Pjeset e Ligjerates !

Diskutoni per letersi, tregoni poezi, diskutoni ato...

Moderator: AciDiuS

[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Pjeset e Ligjerates !

Post by [ qenpo ] »

Meqe nuk ekziston nje rubrike Gjuha e hapa kete teme ketu !
Me ligjerate kuptojme bashkimin e disa fjalive !
Pjeset e Ligjerates ndahen ne te ndryshueshme(Emri,Mbiemri,Folja,Peremri dhe Numerori) dhe te pandryshueshme( Ndajfolja,Parafjala,Lidhëza ,Pasthirrma , Pjesëza ) !
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PJESET E NDRYSHUESHME :

EMRI

Emra quhen fjalët që tregojnë qenie të gjalla: djalë, vajzë, dele, dash, Agron, Mira;
Objekte materiale: gur, dru, libër, fletore; por shpesh edhe cilësi: dashuri, liri ose veprime: pastrim, rregullim.

Mjaft formime me prapashtesa funksionojnë në të njëtën kohë si emra dhe si mbiemra: shqiptar, punëtor, fshatar, malësor etj.

Disa ema dalin me nyje të përparme: i biri, e bija, i ati, e ëma, i vëllai, e motra etj. Po kështu, edhe disa emra me origjinë nga mbiemri ose pjesorja e foljeve: i riu, të rinjtë, e reja, të rejat, e dashura, i pasuri, i varfëri, i pandehuri, të ftohtët, të kënduarit, të folurit, të ngrënit.

Emrat e përveçëm dhe të përgjithshëm
Emrat ndahen në emra të përgjithshëm dhe në emra të përveçëm.
Emra të përgjithshëm quhen emrat që tregojnë qenie ose sende të të njëjtit lloj: djalë, vajzë, dhi, cjap, dhomë, derë, si dhe abstrakte: miqësi, lumturi, larje, fshirje.

Emra të përveçëm quhen emrat që tregojnë një qenie ose një send të vetëm, të dalluar nga të gjithë të tjerët: Tiranë, Prishtnë, Krujë, Naim, etj.

Janë të përveçëm:
-Emrat dhe mbiemrat e njerëzve, pseudonimet: Naim Frashëri, Gjergj Kastrioti, Kostandin Kristoforidhi, Asdreni (pseudonimi i Aleks Stavre Drenova), Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikolla)

-Emrat e kafshëve: Laro, Balo, Murro;
-Emrat gjeografikë të shteteve, të krahinave, të maleve, të lumejve, të qyteteve, të rrugëve, të shesheve, të kontinenteve, të oqeaneve, të deteve etj.: Franca, Shqipëria, Kosova, Drini, Korça, (rruga) Fan Noli, (sheshi) Skënderbej, Jupiteri, Azia, Paqësori, Mesdheu;

-Emrat e periudhave dhe të ngjarjeve historike: Mesjeta, Rilindja, Kongresi i Lushnjës;
-Emrat e institucioneve, të organizatave e shoqatave: Presidenca, Kuvendi Popullor, Ministria e Financave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Shoqata e të Përndjekurve Politikë.

-Titujt e veprave, të revistave e të gazetave: "Lahuta e malësisë", "Albania", "Rilindja demokratike", "Gazeta shqiptare", "Studime filologjike".

Emrat e përveçëm zakonisht përdoren në trajtën e shquar:
Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Në qendër të Tiranës është sheshi. Aty ndodhen Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i kulturës, banka Kombëtare.

