Vargje për Skënderbeun nga Naim Frashëri !

Diskutoni per letersi, tregoni poezi, diskutoni ato...

Moderator: AciDiuS

Post Reply
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Vargje për Skënderbeun nga Naim Frashëri !

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

I

Këndo, ëngjëll, urtësinë
Edhe gjithë mirësitë,
Skënderben' e trimërinë,
Q'i dha Shqipërisë dritë.
Të lumtë goja, këndona,
Me gjuhë t'ëmblë si mjaltë,
Skënderben' e madh tregona,
Trimnë burrë, Zotn' e naltë.
Punëtë që ka punuar
Kordhëtari i vërtetë,
Kombinë duke nderuar
Dhe Shqipërinë përjetë.
Nga gjiri i Perëndisë
Pa m'i sill nër mënd të mija,
T'i ap dritë Shqipërisë
Nga shpirt'i ndritshëm i tija.
Ëngjëll i bukur, pa zbritmë,
Dhe me dritët të uruar
Shko përpara mej'e ndritmë,
Të shoh gjithë ç'kanë shkuar.
Që kur ngrehu gjithësinë
Zot'i madh e i vërtetë,
Ka bërë dhe Shqipërinë
E shqipëtarët në jetë.
Shqipëria kurdoherë
Ka qënë shum' e lëvduar,
Ka pasur burra të ndjerë,
Trima t'urt' e të dëgjuar.
Pati mbretër' e të parë
Fort të mëntshim e të mirë,
Burra, trima, shqipëtarë,
Që kan' emrë të pavdirë.
Ishte vënt' i Perëndisë
Që së pari Shqipëria,
Mëmëdheth'i urtësisë,
Që del soje mirësija.
Aleksandr'i Math e burrë,
I cili s'pat shok në jetë,
Nukë ka pasurë kurrë
Dhe kurrë do të mos ketë
Piro trimi e të tjerë
Burra shumë të lëvduar,
Që kanë qënë një herë,
Edhe sot s'janë harruar,
Qenë gjithë shqipëtarë,
Ishin djemt' e Shipërisë,
Nuk' ishin greq e bullgarë,
Po nga vënd'i Perëndisë.
Pirroja mundi romanët
Armikët' e njerëzisë,
Aleksandr'i Math persanët,
Egërsirat e Azisë.
Kë të zësh ngoje më parë
Nga burratë e vërtetë,
Q'ishin gjithë shqipëtarë,
E s'u erdhi shok në jetë!
Gjithë botën' e pushtuan,
Afrik', Europ', Azi zunë,
Lëftuan e mbretëruan,
Nën' urdhërë gjith' i vunë.
Edhe kur erdhë romanët,
S'u shkel fare Shqipërija,
As nga shqeht' e venetianët,
S'e zu kurrë dobëtija.
Shqipëtari në kurt s'hyri,
S'e shpërnderoj Shqipërinë,
Kurrë nukë ju tremb syri
E nuk' e humbi fuqinë.
Rrinte me kordhë në dorë,
Shkrefëtinte si dragua
Nëpër male me dëborë,
E kurrë s'u qetësua.
Armikët u dobëtuan,
Shqipërija ngriti krye,
Errësirat u mërguan,
Drit' e Zotit u rrëfye.
Nga të gjitha mbretëritë,
Së Krujësë i dha Zoti
Më shumë fuqi e dritë,
Q'ishte mbret Gjon Kastrioti.
Mbretëronte urtësija,
Paqja, kamja, nderi, shpresa,
Drejtësi e dashurija,
Miqësija, besa-besa.
Tek po gjëndej Shqipërija
Në këto të mira kaqe,
Që mbretëron mirësija
Dhe ish në prehj'e në paqe,
Kur nj' e madhe egërsirë,
Duke dalë prej Asije,
U përhap si errësirë,
Dh'e mbuloi botën si hije.
Ish një komb i mallëkuar,
Në gjuhët kish dhelpërinë,
Syn' e kish të egërsuar,
Në zemërt kish djallëzinë
Ngado vij e kudo shkonte,
Zin' e gjëmënë po shpinte,
Vriste, priste, varfëronte,
Atje ku shkelte bar s'mbinte;
Më nj'anë kishte fuqinë,
Gënjeshtrënë m'anët tjetrë,
Për të mbytur njerëzinë,
Bënej her'ujk, herë dhelprë
Përse s'dolli trimërija
T'i prit gjurmën' egërsirës,
Po vate mbroth ligësija,
I zu udhënë së mirës.
Ra më dett qytetërija,
U ngrit si re errësira,
U përhap mi dhet padija,
Gjaku, vdekja, shkretëtira!
Pa një zgjedh' e keqe shumë
Gjithë kombet i mundojti,
I la për djall e për lumë,
Njerëzia mendje lojti.

