Kritikë

Diskutoni per letersi, tregoni poezi, diskutoni ato...

Moderator: AciDiuS

Post Reply
User avatar
Mondvalsen Junior
Posts: 987
Joined: Sat Jan 17, 2009 11:43 pm
Location: Anfield Road

Kritikë

Post by Mondvalsen Junior »

I Humburi – Fatos Kongoli


… një mëngjes, ndryshe nga të tjerët, një tentativë e fundit për t’shpëtuar nga ai qytet, nga ajo jetë që e kishte përplasur gjithmonë me fatin e pa fat, një mëngjes, që nis me një guxim për ndryshime, por që si herë të tjera përfundon në të njëjtën mënyrë, duke e rikthyer në rutinen e mërzitshme …

Kështu nisin rreshtat e parë të romanit “I Humburi” të Fatos Kongolit, që u shkrua në fillim të 90tave. Një histori që në start na paraqet personazhin tonë, i hipur në një vapor, mes mëdyshjes për ta lënë “qytetëzën” dhe për t’kërkuar një fat të dytë, diku përtej detit, apo rikthimin e tij në po këtë “qytëtëz”, që i mori gjithçka që kishte. Kujtimi për ata njerëz që pa në atë anije, për mikun e tij Dorian-in dhe frika se mos dikush ka vëzhguar këtë histori, e kthejnë Thesar Lumin në apartamentin e tij.

Tregimi vazhdon për një ditë të nesërme, rutina e tij e pijes, përshkrimi i qytetëzës plot pluhur nga fabrika e famshe e çimentos, që dikur ishte dhe pjesë e saj, meditimet, mëdyshjet, ajo fytyrë e mrrolur, për t’kaluar te fraza si kjo:

“ Bota vjen në ekuilibër, arsyetimi kthjellohet. Në shpirt ngadhnjen drejtësia, ndjenja e drejtësisë … pikërisht atëherë mu mbush mendja të shkoja tek varrezat”.

Në varreza takon Xhodën e Marrë.

Në pjesën vijuese të romanit, vazhdon tregimi i kthyer prapa në kohë, 30 vjetë më parë, atëherë kur Thesar Lumi vijonte mësimet në shkollën fillore, përballja me Fagun, Xhodën, dashuria për Vilmën, pasqyrimi i një realiteti të hidhur social, absurd në kuptimin që vepronte pushteti, duke eliminuar “tradhtarët e shtetit”, në të cilin grupim hynte daja i Thesar Lumit, që ishte në arrati, ndodhi kjo që do të vendos më vonë, ecurinë e vet tregimit dhe jetës së personazhit.


Historia vazhdon me udhëtimin në Tiranë, ku vendoset për të jetuar, që të ndjek shkollimin Universitar. Shoqërimi me Ladin, që nisi nga një shoqërim i rastit, për t’kaluar më vonë në shkakun kryesor që çon përpara tregimin dhe ndodhitë. Duke nisur nga rreshtat e parë të këtij romani, për të vazhduar deri te fjalia e fundit, një tjetër përsonazh Sonja dhe afera e saj me Thesar Lumin, zë një nga temat më të rëndësishme dhe që përcakton edhe syzheun e këtij rrëfimi.



“Bota kish humbur ngjyrë. Isha i pafuqishëm të rrezistoja. Do të merrja arratinë, të mbyllesha në ndonjë shpellë”

Kjo qe fjalia nga më rrënqethëset në këtë roman, pasoj e ndikimit të pushtetit, që edhe njëherë tregohet i pamëshirshëm, duke detyruar Thesar Lumin t’i jap fund aferës së tij me Sonian. Rivaliteti i padashur me hetuesin A. P, që i kishte vënë syrin Sonias, prangosja e babait të Ladit, ishin ngjarjet që shkaktuan përplasjen e parë të madhe të personazhit tonë, me realitetin që po bëhej gjithmonë e më pak i mëshirshëm.

Ai detyrohet që të rikthehet në qytetëzën e tij, ku zë punë në fabrikën çimentos e famshme për pluhurin që prodhonte. Miqësia me Dorin, bën që Thesar Lumi, të punësohet në laborator, ku edhe takon Vilmën, dashurinë e tij të fëmijërisë. Historia e nisur në fëmijëri, do të vazhdojë edhe brenda murit të atij laboratori të errët, siç do të vazhdojë edhe përballja e tij me Fagun dhe vetë Xhodan e marrë.