Të gjithë emrat e përveçëm dhe emërtimet e përveçme shkruhen me shkronjë të madhe:
-emrat dhe mbiemrat e njerëzve: Gjergj Kastrioti, Leka i Madh;
-emrat e përveçëm të kafshëve: Baloja, Laroja, Baloshi;
-emrat e planeteve dhe të yjeve: Marsi, Jupiteri, Ylli Polar, Arusha e Madhe etj.;

-emërtimet gjeografike të një vendi : Gadishulli Ballkanik, Qafa e Thanës, Poli i Veriut, Drini i Zi, Malësia e Madhe;
-emërtimet e institucioneve dhe partive: Ministria e Arsimit, Partia Socialiste, Balli Kombëtar;
-emërtimet e periudhave dhe ngjarjeve historike: Rilindja, Mesjeta, Kongresi i Manastirit;
-emërtimet e monumenteve të kulturës: Dea e Butrintit, Xhamia e Et'hem Beut etj.;

-titujt e librave, të gazetave, të emrave të rrugëve dhe firmave vihen në thonjëza dhe vetem fjala e parë shkruhet me shkronjë të madhe: "Gazeta shqiptare", "Dëshmorët e lirisë", por rruga "Naim Frashëri", sheshi "Fan Noli".

Emri i përveçëm mund të përdoret si emër i përgjithshëm për të treguar jo më një individ, por një tip njerëzish që i ngjajnë atij; jo një krahinë, por send që lidhet me emrin e kësaj krahine etj.:
Ky njeri është tartuf i vërtetë (hipokrit)
Ai porositi një shishe kallmet (verë Kallmeti)
Në këto raste emrat e përveçëm shkruhen me shkronjë të vogël: ciceron, donkishot etj.

Emrat e përveçëm të njerëzve dhe të vendeve të huaja shkruhen sipas shqiptimit që kanë në gjuhën prej nga janë marrë: Shekspir, Bethoven, Klinton, Sharl dë Gol, Shiler, Nju-Jork, Kajro, Algjeri, Palestinë, Versajë etj.
Last edited by [ qenpo ] on Tue Nov 21, 2006 7:08 pm, edited 1 time in total.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

Mbiemri

Mbiemra quhen fjalët që shënojnë se çfarë lloji është ose çfarë vetie ka emri (qen i zi, qen i vogël, ushtria shqiptare, qeveria italiane). Mbiemri përshtatet në numër, gjini dhe rasë me emrin me të cilin lidhet:

- përshtatje në gjini :
mjeku i ri
mjekja e re

- përshtatje në numër :
mjekët e rinj
mjeket e reja

- përshtatje në rasë :
mjeku i ri
i mjekut të ri
mjekun e ri
mjekja e re
e mjekes së re
mjeken e re

Mbiemrat e shqipes ndahen në dy grupe: mbiemra të nyjshëm dhe mbiemra të panyjshëm.
Mbiemra të nyjshëm janë:
- ata që mbarojnë me -ë : i bardhë, i mirë, i gjatë;
- ata të formuar me prapashtesat -(ë)m, -shëm, -(ët): i mesëm, i shëndetshëm, i hekurt, i ftohtë etj.;
- mbiemrat e formuar nga pjesorja: i shkruar, i zënë, i lodhur;
- disa mbiemra që dalin me -ër : i vjetër, i varfër, i verbër, i shurdhër,

Mbiemra të panyjshëm janë :
- mbiemrat e formuara nga emrat përgjegjës me konversion: tiranas, shkodran, korçar, vlonjat;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -ar, -tar, -ik, -ist, -iv, -or, -tor: bankar, amtar, heroik, feminist, aktiv, verior, baritor;
- mbiemrat e formuar me prapashtesat -(ë)s, -ues, -yes, nga pjesorja ose e tashmja e foljes: djegës, ngjitës, vlerësues, ushqyes, rrëmbyes;
- të gjithë mbiemrat e përbërë: zemërgjerë, zemërgur, tekniko-shkencor, ekonomiko-shoqëror, largpamës, mirëbërës etj.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

FOLJA

Folje quhen fjalët që tregojnë se subjekti vepron ose pëson diçka ose ndodhet në një gjendje të caktuar.