Ish ver' e po qeshte moti,
Lulet kishin lulëzuar,
E mbreti Gjon Kastrioti
Në fron rrij duke menduar.
Pyjet ishin gjelbëruar,
E bilbilëtë këndonin,
Dhe bota gjith' e gëzuar,
Djemt' e vashatë po lonin.
Gjithë gjethet ishin celur,
Faq' e dheut ish xbukuruar,
Dhe qiell i përkëdhelur
Ish si ergjënd i kulluar.
Shqipëtarët të gëzuar
E të gjithë burra, trima
Edhe të lar' e të ndruar,
Me armë si vetëtima.
Vashatë bërë si pylli
Nëpër sheshe po kërcenin,
Sicila ndritte si ylli,
E hënës i shëmbëllenin.
Kur tfaqen njerës të huaj,
Dalën në shesht disa vetë,
Gjithë të hipur në kuaj,
Po ngjiteshinë përpjetë.
Të ndryshmë së gjithash ishin,
Shtat, zakon, robë, fytyrë,
Sjellj'e gjuhë tjatrë kishin,
Qenë t'egrë si mynxyrë!
Ne der' e pëlasës xbrinë,
Shqipëtarë në shkallë
Me miqësi shum' i prinë
Dhe brënda në dhom' i kallë.
Parësi e mbretërisë
Me një nder të math i priti,
Pas udhës së miqësisë
Me fjalë t'ëmbël i gostiti.
Të huajtë si u çlodhë
Dhe djers e pluhurë fshinë,
Dhe mëndjen më vënt e mblodhë,
Se udha e loth njerinë,
Dy më të parët, që qenë,
Përnjëherë nxuar zënë,
Thanë: "Duam pakë mbrenë,
Diç i kemi për të thënë".
Në dhomët të parësisë
Hynë dhe mi from të lartë
Panë mbretn' e Shqipërisë,
Në dorë i dhanë një kartë.
Këta ishinë në fjalë,
Dita shkonte, nata vinte,
T'errëtit' e mbuloi malë,
Hëna dolli dhe po ndrinte.
Prunë buk' e gjell e venë,
Dhe ndenjnë në mësallë
Të gjithë sa njerës qenë,
Dhe vetë mbreti në ballë
Hangërë ngadal' e pinë
Dhe ndenjnë një copë herë,
Më pastaj të gjith' u ngrinë,
Gjithëkush vate të flerë.
Nata dhe s'e kishte ngritur
Atë pëlhurën e zezë,
Hëna me sy të venitur
Po perëndonte si rezë
Yll'i mëngjezit po ndrinte,
Dhe bilbilëtë këndonin,
Vesa gjithënje po binte,
E luletë lulëzonin.
Mbreti u ngrit i helmuar
Edhe e dërgoi njerinë,
Shërbëtor e papërtuar,
Mblodhi gjithë parësinë.
Të mëdhenj edhe të parë
Edhe gjithë pleqësia,
Ç'qenë çel' e luftëtarë,
E shumë nga vegjëlia,
Në mbledhë të gjithë rrodhë
Pas mënyrës së lirisë,
Bashkë me mbrenë u mblodhë
Si t'afërt' e të shtëpisë
Gjithë burra të vërtetë
Edhe nd'ar e n'ergjënt veshur,
Shpirtmir' e trima të qetë,
T'urt' e me buzë të qeshur.
Në mest u ngrit Kastrioti,
Tha: "Vëllezrë shqipëtarë!
Një brengë na pruri moti,
Pa do menduar më parë:
Si mundimë të shpëtojmë
Nga kjo brengë Shqipërinë,
Duhetë të kuvëndojmë,
Ndaj u kërkova taninë.
Tyrqit duallë ng'Asia
Edhe në Evropë erdhë
Rrëmet, posi mizëria,
E shumë gjakëra derdhë
Nga Andrinopoja hynë,
Muarrë dhe Grekërinë,
Tani ndër ne kanë synë,
Të na hedhin në greminë!
Sa mbretrë të Shqipërisë,
Si dhe të tjerët i mundi!
Ra rrebesh i Perëndisë,
Gjë të gjallë s'la gjëkundi!
Ushtarëtë lëftuan,
Për mëmëdhethin u vranë,
Veç nja dy mbretrë shpëtuan,
Në Romë ne Papa vanë.
Murati, që s'na peshonte,
Nga ne kërkon miqësinë,
S'di ç'dhelpëri mejton sonte,
Se po e njohëm Tyrqinë
Më ngjan se po bën gatinë,
Qytetn' e math rreh të marrë, { Kostandinopojën }
E pas ati djajt' e dinë
Kujt do t'i sulet më parë.
Pas Romës' së re ka tjetrë
Qëllim zënë që taninë,
T'i derdhet Romës' së vjetrë,
Të marrë dhe Italinë
Dhe Lindjen dhe Perëndimnë
Kërkon tejpërtej t'i zërë,
Gjith' atje e ka qëllimnë,
Botën' në dorë ta vërë.
Sot për sot na ka nevojë,