Deri sa rutina e tij vazhdonte, me mëngjeset e mbrëmjet plot alkool, me rreziqet që i kanoseshin nga takimet e fshehta me Vilmën, në shtëpinë e zonjës Lulu, Thesar Lumi merr lajmin, për pushkatimin e babait të Ladit dhe vetëvrasjen e ketij të fundit, lajmin për internimin e Sonias në fshatin K.
Përleshja me Fagun, shoqërimi në komisariat. Vizita e papritur e hetuesit A.P, që i bën një propozim, spinunimin për shpëtimin e Sonias, janë motive të tjera që vazhdojnë rrëfimin.

Si asnjëherë më parë gjatë këtij romani, Thesar Lumi, përfshihet nga nje ndjenjë e rëndë pesimizmi, nga dëshira për t’i dhënë fund jetës së tij në njërën anë dhe mungesa e guximit në anën tjëter, duke prodhuar fraza si kjo :

“ Tek largohesha … ndjeja se arsyeja më bindëse që më bënte të vazhdoja të qëndroja në jetë, ishtë pamundësia për t’u larguar prej saj”

Një pjesën tjetër të tregimit, Lumin e gjejmë në një fermë, duke punuar, pasi më parë pranoi thirrjen që i bëri shteti. Gjatë qëndrimit të tij në fermë, merr lajmin për vdekjen e Vilmës. Arratiset, kthehet në qytetëz, kupton që ajo i kishte marrë jetën vetës, e shtyrë nga dëshprimi dhe vuajtjet nga dhunimi i Fagut.
Përcjellë varrimin nga larg. Persiatjet vazhdojnë të jenë të vetmet shoqëruse të tija në jetë.

Në pjesën e fundit, tregimi rikthehet në vijën e fillimit, duke e vazhduar nismën narrative, ndryshe nga ndodhitë retrospektive. Thesar Lumi, i vetëm i bën një vizitë varrit të Vilmës. Aty takon Xhodan e marrë. Gjithë historia përfundon me një fjali si kjo :


“Por qenka e thënë t’i shtyjmë ditët bashkë. Si mallkim i njëri tjetrit, derisa të mos jemi as unë i humburi, as ti, i çmenduri. As Sytë e Bardhë”


Thesar Lumi, përballë vetvetës te “I Humburi”


Një dashuri fëmijërore për Vilman, për ta sprovuar më vonë Thesar Lumin, tundja dhe marrosja pas Sonjan, janë motivet kryesore që drejtojnë ecurinë e ndodhive në romanin “I Humburi”.

Një qytetëz, ku çdo gjë që bëhet, i takon të gjithve, mbetët strehimi i vetëm për Lumin, edhe atëherë kur për po këtë vend, nuk kishte asgjë më shumë, pos kujtimeve trishtuese.

Persiatje mendimesh, janë pjesë e pandashme e protagonistit në këtë roman. Ndonëse kalon kohë të shumtë, duke hamendësuar për ato që i kishin ndodhur, Thesar Lumi, jo vetëm që nuk arrinë të ndryshoj asgjë nga përditshmëria e tij, por më e keqja, një gjë të tillë nuk e provon fare.
Romani është i mbushur me përshkrimin e ndodhive në detaje, duke zgjedhur disa nga këto, për të qenë vendimtaret në ecurinë e rrëfimit. Historia nis, në tentativën e fundit për të lënë qytetëzën e tij, pamundësinë për këtë dhe rikthimi në apartament. Vazhdon më vitizitën në varrin e Vilmës.

Rrëfimi risjell kujtimet për 30 vjetët e mëparshëm të Thesar Lumit, ecjen në kohë, për të arritur sërish në fund të romanit, në kohën që edhe nisi këtë roman, vizita në varreza.





I Huaji – Albert Kamy


I shkruar në fund të viteve të 30 ta, romani “I Huaji” është një nga veprat më të njohura në letërsinë botërore, madje edhe një ndër më të vlerësuarat, përfshirë këtu edhe një çmim Nobel, që ky autor mori për këtë vepër.

Personazhi kryesor i kësaj vepre Merso, në fillim të këtij romani, kupton lajmin e vdekjes së nënës së tij, të cilën shumë vite më parë e kishte dërguar në një azil pleqësh.
Përzirje emocionesh, një shikim i akullt dhe mendje e tretur, janë disa nga fjalët, me të cilat mund të përshkruhej, qëndrimi i Mersos gjatë varrimit, së nënës së tij.