Kur themi motra, macja, e kuptojmë se është fjala për njerëz, kafshë dhe sende, po nuk dimë se çfarë bëjnë ose çfarë ndodh me ta. Por kur themi motra punon, mollët u poqën, macja fle atëherë prej fjalës punon mësojmë se motra po kryen një veprim (punon), prej fjalës u poqën mësojmë se mollët pësuan diçka (u poqën), prej fjalës fle mësojmë se macja ndodhet në një gjendje të caktuar (fle).
Fjalët punon, u poqën, fle janë folje.

FOLJET KALIMTARE DHE JOKALIMTARE,
Kalimtare quhen foljet veprimi i të cilave i kalon një personi ose sendi tjetër, d.m.th. që pranojnë një kundrinor:
Beni çdo ditë lexon gazetën.
Foljet që pranojnë një kundrinor të drejtë janë folje kalimtare të drejta:
Blerta çdo ditë vadit lulet.
Foljet që mund të marrin kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë janë kalimtare të zhdrejta:
Iliri i hipi kalit.
Ndodh që një folje të marrë njëkohësisht një kundrinor të drejtë dhe një kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë, pra të jëtë njëkohësisht folje kalimtare e drejtë dhe e zhdrejtë
Ia dhashë librin Zanës.
Ia afrova Zanës tufën e luleve.

Folje jokalimtare janë ato që nuk pranojnë kundrinor: fle, eci, rri, qëndroj, dal etj.:
Agroni ecte i shqetësuar.
Dje fjeta gjithë ditën.

Disa folje përdoren herë si kalimtare, herë si jokalimtare. për të gjetur se cilit grup i përkasin duhet parë se në ç'kuptim janë përdorur.

FORMAT VEPRORE DHE JOVEPRORE
Foljet kalimtare të drejta kanë dy forma , formën veprore dhe formën joveprore :

Forma veprore: laj, fshij, thaj
Forma joveprore: lahem, fshihem, thahem


Veprore ( laj, fshij, thaj ) janë foljet që tregojnë se subjekti vepron ( laj fytyrën, fshij dhomën, thaj rrobat )
kurse
joveprore foljet që tregojnë se subjekti pëson, d.m.th. i nënshtrohet veprimit të një tjetri (lahem nga dikush) ose tregon se subjekti vepron dhe veprimi i tij kthehet po tek ai ( lahem = laj vetveten ).
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PEREMRI

Përemra quhen fjalët që përdorim në ligjërim në vend të emrave ose mbiemrave:
Në strehën e shtëpisë dallëndyshet vit për vit bëjnë folenë.
Ato fluturojnë me shpejtësi para shtëpisë.
Vjollca i do shumë dallëndyshet.
Ajo kënaqet kur i shikon ato duke fluturuar.

Përemrat janë shtatë llojesh :
- vetorë: unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato;

- vetvetorë: vetja, vetvehtja;

- dëftorë: ky, kjo, këta, këto, i këtillë, e këtillë, të këtilla, i tillë, e tillë, të tillë, të tilla; ai, ajo, ata, ato, i atillë, e atillë të atillë, të atilla;

- pronorë:
Veta I. im, ime, ynë, jonë, e mi, e mia, tanë, tona,
Veta II. yt, jote, juaj, juaj, e tu, e tua, tuaj, tuaja
Veta III. i tij, e tij, i saj, e saj, e tij, e tija, e saj, e saja, i tyre, e tyre, e tyre, e tyre;

- lidhorë: që, i cili, e cila, të cilët, të cilat, çka, ç, çfarë, kush, sa,

- pyetës: kush, cili, cila, cilët, cilat, ç, çfarë, sa, i sati, (me, për, nga) se;

- të pacaktuar: dikush, ndokush, gjithkush, kushdo, askush, kurkush; një, ndonjë, njëri, ndonjëri, asnjë, asnjëri; secili, gjithsecili, cilido, çfarëdo, gjithçka, diçka, ca, disa, të gjithë etj.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

NUMERORI

Numërorë quajmë fjalët që tregojnë numër dhe sasi të caktuar qeniesh ose sendesh:
një, dy, tre, : dy fëmijë tri gra, katër burra, 20 metra

Fjalët që tregojnë radhë si: i parë, i dytë, i dhjetë, të cilat kanë kategoritë gramatikore të mbiemrave, nuk do të trajtohen si numërorë po si mbiemra.

