbi fushën e Podgoricës dhe që të pengonte bashkimin e tyre me Malin e Zi, Mehmet Pasha u propozoi atyre të largoheshin me të mirë nga malet ku jetonin dhe të zgjidhnin brenda pashallëkut një truall tjetër për banim. Kur ky propozim nuk u pranua prej kuçasve, ushtria shkodrane hyri në muajin maj 1774 në Kuç dhe shkaktoi dëme të mëdha me qëllim që ta bënte të pabanueshëm, por edhe pas kësaj ekspedite kuçasit nuk iu nënshtruan.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhes, Porta e Lartë, e çliruar nga barra e luftës, e drejtoi vëmendjen nga Pashallëku i Shkodrës, kreu i të cilit po bëhej tepër i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Mjeti më i mirë për ta neutralizuar ishte ndezja e armiqësisë me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare.
Mehmet pashë Bushatlliu, duke ofruar 9 000 qese groshë për të marrë në sipërmarrje haset e sulltanit në Myzeqe, kishte dalë si rivali kryesor i Ahmet Kurt pashës së Beratit. Kurse ky ishte rival i Bushatlliut në sipërmarrjen e taksave të skelës së Durrësit dhe për komandën e zonës që përfshinte kjo sipërmarrje, e cila shtrihej gjer në afërsi të Lezhës.
Megjithëse veziri i Shkodrës paraqiti një ofertë më të madhe, motra e sulltanit, që e administronte dhe merrte të ardhurat e kësaj skele si sipërmarrëse e parë, pranoi ofertën e sundimtarit të Beratit. Mehmet pashë Bushatlliu vendosi të mos bindej. Kur Ahmet Kurt pasha, në prill të vitit 1775, hyri me 12 000 ushtarë në maliqanenë e Durrësit, veziri i Shkodrës dërgoi kundër tij ushtrinë shkodrane të komanduar nga dy bijtë e vet. Me këtë veprim filloi hapur konflikti me Stambollin dhe me veglën e tij, Ahmet Kurt pashën.
Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta e Lartë emëroi në vendin e tij një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi Ahmet Kurt pashën të hynte në zonën e Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me interesat e Bushatllinjve dhe të ajanëve aleatë të tyre në atë zonë. Aq më pak ai nuk pajtohej me interesat e tregtarëve shkodranë, të lundërtarëve ulqinakë si dhe të tregtarëve të tjerë të Veriut të Shqipërisë, që do të humbisnin përkrahjen e Bushatllinjve dhe monopolin e tregtisë së vendit.
Në kundërshtim me pushtetin qendror, ajanët shkodranë e fqinjë të grumbulluar në Shkodër u betuan të mos i bindeshin vezirit nga Kystendili dhe vendosën ta ndalnin me luftë hyrjen e Ahmet Kurt pashës në zonën e Durrësit. Ata zgjodhën Mustafa pashë Bushatlliun për komandant të ushtrisë shkodrane.
Më 12 shtator të vitit 1775 kjo ushtri prej 14 000 vetash u ndesh me forcat e Ahmet Kurt pashës në afërsitë e Peqinit, por u thye keqas duke humbur 4 000-5 000 veta, ndër të cilët ishte edhe kreu ushtarak mirditas Gjon Marku me 60 veta.
Pas kësaj disfate Porta e Lartë vendosi t’i shfaroste Bushtallinjtë dhe të nënshtronte përkrahësit e tyre. Për këtë qëllim ajo organizoi dy ekspedita ndëshkimore kundër tyre, duke ngritur më këmbë oxhaqet kundërshtare të Bushatllinjve, të cilat i vuri nën komandën e vezirit, Mehmet pashë Kystendilit. Në këto ekspedita morën pjesë Ahmet Kurt pasha, Çaushollajt, Toptanët dhe agallarët e Ishmit. Ndërsa ekspedita e parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua gjer në fund, sepse paria shkodrane i mbeti besnike Bushatllinjve. Porta e Lartë, pasi kishte shpallur luftën me Persinë, pranoi t’i falte rebelët shkodranë duke e kufizuar pushtetin e tyre vetëm në sanxhakun e Shkodrës dhe duke i detyruar ata të paguanin një dëmshpërblim prej 2 000 qesesh.
Pashallëku i Shkodrës u gjymtua rëndë, por vetëm përkohësisht. Ndërkaq mbetën shkaqet ekonomike e shoqërore që kërkonin një pushtet vendor të fortë e të përqendruar.
User avatar
andromeda_rock
Posts: 7416
Joined: Sun Sep 04, 2005 3:50 pm
Location: Edinburgh

Post by andromeda_rock »

ku po i gjon ton qeto bre .!.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Formimi i Pashallëkut të Janinës (1787)
Në mbarim të vitit 1787, kur Ali pashë Tepelena vuri në dorë sundimin e Janinës, në Shkodër kishte dështuar ekspedita e parë ndëshkimore kundër Kara Mahmud Pashës. Po në këtë kohë ose më saktë në fillim të vitit 1788 hyri në luftë kundër Perandorisë Osmane edhe Austria. E gjetur në luftë me Rusinë dhe me Austrinë, Porta e Lartë e miratoi shtrirjen e qeverisjes të Aliut në sanxhakun e Janinës, jo vetëm pse kishte nevojë të madhe për forcat e tij luftarake, por edhe pse me këtë veprim ajo synonte që të pengonte mundësinë e marrëveshjes së dy pashallarëve të fuqishëm shqiptarë, të cilët dy vjet më parë kishin qenë aleatë, dhe të ndalonte kalimin e tyre në anën e Fuqive të Mëdha.
Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës edhe në sanxhakun e Janinës, ose përqendrimi i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës në një dorë të vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të Janinës (1787). Ky përqendrim i dha dorë parisë feudale shqiptare të bëhej klasë sunduese edhe nga pikëpamja ekonomike, duke u shndërruar pronare e pjesës më të madhe e më të rëndësishme të kullotave, të pyjeve dhe të tokës së punueshme të këtyre dy sanxhakëve. Kështu u krijua baza nga e cila kjo pari, nën drejtimin e Ali Pashës, mundi të shtrinte pushtetin e vet mbi të gjitha trojet e Shqipërisë Jugore.
Ndërsa pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhisë, më 1774, besimi i çifligarëve shqiptarë te qëndrueshmëria e Perandorisë Osmane vetëm sa kishte filluar të tronditej, pas 15 vjetësh, kur ajo kishte hyrë në luftë kundër dy perandorive më të fuqishme evropiane, që synonin ta copëtonin, mosbesimi u rrit bashkë me theksimin e rrezikut të shembjes së saj të afërme.
Ashtu si pjesa kryesore e ajanëve shkodranë, përkrahës të vezirit Bushatlli, edhe shumica e ajanëve të Shqipërisë Jugore, mbi të cilët mbështetej Ali pashë Tepelena, kujtonin se lufta e Rusisë dhe e Austrisë kundër Perandorisë Osmane do të sillte ndryshime të rëndësishme politike në pjesën evropiane të kësaj perandorie të kalbur nga brenda. Duke menduar për të ardhmen e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për fatin e vendit ku sundonin, krerët e parisë shqiptare synonin që, pas dëbimit të osmanëve, të ruanin pushtetin në atë pashallëk ku kishin pronat e tyre. Në përshtatje me këto interesa jetike u rrit në radhë të parë bashkimi i shtresës së çifligarëve rreth Aliut, i cili përcaktoi, sipas rrethanave, vijat e politikës së pashallëkut të ri.
Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi të madhe, për të mos i lejuar familjet e vjetra feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore e Portës së Lartë, të bashkoheshin kundër tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë ekonomik. Për të krijuar një bazë sa më të gjerë e më të shëndoshë shoqërore, Ali Pasha siguroi mbështetjen e familjeve të vjetra kundërshtare që sundonin në sanxhakun e Janinës, duke u dhënë atyre jo vetëm ofiqe në administratë e në ushtri, por edhe prona e pasuri të konfiskuara të feudalëve të vrarë, të kapur apo të arratisur. Në këtë mënyrë, bashkëluftëtarët e vjetër dhe të rinj të pashait tepelenas, sikurse edhe vetë ai, e rritën pasurinë e tyre dhe nuk mbetën rrogëtarë apo shërbëtorë të tij, siç pretendohet në ndonjë studim pa asnjë mbështetje dokumentare. Për më tepër, kjo shtresë e re sunduese, e përbërë thuajse tërësisht nga shqiptarë, duke përdorur të gjitha format, e shpejtoi ritmin e procesit të çifligimit dhe e shtoi numrin e çifligjeve që kishte në zotërim. Vetë Ali Pasha u bë çifligari më i madh. Ndryshe nga ajanët me origjinë feudale-ushtarake të shtresave të larta dhe nga ata që më parë u pasuruan, e pastaj vunë në dorë pushtetin, paria sunduese e sanxhakëve të Janinës dhe të Tërhallës me Ali Pashën në krye e shumëfishoi pasurinë pasi mori pushtetin në duart e veta.
Mirëpo ekonomia çifligare lidhej ngushtë me ekonominë qytetare. Edhe Ali pashë Tepelena, ashtu si Mahmud pasha i Shkodrës, ishte i interesuar për një zhvillim të shpejtë të ekonomisë qytetare që përbënte një burim tjetër të madh pasurimi. Prandaj ai e përdori pushtetin politik në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Pasi zhduku një numër familjesh të mëdha feudale, ai shpartalloi, dëboi jashtë kufijve ose i nënshtroi duke i futur në shërbimin e tij thuajse të gjitha bandat, që mbillnin pasigurinë ndër banorët ose që pengonin me grabitjet e tyre qarkullimin e lirë të mallrave. Me përjashtim të viseve përreth malësisë së Sulit, ku kohë më kohë sulmonin çetat e suliotëve, thuajse kudo në pashallëk u vendos qetësia. Pa cenuar privilegjet e parisë sunduese vendase, por edhe pa i lejuar asaj të kryente veprime arbitrare, Ali Pasha tregoi kujdes të veçantë për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së shtresës së pasur zejtare e tregtare, pa bërë dallim nëse i përkiste kombësisë shqiptare apo greke dhe nëse ishte myslimane, hebraike apo e krishterë. Kështu ai siguroi përkrahjen e kësaj shtrese.
Në të njëjtën kohë, për të tërhequr pas vetes popullsinë e besimeve të ndryshme të pashallëkut, Ali Pasha lejoi ushtrimin e lirë të veprimtarisë së institucioneve fetare të të gjitha llojeve dhe inkurajoi si arsimin fetar, ashtu edhe atë laik. Në këtë mënyrë sundimtari i ri mundi të afronte edhe klerin, e sidomos atë ortodoks.
Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen kryesore ia kushtoi asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët me rrogë, me prejardhje kryesisht nga malësitë e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë të varfër plotësonin nevojën e jetesës së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe për këtë arsye interesat e tyre ishin të lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së cilës i shërbenin.
Krahas ushtarëve shqiptarë, në forcat e armatosura të Pashallëkut të Janinës, veçanërisht për ruajtjen e grykave e të rrugëve, bënin pjesë gjithashtu me rrogë edhe reparte malësorësh vllahë e grekë, martallozët ose armatolët, të cilët dikur përbënin repartet e vetëmbrojtjes fshatare kundër arbitraritetit fedual. Tani këtë detyrë e kryenin forcat e derbendëve të Aliut. Në rast nevoje mobilizoheshin me detyrim edhe forcat e esnafeve qytetare, si dhe forcat fshatare nga çifligjet. Nuk munguan të pajtoheshin e të shërbenin në ushtrinë e Pashallëkut të Janinës edhe ushtarë me pagesë nga Shqipëria Veriore e Verilindore.
Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që përbënin forcën kryesore të saj, por në të filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie e artilerie.
Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ e gjyqësor sipas organizimit osman, me ndryshimin e rëndësishëm se pranë çdo myteselimi ose qeveritari krahinor, u krijua një këshill i përbërë nga paria myslimane ose ajanët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave myslimane, dhe nga paria e krishtere ose koxhabashët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave të krishtere. Veç kësaj, vendimet gjyqësore apeloheshin në Janinë e jo në Stamboll dhe në krye të këtij aparati, përveç myslimanëve me përvojë, Ali Pasha tërhoqi një varg këshilltarësh dhe sekretarësh nga elementi i krishterë.
Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai ndihmohej nga një këshill i lartë apo divan, që përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga miqtë më të ngushtë e më besnikë, sikurse ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono, Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani, Ago Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në pronë private të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij të veçantë, ishte gjithmonë në gjendje të përballonte shpenzimet.
I ndërtuar në këtë mënyrë, ky aparat i shërbente pushtetit tanimë autonom të shtresës sunduese të çifligarëve vendas, e cila ndonëse nuk ishte shkëputur plotësisht nga varësia politike e pushtetit qendror, qeveriste në mënyrë autonome, kurse me dëbimin e osmanëve, ajo synonte të krijonte shtetin e vet të pavarur. Udhëheqësi i saj mbajti lidhje të rregullta me pushtetin duke shlyer gjithë detyrimet financiare ndaj arkës perandorake, për të mënjanuar çdo konflikt të parakohshëm dhe për ta përdorur atë në dobi të përforcimit të mëtejshëm të pashallëkut e të shkëputjes së tij nga kjo vartësi e Stambollit.