Duke qëndruar për një natë të tërë në një dhomë, me të moshuar të tjerë dhe pak më tej edhe më trupin e pajetë të nënës, personazhi ynë refuzon ta shoh atë, qoftë për herën e fundit, duke zgjuar kështu komentet e të tjerëve.

I pa interesuar për atë se çfare ndodhte dhe cfarë mund të thuhej për të, Merso në dhomën ku ishte, vazhdon abstrahimin ndaj ndodhive që ecnin, pi cigare, kafe, fle në gjum dhe nuk e fletë asnjë fjalë të vetme, qoftë për t’pyetur për ditët e fundit të nënës së tij, në atë institucion.

Një natë mendimesh, pak kujtime të kthyera në kohë dhe gjithmonë një qëndrim i pakuptimtë, do të kalojë, për të vazhduar ditën e nesërme, në ceremoninë mortore.


Duke vazhduar me sjelljen e tij të nje nateje të mëparshme, Merso përcjellë nënën e tij për në banesën e fundit, një veprim ky, i shtyrë nga një domosdo e rastit sesa ndonjë emocion ekzistues brenda unit të tij. Derisa të tjerët, rrugës për te varri dhe gjatë ceremonisë, vazhdonin të sillnin kujtime për të ndjerën, duke tentuar shumë herë t’ia thoshin edhe vetë Mersos, ky i fundit, i pandarë nga ajo indiferencë dhe shikim i akulltë, të vetmin problem dhe përkushtim, kishte evitimin e diellit, i cili atë ditë siduket rrezatonte edhe më, rrezatim ky që do të bëhet vendimtarë, në ecurinë e historisë së Mersos.

I shtendosur për një obligim që kreu dhe me ndjenja të përziera për jetën e tij se çfarë kahje do të merrte, Merso rikthehet në apartamentin e tij. Kalojnë disa orë vetmie, për të vazhduar njohja e tij me Marian dhe vizita që i bëjnë kinemasë. Në këtë pjesë të historisë, kemi një tjetër motiv letrar, për të shtuar akoma më shumë, përshtypjen tonë, për një karakter të çuditshëm, ai i Mersos.

Miqësia me Rajmondin, fqiun e tij, është një tjetër përbërës narracioni. Madje për të çuar syzheun deri në kulminacion dhe personazhin në kryerjen e aktit vrasës, kjo miqësi dhe ftesa që bën fqiu, për pushime në plazh, merren si motivet kryesore.

Mjaftojnë tri përballje me ngacmuesit “arabë”, për ta çuar deri në fund krimin e pa menduar dhe të bërë me gjakëftohtësi. Rajmondi, i kishte dërguar Merson dhe Marian, te shtëpia e Masonit. Ky i fundit nga një konflikt i parë me arabët në plazhë, pëson lëndim, duke marrë plagë nga një thikë e drejtuar nga arapi. Konflikti i dytë, përpos Rajmondit, Masonit përfshinë edhe Merson, i cili dy të parëve u merr revolën, për të shpëtuar nga një tragjeti më e madhe, tragjedi për të cilen vet ky bartë barrën e kryerjes dhe përballjes.


Konflikti i tretë me arabët, nuk merr shumë kohë, për ta çuar merson në kryerjen e krimit. Më shumë se një e qëlluar dëgjohet.
Më shumë se kurrë atë ditë Mersoja, e kishte humbur mendjen dhe më shumë se kurrë atë ditë rrëzonte dielli, për të rënë mbi kokën e tij dhe për t’u quajtur më vonë, motiv kryesor në kryerjen e krimit.






I ndarë në dy pjesë, romani vazhdon në etapën e dytë të zvillimit të ngjarjeve, pas kryerjes së krimit. Më shumë se çdo veprim i mundshëm dhe justifikim për vrasje, hetuesit të cilëve u dorëzohet Mersoja, u bën përshtypje dhe nuk arrijnë të kuptojnë, motivin që vet personazhi ynë jep, si shkaku kryesor që e kishte çuar atë drejt vrasjes së arabit. Eshtë dielli, faktor kryesor për krimin e bërë, është dielli ai që ka shtyrë çdo veprim të pamenduar të Mersos dhe është dielli ai që dikur e kishte penguar në të njejtën mënyrë si tani, në varrimin e nënës së tij.