Numërorët përdoren për të treguar :
- datën, vitin:
Me sa jemi sot ? - Me 28 Nëntor.
- një periudhë të caktuar kohe:-
Kur ke qënë në Amerikë ? Nga 1990 deri më 1997 .
- përmasa ose përqindje : 0,5 m, 50 përqind etj.
- notat në shkollë :
Cfarë more sot ? - Dhjetë.
-në domino: katër-treshi, pesë-gjashta.

Kur përdoret me nyjen e përparme "të" numërori ka një kuptim përmbledhës:
Erdhën të dhjetat.

Numërori për të mos përsëritur edhe një herë emrin e dhënë në fjali ose për të mos e zënë në gojë fare, përdoret i emërzuar:
C'të bënin ata tre kundër dhjetëve ?

Numërtori përdoret i emërzuar edhe në veprime atematike:
Pesa te dhjeta hyn dy herë.
Rrënja katrore e nëntës është treshi.

Përdoret në ëmërtimin e viteve:
A anëtar shoqate i nëntëdhjetekatërshit.

Numrat një, dy, tre, emërzohen me anë të prapashtesës -sh : njësh-i, dysh-i, tresh-i.

Numërorët janë :
- fjalë të parme: zero, një, dy, tre, katër etj.;
- fjalë të përngjitura: njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë etj.;
- fjalë të përbëra: tridhjetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë;
- lokucione: tridhjetë e një, pesëdhjetë e katër etj.

Numërorët në përgjithësi nuk e kanë kategorinë gramatikore të gjinisë: katër djem, katër vajza.
Bën përjashtim numërori tre i cili e ka kategorinë e gjinisë: tre djem, tri vajza, por edhe njëzet e tre djem dhe njëzet e tri vajza.
Numërori e ka kategorinë e gjinisë edhe kur ka kuptim përmbledhës:
Sa djem erdhën ? Të dy(të tre).
Sa vajza erdhën ? Të dyja(të trija).
Ky dallim ruhet edhe kur numërori tre/tri përdoret pa emrin përkatës:
Sa djem ishin ? Tre.
Po vajza sa ishin ? Tri.

Numërorët kur tregohen si tregues të emrave, marrin kategorinë gramatikore të rasës:


RASA Numërori Mashkullore Femërore
Emërore dy të dy të dyja
Gjinore i,e, dyve i,e,të dyve i,e, të dyjave
Dhanore dyve të dyve të dyjave
Kallzore dy të dy të dyja
Rrjedhore dyve të dyve të dyjave
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PJESET E PANDRYSHUESHME :

Ndajfolja :

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi:
Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.

Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër:
Detyra ishte tepër e vështirë.
Ata u ngritën shumë herët atë ditë.

Por nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh:
mënyre, vendi, kohe, shkaku, qëllimi, sasie.

NDAJFOLJET E MËNYRËS
Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre:
Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.

Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:
- mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.;
Vjollca flet bukur frëngjisht.

- menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur, etj. Që tregojnë ecurinë e veprimit:
Dritani u ngrit papritur.

- cekët, gjerë, gjtë, thellë, ulët që tregojnë përmasa:
Toka duhet punuar thellë.

- bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht:
Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).

NDAJFOLJET E VENDIT
Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.

Ndajfoljet kryesore të vendit janë:
- afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi:
Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).

- ku, nga:
Ku po shkon ?
Nga je edhe pse ke ardhur ?
Në të vërtetë ku dhe nga janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi:

NDAJFOLJET E KOHËS
Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohe.