Përforcimi i pushtetit brenda pashallëkut dhe shtrirja e tij kryesisht në troje shqiptare, për të arritur pastaj në shkëputjen nga varësia e Portës së Lartë, ndodhën në kushtet kur u shtrua mundësia e dëbimit të osmanllinjve nga Evropa, që përbënte njëherazi qëllimin kryesor të veprimtarisë së Ali Pashës në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XVIII. Në përputhje me këtë qëllim ai ndoqi një politikë të dyfishtë: synonte të shfrytëzonte në dobi të vet, sa të qe e mundur më shumë, konfliktin midis Perandorisë Osmane e fuqive armike të saj, si dhe konfliktet midis vetë Fuqive të Mëdha evropiane, që cenonin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ekzistencën e shtetit osman dhe që lidheshin në një farë mase edhe me të ardhmen e Pashallëkut të Janinës dhe të të gjithë Shqipërisë. Pasi forcoi pozitat e veta duke marrë pjesë në luftë, në frontin e Danubit gjatë vitit 1788, Ali Pashës iu desh të ndeshej me një besëlidhje të kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës, të cilën e përkrahën autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë feudale në Shqipërinë Jugore.
Të shqetësuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashës në sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë mbajtën qëndrim armiqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës, nxitën dhe ndihmuan me armë, me municione e me ushqime suliotët e himariotët, u premtuan atyre ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që paria çame dhe pashallarët e Delvinës e të Beratit të lidheshin kundër tij.
Të inkurajuara në këtë mënyrë, të gjitha këto forca filluan të lëvizin. Sidomos suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e malësisë së panënshtruar e të vetëqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj përbënin për pashallëkun një rrezik të brendshëm që duhej mënjanuar me çdo mënyrë. Këta malësorë trima e guximtarë, të vendosur në një vend strategjik, 50 km në jugperëndim të Janinës, jo vetëm shqetësonin rrugët e pronat feudale, por kishin arritur të dëbonin një varg feudalësh nga 60-70 fshatra përreth malësisë së tyre, të cilat i kishin vënë “nën mbrojtje” kundrejt një rente të rregullt në prodhime e në të holla. Për ta mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve, për Aliun kishte vetëm dy zgjidhje: ose t’i afronte që t’u shërbenin interesave të tij, të pashallëkut, ose t’i nënshtronte me forcë.
Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre të vjetra me Republikën e Venedikut, suliotët nuk pranuan propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe e vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë u gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore nën një pushtet të vetëm politik, dhe për t’i dhënë fund anarkisë. Në shkurt të vitit 1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit, u detyrua të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe për shkak të komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga feudalët kundërshtarë përreth pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët, të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat që ishin kurdisur prapa krahëve të tij.
Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve e kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshjeje midis agallarëve të Çamërisë dhe sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës. Këta nuk e shihnin me sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali pashë Tepelenës dhe përforcimin e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake që do të sillnin ato në sanxhakët e tyre. Nën ndikimin e një shqetësimi të tillë, Ibrahim pashë Vlora, rivali i Aliut për postin e derbend-pashës, mori nga valiu i Rumelisë për vitin 1789 sipërmarrjen e të ardhurave të krahinës së Korçës, që qeveritari i Janinës e kishte marrë një vit më parë. Mirëpo Ali Pasha nuk hoqi dorë dhe e mbajti sipërmarrjen me forcë, duke zhvilluar luftime në zonën Kostur-Bozhigrad-Korçë kundër rivalit dhe të besëlidhurve të tij, të cilët mundi t’i shpërndante. Gjatë këtyre luftimeve ndëshkoi fshatrat e Hormovës dhe të Leklit, që dikur kishin qenë nën “mbrojtjen” e shtëpisë së tij dhe që tani bënin pjesë në radhët e të besëlidhurve armiq të tij. Rivaliteti midis qeveritarëve të Janinës e të Beratit, i shkaktoi ngatërresa të mëdha Aliut: Porta e Lartë, për të mënjanuar sherrin midis dy rivalëve, ia hoqi Ali Pashës qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës si dhe detyrën e derbend-pashës dhe ia dha këtë dhëndrit të sulltanit, Beqir Pashës. Mirëpo ky nuk mundi të vendoste rregullin e qetësinë, sepse forcat ushtarake qenë lidhur me Aliun e i mbetën besnike atij. Valiu i Rumelisë kërkoi me ngut që ato detyra t’i ktheheshin Aliut, sepse vetëm ai ishte në gjendje të vendoste qetësinë dhe të rekrutonte ushtarë për në front.
Ndërkohë luftimet në frontin rus nuk shkuan mbarë për osmanët. Kjo e nxiti Ali Pashën për të krijuar pa humbur kohë lidhje me rusët. Duke iu bindur thirrjes së sulltanit për të shkuar në luftë, Aliu nuk ndenji atje veçse aq kohë sa iu desh që të hynte në letërkëmbim me princin Potjomkin. Ky i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të pashallarëve shqiptarë në luftën kundër Rusisë.
Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe të grekëve. Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për ushtrimin e lirë të fesë nga myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët, ashtu edhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që, në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar ndëshkimit të sulltanit. Më në fund, ai pranoi që, si garanci të dërgonte peng në Petërsburg njërin nga djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. Mirëpo, për këtë çështje kaq të rëndësishme, atij iu tha se duhej të priste përgjigjen nga qeveria qendrore.
Propozimeve të lartpërmendura, që shprehnin dëshirën e Ali Pashës për të siguruar pas fitores mbi osmanët pozitën e vet si sundimtar i një shteti shqiptar, qeveria ruse nuk u dha përgjigje. Së pari, si qeveri e një populli të madh ortodoks, që i kishte vënë detyrë vetes të çlironte popujt e krishterë nga sundimi i gjysmëhënës dhe t’i fuste nën zotërimin e saj, Rusia nuk mund të pranonte sundimin e një princi mysliman mbi të krishterët shqiptarë e grekë dhe, së dyti, ishte koha kur lufta me Perandorinë Osmane po merrte fund. Në fillim të vitit 1792 u nënshkrua traktati i paqes në Jashi. Ndërsa qeveritari i Janinës zhvillonte bisedimet me diplomatët rusë dhe priste përgjigjen e oborrit rus, suliotët ia filluan një fushate plaçkitjesh që zgjati nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të tij. Përveç fshatrave dhe rrugëve tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëllëçit dhe Artës. Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zemërimin jo vetëm të çifligarëve, por edhe të fshatarësisë së dëmtuar rëndë dhe të zejtarëve e të tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të Margëllëçit etj., dhe të qyteteve të lidhura ekonomikisht me to.
Në muajin korrik 1792 Ali Pasha, i lidhur me agallarët e bejlerët çamë si dhe me krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara, sulmoi malësinë e Sulit për ta nënshtruar, meqenëse edhe këtë herë, krerët e saj kishin refuzuar çdo lloj marrëveshjeje. Por edhe këtë herë sulmi i pashës së Janinës dështoi, mbasi nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz, L. Benaqi, u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve fqinjë dhe e kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e Lartë, e cila ndërhyri për t’i pajtuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis qeveritarëve të Janinës dhe të Beratit.
Gjatë viteve 1787-1797 Ali Pasha kishte mundur të shtrinte pushtetin e vet vetëm në një territor të ngushtë që kapte krahun e djathtë të lumit Vjosë deri në krahun perëndimor të vargmalit të Pindit, d.m.th. hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë, si dhe krahinat e Artës. Por ky pushtet bazohej më shumë në sipërmarrjet e të ardhurave të tyre dhe në pëlqimin e valiut të Rumelisë e të Kapedan Pashës se sa në forcën e armëve të tij. Sidoqoftë, me këtë përfundoi faza e parë e përpjekjeve për forcimin e pashallëkut. Suksesin më të madh për shtrirjen drejt bregdetit dhe në Shqipërinë Jugore Ali Pasha e arriti në vitet e fundit të shek. XVIII, kur ndodhën ngjarje të mëdha politike në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kohë Republika Franceze kishte filluar luftërat pushtuese. Armata e Italisë, që komandohej nga gjeneral Napoleon Bonaparti, pasi nënshtroi një numër shtetesh italiane, nënshtroi edhe Republikën e Venedikut. Me nënshkrimin e traktatit të Kampo Formios midis Republikës Franceze dhe Perandorisë Austriake iu dha fund në vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas, zotërimet e të cilit në ishujt dhe në bregdetin Jonian u vunë nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës.
Sukseset e forcave të armatosura në Itali, i dhanë dorë gjeneral Bonapartit që t’i paraqiste Direktoratit planin e sulmit kundër kolonive angleze, të cilat përbënin burimin kryesor të potencialit ekonomik të Anglisë. Ky plan do të fillonte me depërtimin e një armate franceze në Egjipt. Direktorati e miratoi planin edhe pse depërtimi me luftë në Egjipt do ta armiqësonte me Perandorinë Osmane.
Për të lehtësuar ndërmarrjen ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të pushtetit qendror të sulltanit. Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte Ali pashë Tepelenën në forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës.
Në sajë të kësaj përkrahjeje, që e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij, Ali Pasha ndërmori në gusht të vitit 1797 një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve, kishte futur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit. Si rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti që nga Butrinti deri në Porto Palermo. Këto pushtime ishin një hap i rëndësishëm për shtrirjen e mëtejshme të pushtetit të Ali Pashës në Shqipërinë Jugore. Duke u njohur banorëve të këtyre trevave privilegjet e tyre dhe duke i trajtuar mirë, ai i ktheu ata në rezervën e vet ushtarake. Përparimin përtej Porto-Palermos nuk e ndalën aq forcat e bashkuara të Xhafer Pashës së Vlorës dhe Mustafa Pashës së Delvinës, sesa ndërhyrja e Ibrahim pashë Bushatlliut, që u dërgoi ushtri osmanëve, si dhe aleanca ruso-osmane që u krijua në këtë kohë kur Bonaparti filloi fushatën kundër Egjiptit. Tani sundimtarit të Janinës i erdhi rasti për t’u kthyer kundër Francës dhe për të shtënë në dorë ish-zotërimet venedikase në bregdet.
Napoleon Bonaparti dërgoi adjutantin e tij për t’i kërkuar Aliut të mbante anën e Francës kundrejt premtimit se do t’ia rriste shumë lavdinë e tij, ose të mbante të paktën neutralitetin nëse nuk mund të merrte pjesë aktive në kryengritjen e pashës së Vidinit, Pasvan Ogllusë, që i shkaktoi shqetësime Stambollit. Por Aliu, me të marrë vesh aleancën anglo-ruso-osmane kundër Francës, pa pritur të mbërrinte flota e bashkuar ruso-turke, që do t’i dëbonte francezët nga qytetet dhe ishujt jonianë, pushtoi Butrintin, të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin në formë miqësore, dhe pastaj Prevezën e Vonicën. Pargën nuk e mori dot, sepse ndërkohë mbërritën forcat ruse që e vunë nën kontrollin e tyre. Kështu u realizua më së fundi synimi për t’i siguruar pashallëkut një dalje të gjerë në bregdet dhe zotërimin e një vargu skelash me rëndësi tregtare.
Për ta shpërblyer për pjesëmarrjen e forcave të Pashallëkut të Janinës në luftën kundër francezëve, Porta e Lartë, në vitin 1799, i dha Ali Pashës gradën e vezirit. Por kjo gradë nuk ishte veçse një akt ngushëllimi, sepse, me këmbënguljen e rusëve, të cilët e shihnin Ali Pashën si një pengesë të synimeve të tyre sunduese në Gadishullin Ballkanik, qytetet bregdetare duhej t’i hiqeshin atij nga dora. Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen e rusëve në ishujt jonianë. Duke i njohur ish-qytetet venedikase si prona të sulltanit, konventa sanksionoi shkëputjen e tyre nga sundimi i Ali Pashës. Mirëpo ky i fundit edhe pse i largoi garnizonet e veta ushtarake nga këto qytete, e ktheu në një vegël të vetën të dërguarin e sulltanit të caktuar për administrimin e tyre.
Ndërhyrja e rusëve në Pargë dhe në përpilimin e konventës i ashpërsoi aq shumë marrëdhëniet e vezirit të Janinës me përfaqësuesit diplomatikë rusë, sa këta filluan të ndiqnin politikën e venedikasve, duke nxitur e përkrahur suliotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut kundër tij.
Vendosja e rusëve në ishujt jonianë dhe qëndrimi i tyre armiqësor ndaj vezirit të Janinës, që nisi qysh më 1798, i dha zemër Mustafa pashë Delvinës të kërkonte ndihmë prej tyre dhe të ngrihej kundër Ali Pashës. Por në tetor 1799, Aliu e detyroi me forcën ushtarake Mustafa Pashën të nënshtrohej. Pastaj nën komandën e Jusuf Arapit, të cilin e dërgoi në Filipopoli, nënshtroi rebelin Kara Fejzi, komandant i kërxhallinjve. Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan që sundimin e sanxhakut të Delvinës t’ia jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës. Kjo ngjarje, si dhe veprimtaria ruse kundër Ali Pashës, u dha siguri suliotëve që kishin gjetur tani një aleat të fuqishëm. Megjithëse kishin rënë në një farë marrëveshje me Ali Pashën dhe nuk e kishin trazuar për të mos provokuar sulme të tjera, suliotët e shkelën ujdinë dhe, të ndihmuar prej rusëve, arritën të grabisnin edhe kopetë e Aliut. Ai nga ana e vet vendosi tani t’i nënshtronte përfundimisht suliotët, duke i akuzuar si vegla të rusëve. Këta filluan të veprojnë ndaj tij dhe e paditën në Stamboll për përpjekje për pavarësi.