Pjesa e dytë e romanit e tëra zhvillohet mbi jetën ne burg të Mersos dhe pritjen e gjykimin përfundimtar të tij. Biseda monotone me avokatin, gjykatësin dhe meditime të pafundme pa një shpjegim të vetëm, janë pjesë që mbushin shumë rreshta të tregimit në fjalë.

Vizitat e Marias në çeli, i dhanë një kuptim tjetër për dashurinë e menduar. Derisa më herët atë e shihte si kalimtare në jetën e tij që doemos do përfundonte në një drejtim të kundërt me të, tashmë e mendonte një martesë, një bashkim për shumë kohë, mjafton që të dilte nga ai burg.


Edhe në burg Mersoja, vazhdon të rrëfej motivin e njëjtë, që e shtyu atë të kryente vrasjen. Dielli, i shpjeguar në disa forma për ndikimin që kishte te personazhi ynë, dielli fajësohej nga ai, për gjendjen e tanishme. Më vonë sqaron vetë merso se dikur rrezatimet e diellit shkaktonin nervozizëm dhe një gjendje konfuze te ai, ndërkohë tani, prapa grilave, ai e mendonte atë me një përshtypje tjetër, shumë pozitive, ndoshta pse nuk e shihte, ndoshta pse i mungonte.


Gjykimi i tij, zhvillohet më tepër i bazuar në formësimin si karakter, ftohja që ai kishte në raport me nënën e tij dhe veçmas sjelljet e pakuptimta gjatë varrimit.
Pengesa e vënë nga dielli që ia bllokoi mendjen dhe vrasja e një njeriu, nuk mjaftoi që të bind trupin gjykues për një pafajësi dhe lirim të Mersos. Për më tepër, ky motiv aqë domethënës dhe vendimtar për të, dukej absurd përballë drejtësisë.


Mersoja do të ketë një fund tragjik, duke u dënuar me vdekje.








Merso në retrospektivë


Stili meditativ, sqarues por jo edhe shpjegues, ne romani “I Huaji” është i pranishëm nga rreshtat e parë, deri në krye të këtij tregimi. Kamy, arrinë që në mënyrë të përsosur, të vendos ngjarjet njëra pas tjetrës, të nxisë motivet e shumta për të ngjallur kurreshtje te lexuesit. Në një linjë tjetër zhvillimi i historisë është edhe prania e mistereve, brendapërbrenda personazhit kryesor dhe në raport me të tjerët. Dielli si një nga motivet, me të cilat është elaboruar historia, që në fillim, për ta drejtuar në një fund tragjik, është një nga elementet kryesore të këtij romani.

Ngjarja bëhet akoma më interesante, kur në vend të arsyetimeve që do duhej t’i bënte personazhi, mbi veprimet e tija, atë në faktë e shoqëron një heshtje, një indiferencë dhe injorim ndaj rrethit dhe për rrethin. E veçanta e kësaj vepreje, është edhe stili i të shkruarit, përveç zgjedhjes së temës dhe motiveve. E shkruar në trajtë rrëfimi, në të shumtën e kohës në vetën e parë, romanin “I Huaji” e përshkron një stil i lartë artistik, nga njëra anë dhe i thjeshtë në teknikën narrative, nga ana tjetër.




Të veçantat dhe të përbashkëtat



I Huaji // I Humburi Albert Kamy // Fatos Kongoli



Ballafaqimi i këtyre dy veprave njëra përballë tjetrës, për të nxjerrë të veçantat dhe të përbashkëtat, është një punë jo pak e lehtë, duke pas konsideratë vlerën artistike të dy romaneve, njëra e shpërblyer me çmim Nobel dhe tjetra nga më të vlerësuarat në Letërsinë Shqipare.

Megjithatë, për atë që është përballur me të dy tekstet, është i pashmangshëm mendimi për prezencën e disa motiveve të përbashkëta, duke nisur nga karakteri dhe personaliteti i personazheve kryesor, tragjikja e pashmangshme, rrëfimi i drejtuar pothuajse i tëri në linjën meditative, në vetën e parë, duke i lënë hapësirë vet personazheve që të vendosin ecurin e historisë.

Në asnjë rresht të dy tregimeve, nuk hasim një gjendje lumturie të plotë, qoftë për një kohë të shkurtër të personazheve, duke i dhënë rrëfimit, ngjyra zymtësie, duke arsyëtuar fatin tragjik, si diçka që nuk mund të evitohet. Kjo veçmas është e pranishme te romani “I Humburi”.