Andaj kërkon miqësinë,
Pa ndryshe s'na flit me gojë,
Gjithë bot'atë e dinë.
Qëllimet i psheh Murati,
Rreh e pandeh të gënjenjë,
Ësht' i pshehtë si lugati,
Po koha do ta rrëfenjë.
Thotë q'është mik përjetë,
Më s'do gjë nga Shqipëria,
Po veç një penk do të ketë,
T'i vendoset miqësia;
Dhe për penk s'kërkon gjë tjatrë,
Nukë sheh tjatrë nevojë,
Po do djemt' e mi të katrë,
Të rrinë n'Andrinopojë
Pakë koh' atje të rrinë
Me ata që t'i dërgojmë,
Dhe të venë e të vinë,
Sa herë që t'i kërkojmë
Se froni pa zot në mbettë,
Se po erthm' e do të vemi,
Një e tillë në na gjettë,
Vdekjen në dorë s'e kemi,
Thotë se do t'i dërgonjë
Më të madhë Shqipërisë,
Pas meje të mbretëronjë
Ndë udhët të miqësisë.
Këto fjal' e thashetheme
T'i thosh tjatrë, i besonja,
Mbret i ndershëm s'flet të rreme,
Fjalës së tij s'i dyshmonja.
Me gjithë këto them unë
Të bëhetë miqësia,
Eshtë m'e mirë kjo punë
Se të prishet Shqipëria,
Them ta bëjmë miqësinë,
Sulltanë kshu ta pushojmë,
Pastaj të zemë gatinë,
Luftënë ta prëmëtojmë,
Se puna u kupëtua,
Edhe fjala ësht' e bëre,
Evropa tani u xgjua,
Janë lidhurë të tërë.
Përnjëherë mbretëritë
Tyrqitë do t'i lëftojnë,
U afëru'ajo ditë
T'u bijem e t'i dëbojmë.
Janë të fort e të shumë,
Dhe fati u vete mirë,
Vinë rrëmet posi lumë,
Bijenë si egërsirë!
Të bëhemi një me fqinjë
Dhe me t'gjithë mbretëritë,
E pastaj le të na vijnë,
Si të mbarojmë gatitë,
Pa djemtë neve i gjejmë,
Le të rrinë të mësojnë,
Kur të duam i rrëmbejmë,
Gjësendi nukë pësojnë.
Djemtë si shpirtin i dua,
Po më shumë Shqipërinë
Mos thoni q'u frikësua,
Prandaj zuri miqësinë.
Si vëllezërë tani thoni,
Faqeza e si të lirë
Atë që të kupëtoni
Për të nderçim e të mirë."
Mbreti fjalën' e mbarojti,
Pastaj vuri re të parët,
Një nga një gjith' i shikojti,
Ata po i mir të qarët.
Mbreti plak u hoq mënjanë,
Pa u ngrit një trim më këmbë,
Shikoi një her' anembanë,
Hekurin' e haj me dhëmbë!
Ish Kamani, q'ishte burrë,
Më trim nga gjithë të parët,
Nuk' i trëmbej syri kurrë,
Pa e donin shqipëtarët;
I holl' isht'e pak' i gjatë,
Nukë kish shumë mustaqe,
Vij si i zeshkët e i thatë
E s'kish fare mish mi faqe;
Kishte gjithë urtësinë,
Me një zë të ëmblë fliste,
Fjal' e tij e bint njerinë,
Dhe gjuha hekur i priste.
Mori kordhënë ndër duar
E qëndroi në mest si burrë,
Me fytyrë t'ashpëruar,
Ngriti gishtin dhe tha: "Kurrë!
Kurrë s'trëmbet Shqipëria,
Nukë vdiq, po ësht' e gjallë,
Tjatrë përgjegje Tyrqia
Nukë do përveç me pallë!
Shqipëtari, trim i vlerë,
Kurrë nuk' u frikësua,
E të trëmbet këtë herë!
Mbret! o zotthi im, ç'më thua?
Apo s'e dimë Tyrqinë,
Nuk' e kemi dhe mësuar
E s'ja njohëm djallëzinë,
Gjer më sot që ka punuar?
Na bën si miq këtë herë,
Se ka të tjerë qëllime,
Mos pandehni të na lerë
Pa të këqij hidhërime.
Mjerë! mjer' ajy i gjorë,
Që i sjell besë në fjalë,
Bije në lak e në dorë
Edhe çpejt po s'mund të dalë.
Mbret i ndershim dhe ju shokë,
Mos haroni trimërinë,
Mblithni mëndjenë në kokë,
Ngrihi të zëmë kufinë.
Trimëria, trimëria!
Mban lirin' e mëmëdhenë,
Unë shpreh te perëndia
T'i hedhimë përtej denë.
Qysh të zëmë miqësinë
Me atë që na bën varrë?
Turku vëndet, gjith' e dinë,
Me ç'djallëzi i ka marrë
Gjithënjë kështu punojnë,
Kombet me lajka i ndajnë,
Pa miqësin' e harrojnë,