Në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, Aliu filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte e ngushtohej. Ndonëse rusët bënë përpjekje për të ndihmuar malësorët suliotë me armë e municion, duke organizuar një besëlidhje me feudalët kundërshtarë fqinjë, zgjuarsia e vezirit bëri që ato të mos kishin sukses. Pas luftimesh të dëshpëruara, më 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Por veziri, duke paraparë se suliotët do të vazhdonin luftën nga Parga e ishujt jonianë, nuk e miratoi marrëveshjen dhe urdhëroi që karvanët e suliotëve të ktheheshin e të vendoseshin në trojet e pashallëkut, ku ai do t’u krijonte kushte jetese, pune e shërbimi siç u kishte premtuar disa herë me radhë. Mirëpo suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet kundër reparteve të vezirit. Në këto luftime ndodhi edhe heroizmi i grave suliote, të cilat u sakrifikuan bashkë me fëmijët e tyre duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Za-Llongut. Një pjesë e mirë e suliotëve duke pasur edhe armët në dorë kapërcyen kufijtë e pashallëkut dhe u strehuan në Pargë e në ishujt jonianë. Ata, ashtu siç kishte parashikuar Ali Pasha, vazhduan luftën e tyre kundër tij, sidomos inkursionet në vendbanimet bregdetare duke shkaktuar aty vrasje, djegie e grabitje të shpeshta gjatë dy dhjetëvjeçarësh. Këtë çështje të rëndë Aliu u përpoq ta mënjanonte, por nuk e zgjidhi, veçse në fund të vitit 1820, kur suliotët morën anën e tij kundër sulltanit.
Edhe pas kapitullimit të suliotëve, konti Mocenigo, përfaqësues rus në Korfuz, e vazhdoi qëndrimin armiqësor ndaj Ali Pashës. Ai nënshkroi me dy krerët e Çamërisë, Hasan Çaparin dhe Islam Pronjën, një marrëveshje për ndihmë kundër vezirit të Janinës. Ali Pasha, i cili mundi ta shtinte në dorë këtë akt, e denoncoi marrëveshjen e tyre pranë Portës së Lartë, si ndërhyrje të rusëve në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. Ishte viti 1806 para se të fillonte lufta ruso-osmane e viteve 1806-1812.
Në pragun e kësaj lufte sulltani mori anën e Aliut, i la atij dorë të lirë mbi qytetet bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit dhe urdhëroi agallarët çamë t’i nënshtroheshin autoritetit të tij.
Ndërsa veziri i Janinës kishte filluar tanimë luftën për të nënshtruar përfundimisht suliotët dhe po ndeshej dhëmb për dhëmb me veprimtarinë armiqësore të rusëve, në muajin prill të vitit 1802, Porta e Lartë e ngarkoi të vendoste qetësinë në Rumeli ku vlonte mosbindja e anarkia, gjendje kjo që u interesonte synimeve ruse në Ballkan, ashtu siç u interesonte edhe gjendja e krijuar dhe e nxitur prej tyre në Shqipërinë Jugore.

Shtrirja e mëtejshme e Pashallëkut të Janinës në Shqipërinë Jugore (1804-1812)
Postin e valiut të Rumelisë Ali Pasha e pranoi dhe u mundua ta shfrytëzonte për të luftuar rusët në një front më të gjerë dhe për të rritur autoritetin e vet në Rumeli e sidomos në Shqipëri, duke bërë për vete sa më shumë përkrahës. Meqenëse në këtë kohë, krahas suliotëve, kundër tij ishte formuar përsëri besëlidhja e qeveritarëve kufitarë të Delvinës dhe të Vlorës, të cilët kishin siguruar edhe përkrahjen e Ibrahim pashë Bushatlliut, Aliu e pranoi detyrën e re pasi vuri si kusht që Porta e Lartë të garantonte zotërimet e veta nga kërcënimi i tyre. Kësaj pune Porta e Lartë ia doli mbanë dhe besëlidhja këtë herë nuk arriti të vepronte kundër Aliut. Kështu ai, pa e pezulluar luftën kundër suliotëve, filloi me zell detyrën e re. Ushtria e madhe që grumbulloi për të vendosur qetësinë në Rumeli, e sidomos në Bullgari, sukseset e rrufeshme që pati kundër Osman Pashës së Silistrës, kundër çetave rebele dhe feudalëve të pabindur, si dhe pasuritë e armët që shtiu në dorë kudo që kaloi, shqetësuan kaq shumë qeveritarët osmanë, sa këta përhapën fjalën se tepelenasi po bëhej rrezik për fronin e sulltanit. Në muajin qershor 1803 Selimi III, i cili pati më shumë frikë sesa nevojë për të, e liroi nga ai post dhe në vend të tij emëroi si vali të Rumelisë vezir Ibrahim pashë Bushatlliun.
Edhe ky korri një varg suksesesh kundër feudalëve rebelë. Madje në muajin nëntor 1804 pashai Bushatlli përqendroi 30 000 ushtarë në Manastir. Ky përqendrim në afërsi të Pashallëkut të Janinës e shqetësoi Ali Pashën, i cili pati frikë se mos i iknin nga duart 14 kaza që kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit. Prandaj u shpërngul në Tepelenë dhe bëri përgatitje për mbrojtje, duke hyrë në bashkëpunim me Ibrahim Pashën e Beratit, tashmë rival i Bushatlliut për sanxhakun e Elbasanit. Në maj të vitit 1805 Bushatlliu filloi operacione luftarake për pushtimin e sanxhakut të Elbasanit, që e qeveriste si shtesë Ibrahim Pasha i Beratit. Mirëpo u gjend para qëndresës së forcave ushtarake të dy sundimtarëve të fuqishëm të Shqipërisë Jugore, të cilët e detyruan të hiqte dorë nga synimi i vet.
Ndërkohë po zhvilloheshin ngjarje të rëndësishme politike në arenën ballkanike dhe në atë evropiane. Pas fushatës kundër Republikës Franceze, sulltan Selimi III, duke dashur të përforconte pushtetin qendror në perandori, filloi zbatimin e reformave. Mirëpo feudalët e mëdhenj provincialë në Gadishullin Ballkanik, si Ismail bej Serezi, Tersekli Ogllui dhe Pasvan Ogllui, u ngritën kundër reformave të sulltanit, e veçanërisht kundër reformës ushtarake, e cila parashihte organizimin e ushtrisë sipas mënyrës evropiane. Me këta u bashkua edhe Ali Pasha, jo vetëm pse dëshironte dobësimin e pushtetit qendror të sulltanit për t’u bërë sa më i pavarur, por edhe sepse me sistemin e rekrutimit sipas mënyrës evropiane do të goditej rëndë sistemi i rekrutimit të ushtarëve me rrogë e bashkë me të do të goditeshin edhe interesat e shtresës feudale që mbështeste pushtetin e tij. Me nxitjen edhe të Aliut, në korrik të vitit 1806, në Edrene u rebeluan jeniçerët. Kështu për pushtetin qendror u krijua një situatë shumë e rrezikshme, që sulltanit reformator ia veniti hovin për të vënë në jetë reformat.
Ndërkohë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Perandoria Osmane po afrohej me Francën dhe po ftohej me Rusinë e Anglinë. Lufta me këto dy shtete ishte bërë e pashmangshme. Si rrjedhim, edhe diplomacia e këtyre shteteve po merrte tjetër qëndrim ndaj vezirit të Janinës. Oborri i Petërsburgut kërkoi nga kont Mocenigo të ndiqte një politikë paqësore me të. Parisi i premtoi Aliut ta njihte si sundimtar të pavarur, në rast se trupat frënge do të pushtonin Gadishullin Ballkanik, dhe se do ta merrte nën mbrojtje kundër çdo ndëshkimi nga ana e sulltanit. Kur më 1806 Fransua Pukëvili (François Pouqueville), i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbërriti në Janinë në krye të detyrës, i solli Aliut edhe premtimin e Bonapartit se do ta ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit, po qe se nuk do të kursente ndihmën e tij për dëbimin e rusëve që andej. Duke shpresuar se do të siguronte përkrahjen e Napoleonit për t’u bërë sovran i pavarur, Aliu u mundua të lidhej sa më ngushtë me Francën, aq më shumë kur rusët vazhdonin të nxisnin besëlidhjen e feudalëve kundërshtarë të tij. Me anë të Pukëvilit ai i paraqiti qeverisë franceze një plan bashkëpunimi ushtarak për dëbimin e rusëve nga ishujt jonianë. Sipas këtij plani, Ali Pasha do t’i luftonte rusët me forcat e veta gjatë bregdetit deri në Selanik, pastaj do të merrte pjesë në nënshtrimin e serbëve, lëvizja e të cilëve u shërbente rusëve. Qeveria franceze e vonoi përgjigjen me prapamendim për të mos i prerë hovin Ali Pashës, por edhe për të mos e prishur me Portën e Lartë që arriti ta bënte atë aleat të saj kundër Rusisë dhe Anglisë.
Në dhjetor të vitit 1806, Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Në janar 1807 Aliu arrestoi konsujt rusë në territorin e vet dhe, i armatosur me artileri nga francezët, u orvat të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë, kurse martallozët grekë i hodhën në një revoltë të fuqishme në Thesali. Aliu gjeti mënyrën se si të pajtohej me çamët, kurse kundër revoltës së martallozëve thesaliotë dërgoi Myftar Pashën, i cili e mbyti në gjak dhe e shtypi atë. Kurse Napoleoni, duke u nisur nga synimi që të siguronte aleancën e Portës së Lartë dhe futjen e saj në luftë me Rusinë e Anglinë, e këshilloi Ali Pashën që interesat e “vërteta të tij” t’i shihte të lidhura me ato të Perandorisë Osmane. Me fjalë të tjera, Franca nuk pranoi shkëputjen e vezirit të Janinës nga shteti osman. Edhe pse në këtë kohë Ali Pasha e trajtoi përfaqësuesin e Francës me përzemërsi, marrëdhëniet me këtë shtet nuk mbetën të përzemërta dhe veziri i Janinës kërkoi të gjente një mbështetje të jashtme që ta përkrahte në synimet e tij.
Kur në pranverën e vitit 1807 filluan në Tilsit bisedimet e paqes midis perandorëve të Rusisë dhe të Francës, Aliu dërgoi përfaqësuesin e vet për t’i kujtuar Napoleonit I premtimin lidhur me qeverisjen e Korfuzit. Mirëpo ky nuk e përfilli. Si rrjedhim, marrëdhëniet me forcat frënge, që u vendosën përsëri në ishujt jonianë, u ftohën shumë. Pashai i Janinës u bë pengesë e pakapërcyeshme për planet e Bonapartit për zotërimin e Butrintit dhe për ta kthyer këtë skelë në një bazë që do t’u shërbente forcave franceze për të mbrojtur më mirë kanalin e Korfuzit dhe si pikënisje për të depërtuar më vonë në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane.
Porta e Lartë e dha gojarisht pëlqimin për dorëzimin e Butrintit në duart e komandës franceze të Korfuzit, si dhe për kalimin e trupave franceze nga Dalmacia në këtë pikëmbështetje nëpërmjet tokave shqiptare. Mirëpo shqiptarët si në veri, ashtu edhe në jug, e kundërshtuan një veprim të tillë të Stambollit. Në këto rrethana, Ali pashë Tepelena, Ibrahim pashë Bushatlliu dhe pashallarët e tjerë shqiptarë, nuk i pranuan kërkesat franceze. Ata lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe u përgatitën për mbrojtjen e përbashkët. Në shkurt të vitit 1808 gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e Butrintit. Pasi u deklaroi diplomatëve dhe ushtarakëve francezë se “nuk do ta lëshojë Butrintin dhe asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë ... e se francezët nuk do të kalonin në vendin e tij veçse mbi valë gjaku”, Ali Pasha e shpalli në popull ultimatumin francez dhe bëri thirrje për mbrojtje. Popullsia e përkrahu qëndrimin e vezirit të Janinës. Po kështu bëri edhe Porta e Lartë, e cila anuloi pëlqimin gojor që u kishte dhënë francezëve. Për të mos i prishur marrëdhëniet me Stambollin që e ndryshoi qëndrimin e vet, Bonaparti largoi gjeneralin Bertje nga Korfuzi, ashtu siç largoi edhe ambasadorin Sebastian nga Stambolli. Por plani i tij dështoi. I armiqësuar tani si me Rusinë, ashtu edhe me Francën, Ali Pasha, për të mbrojtur qytetet bregdetare, u drejtua nga Anglia, me të cilën ishin vendosur kontaktet e para qysh më 1803. Përfaqësuesit anglezë në Stamboll e Patras i kishin dhënë pashait të Janinës informata rreth veprimeve të rusëve kundër tij dhe kishin nxitur popullsinë myslimane ta përkrahte atë. Më 22 prill 1806, në Janinë u vendos konsulli anglez J. P. Morier. Me këtë rast Ali Pasha u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet e tij me agallarët çamë të përkrahur nga rusët. Edhe Morieri ishte i mendimit se rusët do të kishin më shumë përfitime, nëse do ta kishin mik vezirin e Janinës sesa armik, prandaj i këshilloi të hynin në bisedime me të. Por edhe pse filluan, këto bisedime u ndërprenë sidomos nga fundi i vitit 1806, kur politika osmane mori drejtim profrëng dhe Stambolli i shpalli luftë Rusisë e pastaj, edhe aleates së saj, Anglisë.