Elementi i qujtur “Diell”, është i pranishëm që në fillim te romanit “I Huaji”. Pjesëmarrja në varrimin e nënës së tij për Merson, ishte një ankth i vërtetë.
Dielli vazhdonte rrëzatimin, për t’i ngjallur atij një seri emocionesh, që nuk arrinin të gjenin një përshkrim apo arsyetim të vetëm, madje as nga vet personazhi.

Dielli që në shumë histori tregimesh, përdoret si motiv pozitiv, në rastin e Mersos ngjallte mendime që shpreheshin me fraza si :

“po ai vezullim i kuq”, “shkëlqimi i diellit qe i padurueshëm”, “dielli dukej pa jetë dhe kapitës” ,

dhe që në të vërtetë merret si motiv shtytës për kryerjen e krimit.


Ky diell, që i bie në kokë Mersos pamëshirshëm gjatë gjithë historisë në këtë roman, në fund të tregimit na del me një tjetër kuptim. Madje armiqësia e nisur shumë kohë më parë me diellin dhe vetë jetën, në fund të tregimit Mersos i duket ndryshe. Ai na jep një tjetër anë të tij, që deri në fund nuk ishte zbuluar, shpresa dhe mendimi për të bukurën në jetë. Këto Merso i konkretizon, duke thënë se diellim mund edhe të mos ishte aq armiqësor sa e shihja, mund edhe t’i kisha kontrolluar emocionet që ngjallte rrezatimi i tij dhe mbi të gjitha, jeta mund të ishte më e këndshme ...


Në romanin “I Humburi”, ndër motivet e para që shfaqet në tregim, është pluhuri që ka mbuluar prej vitesh qytetëzën, duke i dhënë po ky pluhur një drejtim jetës në të dhe veçmas vet Thesar Lumit. Fabrika e famshme e çimentos ishte shkaktar i ketij pluhuri dhe pluhuri shkaktar i shumë mendimeve të errëta që bluante në kokë Lumi.

Pasioni për Vilmën dhe më pas obsesioni për Sonian, janë dy elemente të tjera që i japin kuptim këtij romani.
Ndryshe nga romani “I Huaji”, dashuria e personazhit kryesor, në këtë rast Thesar Lumit, ndaj dy dashurive jetësore është më e zjarrtë nga ajo e Mersos me Marian. Ky dallim zbehet, në rreshtat pasues, ku asnjeri nga të dy, nuk bënë asgjë për t’i jetësuar edhe më këto dashuri.

Merso përballet me ditën e pushkatimit, kur edhe e mendon një martesë të mundshme me Marian.

Thesar Lumit, do t’i duhet vetvrasja e Vilmës, për ta kuptuar që ajo mund edhe ta kishte bërë të lumtur.





Asnjë nga veprimet kulminante për jetën e personazheve në të dyja romanet, nuk ndodhë i planifikuar që herët. Madje as krimi i Mersos dhe as persiatjet e Thesar Lumit. Pavendosshmëria për ta drejtuar jetën e tyre, pesimizmi në çdo gjë që shohin, pija si mjeti i vetëm ngushëllimi, pësimet nga mosangazhimi i tyre, ndikimi i pushtetit, rrethit, janë elementë të tjerë përbërës të këtyre dy romaneve.

Thesar Lumit nuk i mjaftoi propozimi i hetuesit A.P. për të shpëtuar nga mjerimi Sonjën, e internuar në fshatin K. Duke na dhënë edhe një tjetër moment dobësie, ai largohet nga Lidhja e Shkrimtarëve pa e takuar hetuesin dhe duke i lënë kështu ndodhitë në mëshirë të pa mëshirtë.
Merso nga ana tjetër, duke mohuar të sqaroj në detaje krimin e kryer dhe motivet për të, i lë në dorë të tjerëve të vendosin për hipotezime, duke e marrë më vonë dënimin maksimal për këtë krim.

Merso dhe Thesar Lumi, nisin tregimin e tyre, në të njëjtin vend, në varreza. Njëri për të përcjellë nënën e tij dhe tjetri per të rikujtuar një dashuri që kurrë se jetoi.


Për dallim nga fundi tragjik i Mersos, Thesar Lumi mbetët i gjallë, por i shkatërruar.