Ndajfoljet kryesore të kohës janë :
- dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit:
Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).

- njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar:
Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

NDAJFOLJET E SHKAKUT
Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku.
Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi:
Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët?
Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?
Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

NDAJFOLJET E SASISË
Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie.
Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:
- shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi:
E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë.
Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.

- fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.
Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.

SHKALLËT E NDAJFOLJEVE
Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj.
Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.

- Shkalla pohore
Miri ecën shpejt

- Shkalla Krahasore
e barazisë : Mirri ecën aq shpejt sa Genti.
e sipërisë : Miri ecën më shpejt se Genti.
e ultësisë : Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.

- Shkalla sipërore
Miri ecën shumë shpejt.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PARAFJALA :

Parafjalë janë fjalët e pandryshueshme që qëndrojnë përpara emrave, përemrave, numërorëve dhe ndajfoljeve duke vendosur marrëdhënie vartësie ndërmjet fjalëve :
Punoj me lopatë.
E njoha nga zëri.
U rreshtuan për tre.
Ka ardhur një ftesë për ty.
Beni është i dashur me të gjithë.
E njohin për mirë.

Parafjalët, sipas strukturës morfologjike, janë të thjeshta, të përngjitura dhe shprehje :
- të thjeshta : me, në, nga, afër, brenda, larg, para etj.;
- të përngjitura : nëpër, përmbi, përveç, sipas, etj.;
- shprehje : ballë për ballë, rreth e qark, në kundërshtim me, në lidhje me etj.

Parafjalët sipas lidhjeve sintaksore klasifikohen në :
- parafjalë të rasës emërore: nga, te (tek):
Është nga Tirana.
U rrëzua nga lodhja.
Nga darka do të dukemi.
Është i madh nga trupi.
Shtëpitë u ndërtuan nga vetë banorët.
Në krye doli një nga ish të burgosurit.
Rrinte te pragu i derës dhe vështronte avionët që fluturonin.

- parafjalë të rasës gjinore : me anë, me anën, në sajë, në vend, për arsye, për shkak, etj.:
Me anë të një miku arrita ta kapërcej kufirin.
Ekonomia e vendit mbahet në sajë të kontributit që jep populli.
Ju kemi në vend të prindërve.
Shtëpia mbeti përgjysëm për shkak të largimit të vëllait.

- parafjalë të rasës kallëzore: në, me, pa, për, më, mbi, nën, ndër, etj.:
Erdhi vonë në shtëpi.
U takua me vëllain në Prishtinë.
Nuk rrihet pa punë.
Mira u nis dje për Bruksel.
Më 10 qershor kam ditëlindjen.
Mos u ul mbi divan.
U shkau dheu nën këmbë.
Parisi është një ndër qytetet më të bukura.

- parafjalë të rasës rrjedhore: prej, ndaj, për, etj.
Ishte prej Durrësi.
Ndaj tij u morën masa të rrepta.
E kapi për gryke.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

LIDHEZA :

Lidhëzat janë fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh ose fjali midis tyre:
Kur vdiq Skënderbeu, Sulltani tha: "Tani Evropa dhe Azia janë të mijat! Mjerë Evropa, se i humbi shpata dhe mburoja".

Sipas kuptimit që kanë, lidhëzat janë:

- shtuese: e, dhe, edhe, si edhe, as…as…, a, hem…hem…, si…si…, si… ashtu edhe, jo vetëm… por(edhe), jo vetëm që … por as, le që… por(edhe), jo që…po, jo që… po(r) edhe, jo veç (që)… por edhe, jo vetëm (që)… por, jo vetëm (që)… por as, jo vetëm (që)… por edhe, jo vetëm (që)… porse, le që… por as (që), le që… por edhe;

- kundërshtore: po, por, kurse, megjithatë, megjithkëtë, mirëpo, ndërsa, teksa, porse, veç, veçqë, veçse, vetëm, vetëm se etj.;