Në nëntor të vitit 1807, kur i kishte prishur marrëdhëniet me Francën, Aliu i rifilloi bisedimet me anglezët për të siguruar të paktën mbështetjen e tyre. Më 1808 ai nisi për në Londër një përfaqësuesin e vet, Said Ahmetin, që të shfaqte gatishmërinë e vezirit të Janinës për të ndërmjetësuar në Stamboll rreth përfundimit të paqes midis Perandorisë Osmane e Mbretërisë Angleze dhe për të ndihmuar forcat detare të saj kundër francezëve.
Vrasja e sulltan Mustafait IV dhe sidomos vrasja e Mustafa pashë Bajraktarit bënë që politika profrënge të fashitej dhe të miratohej përfundimi i traktatit të paqes me Anglinë në fillim të muajit janar 1809. Ali Pasha, që kishte luajtur një rol me rëndësi në këto ngjarje, vazhdoi përpjekjet për zgjerimin e pashallëkut në drejtim të Shqipërisë Jugore. Pasi u arrit paqja midis Londrës e Stambollit, në shkurt të vitit 1809, qeveria angleze i dërgoi atij si dhuratë një pajisje të plotë artilerie me predha ndezëse, një nga prodhimet e fundit të armëve të kohës. Bashkë me këtë dhuratë, në Janinë erdhi dhe u vendos si përfaqësues diplomatik i qeverisë angleze V. M. Lik (William Martin Leake). Në këtë atmosferë, më 1809, e vizitoi Ali Pashën edhe Xhorxh Bajroni me Hobharzin. V. M. Lik nuk solli me vete përgjigjen ndaj propozimit të Ali Pashës për aleancën me Anglinë dhe për ta marrë atë në mbrojtjen e saj siç i kishte premtuar edhe në bisedimet e fshehta. Pasi siguruan aleancën me Portën e Lartë, anglezët s’kishin më nevojë për një aleancë me Aliun kundër francezëve. Madje Liku e këshilloi Aliun të mos ndërmerrte veprime luftarake kundër francezëve. Atëherë Aliu u përgatit të asgjësonte aleatët vendas të francezëve. Rasti i përshtatshëm iu paraqit atij me vdekjen e Ibrahim pashë Bushatlliut dhe me grindjet në Shkodër për punën e trashëgimisë së pushtetit.
Duke pasur një farë përkrahjeje nga ana e qeverisë angleze, duke bërë për vete grupimin e fortë të çifligarëve beratas që kryesonte Omer bej Vrioni dhe duke shfrytëzuar kohën kur Porta e Lartë gjendej në luftë me Rusinë dhe se telashet e saj me kryengritësit serbë u bënë me të vërtetë serioze, Ali Pasha iu vu pushtimit të plotë të sanxhakut të Vlorës dhe të Elbasanit. Nën drejtimin e të birit, Mustafa Pashës, ai i hyri pushtimit të sanxhakut të Vlorës duke filluar nga kryeqendra e tij, Berati. Aliu dërgoi drejt këtij qyteti një ushtri të fortë. Pas katër muaj luftimesh, Ibrahim Pasha i Beratit kërkoi paqe, duke i lënë Ali Pashës një pjesë të sanxhakut të vet dhe duke hequr dorë nga sanxhaku i Elbasanit. Këtë sanxhak sulltani ia njohu nipit të Aliut, Mehmet Pashës.
Për të shmangur zemërimin e sulltanit, Aliu nuk vonoi të dërgonte një pjesë të forcave të tij në front. Me pjesën tjetër të ushtrisë ai ndërmori në vjeshtë një sulm të dytë e të befasishëm kundër Beratit, të cilin këtë herë e pushtoi. Ibrahim Pasha u mbyll në kështjellë. Por përpara se t’i vinte ndihma nga aleatët e vet, nga feudalët çamë dhe nga Mustafa pashë Delvina dhe i braktisur nga ushtarët e vet, Ibrahim Pasha u detyrua në fillim të vitit 1810 të pranonte kushtet e kapitullimit dhe të tërhiqej në Vlorë. Përpjekjet e tij për të rifituar tokat e humbura patën një sukses kalimtar me ripushtimin e përkohshëm të Beratit. Por gjatë veprimeve luftarake të mëtejshme Ibrahim Pasha dështoi dhe flota e vezirit të Janinës e ndihmuar prej anglezëve e mbajti atë të bllokuar.
Bashkë me Beratin mori fund edhe nënshtrimi i pjesës së papushtuar të Himarës, shumica e banorëve të lirë të së cilës ishin lidhur me francezët duke shërbyer në formacionet ushtarake të tyre. Ali Pasha e bllokoi krahinën nga deti dhe nga toka, zbarkoi së pari në Vuno e pastaj në Himarë, Piqeras e Dhërmi ku vendosi garnizone dhe mori pengje. Më 24 dhjetor 1810 krahina e Himarës u detyrua të nënshtrohej.
Pas nënshtrimit të Himarës, feudalët çamë, të gjendur përballë kundërshtimit të popullsisë çame, e cila e shihte pushtetin e vezirit të fuqishëm të Janinës si mbrojtës të vetëm të interesave të saj, pranuan njëri pas tjetrit të hynin nën kontrollin e tij. Në muajin qershor 1811 iu nështruan edhe njëzet e dy krerë të Dukatit (rrethi i Vlorës) që kishin qenë lidhur deri atëherë me Ibrahim Pashën. Për garanci të besnikërisë së tyre ata i dhanë pengje Ali Pashës. Kështu ra në duart e tij edhe Pashalimani.
Ndërkohë, krahas krahinave bregdetare vazhdoi edhe nënshtrimi i brendisë së vendit. Jashtë kontrollit mbetën ende Gjirokastra, Kardhiqi, Zhulati e Vlora, si dhe zonat fshatare të Nivicës, të Malëshovës e të Kuçit. Marrja e qytetit të Vlorës paraqiste vështirësi, sepse binte ndesh me këmbënguljen e Portës së Lartë për të mos e zhveshur nga pushteti Ibrahim Pashën, të cilin e përkrahte diplomacia franceze. Por nuk vonoi që edhe kjo nyje të zgjidhej. Ali Pasha mundi të shtinte në dorë faktet që zbuluan se Ibrahim Pasha ishte orvatur t’ua dorëzonte Vlorën francezëve. Kështu Porta e Lartë mori anën e Aliut dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat franceze kundër vezirit të Janinës. Ajo nuk kundërshtoi pushtimin më 1 gusht 1811 të Vlorës nga Ali Pasha, me të cilin u bashkuan edhe krerët feudalë vlonjatë. Përkundrazi urdhëroi vrasjen e Ibrahim Pashës që u arratis në malet e Labërisë. Por Ali Pasha mundi ta shtinte në dorë dhe nuk e vrau, e strehoi në Konicë e pastaj në sarajet e veta në Janinë, duke e lënë atë dhe djalin e tij Sulejman Pashën, nën kujdesin e grave të Myftarit dhe Veliut, që ishin bijat e Ibrahimit.
Rënia e Vlorës dhe premtimi që emisari francez nga Stambolli u bëri krerëve të Shqipërisë së Jugut, për t’u siguruar përkrahjen e Portës së Lartë dhe të komandës franceze të Korfuzit, i vuri këta në lëvizje. Në fund të muajit gusht 1811, Mustafa pashë Delvina, i vëllai i Sali Beut, Demir Dosti i Kardhiqit, bejlerët e Gjirokastrës dhe agallarët e Zhulatit, u lidhën midis tyre në kuvendin e Palavlisë dhe vendosën t’i kundërviheshin me 10 000 ushtarë shtrirjes së mëtejshme të pushtetit të vezirit të Janinës. Prandaj më 9 tetor Aliu nisi 2 000 ushtarë kundër Gjirokastrës. Mustafa Pasha e i vëllai ngritën krye duke dëbuar njerëzit e vezirit. Atëherë kundër tyre Ali Pasha dërgoi një ushtri tjetër, e cila i detyroi të dy vëllezërit të braktisnin Delvinën e të shkonin në Kardhiq. I rrethuar prej dy ushtrive të Aliut, qyteti i Gjirokastrës, pas marrëveshjes që u arrit me bejlerët vendas, u dorëzua më 20 nëntor 1811. Nën presionin e banorëve dhe me ndërmjetësinë e motrës së vezirit Shanishasë, bejlerët vendas u detyruan t’i nënshtroheshin pasi artileria prishi ujësjellësin dhe mullinjtë e qytetit.
Pas kësaj ngjarjeje agallarët e Zhulatit u tërhoqën nga beslidhja kundër Ali Pashës dhe iu nënshtruan atij pa luftë. Mbeti vetëm Kardhiqi, krerët e të cilit vendosën të luftonin.
Luftimet zgjatën nga muaji nëntor 1811 dhe deri nga fundi i muajit shkurt 1812. Forcave rrethuese të Aliut iu desh të bënin sakrifica të shumta për të përparuar duke shembur njërën pas tjetrës shtëpitë fortesa ku qëndronin mbrojtësit e qytezës. Luftimet do të zgjasnin edhe më, po të mos qe ndërhyrja e shtresave të ulta qytetare që i detyroi krerët të ndërprisnin luftën, e cila u bë e pashpresë sidomos pas ikjes fshehurazi të emisarit francez në Korfuz. Mustafa Pasha, Demir Dosti e të tjerë u dorëzuan dhe u dërguan në Janinë ku u burgosën. Aty mjaft prej tyre u pushkatuan me përjashtim të Mustafa Pashës, i cili vdiq më vonë në burg. Mirëpo Ali Pasha nuk la pa ndëshkuar qytezën dhe banorët e saj që i kundërshtuan me luftë. Ndryshe nga trajtimi i qyteteve të tjera, përveç djegies fund e majë të Kardhiqit, ai pushkatoi edhe shtatëqind meshkuj. Ky akt i rëndë hakmarrës për gjakun e derdhur gjatë luftimeve duket se u bë edhe si masë frikësimi politik për të shmangur kundërshtimet e tjera në rrugën e pushtimeve të mëtejshme drejt veriut të Shqipërisë.
Porta e Lartë pranoi kërkesën e vezirit të Janinës që Myftar Pasha të emërohej qeveritar i sanxhakut të Vlorës. Duke vënë nën pushtetin e vet Thesalinë, Morenë dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë Tepelenës arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen e pushtetit të vezirit të Janinës në gjithë Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm përpara për bashkimin politik të trojeve shqiptare. Ky ishte një objektiv, drejt të cilit bashkoheshin synimet e feudalëve më të fuqishëm shqiptarë të çerekut të parë të shek. XIX.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Konflikti i vezirit të Janinës me Stambollin
Qysh në fund të vitit 1787 Ali Pasha kishte synuar, sikurse thuhej, “të shpallej një Mahmud Pasha i dytë sapo turqit të pësonin disfatën e parë”. Përforcimi i tij ekonomik, dobësimi i vazhdueshëm i pushtetit qendror dhe rrethanat politike ndërkombëtare ushqenin vazhdimisht shpresën e një pjese të krerëve shqiptarë që përfaqësoheshin nga Ali Pasha, për të mënjanuar sa më shumë vartësinë nga Porta e Lartë, për të mos e ndarë pushtetin dhe të ardhurat e vendit me pushtetin qendror osman. Një varg dëshmish tregojnë se Ali Pasha nuk hoqi dorë nga ideja e pavarësisë. Këtë çështje e kanë vënë në dukje sidomos personalitetet diplomatike me të cilat ai pati lidhje. Nënadmirali rus Ushakov theksonte më 1789 se Ali Pasha “përpiqet të jetë sundimtar i pavarur, madje kësaj mund t’ia arrijë së shpejti”. Uilljam Hamiltoni, sekretar i ambasadës angleze në Stamboll, që vizitoi Janinën më 1803, i raportoi qeverisë angleze të njëjtin mendim, madje ai vuri në dukje se Ali Pasha “në fakt është i pavarur nga qeveria turke”. Edhe personalitetet osmane kishin krijuar një bindje të tillë nga veprimtaria e Aliut. Kapedan Pasha shfaqi më 1804 mendimin se “Ali Pasha kërkon të pushtojë gjithë Shqipërinë dhe pastaj të shpallet i pavarur”. Në korrespondencën që i drejtohej sulltanit, thuhej se Ali Pasha “nuk ka lidhje me fenë islame dhe ka për ta tradhtuar shtetin osman me të gjitha forcat e tij gjer në shkallën e fundit”. Por edhe sulltan Mahmudi II priste të vinte koha e përshtatshme për të larë llogaritë me mëkëmbësin e tij të fuqishëm e të pabindur, edhe pse në marrëdhëniet zyrtare me Portën, ai ishte nga më të rregulltit në shlyerjen e detyrimeve ushtarake e sidomos të atyre financiare.