Dhe një nga një i përlajnë
Kur ka armikë të tjerë,
Të bën mik sa t'i volitnjë,
A mbaroi ata njëherë?
Prite, vjen të të goditnjë.
Miqësirra të vërteta
S'ka njeriu i pabesë,
Përveç shpata dhe shigjeta,
Ato janë për ne shpresë.
Tjatrë gjah kërkon të zërë,
Andaj rreh të na gënjenjë,
Më atë krah të na vërë,
Gjersa kohën të na gjenjë.
Dhe s'ia dini dhelpëritë?
Ka dy faqezë mësalla,
Kshu rreh të fitonjë ditë
me të këtilla përralla.
S'e dini ç'kanë punuar
Gjithë mbretrët' e Tyrqisë?
Sa frone kanë rrëzuar
Me lajkat të dhelpërisë?
Ata djemthitë, që thoni,
Janë shpres' e Shqipërisë,
Me ç'sy e faqe kërkoni
T'ia dërgoni penk Tyrqisë?
Si të msojnë ligësitë
E të mirat t'i harrojnë,
Të çpikinë djallëzitë,
Pastaj të na mbretërojnë?
Do të marrënë zakonet
E këqija të Azisë,
Pa njeriu si të mësonet,
Më s'i ndahet djallëzisë.
Si të rriten nënë xgjedhë,
Nukë bënenë të lirë,
Pastaj s'e hodhëm dot ledhë,
Po mejtohi që sot mirë.
Ata duhet të mësojnë,
Të bëhenë të vërtetë,
Të lëftojn' e të gjykojnë
Pas nevojës që të jetë.
Unë gjall e me të gjallë
S'munt të bënem aq' i gjorë,
A e shihni këtë pallë?
Do të vdes me të në dorë!
Se turpin e Shqipërisë
S'e shoh dot me sy në jetë,
Dhe miqësin' e Tyrqisë
kurrë s'e zë të vërtetë
Trimëri në mos na mbeti,
E më s'jemi shqipëtarë,
Të shuhet gjithë rremeti,
Se kjo 'shtë pun' e pangjarë!
Një komp më mirë të vdesë
E kshu të mos dobësohet,
Gur mbi gur le të mos mbesë
Dhe mëmëdheu të shkretohet!
A gjall e me nder të rrojmë,
Apo në luftë të vdesim,
A mëmëdhenë shpëtojmë,
A mbi të më të mos mbesim!
Ç'kuvëndoni? Pa mejtohi!
T'i bënemi rop Tyrqisë?
S'kini turp të turpërohi!
Shtijem nder' e Shqipërisë!
Pa ta bëjmë besa-besë
E të mblidhet Shqipëria,
Ahere le të na presë,
Ta shihni ç'është Tyrqia.
Të vdesëm a të shpëtojmë,
Se kurti ësht' i keq shumë,
Në xgjedhë s'mundim të rrojmë
E në robëri për lumë!
U përpoqnë prindit tanë,
E ruajtnë mëmëdhenë
Edhe neve na e lanë,
Ashtu sindëkur e gjenë.
Kush merr atë turp taninë
Që të humbasë përjetë?
Pastaj ata që të vinë
Ta gjejnë, qoftë lark, shkretë!
Tani, burra shqipëtarë,
Pa kujtoni trimërinë,
Sicili armët të marrë,
E ta shohëmë Tyrqinë
Delni, të dalëm të tërë,
T'i përgjigjemi Tyrqisë,
Pa e shihni si ta zërë
Udhën' e mezit t' Asisë
Dhe pastaj të mos kuxojnë
Për këtej denë të hidhen,
Po, edhe kur ta kujtojnë,
Laqet' e gjunjët t'u dridhen.
Sot duhetë trimëria,
Nukë duhet më mentimi,
Lark Shqipërisë Tyrqia,
Pa tani duketë trimi!
Sot neve në dor' e kemi
T'i dëbojmë nga kufia,
Pastaj kushedi si jemi,
Mos të zëntë robëria!
Kush ka shpirt prej shqipëtari,
Si të parëtë që qenë,
I bënet zëmra si zjarri,
S'e do gjalljen e vet'henë.
Këtë fjalë duke thënë,
Erth' e mbyti mallëngjimi,
Dhe më nuk e nxori zënë,
Po u egërsua trimi.
Fjalën përnjëher' e preu,
E lottë çurkë iu derdhë,
Të gjithë i mallëngjeu,
Të tërëve lott' u erdhë.
U hoq edhe ndënj mënjanë,
I vrënjtur, i zëmëruar,
Më nukë dëgjoj se ç'thanë,
Po vuri kokën nër duar.
Kshu the, o trim i vërtetë!
Q'e donje fort Shqipërinë,
Të ndrittë shpirti përjetë
Qofsh bashkë me perëndinë.
Gjithë çel' e parësia
Që u gjentnë, me lot qanë,
Mëndjen' e fjalët e tija
Të pëlqyera i panë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