- veçuese: a, apo, ose, daç… daç, ja… ja, ndo… ndo, qoftë… qoftë, ose… ose, o… o;

- përmbyllëse: andaj, ndaj, pa, prandaj, domethënë, etj.
- ftilluese: se, që, në, nëse;

- vendore: ku, tek, nga, kudo, ngado, tekdo, deri ku, gjer ku, nga ku, që ku, kudo që, ngado që, kurdoherë që, para se, posa që, që kur, që se, qysh se, sapo që, sa herë (që), sa kohë (që), përpara se;

- shkakore: se, sepse, si, pasi (mbasi), derisa, gjersa, përderisa, kur, që, sapo, meqenëse, meqë, ngaqë, ngase, duke qenë se, nga frika se, nga shkaku që, për arsye se, për shkak se, posa që, sapo që, etj.

- qëllimore: që, me qëllim që, në mënyrë që, me të vetmin qëllim që;

- krahasore: sa, aq sa, se, sesa, se ç`, nga ç`, nga sa.

- mënyrore: si, siç, ashtu si(ç), po(r) si, sikurse, sikundërse, etj.;

- kushtore: në, po, nëse, kur, sikur, në qoftë se, në është se, në rast se, po qe se, me kusht që etj.;

- rrjedhimore: sa, saqë, që, aq sa, kështu që;

- lejore: megjithëse, megjithëqe, ndonëse, sado(që), sido(që), edhe në, edhe në qoftë se, edhe po, edhe pse, edhe sepse, edhe sikur.

Lidhëzat mund të grupohen në dy grupe të mëdha: lidhëza që bashkojnë dy gjymtyrë ose dy pjesë që kanë të njëjtën vlerë në fjali (lidhëza bashkërenditëse) dhe lidhëza që bashkojnë pjesë më vlera të ndryshme, njëra kryesore dhe tjetra e varur (lidhëza nënrenditëse).

Bashkërenditëse janë lidhëzat shtuese, veçuese, kundërshtore, përmbyllëse.

Nënrenditëse janë lidhëzat ftilluese, vendore, kohore, shkakore, qëllimore, krahasore, mënyrore, kushtore, rrjedhimore, lejore
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PASTHIRRMA :

Pasthirrmat janë tingujt ose fjalët e pandryshueshme që shërbejnë për të treguar ndjenjat e folësit ose përdoren për të tërhequr vemendjen e dëgjuesëve:
- O, sa mirë që erdhët! Ishim bërë merak për ju.

Ato janë karakteristike për gjuhën e filur dhe kuptimi i tyre shpesh qartësohet nga intonacioni.
Pasthirrmat grupohen në pasthirrma emocionale, që shprehin ndjenja, dhe në pasthirrma urdhërore, që shprehin dëshirën ose vullnetin e folësit.

Pasthirrma emicionale që shprehin:
- ndjenja të gëzuara: o, oh, oho, hoho, ohoho, të lumtë, urra, ah, sa mirë;

- frikë, tmerr: e zeza, ububu, bobo, korba, kuku, obobo, qyqja;

- habi: au, eu, oj, ou, pa, u, ua, uh;

- mosbesim, mospërfillje, përbuzje: aha, bah, ehe, ahu, i, ohu, ptu, y etj.;

- pakënaqësi, keqardhje, mërzi, dhembje: a, ah, e, eh, of, oi, uf, etj.;

- nxitje (thirrje, urdhër, lutje): ej (hej), o, ore (or, mor, more), moj (ori, mori), pëst, o burra, forca, hop, hë, na, sus, shët, të keqen etj.;

- përshëndetje, mirnjohje, mallkime, sharje, ngushëllime etj: faleminderit, lamtumirë, mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, mirë se erdhe, mirë se vjen, mirë mbeç, ditën e mirë, natën e mirë, tungjatjeta, udha e mbarë etj.