Në vitin 1812, kur lidhi paqen me Rusinë dhe kur Fuqitë e Mëdha evropiane gjendeshin në pragun e fazës vendimtare të luftës midis tyre, sulltan Mahmudi II e drejtoi vëmendjen në problemet e brendshme të perandorisë. Pushteti qendror duhej forcuar, duke kufizuar dhe mënjanuar sundimtarët e fuqishëm të provincave. Vëmendja e tij u drejtua në radhë të parë mbi më të fuqishmin e më të rrezikshmin e tyre, Ali pashë Tepelenën, i cili jo vetëm kishte qenë kundër përfundimit të paqes së Bukureshtit të muajit maj 1812, por kishte ndezur në sanxhakun e Ohrit luftën me Jusuf Beun e Dibrës, vartësin e vet të pabindur dhe ithtarin e vezirit të Shkodrës. Mirëpo sulltani e njihte mirë fuqinë e këtij dhe nuk guxoi të merrte ndonjë vendim. I nxitur nga ambasadori frëng Andreosi, ai arriti të merrte një masë të ndërmjetme, me qëllim që ta kufizonte pushtetin e vezirit të Janinës. Prandaj urdhëroi që Veli Pasha të transferohej në sanxhakun e Tërhallës dhe funksionet që mbante vetë Aliu e Myftar Pasha të pezulloheshin deri në një urdhër tjetër. Ky qëndrim i sulltanit e shqetësoi Ali Pashën dhe e detyroi të merrte masa mbrojtjeje e të mbështetej kryesisht në forcat e veta. Nga ana tjetër, ai ruajti dhe i forcoi lidhjet me Anglinë, së cilës ndihma e tij i shërbente për dëbimin e francezëve nga ishujt jonianë si dhe për depërtimin e mallrave angleze në Evropë.
Në muajin prill 1813 u bë në Janinë takimi i vezirit me gjeneralin anglez Ejre, të cilit Ali Pasha i premtoi ndihmën e vet kundër francezëve për pushtimin e Korfuzit. Në emër të qeverisë angleze gjenerali premtoi t’i dorëzonte qytetin e Pargës dhe sipas shërbimeve që do të kryente, mund t’i dorëzohej edhe Lefkadha, Itaka dhe Meganisia. Ai i premtoi gjithashtu Aliut se, po të lindte nevoja, Anglia do ta mbronte atë dhe familjen e tij nga zemërimi i sulltanit duke e strehuar në ishujt jonianë pas vendosjes së protektoratit të saj mbi to. Afrimi me Anglinë si dhe ndërhyrja e vezirit të madh, Hurshid Pashës, pranë sulltanit, për të mos i acaruar më marrëdhëniet me vezirin e fuqishëm të Janinës në një kohë kur kryengritja serbe po zgjerohej, sollën një farë zbutjeje. Porta e Lartë nuk nguli këmbë që ai e Myftari të merrnin pjesë në shtypjen e kësaj kryengritjeje. Në muajin tetor 1813 detyra e derbend-pashës dhe ajo e qeverisjes së sanxhakut të Janinës iu konfirmuan përsëri Ali Pashës, kurse të bijve e të nipërve iu shpërndanë sanxhakët e Shqipërisë Jugore dhe grada pashallarësh. Rrethanat politike ende nuk e lejonin sulltanin të vazhdonte goditjet e papërgatitura kundër Ali Pashës, prandaj ky mundi të ruante pozitat kryesore ushtarake e financiare. Por, duke parashikuar furtunën e ardhshme, ai vazhdoi të shtonte armatimet dhe të pajisej dhe me 200 topa zjarrhedhës të prodhimit të fundit anglez.
Në mars të vitit 1814, kur francezët po largoheshin nga ishujt jonianë dhe forcat angleze nuk ia kishin më nevojën vezirit të Janinës, Londra i shkeli premtimet, ndër të cilat edhe dorëzimin e qytetit të Pargës, të cilin e mori vetë nën mbrojtje. Megjithëse Ali Pasha i kishte afruar shumë forcat e tij pranë këtij qyteti dhe ishte munduar t’ua merrte atë francezëve, duke u premtuar se nuk do të lejonte që ata të binin në duart e anglezëve, nuk ia arriti qëllimit. Francezët nuk i zunë besë Ali Pashës dhe parapëlqyen të kapitullonin para anglezëve. Por Aliu nuk hoqi dorë dhe priti rastin e duhur për të mos e lënë edhe atë pjesë të bregdetit shqiptar në duart e të huajve.
Qëndrimi i ri i Anglisë ndaj Ali Pashës ishte lidhur me situatën e re ndërkombëtare që u krijua në Evropë pas vitit 1815. Me shembjen e Perandorisë Franceze dhe me stabilizimin e gjendjes ndërkombëtare që u shpreh në formimin e “Lidhjes së Shenjtë”, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër çdo lëvizjeje që rrezikonte fronet mbretërore. Me fjalë të tjera, Londra nuk mund të përkrahte synimet e pavarësisë së mikut të saj. Meqenëse pushtimi i Pargës solli me vete një farë ftohjeje me Portën e Lartë, anglezët, që deklaruan se pushtimi ishte i përkohshëm, e ndreqën punën kur përfunduan traktatin e Parisit. Ata pranuan me këtë rast t’i kthenin Perandorisë Osmane Pargën kundrejt njohjes së protektoratit anglez mbi ishujt jonianë. Dorëzimi i Pargës u arrit vetëm më 10 maj 1819 pasi Ali Pashai pagoi, siç rezulton nga regjistri i llogarive të tij, 612 000 realë për të shpërblyer pasurinë e braktisur të atyre parganjotëve që u shpërngulën në ishujt jonianë. Kështu, pas përpjekjesh shumëvjeçare, Ali Pasha i sheshoi kufijtë politikë që e veçonin këtë qytet nga bregdeti shqiptar dhe e bashkoi atë me mëmëdheun. Që prej kësaj kohe, i plotësuar me banorë të rinj, të ardhur nga brendia e vendit, Parga, nga një vatër grindjesh e lufte, u shndërrua në një qytet paqësor dhe në një skelë tregtare të rëndësishme.
Gjatë viteve 1815-1819, meqenëse kushtet ndërkombëtare dhe ato të brendshme nuk ndihmonin në realizimin e procesit të bashkimit të trojeve shqiptare, Ali Pasha u detyrua t’i përmirësonte marrëdhëniet e tij me Stambollin. Kështu, ai mundi të ruante të paprekur sundimin e familjes së tij në Thesali, në Shqipërinë Jugore, dhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, ku u mundua të përforconte autoritetin e vet duke tërhequr nga ana e tij një varg feudalësh kryesorë, të cilëve u la në dorë postet drejtuese dhe sipërmarrjet. Në sanxhakun e Ohrit mbajti si myteselim Xheladin Beun, dajën e Mustafa pashë Bushatlliut, në Elbasan Abdulla pashë Taushanin, në sipërmarrjen e Durrësit Alltunët e Toptanët, në Dibër bëri për vete ajanin e Dibrës, Abaz Beun dhe në Mat bejlerët kryesorë vendas, duke rekrutuar atje ushtarë me rrogë etj. Si rrjedhim, ai arriti të kufizonte shtrirjen e ndikimit të Mustafa pashë Bushatlliut në Tiranë ku komandën e vendit e mori Molla Beu. Përveç kësaj, duke përkrahur qeveritarët e Prizrenit dhe të Shkupit, dy nga rivalët kryesorë të orvatjeve të vezirit Bushatlli për të vendosur pushtetin e tij të drejtpërdrejtë ose dhe të tërthortë në sanxhakun e Dukagjinit, Ali Pasha bëri që të dështonin këto orvatje në këtë sanxhak. Porta e Lartë vendosi këtu si qeveritar një njeriun e vet. Pra, mosmarrëveshjet ndërmjet vezirëve të Shkodrës e të Janinës, që filluan qysh në mesin e vitit 1812, nuk u ndërprenë. Të dyja palët u qëndruan besnike vijave të tyre politike.
Porta e Lartë, që kishte ndjekur me kujdes të veçantë veprimtarinë e dy vezirëve dhe sidomos atë të vezirit të Janinës, nuk priste veçse rastin të ndërhynte kundër tij. Më 1819 sulltani kishte arritur në përfundimin se “Ali pashë Tepelena ... ka ndërmend të shtjerë në dorë edhe Gegërinë” dhe “po shkuan punët kështu, në Shqipëri ka për të plasur kryengritja”. Mustafa pashë Bushatlliu, pushteti i të cilit gjatë viteve 1812-1819 mbeti i lëkundshëm si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve, doli kundër synimeve të Ali Pashës. Ky mbështetej atëherë te Porta e Lartë edhe te pashallarët kosovarë. Në këto rrethana Mustafa Bushatlliu vazhdoi ta nxiste Portën kundër këtij rivali të fuqishëm. Bushatlliu shkruante se “qëllimi dhe ëndrra e Ali Pashës qëndronte në pushtimin e Gegërisë, ashtu siç ka pushtuar vendet e Toskërisë”. Por sulltan Mahmudi II nuk i besonte as Mustafa Pashës, sepse edhe te ky, si te të gjithë feudalët e mëdhenj, shihte një kundërshtar të reformave që synonin fuqizimin e pushtetit qendror. Për sulltanin ishte e qartë se edhe pashai shkodran kishte “mendime rebelimi në kokën e tij”. Duke parë pozitën e dobët të Portës në Shqipëri, sulltani zbatoi politikën e thyerjes së feudalëve të mëdhenj njëri pas tjetrit, me anë të rivalëve të tyre. Mahmudi II u përpoq të përdorte Bushatlliun kundër vezirit të Janinës, sa pa u bërë ndonjë marrëveshje midis tyre, dhe filloi të merrte masa për të përgatitur shembjen e Pashallëkut të madh të Janinës. Në përputhje me këtë vijë, qysh në fillim të vitit 1820, sulltani urdhëroi që ndaj Mustafa pashë Bushatlliut të mbahej një qëndrim afrues, meqenëse, siç thuhej në urdhër, “mytesarifi i Shkodrës është penduar nga rruga që ka ndjekur”. Më pas ai vuri në zbatim fazën e parë të planit të vet, që parashihte kufizimin e pushtetit të Ali pashë Tepelenës.

Organizimi i brendshëm i pashallëkut
Në të vërtetë, pas një vargu veprimesh kryesisht të paligjshme, por të mbuluara me vellon e akteve të ligjshme, që kinse bëheshin për forcimin e pushtetit osman, Ali Pasha kishte vënë nën sundimin e vet, në fillim të vitit 1819, një territor mjaft të madh të banuar pjesërisht nga shqiptarë dhe pjesërisht nga popullsi greke, sllave, vllahe e hebraike, që së bashku arrinin në rreth 1,5 milionë frymë. Kufijtë e këtij territori fillonin nga lumenjtë Shkumbin e Vardar në Veri dhe mbaronin në gjirin e Korinthit në Jug, pasi i vinin rrotull një pjese të deteve Adriatik e Jon në Perëndim dhe një pjese të detit Egje në Lindje. Pashallëku i Janinës përfshinte sanxhakët e Tërhallës, Lepantit, Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe të Ohrit, 14 kaza të sanxhakut të Manastirit dhe 3 kaza të sanxhakut të Selanikut.
Për të qeverisur këtë territor të madh, veziri i Janinës kishte bërë përpjekje që ushtrinë e tij të viteve të para të sundimit ta zmadhonte, ta organizonte më mirë dhe ta armatoste edhe me mjete më të reja të kohës. Tashmë ai kishte ngritur dhe mbante në këmbë një ushtri të përhershme, repartet e së cilës shërbenin në të gjitha pjesët e pashallëkut nëpër grykat e urat e rrugëve, nëpër kullat e fortifikimet e shumta të kufijve dhe sidomos nëpër kështjellat gjatë bregdetit dhe brenda vendit. Efektivi i kësaj ushtrie në vitin 1819 arrinte deri në 15 000 veta. Në kohë lufte Ali Pasha mund të grumbullonte brenda dy-tri ditëve një ushtri prej 50 000 vetash dhe brenda dy-tri javësh këtë forcë ushtarake mund ta dyfishonte dhe ta mbante në këmbë për një kohë mjaft të gjatë me mjetet e veta financiare, me armatime dhe me kuadro komanduese të sprovuara. Duke ndjekur sistemin e rekrutimit vullnetar me pagesë, që e bënte me anën e bylykbashëve, kapedanëve dhe të bajraktarëve, dhe duke qenë se këta ushtarë sidomos ata shqiptarë, ishin të stërvitur për punë armësh që në vogëli, Ali Pasha nuk e kishte problem të veçantë përgatitjen për luftë të forcave që i nevojiteshin. Përveç kësaj, këta ushtarë duke qenë qitës të mirë, marshues të shpejtë e të qëndrueshëm dhe në përgjithësi trima, mbaheshin si ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane. Përveç armës së këmbësorisë, në ushtrinë e tij bënin pjesë si reparte më vete kaloria dhe artileria. Ali Pasha kishte edhe një numër më të madh anijesh luftarake. Për aftësimin dhe përdorimin sa më të mirë të armëve moderne, Aliu mori në shërbim instruktorë të aftë evropianë dhe ngriti në Bonila edhe një fonderi për prodhim armësh, sidomos topa e bombarda.