Të parin mendimet për jetën se ka mund të ishte më e mire dhe se dielli do të mund të ishte në anën e tij, në vend të armikut që e kishte shndërruar, e drejtojnë në fund të historisë.
Për të dytin fraza si : “t’i shtyejmë ditët bashkë… derisa t’mos jemi as unë, i humburi, as ti, i çmenduri. As Sytë e bardhë”, paraqet një gjendje të thyer emocionale. Ai dikur, nuk kishte forcë të zgjedhte Sonian apo Vilmën për të shtyrë jetën e tij dhe tani i lënë në harresë të vetvetës, vendos vetën e tij në një linjë, me Xhodën e marrë dhe me hetuesin e pamëshirshëm A.P.


Në romanin “I Huaji”, Albert Kamy, arrinë në mënyrë të përsosur të lidhë ecurinë e ngjarjeve dhe shpjegimin e karakterit të tij, Mersos. Ai ndonëse shpalosi në rreshta historinë e tij, Merso mbeti i “Huaj”, për lexuesin dhe për vetë autorin.


Thesar Lumin, derisa në periudha të ndryshme të tregimit, Fatos Kongoli e vendos në mesin e shumë njerëzve, me të cilët ai do të mund ta vazhdonte jetën e tij, nuk arriti ta largoj nga ajo vetmi e thellë që kishte. Ai edhe pas gjithë atij tregimi, mbeti “i humbur” brendapërbrenda vetës së tij dhe për rrethin e lexuesin në rend të dytë.
User avatar
Mondvalsen Junior
Posts: 987
Joined: Sat Jan 17, 2009 11:43 pm
Location: Anfield Road

Re: Kritikë

Post by Mondvalsen Junior »