Pasthirrmat vendosen zakonisht në fillim të fjalisë, por shpesh përdoren edhe në mes edhe në fund të saj. Pas tyre vihet presje. Kur shqiptohet me fuqi të veçantë pas tyre vihet pikëçuditje:
Oh, ç'na gëzove.
Ua! Paske ardhur!
A! - thirri e habitur.

ONOMATOPETË
Janë fjalë që shërbejnë për të riprodhuar tingujt, zërat, zhurmat, britmat. Në dallim nga pasthirrmat ato nuk shërbejnë për të shprehur ndjenja:
Ha, ha, ha qeshte Linda.
Mjau, mjau bënte macja.
Ato mund të përfshihen edhe tek pasthirrmat, po gjithsesi dallohen prej tyre.
[ qenpo ]
Posts: 1171
Joined: Mon Nov 13, 2006 7:02 pm

Post by [ qenpo ] »

PJESEZA :

Pjesëzat janë fjalë që plotësojnë kuptimin e një fjalie.
Pjesëzat, sipas kuptimit, mund të grupohen si vijon:

- dëftuese: ja:
Ja kush erdhi…

- përcaktuese - saktësuese: mu, pikërisht, tamam, porsa, sapo, deri etj.:
Pikërisht ai më ka paditur.

- përforcuese: vetëm, veç, bile, sidomos, veçanërisht, madje etj.;
Të gjithë flasin mirë frëngjisht, sidomos Mira.

- përafruese - veçuese ose kufizuese: vetëm, veç, veçanërisht:
Vetëm të rinjtë punonin.

- përafruese: afërsisht, afro, aty-aty, nja, gati, rreth, pothuaj etj:
Në stadium ishin rreth 10.000 vetë.

- pohuese: po, posi, po që po, po se po, si urdhëron etj:
A do të shkosh në Prishtinë? Posi.

- mohuese: jo, nuk, s', mos, jo që jo, as që etj.;
Nuk e kam takuar.

- pyetëse: a, ë, e:
A erdhi motra nga Vlora?

- dyshuese: ndoshta, mbase, kushedi, sikur, vallë, gjë etj.:
Përse erdhi vallë?
E keni takuar gjë Mirën?

- zbutëse: pa, as, le, para, dot etj.:
Pa shihni kush na ka ardhur.
A nuk e shihni se kush na ka ardhur.

- emocionale shprehëse: ç`, de, pa, pra, se, seç, etj.:
Ja pra kështu ndodhi.
E pse pa, për një fjalë goje u zumë.

Pjesëzat janë dy llojesh: me vend të ngulitur ose me vend të lirë.
Të parat qëndrojnë gjithmonë para apo pas fjalës ose grupit emëror a foljor të dhënë:
- para: nuk, ja, desh, sapo etj.;
- pas: de, dot etj.

Pjesëzat me vend të lirë mund të vendosen në fillim, në mes dhe në fund të fjalës:
Vallë, kush erdhi?
Kush erdhi vallë?
Kush të jetë, vallë, ky që erdhi?
qendrimos
Posts: 6800
Joined: Thu Nov 11, 2004 9:03 pm
Location: Prishtinë

Post by qendrimos »

ta tthejjj tu bo debat vetmeveti
drumstar
Posts: 332
Joined: Fri Sep 09, 2005 6:24 pm

Post by drumstar »

[*]
Last edited by drumstar on Mon Nov 03, 2014 2:39 pm, edited 1 time in total.
User avatar
BurnOut
Posts: 7755
Joined: Thu Nov 25, 2004 8:18 pm
Location: 038

Post by BurnOut »

nkas t10 je qenpo a
User avatar
jacksparrow
Posts: 3617
Joined: Sat Apr 08, 2006 11:58 pm
Location: Ashburton Grove

Post by jacksparrow »

qendrimos wrote:ta tthejjj tu bo debat vetmeveti


ahahahahha

a po t shtohen postimet hiq qenpo.....???
Post Reply