Në krye të këtyre forcave të armatosura qëndronte Këshilli i Lartë ushtarak. Komandant ushtarak ishte krijuesi dhe financuesi i tyre Ali Pasha. Anëtarë të këtij Këshilli ishin mëkëmbësit e tij nëpër sanxhakë, si Myftar Pasha, Veli Pasha, Xheladin bej Ohri, Abdullah pashë Taushani etj., dhe nga bashkëluftëtarët e vjetër që kishin mbetur, Meço Bono, Ago Vasjari, Thanas Vaja, Mehmet agë Muhyrdari, Tahir Abazi etj. Në të bënin pjesë edhe komandantë të rinj, si Omer bej Vrioni, Iljaz bej Poda, Elmas e Selfo Bono etj., por fjalën e fundit edhe në këtë forum e thoshte vetëm Aliu.
Mëkëmbësit e Ali Pashës kryenin në sanxhakët e pashallëkut, përveç funksioneve ushtarake, edhe funksione administrative; zëvendësit e tyre nëpër krahinat e sanxhakëve, myteselimët, ushtronin pushtetin e tyre duke u mbështetur, sikurse edhe më parë, te ajanët e koxhabashët.
Përveç këtij rrjeti administrativ që kishte ngritur e që përbënte themelin e administratës së tij, Ali Pasha kishte ruajtur e zgjeruar në Janinë edhe aparatin qendror. Ai solli aty zyrtarë të zgjuar e me përvojë, myslimanë e të krishterë, që i shërbenin si këshilltarë e sekretarë për çështjet e brendshme, për lidhjet me Portën dhe për marrëdhëniet me jashtë. Këta zyrtarë ishin zgjedhur nga gjiri i parisë së pashallëkut, sikurse Mehmet Efendiu, Said Ahmeti, Haxhi Shehriu, Hysen bej Konica, Sali Çami etj. Kurse Kosta Gramatikoi, Spiro Kolovoi, Mantho Konomi, Lluka Vaja etj., ishin zgjedhur nga borgjezia e pasur e krishtere me kombësi shqiptare, greke, vllahe etj. Për punë të veçanta me karakter ekonomik, fetar e politik, Ali Pasha shfrytëzonte edhe arkondët Stavro Capallano e Dhimitër Dhroso, peshkopët e Janinës e të Artës, profesorin Athanas Psalidha etj. Ndër këshilltarët më të afërt, që kryenin detyrën e sekretarëve, të cilët mbrojtën për një kohë të gjatë interesat e vezirit të Janinës pranë Portës së Lartë, ishte edhe Hysen bej Konica, një i afërt i tij nga e ëma.
Duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e veta, Ali Pasha ushtroi më me kujdes edhe të drejtën e gjyqit të apelit, me të cilin ai kontrollonte veprimtarinë e gjykatave dhe titullarët e tyre, kadilerët.
Ndryshe nga qeveritarët e tjerë të perandorisë, Ali Pasha krijoi ndërkohë një armë të re, atë të policisë. Kjo i shërbeu kryesisht për ta informuar lidhur me veprimtarinë sekrete të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë pashallëkut, me planet e qeverisë qendrore në Stamboll dhe me pikëpamjet e qeverive evropiane lidhur me politikën ndërkombëtare.
Shpenzimet për ushtrinë dhe administratën, për ngritjen, pajisjen dhe për mbajtjen e pallateve e të vilave, si dhe rezervat e thesarit për ditët e vështira, Ali Pasha e djemtë e tij i siguruan në sajë të dy burimeve kryesore të ardhurash, prej pasurisë private të tyre dhe prej monopoleve. Pasuria private e familjes së Ali Pashës erdhi duke u rritur vazhdimisht nga konfiskimet e pronave të familjeve kundërshtare, nga “blerja” e tokave të një vargu fshatrash, nga tregtimi i prodhimeve bujqësore e blegtorale brenda e jashtë vendit, nga veprimtaria bankare etj. Prodhimi e tregtimi i kripës, i ziftit etj., që tradicionalisht kanë qenë monopole shtetërore, i sillnin arkës së Ali Pashës të ardhura të mëdha.
Megjithëse shpenzimet ushtarake e administrative ishin mjaft të mëdha në krahasim me ato të vezirëve të tjerë, sepse Aliu përgatitej që një ditë të mund të shpallej sundimtar i pavarur ose autonom, ai mundi të krijonte një thesar të konsiderueshëm, i cili në vitet 1819 vlerësohej në 250 milionë piastra.
Në varësi të synimeve që Ali Pasha kërkonte të arrinte me anë të pushtetit të vet të fuqishëm e të organizuar, ai zbatoi edhe një politikë të tolerancës fetare. Nuk ishte i rastit fakti që një pjesë e klerit, sidomos bektashinjtë, propagandonin se ai ishte njeri me fat të madh, se ishte caktuar të themelonte dinastinë e mbretërisë shqiptare. Nuk ishte e rastit as edhe prirja e disa klerikëve për të futur në shërbesat kishtare edhe gjuhën shqipe. Më së fundi, nuk ishte e rastit as propaganda e një vargu oborrtarësh që e krahasonin atë me Pirron e Epirit.

Shembja e Pashallëkut të Janinës (1822)
Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte Perandorisë Osmane nga ngritja dhe fuqizimi i pushtetit të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e tij për të nënshtruar gjithë Shqipërinë e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës nuk arriti të bëjë për vete pashallarët e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në jetë planin e vet kundër tij, të ndërprerë më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër edhe qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili pranoi të vihej në shërbim të Portës së Lartë për të luftuar e shkatërruar Ali Pashën. Për rrjedhim, në fillim të vitit 1820 sulltani i dha goditjen e parë; e emëroi të birin e Aliut, Veli pashë Tepelenën qeveritar të sanxhakut të vogël të Lepantit, kurse sanxhakun e rëndësishëm të Tërhallës ia dha një besniku të perandorisë, Sulejman Pashës.
Pasi mësoi se ky qëndrim ishte rrjedhim edhe i këshillave të favoritit të sulltan Halit Efendiut, që ishte nxitur nga intrigat e Pasho Beut, një feudal janinjot i dëbuar prej tij, Ali Pasha vendosi që këtë ngatërrestar ta zhdukte. Por atentati që organizoi në muajin mars kundër tij në Stamboll dështoi, ndërsa njerëzit që u kapën treguan se ishin dërguar nga Janina prej Ali Pashës.
Sulltan Mahmudi II e quajti atentatin një fyerje ndaj autoritetit të vet. Duke marrë shkas nga ky veprim, i hoqi vezirit të Janinës detyrën e derbend-pashës dhe dëboi nga Stambolli Hysen bej Konicën bashkë me vartësit e tij si mbështetës të atentatorëve. Po në këtë kohë iu dha urdhri valiut të Rumelisë, Hysen Pashës, të shpërngulej nga Sofja, të kalonte në Manastir, ku të vendoste pushtetin e vet dhe të shkatërronte ndikimin e Aliut në këtë zonë, duke i rimarrë 14 kazatë që tepelenasi i qeveriste në emër të tij. Edhe Veli Pashës, i akuzuar se ishte larguar nga Lepanti pa leje për të takuar Aliun në Prevezë, Porta e Lartë i hoqi gradën e vezirit dhe komandën e Lepantit, të cilën ia dha Pehlivan Ibrahim pashës. Ndërkohë sulltani nuk mori parasysh protestën e Ali Pashës lidhur me postin e derbend-pashës dhe nuk lejoi që komisioni i të krishterëve, i cili do t’i parashtronte lutjen për t’ia kthyer Aliut atë post, të hynte në Stamboll. Meqenëse veziri i Janinës nuk kishte larguar forcat e veta nga derbendet, por përkundrazi kishte filluar të rekrutonte ushtarë, Porta e Lartë vendosi t’i hiqte sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilat ia dha vezir Mustafa pashë Bushatlliut. Veziri i Madh i shkruante Aliut se sulltani e dënoi për fajet e tij dhe, duke pasur mëshirë për të e besim se do të largonte forcat ushtarake nga sanxhakët e kazatë që tashmë u përkisnin vezirëve të tjerë, po i linte atij sanxhakun e Janinës, Sali Pashës sanxhakun e Vlorës dhe Mehmet Pashës (nipit) sanxhakun e Delvinës.
Ali Pasha, që e kuptoi se masat e lartpërmendura do të pasoheshin nga të tjera, kërkoi nga Porta anulimin e tyre. Me këtë rast ai e njoftoi Stambollin se pranonte më mirë luftën se sa të hiqte dorë vullnetarisht nga pushteti, të cilin Porta po ia merrte nga duart gradualisht me metoda tinëzare. Ai kishte kohë që po përgatitej për një luftë të tillë dhe nuk i largoi forcat as nga derbendet, as nga sanxhakët. Përkundrazi, Ali Pasha urdhëroi shpejtimin e ritmit të rekrutimit ushtarak duke shpallur mobilizimin “një burrë për shtëpi”, si dhe duke marrë masa të tjera ushtarake. Në mesin e muajit maj 1820 ai thirri Muhtar Pashën e Veli Pashën për të biseduar e për të vendosur. Tri ditë zgjatën bisedimet e tyre në çifligun e Rapçishtës. Muhtar Pasha kërkoi që pajtimi me sulltanin të arrihej me çdo kusht. Por Aliu nuk ia pranoi një qëndrim të tillë kapitullues, duke menduar se po të tërhiqte forcat e të ngushtohej në tre sanxhakët e Shqipërisë Jugore, do të bëhej e pamundur mbrojtja e vendit dhe e pushtetit. Ky ishte edhe qëllimi që kërkonte të arrinte sulltani. Prandaj vendosi të mos i lëshonte këta sanxhakë e kaza pa luftë. Vetëm kjo rrugë do ta shpëtonte pushtetin e tij dhe vendin. Ai e lidhi kështu fatin e tij dhe të familjes së tij me fatin e vendit.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi në sarajet e veta, në Janinë, krerët e krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u kërkoi këtyre, si përfaqësues të popullsisë myslimane e të krishterë, që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje, do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për t’i nxitur të fillonin luftën, u premtoi një milion e gjysmë piastra. Njëkohësisht Ali Pasha shpalli heqjen e disa taksave në Pashallëkun e Janinës për të bërë për vete shtresat popullore dhe filloi propagandën e luftës.
Mirëpo programi i shpallur nga Ali Pasha nuk kënaqte interesat e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje. Duke ruajtur në kufijtë e “shtetit konstitucional shqiptar” krahinën e pasur të Thesalisë dhe duke shpallur protektoratin e tij në shtetin grek që do të krijohej, Ali Pasha nuk kënaqte kërkesat e borgjezisë greke, e cila, me luftën nacionalçlirimtare që po përgatitej të shpërthente, synonte të vendoste pushtetin e vet të paktën mbi të gjithë territorin nacional grek. Në të njëjtën kohë, premtimi i Ali Pashës për një “shtet konstitucional shqiptar”, ndonëse nuk cenonte pasuritë e feudalëve shqiptarë, cenonte në një farë mase monopolin e pushtetit të tyre, prandaj nuk i nxiste as këta të hynin në luftë kundër Stambollit. Meqë masat e Portës së Lartë synonin të godisnin vetëm Ali Pashën dhe nuk preknin privilegjet e feudalëve vendas dhe, meqë nuk ekzistonte rreziku i shembjes së Perandorisë Osmane, tek e cila shihnin një garanci më të sigurt për interesat e tyre se sa te “shteti konstitucional”, feudalët shqiptarë u treguan pak të interesuar për ta mbështetur Aliun në kryengritjen e tij. Edhe shtresat popullore, mbi të cilat rëndonte pesha e sistemit çifligar dhe e regjimit fiskal të vezirit të Janinës, nuk arriti t’i frymëzonte premtimi i “shtetit konstitucional” për të hyrë në luftë, edhe pse në programin e shpallur bëhej fjalë për heqjen e disa taksave. Kështu, mbështetja shoqërore e Ali Pashës në luftën kundër Stambollit ishte e kufizuar dhe përbëhej kryesisht nga fshatarësia malore e lidhur me të me anë të sistemit të rekrutimit me rrogë. Por edhe kjo mbështetje ishte e pasigurt, mbasi ajo varej nga qëndrimi i shtresës së feudalëve bylykbashë, që tashmë ishin bërë edhe pronarë tokash e tufash blegtorale dhe me të cilët kjo fshatarësi ishte lidhur drejtpërdrejt. Meqë nuk u përgjigjej interesave të shtresave të ndryshme shoqërore të Pashallëkut të Janinës, programi i 23 majit nuk luajti ndonjë rol me rëndësi në konfliktin e Janinës me Stambollin. Pa pasur tjetër rrugëdalje dhe duke u mbështetur në forcat ushtarake që dispononte e që ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë një ekspedite të Portës së Lartë, Ali Pasha nuk bëri hapa prapa dhe deklaroi se ushtria e tij e fuqishme nuk do të lejonte forcë tjetër të shkelte vendin. Por, tashmë, gjithçka varej nga qëndrimi që do të mbante kjo ushtri.
Me besim se do t’i bënte ballë rrethimit të vezirëve kundërshtarë, Ali Pasha filloi të zbatonte menjëherë edhe planin luftarak që vendosi në Rapçishtë bashkë me dy djemtë e tij. Veli Pashën e dërgoi në Prevezë, ku gjendej edhe flotilja prej 40 njësish luftarake, për të drejtuar qëndresën nga jugu e deti. Muhtar Pashën e nisi në Berat, që të mbronte kufijtë verilindorë, kurse vetë qëndroi në Janinë për të drejtuar qëndresën në drejtimet juglindore duke pasur nën komandë Omer bej Vrionin, të cilin e dërgoi në Tërhallë. Ai vuri gjithashtu në lëvizje njerëzit e vet të besuar në Mal të Zi, në Serbi e sidomos në Vllahi, për të nxitur e acaruar lëvizjen çlirimtare në ato vende. Plani luftarak i vezirit të Janinës i përshtatej gjendjes së krijuar dhe mbështetej në forcën e konsiderueshme ushtarake të pashallëkut. Por, edhe ky plan, në vend që të vihej në jetë me guxim, u minua nga vetë bijtë e Aliut, prandaj ishte i destinuar të dështonte.