TREGTARI I SKELETËVE

Kasëm Trebeshina është nga intelektualët e parë që e kundërshtoi hapur vënien e letërsisë në shërbim të ideologjisë, të klasës në pushtet. Është shkrimtar DISIDENT. Për këtë ai mori si shpërblim persekutimin e tij fizik për vite me radhë si dhe ndalimin e plotë të veprave të tij.
Krijimtaria e Trebeshine prezantohet me një unitet të brendshëm nga vepra në vepër, çka e përcakton edhe origjinalitetin e spikatur të tyre. Ky unitet shfaqet në ligjërimin modern me stil gati surrealist në këmbimin e dendur të kohëve e të ngjarjeve, në mitizimin e pseudovlerave ideologjike të shoqërive totalitare dhe në afrimin e vlerave më të thella njerëzore. Kasëm Trebeshina është nga ata shkrimtarë që e zhbiron dhe e interpreton jetën në sinkroni (bashkëkohësi) dhe sinkroni (tejkohësi) të saj, me prirje të theksuar përsiatjeje filozofike, brenda ligjësive të artit.
“Tregtari i skeletëve” është roman që është shkruar në Burg-Ballsh në periudhën dhjetor 1982 – shkurt 1983, është shkruar pjesa e parë; kurse pjesa e dytë “Dredhia dhe besa e djallit” është shkruar në Burg-Zejmen-Lezhë, në vitin 1986. Në vitin 2006 e botoi të kompletuar shtëpia botuese “Buzuku” Prishtinë dhe e nderoi me çmimin e parë si romani më i mirë. Ky roman hyn në radhën e ciklit të shkrimeve për Oderrasin, ku ka romane dhe tregime te ndryshme, si p.sh romani “Një natë në Oderras” apo tregimet “Te shtat arrat”.
“Tregtari i skeletëve” është i ndarë në dy pjesë, pjesa e parë quhet “Tregtari i skeletëve” dhe ka pesë kapituj; kurse pjesa e dytë quhet “Dredhia dhe besa e djallit” dhe ka njëzetë kapituj.
Në qendër të pjesës së parë është personazhi Asmut Rraketakja, kurse në pjesën e dyte Dilon Shuplov. Të dy janë shkronjëtarë, siç i quan autori, meteoritian të cilit janë në shërbim të Më të Mbretëritshmit Mbretërisht Mbret Lolonit. Të dy pjesët mund të qëndrojnë në vete si të ndara nga njëra tjetra , e para na del tani një roman kurse e dyta na del si tregime të përmbledhura. Këto i bashkon vendi i ngjarjes që është Oderrasi dhe personazhet kryesorë.
Argumentet që jep autori në fillim të çdo kapitulli apo nëntitujt e kapitujve përbëjnë një veçori të stilit në organizimin e strukturës së romaneve të Trebeshinës, e cila është në harmoni me mënyrën e rrëfimit dhe shërben për të prezantuar figurativisht përmbajtjen. Këtë veçori e kemi parë edhe te autorë të tjerë, si Servantesi në letërsinë botërore ose në letërsinë tonë do të shohim më tej te Jakov Xoxa.
Narracioni apo rrëfimi është i përzier në këtë vepër. Atë e shohim në vetën e tretë, në vetën e parë dhe në vetën e dytë kur na paraqitet dialogu. Duke qenë i hapur deri në fund Trebeshina në rrëfimin romanesk e ndërron pozicionin e tij të rrëfimtarit. Për të qenë sa më objektiv dhe për të krijuar iluzionin e reales, narratori del në vetën e tretë. Ndërsa për të marr pjesë në vepër dhe për të afruar rrëfimin e tij me rrëfimin subjektiv, rrëfimtari del në vetën e parë. kështu zhvillimi i ngjarjes zhvillohet në dy nivele vetore. Kur na del rrëfimtari ne vetën e parë, ai i drejtohet lexuesit me pyetje të ndryshme dhe shumë herë brenda këtij teksti, ja një shembull:” Më tregoni ju, o njerëz të drejtë, kur është parë ndonjëherë që sy shkronjëtarë mbretëror meteoritian, në udhëtimin e tyre përmes vendit të tyre mbretëror meteoritian, të mos e kenë ditur me saktësi vendin ku ata ndodheshin?!” Kjo huti e personazheve kur ata largohen nga Petullasi më kujton romanin e po këtij autori “Odin Mondvalsen” ku atij i ngatërrohet vendi i tij, prejardhja e tij.
Të dy personazhet gati kanë një status të barabartë në roman. Dhe kjo e bën që fabula në roman të mos zhvillohet njëtrajtshëm, sepse përshtatja në ambientin e njërit personazh apo tjetrit ndërpritet. Shfaqjen e hijeve e kemi te të dy personazhet, por te Asmut Rraketakja në pjesën e pare kurse të Dilon Shuplov në pjesën e dytë. Të dy hijet shfaqen në formën e njerëzve, njëri na paraqitet si Djalli njëri si ushtar i vdekur. Të dy protagonistët pranojnë që të bëjnë udhëtim, njëri me ushtarin e vdekur kurse tjetri me Djallin. Protagonistët para se të vendosin për t’iu bashkangjitur udhëtimit tata janë në dyshime për shkak të bashkudhëtarit të tyre.