Më 2 qershor 1820, edhe pse i druhej sulmit të malazezëve, Mustafa pashë Bushatlliu, i inkurajuar nga qëndrimi i favorshëm i Portës së Lartë kundrejt tij, u nis me një ushtri të madhe prej Shkodre drejt jugut. Duke mos ndeshur në ndonjë kundërshtim serioz nga ana e forcave të Muhtar Pashës, të cilat morën rrugën për në Berat, Bushatlliu shtiu në dorë sanxhakët e Elbasanit dhe të Ohrit. Muhtar Pasha, duke synuar që të pajtohej me çdo kusht me sulltanin, nuk ndërmori ndonjë veprim për ta penguar ose ndaluar Bushatlliun.
Në fillim të muajit qershor valiu i Rumelisë u nis nga Sofja për në Manastir, ku mbërriti më 26 të atij muaji, duke mbledhur rrugës një forcë ushtarake mjaft të madhe. As ai nuk e pati të vështirë të vinte nën pushtetin e vet të 14 kazatë e sanxhakut të Manastirit që Ali Pasha ia kishte shkëputur. Krerët e këtyre kazave, me përjashtim të asaj të Kosturit, shkuan në Manastir dhe i kërkuan falje. I udhëzuar nga Stambolli, ai i fali që të gjithë. Me krerët që kërkuan falje prej tij u radhit në fundin e muajit qershor edhe Iljaz bej Poda, kur valiu vajti në Korçë. Kështu veproi edhe Pehlivan Ibrahim pasha, që mori në dorë, pa kundërshtim serioz, qeverisjen e sanxhakut të Lepantit, si edhe Siri Selim pasha i Selanikut, që futi nën pushtetin e vet tri kazatë e shkëputura nga sanxhaku i tij prej Ali Pashës.
Ndërkohë, meqenëse Sulejman Pasha i Tërhallës nuk pranoi të dëbonte forcat e Aliut nga Thesalia, dhe i dha mundësi atij të dërgonte atje Omer bej Vrionin me 2 000 veta, sulltani e shkarkoi nga të gjitha funksionet, duke e akuzuar për bashkëpunim me Ali Pashën dhe e zëvendësoi me armikun e betuar të tepelenasit, Mahmud Pashën e Dramës. Këtë qeveritar të ri e nisi menjëherë për në Tërhallë që të merrte pushtetin me ndihmën e ushtrisë, të cilën do ta grumbullonte, në rrugë e sipër, me ndihmën e vezirëve fqinjë.
Realizimi i kësaj faze të sulmit të sulltanit kundër Ali Pashës, që u arrit pa hasur kundërshtim serioz nga forcat vartëse të vezirit të Janinës, i dha dorë Stambollit që të përcaktonte orientimet e veta ndaj feudalëve shqiptarë, duke shpallur me solemnitet se nuk do t’u prekte pasurinë dhe privilegjet e tyre. Kjo propagandë bëri efektin që pritej dhe krijoi kushtet që sulltan Mahmudi II të urdhëronte zbatimin e fazës tjetër të planit të vet, asgjësimin e Pashallëkut të Janinës
Në të njëjtën kohë sulltani nënshkroi fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, të cilin nuk e shpalli menjëherë. Me këtë ferman iu dha Ismail Pasho beut qeverisja e sanxhakëve të Janinës e të Delvinës dhe grada e vezirit, si dhe kryekomanda e ekspeditës ushtarake të drejtuar kundër Ali Pashës, djemve dhe nipave të tij, po qe se këta nuk do t’i bindeshin urdhrit që i shkarkonte nga të gjitha funksionet e gradat zyrtare dhe nuk do të pranonin të shkonin në Tepelenë ku duhej të banonin këtej e tutje. Mirëpo nga frika se mos Ali Pasha kalonte në sulm pa u përgatitur ende ushtritë e Dramalliut dhe të Ismail Pasho beut, sulltan Mahmudi II nuk e shpalli këtë ferman, ndërsa Ismail Pasho beun e nisi, bashkë me vjehrrin e tij, Mahmud Pashën e Dramës, me detyrën e hazinedarit.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme, sulltani shpalli papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, i cili u lexua edhe në Janinë. Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej me luftë. Atëherë Porta e Lartë e shpalli “fermanlli”, jashtë ligjit, dhe Shejhylislami miratoi fetvanë e ndëshkimit të tij me vdekje. Filluan njëkohësisht veprimet luftarake të ushtrive qeveritare në tokë e në det dhe u shpallën premtimet e Stambollit, sipas të cilave, me përjashtim të Ali Pashës, të gjithë të afërmit dhe pasuesit e tij do të faleshin dhe nuk do t’u prekeshin privilegjet që gëzonin po t’i nënshtroheshin padishahut dhe të braktisnin Aliun. Kaq prisnin pasuesit e Ali Pashës, të cilët, duke filluar nga djemtë e nipat e tij, nga motra dhe deri te bashkëpunëtorët e tij më të vjetër, vendosën që në rastin më të parë ta braktisnin Aliun në fatin e vet. Kështu shtresa feudale vendase, duke u dhënë përparësi interesave të çastit, mori një rrugë që nuk u përgjigjej as synimeve të saj të ardhshme, as atyre të të gjithë vendit. Këtë veprim kaq të gabuar ajo do ta kuptonte me vonesë dhe do të përpiqej ta ndreqte pas vdekjes së Ali Pashës, por hapi i hedhur i kushtoi shumë shtrenjtë.
Gjatë muajit gusht filloi sulmi i ushtrive të vezirëve që ishin ngarkuar me ripushtimin e Shqipërisë Jugore dhe me asgjësimin e Pashallëkut të Janinës. Pas rënies së Tërhallës në duart e vezir Mahmud pashë Dramës dhe vezir Ismail Pashës, që ndodhi për shkak se forcat e Aliut, të nxitura nga krerët e lëkundur, u tërhoqën, i erdhi radha Beratit. Muhtar Pasha e Salih Pasha iu dorëzuan vezirit Mustafa pashë Bushatlliut, kur ky rrethoi kështjellën e Beratit. Në përputhje me fermanin sulltanor, Bushatlliu i dërgoi në Tepelenë të shoqëruar nga vëllai i Ismail pashë Plasës, i cili gjithashtu mori pjesë në rrethimin e kështjellës së Beratit në krye të një force ushtarake të nisur nga Korça. Ata qenë dërguar nga valiu i Rumelisë, i cili filloi veprimet luftarake për të mbërritur sa më parë në Janinë bashkë me vezirët e tjerë.
Pas rënies së Beratit, Mustafa Pasha u urdhërua të nënshtronte gjithë sanxhakun e Vlorës dhe të vendoste një myteselim derisa të mbërrinte aty vezir Nurullah Pasha, që ishte emëruar qeveritar. Në shtator 1820, kur ky vezir mbërriti në Vlorë, motra e Ali Pashës, Shanishaja, me djemtë e saj, Izet Beun e Maliq Beun, si dhe komandanti i kështjellës së Gjirokastrës, Ago Myhyrdari, kërkuan falje. Porta e Lartë miratoi faljen pa prekur pasuritë e tyre. Kështu vepruan edhe Veli Pasha me djemtë e tij, Mehmet Pashën e Selim Beun. Këta iu dorëzuan kapedan Ali Beut, duke i lëshuar pa luftë qytetet e bregdetit nga Vlora në Pargë. Më 1 shtator këta dorëzuan edhe Prevezën, të cilën kapedani mundi ta merrte me shumë sakrifica pasi kaloi një kohë e gjatë. Vetëm qyteti i Artës i rezistoi me luftë për 25 ditë forcave të vezirit të Lepantit.
Në muajin gusht gjithçka që përbënte Pashallëkun e Janinës, me përjashtim të kryeqytetit të tij, kishte rënë në duart e ushtrive të sulltanit. Veziri plak, megjithëse humbi pjesën kryesore të ushtrisë, të bashkëluftëtarëve më të ngushtë dhe thuajse të të gjithë territorit që sundonte, nuk e humbi shpresën për një përmbysje të kësaj gjendjeje tepër të dëshpëruar. Këtë shpresë ai e mbështeti në një varg faktorësh që ishin në dobi të tij: kishte dy kështjella të fuqishme me 250 gryka zjarri, me një garnizon ushtarak të fortë dhe me rezerva të shumta ushqimore e municione; ushtria osmane nuk u grumbullua me kohë dhe nuk ishte në gjendje të organizonte ndonjë sulm të përgjithshëm para se të vinte dimri; banorët e larguar nga qyteti i Janinës nuk do t’i shërbenin Turqisë, kurse shkatërrimi i pjesës më të madhe të ndërtesave të vendit e linte ushtrinë osmane pa strehë; ajo do ta kishte të vështirë të siguronte edhe furnizimet e domosdoshme, për shkak të luftës së organizuar të çetave shqiptaro-greke.
Frytet, që Ali Pasha parashikonte të korrte, nuk vonuan. Mosmarrëveshjet në shtabin drejtues të forcave osmane morën hov aq sa i paralizuan veprimet e rëndësishme ushtarake. Pehlivan Ibrahim pasha një mëngjes të muajit tetor 1820 u gjend i vdekur në çadrën e tij, i helmuar si tradhtar, me urdhrin e kryekomandantit dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, për shkak se kishte hyrë në lidhje me Ali Pashën dhe kërkonte të merrte kryekomandën.
Sulmi i parë i përgjithshëm, që mezi u organizua pas një kohe mjaft të gjatë grindjesh, u zmbraps me trimëri nga të rrethuarit dhe u shoqërua me një kundërsulm që e kryesoi vetë Ali Pasha. Ky sukses luftarak, dhuna e ushtarëve armiq e grabitjet e tyre në popull, mungesa e furnizimeve, mospagimi i rrogave dhe të ftohtët e dimrit shkaktuan dezertime të forta në radhët e trupave perandorake. Në të njëjtën kohë komanda osmane kishte filluar të trajtonte keq krerët shqiptarë, si Tahir Abazin, Iljaz Podën, Ago Vasjarin, Dervish Hasanin, Aleks Nuçe Marinogllun etj., të cilët e kishin braktisur Aliun dhe ishin bashkuar me osmanët. Në këto rrethana ata, të pakënaqur nga komanda osmane e veprimet e saj, vendosën të ktheheshin tek Aliu.
Për të shfrytëzuar pakënaqësinë e popullit që sa vinte e rritej, Ali Pasha i dërgoi këta krerë të penduar nëpër krahinat shqiptare që të grumbullonin ushtri dhe të sulmonin osmanët. Edhe suliotët, të cilët ishin bashkuar me ushtritë e Portës për t’u hakmarrë ndaj Ali Pashës dhe për të çliruar vendlindjen, të dëshpëruar nga vezir Ismail Pashoja, i cili jo vetëm nuk e mbajti fjalën për t’i kthyer në malësinë e tyre, por mendonte t’i shfaroste krejt, u morën vesh me Ali Pashën. Pasi u premtoi suliotëve t’i linte të lirë në malësinë e tyre dhe pasi u dha një shumë të hollash, Aliu ra në marrëveshje me ta për të sulmuar forcat armike, duke shkëmbyer më 12 dhjetor pengjet e rastit sikurse ishte zakoni. Në këtë mënyrë Ali Pasha filloi të shpresonte se lufta e tij kundër Stambollit jo vetëm nuk do të mbetej pa mbështetje, por edhe mund të sillte fitoren.
Ndërkaq, Ismail Pashoja dhe shtabi i tij, të nxitur edhe nga një i dërguar i Portës së Lartë, u përgatitën të sulmonin e të pushtonin kështjellën e vogël të Litharicës. Në murin e saj ishte hapur një çarje e rëndësishme ku mund të hynin 30 veta njëherësh. Ali Pasha, që mësoi synimin e shtabit armik, nuk i la kohë atij ta vinte në jetë planin e vet. Në një natë me stuhi të 14 dhjetorit, Aliu doli me forcat e tij dhe sulmoi në befasi rrethuesit që u zmbrapsëm me humbje të mëdha dhe që braktisën jo vetëm pozicionet e përparuara, por edhe bateritë e topave që ishin më pranë kështjellës së Litharicës.
Pas 12 dhjetorit 1820, bashkë me Ali Pashën, edhe suliotët filluan luftën e çetave në rrugën Artë-Janinë kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë osmane. Ali Pasha qysh më parë kishte vënë në krye të tyre kapedan Odhise Andrucon, duke e nxjerrë atë dhe trimat e tij jashtë nga kështjella. Kjo luftë u zgjerua nga fillimi i vitit 1821, kur me Aliun u bashkuan repartet e reja që krerët shqiptarë i kishin mobilizuar e përqendruar në krahina të ndryshme. Labëria, Myzeqeja dhe Çamëria, si edhe krahinat e Zagorit dhe Agrafës, u vunë në përkrahje të luftës së Ali Pashës. Kjo kthesë me rëndësi u konkretizua me përfundimin e një besëlidhjeje të krerëve dhe kapedanëve shqiptarë, si Iljaz Poda, Ago Vasjari, Tahir Abazi, Aleks Nuço, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Xhavella etj. Këta udhëheqës të kryengritjes popullore u zotuan “se do të jenë vëllezër me trup e me shpirt dhe së bashku do të derdhin gjakun për të shpëtuar Ali Pashën”. Frytet e kësaj besëlidhjeje forcat osmane i ndien thellë jo vetëm me shkatërrimin e disa karvanëve, por edhe me rritjen e qëndresës popullore, që tashmë po organizohej e po drejtohej nga njerëzit e vezirit të Janinës.
Porta e Lartë u detyrua të dërgonte në krye të ushtrisë së saj në Janinë ish-Vezirin e Madh, Hurshid Pashën, të cilin e hoqi nga Moreja bashkë me trupat që komandonte. Ky veprim u dha mundësi udhëheqësve të lëvizjes nacionalçlirimtare greke të fillonin kryengritjen. Ndërsa në muajin mars 1821, Hurshid Pasha përpiqej të vinte rregull në ushtrinë që rrethonte Janinën dhe kërkoi përforcime të reja, Aleksandër Ipsilanti shpalosi në Moldavi flamurin e kryengritjes. Edhe në More shpërtheu kryengritja, e cila me të shpejtë, nën drejtimin e “Shoqërisë së Miqve” (“Filiqi Eteria”)?, shënoi fillimin e luftës për çlirimin kombëtar dhe formimin e shtetit grek.
Në kushtet e zgjerimit të kësaj lufte, Porta e Lartë mendoi të merrej vesh me Ali Pashën, por duke kërkuar kapitullimin e tij, ndërsa ai vuri si kusht kryesor largimin e forcave osmane nga Pashallëku i Janinës dhe shpalljen e tij si qeveritar i përjetshëm i këtij pashallëku. Porta e Lartë nuk pranoi, prandaj lufta filloi përsëri. Aliu ndërmori veprime luftarake me qëllim që Hurshid Pasha të mos organizonte një sulm të përgjithshëm kundër tij dhe të mos shkëpuste ndonjë pjesë të forcave, që dispononte për t’i dërguar kundër kryengritjes greke. Edhe para këtyre ngjarjeve Ali pashë Tepelena u kishte lënë dorë të lirë eteristëve të zhvillonin veprimtarinë e tyre propagandistike dhe organizative në pashallëkun e vet. Me këtë veprimtari Aliu ndihmoi grekët dhe lëvizjen e tyre çlirimtare. Ai hyri në bisedime me kryengritësit grekë duke shpresuar se ata mund të bëheshin aleatë në luftën kundër sulltanit dhe se me këtë rrugë do të siguronte ndihmën e Rusisë. Ndonëse ishte në dijeni të letrës që Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar krerëve të kryengritjes, ku i porosiste ta shfrytëzonin Ali Pashën duke i zhvatur të holla e armatime dhe ta linin në fatin e vet për të rënë mbi të goditja e ushtrive osmane, ai i dha udhëzime Aleks Nuços që të takohej me përfaqësuesin e “Shoqërisë së Miqve”, H. Porevos, dhe të fillonte bisedimet për marrëveshje. Këto bisedime filluan në qershor 1821 dhe iu kushtuan përgatitjes së një bashkëpunimi luftarak kundër armikut të përbashkët. Vetë Ali Pasha, me qëndresën e tij të patundur dhe me prirjen për bashkëpunim, krijoi besim te një pjesë e mirë e krerëve grekë, të cilët i njoftoi se kishte dërguar njerëz të nxitnin për kryengritje edhe popujt e tjerë ballkanikë.
Në vjeshtë të vitit 1821 Ali Pasha dërgoi në Misolongji, që ishte njëra nga qendrat kryesore të luftës greke, dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Tahir Abazin e Aleks Nuçon për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit grekë. Por, megjithëse u arrit marrëveshja, kryetari i lëvizjes në Greqinë Perëndimore, A. Mavrokordato, ndryshe nga një varg krerësh të tjerë që ishin për bashkëpunim, nuk e respektoi atë dhe, duke vepruar në kundërshtim me interesat e të dy popujve fqinjë, bëri krime të shëmtuara ndaj popullsisë myslimane shqiptare. Duke parë këtë qëndrim, Tahir Abazi e krerët e tjerë shqiptarë e hoqën shpresën për bashkëpunim me kryengritësit grekë.
Krerët shqiptarë e vazhduan luftën. Pasi ra kështjella e Tepelenës në duart e kryengritësve shqiptarë, Iljaz Poda, që arriti të grumbullonte rreth 6 000 veta myslimanë e të krishterë nga krahinat e Myzeqesë, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u nis në drejtim të Zagorit, ku në bashkëpunim me kryengritësit e rrethit të Janinës synonte të çante rrethimin e Ali Pashës. Më pas iu drejtuan rrethinave të Artës, ku vepronte pjesa tjetër e të besëlidhurve. Në kohën kur Arta ishte e rrethuar nga larg prej suliotëve dhe forcave të Tahir Abazit dhe Ago Vasjarit, njësitë e Iljaz Podës u hodhën drejt saj duke e ndarë ushtrinë në reparte të vogla, që u shkrinë me çetat suliote dhe ato të kleftëve. Çlirimi i Artës do ta bënte më të lehtë sulmin për çlirimin e Ali Pashës nga rrethimi. Ky, pasi kështjella e Litharicës pati rënë më 16 nëntor në duart e Hurshid Pashës, ishte përqendruar i vetëm në kështjellën e Kastros. Por gjendja e garnizonit osman në Artë ishte aq e vështirë, sa nuk mund të qëndronte gjatë. Përveç mungesës së ushqimeve ndikoi edhe qëndrimi i njërit prej komandantëve shqiptarë të ushtrisë osmane, Mehmet Beut, që ishte lidhur me forcat shqiptare, të cilat pas mbërritjes së Iljaz Podës, arritën në 10-12 000 veta. Gjendja e garnizonit osman u vështirësua më shumë, kur kjo forcë mjaft e madhe shqiptare iu afrua me luftë qytetit më 25 nëntor dhe më 28 në mëngjes u gjend në portat e tij.
Ndërsa pritej që të çlirohej Arta me urdhër të Mavrokordatos, mbërriti aty kapedan Makriu me 2 000 grekë, i ngarkuar që të mos lejonte që qyteti të binte në duart e forcave shqiptare. Pikërisht në këtë kohë suliotët shkelën zotimet e besëlidhjes, u bashkuan me lëvizjen greke dhe u vunë nën komandën e kapedan Makriut. Ndërkaq, në ndihmë të garnizonit të Artës mbërritën dy reparte të fuqishme osmane, njëri nga të cilët u doli nga prapa forcave shqiptare. Suliotët braktisën pozitat e tyre në Pesë Puset, ndërsa forcat shqiptare, që u rrezikuan të mbeteshin të gozhduara midis dy zjarresh, u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Artës dhe të kalonin në pozitat që kishin pasur para sulmit të 25 nëntorit. Por luftimet u ndërprenë nga të dyja palët, sepse komandantët kryengritës shqiptarë, duke parë se po dështonin synimet e tyre dhe duke ndjerë rrezikun që u kanosej trojeve shqiptare nga veprimet aneksuese greke, nuk ngurruan t’i dorëzoheshin Omer pashë Vrionit në Pesë Puset, të siguronin faljen nga Hurshid Pasha dhe të viheshin përsëri nën komandën e tij.
Kjo ngjarje shënoi afrimin e fundit të qëndresës së Ali Pashës. Pas kësaj, i ndodhur përballë forcave shqiptare të Mustafa pashë Bushatlliut, që dërgoi në Janinë një fuqi prej 3 000 vetash, të pashallarëve dhe krerëve të tjerë shqiptarë, edhe garnizoni i Kastros nuk vonoi të braktiste vezirin plak dhe të hapte dyert e kështjellës. Kështu më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën me përjashtim të një pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin e sulltanit


Karakteri i Pashallëkut të Janinës
Me vrasjen e Ali Pashës mori fund konflikti ndërmjet pushtetit qendror osman dhe sundimtarit të fuqishëm shqiptar të Pashallëkut të Janinës, i cili kishte për qëllim të arrinte shkëputjen e këtij pashallëku nga varësia e Stambollit dhe ta shndërronte atë në një shtet shqiptar të pavarur ose autonom.
Edhe ky vezir shqiptar, si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shtresës së pronarëve të mëdhenj të tokës dhe të komandantëve të reparteve ushtarake, që shtinë në duart e tyre pushtetin politik e ushtarak krahinor në Shqipërinë Jugore, në sajë të pushtetit ekonomik synonte të siguronte vetëqeverisjen e vendit. Qysh në vitet e para të sundimit të vet, Ali pashë Tepelena formoi bindjen se Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës. Për rrjedhim, ai dhe shtresa e çifligarëve që përfaqësonte, për të shpëtuar pasuritë dhe pushtetin e vet, ndoqi rrugën e shkëputjes së pashallëkut. E gjithë veprimtaria e Ali Pashës, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, tregoi se ai u përpoq “të jetë sundimtar i pavarur”. Duke ngritur në gjithë hapësirën nga Thesalia në Shkumbin një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm, që vepronte brenda pashallëkut sipas vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake e ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin e vet në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej sulltanit, Ali Pasha qeverisi në mënyrë autonome. Prandaj Pashallëku i Janinës, ashtu si dhe ai i Shkodrës kishte nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit tiparet e një shteti në fakt autonom.
Megjithëkëtë, edhe në Pashallëkun e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës, pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej në emër të tij. Prandaj edhe Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet shqiptar.
Deri më 1812, edhe pse rreziku i copëtimit të Perandorisë Osmane ishte në rendin e ditës, Ali Pasha nuk u shpall dot sundimtar i pavarur, sepse mungonin për këtë akt kushtet e brendshme. Ai nuk kishte mundur të shtrinte e të konsolidonte pushtetin e vet mbi sanxhakët e tjerë të Shqipërisë Jugore, dhe nuk kishte mundur t’i jepte fund anarkisë feudale. Ndërsa pas vitit 1812, kur u pa qartë se rreziku i jashtëm po mënjanohej, Aliu nuk e hodhi hapin vendimtar, sepse gjendja e përgjithshme politike ndërkombëtare nuk e favorizonte. Në këto kushte, as feudalët shqiptarë, mbi të cilët mbështetej Aliu, nuk u treguan të gatshëm si më parë për t’u shkëputur nga Stambolli dhe parapëlqyen të ruanin gjendjen ekzistuese të pashallëkut. Ja përse deri në muajin prill të vitit 1820 Ali Pasha nuk guxoi të hidhej në kryengritje për t’u shpallur sundimtar i pavarur ose edhe vasal i sulltanit. Por kur sulltan Mahmudi II filloi zbatimin e reformave centraliste, me qëllim që të përqendronte pushtetin në duart e veta dhe ta ushtronte atë me funksionarë turq, Ali Pasha pa qartë se shtresa feudale shqiptare do të humbiste privilegjet politike dhe ekonomike që kishte mundur të fitonte, kurse vendi do të ndiente në kurrizin e tij gjithë peshën e pushtimit të ri osman. Prandaj, edhe pse të bijtë dhe bashkëluftëtarët më besnikë e këshilluan të pajtohej me Stambollin, ai nuk pranoi të nënshtrohej, por u ngrit mbi interesat e veta dhe luftoi deri në fund për një çështje më të madhe: për shkëputjen e vendit me luftë nga sunduesit shekullorë osmanë.
Me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendiste kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjen çlirimtare të popujve ballkanikë duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt fitores. Ai u përpoq që të nxiste luftën e popujve në Mal të Zi, në Serbi e në Vllahi, ndihmoi drejtpërsëdrejti kryengritjen e popullit grek (1821) dhe kërkoi bashkëpunimin luftarak me udhëheqësit e saj, duke u mbështetur kryesisht tek ajo pjesë e krerëve grekë që e vlerësonin drejt faktorin shqiptar në luftën kundër Perandorisë Osmane.
Veprimtaria e Ali Pashës për formimin e Pashallëkut të Janinës dhe lufta e tij për mbrojtjen dhe për shndërrimin e këtij pashallëku në një shtet të pavarur ose me statusin e vasalitetit, ishte një hap i madh përpara drejt bashkimit ekonomik e politik të vendit, ishte një kthesë me rëndësi në historinë e Shqipërisë.
“Pushtimi i dytë i Shqipërisë”, që erdhi si pasojë e shembjes së Pashallëkut të Janinës, me pasojat e tij të rënda materiale e shpirtërore, vërtetoi se sa e drejtë kishte qenë përpjekja e Ali Pashës për një kryengritje të të gjitha forcave shoqërore të vendit. Ky pushtim, që nuk u mënjanua as nga lëvizja feudale e viteve 20 të shek. XIX, tregoi qartë se në Shqipëri ende nuk ishin pjekur kushtet ekonomike, shoqërore e politike për të hedhur poshtë robërinë shekullore osmane.
Shembja e Pashallëkut të Janinës i hapi rrugën zbatimit të reformave centraliste në Shqipëri, por dhe një periudhë të re qëndrese ndaj sunduesit osman.
Last edited by qenpo on Sun Apr 09, 2006 9:36 pm, edited 1 time in total.
Post Reply