Të dy pjesët kanë misionet e tyre politike. Në pjesën e parë është intelektuali klasor Asmut Rraketakja që niset në misionin politik për të mbledhur skeletët, të cilët do të dëshmonin përmasën e fitores. Sepse ”Mbretit tonë Mbretëror Lolonit i ka ardhur nevoja e madhe për skeletë!.. Dhe ti, si shkronjëtari më i madh dhe më i rëndësishëm që Mbretëria ka pasur dhe ka gjer këtë ditë, je i detyruar që t’i gjesh ata dhe në rastrin më të keq, do të jesh i detyruar që t’i blesh ata” Ai bredh nga despotati në despotat apo nga krahina në krahinë në kërkim të eshtrave, numri i saktë i të cilave është i lëvizshëm herë 1076 herë 1077 e herën tjetër thonë se del në një mbledhje të mbajtur 1707. Hija e skeletit i a jep Rraketakes listën me shifrën 1077. Dhe pikërisht këtë dilemë duhet ta zgjidh artisti-personazh. Dilemën e zgjidh ai duke plotësuar numrin e skeletëve, qoftë edhe në imagjinatën e tij.
Protagonistët e këtij romani janë ata shkronjëtarë që pajtohen me faktin që letërsia të jetë në shërbim të ideologjisë, pra politika ta udhëheq letërsinë të bëjë artet poetike. “ Shumë nëpunës meteoritianë paguhen nga Më i Mbretërishmi Mbretërisht Mbret Loloni për të ndihmuar punëtorët dhe për të ndrequr romanet tona. Këtu na paraqitet ajo koha e censurimit të letërsisë. Ata bënin çmos vetëm e vetëm te shpëtonin kokën e tyre, ata përkuleshin para mbretit të tyre. Kjo ngjarje apo kjo ndodhi të kujton Shqipërinë nën diktaturën e Enver Hoxhës. Sikurse Enver Hoxha që i vriste njerëzit e afërm ashtu edhe mbret Loloni i vriste ata që e ngritshin kokën që donim më shumë diçka, shkronjëtarët që nuk pajtoheshin me ideologjinë e Lolonit persekutoheshin e internoheshin në vende të ndryshme. Pra me një fjalë Trebeshina në këtë roman paraqet jetën nënshtrimit të dy protagonistëve të tij ë kryesisht të kryeprotagonistit Asmut Rraketakes qe mua më kujton pozitën e shkrimtarit Ismail Kadare në periudhën e komunizmit në Shqipëri. Tregohet se z. Rraketake është i të njëjtit qytet më me Mbret Lolonin (Kadare - E. Hoxha, Gjirokastër)
Trebeshina këtu i përmend librat e ndryshëm të Kadaresë sikurse romanin “Daullet e shiut” apo romanin që është fund e krye me ideologji komuniste “Dimri i madh”. Ai këtë i përmend romanet e Kadaresë me një ngjyrë ironizuese dhe çvlerësimi, por jo në mënyrë të drejtpërdrejt, por në mënyrë alegorike. I gjithë romani mund të lexohet si një alegori për jetën nën trysnin komuniste, nënshtrimin e shkrimtarëve dhe vrasje të shumta që na paraqiten, por jo në mënyrë të drejtpërdrejt, por vetëm kur të del narratori në vetën e parë na tregon për historinë e mbretit dhe persekutimet e tij që bën ai për të ardhur në pushtet.
Përmes alegorisë na paraqiten edhe ideatorët e marksizmit Marksi e Engelsi(Më i Mbretërishmi Mbretërisht Mbret Loloni u kushtoi vëmendje të veçantë Profetëve Mjekroshë dhe Librave të tyre te Shenjta) dhe Rusia. Pra i gjithë ky roman si pike referimi ka gjendjen e Shqipërisë në periudhën komuniste dhe gjatë periudhës kur prishen marrëdhëniet me Shqipëri – Rusi (Oderrasi – Kotvani, Loloni – Budurri).
Për ta freskuar romanin Trebeshina apo për t’i dhënë një erë më të mirë atë e ngjyros me nota dashuria. Bartës të këtyre dashurive janë të dy protagonistët Rraketakja dhe Shuplovi. Kjo ndodh në pjesën e katërt (Mrekullit e Lulasit) të pjesës së parë, kur takohen protagonistët me vajzat ushtare me mustaqe misri si dhe te takimi me Hasude Cullaken. Dashuria e saj me Asmut Rraketaken tek drurët e shtogjeve.
Trebeshina ashiqare i përket shkollës kuteliane të rrëfimit, kjo gjë shihet shumë çart. Ne çdo kapitull thuajse narratori i drejtohet lexuesit dhe bashkëbiseduesit të tij, ku i kërkon që të vazhdojë me tregimin e historisë meteoritiane siç mendoj unë apo siç mendojnë të tjerët shkronjëtarë meteoritian. Pra ai thotë se po rrëfej diçka të dëgjuar nga dikush tjetër sikurse Kuteli që në çdo vepër thotë se po e rrëfej një ndodhi të treguar nga pleqtë apo nga dikush tjetër. Këtu unë e shoh rrëfimin kutelian, pra te ky roman i Trebeshinës si edhe në romanet e tjera të tij.
User avatar
Mondvalsen Junior
Posts: 987
Joined: Sat Jan 17, 2009 11:43 pm
Location: Anfield Road

Re: Kritikë

Post by Mondvalsen Junior »

i qita qeto dy shkrime te mijat vec me ju kallxu qe moti mirrna me ksi gjana une. Se kur po ju kritikoj po ju jet hatri.

Qe ku i keni edhe te mijat, kritkoni knaqnu, nese muj me msu dicka prej kritikave te juaja u jam mirenjohes kta mane nmen.
User avatar
Her!
Posts: 1261
Joined: Fri Jul 04, 2008 7:00 pm

Re: Kritikë

Post by Her! »

I huaji se kom lexu, e spo muj me fol per to. I humburi tFatos Kongollit e kom lexu 3 here, edhe osht romani shqip qe mka pelqy mas shumti. :)
User avatar
Clavicula
Posts: 8737
Joined: Sat Jun 30, 2007 11:24 pm
Location: East Center

Re: Kritikë

Post by Clavicula »

hajt bir hajt, brra (K)
User avatar
Hosefinë
Moderator
Posts: 2116
Joined: Mon Oct 30, 2006 3:54 pm
Location: World

Re: Kritikë

Post by Hosefinë »

bravo
Post Reply