II

Në mest t'ati mallëngjimi,
Që vij posi vetëtima,
Po dëgjonej si gjëmimi
Zëri i burravet trima:
"Luftë, luftë me Turqinë,"
Thirrë gjithë menjëherë,
"Nuk e duam miqësinë,
Atë dëshirë ta ngrerë."
Ata kuajt e harbuar
Kur ngridhen' e hingëllijnë
Dhe me sy të egërsuar
Qysh vështrojn' e shkrefëtijnë,
Ashtu shqipëtarët trima,
Njëri-tjatrinë shikonin
Me vështrim si vetëtima,
Edhe vdekjenë kërkonin.
Kur u ngrit një plak i vjetrë,
Që kish par' e kish dëgjuar
Dhe ishte me rradhë tjetrë
Nga vërsa q'e kish të shkuar,
Leshbardh' ish e mëndjegjerë
Edhe shumë gjith' e donin,
Të tërë i bënin nderë
E fjalënë ja dëgjonin.
Ish Pepë Tushan'i ndjerë
Që çdo punë e mbaronte,
Ishte plak mi pleqt' e tjerë,
Ajy gjyqet' i shikonte.
Tha: "Zotërinj, më dëgjoni?
T'u them dhe unë dy fjalë,
Pastaj bëjmë si të doni,
Po mos e merrni me valë.
Shumë herë trimërija
Sjell shpëtim, ësht' e pëlqyer,
Po herë dhe urtësija
Është m'e mir' e m'e vyer;
Gjithë bota mir' e dinë
Shqipëtarë q'është burrë,
E ka pasur trimërinë
Edhe nuk' e harron kurrë
Mos pandehni q'unë dua
Për shqipëtarë të thonë:
"Këtë her' u frikësua,
E s'lëftoj si pat zakonë!"
Po turqitë sonte janë
Të shumë si mizërija,
Fuqi të pasosur kanë,
I përmbystë Perëndija!
Them që djemtë t'i dërgojmë
Dhe të zëmë miqësinë,
M'anët tjatrë të qëndrojmë
Të bëjmë gjithë gatinë.
Njerës të mënçim të çojmë
T'i bindimë mbretëritë,
Pa shere të lëftojmë,
Si të bashkojmë fuqitë
Neve sot për sot Turqinë
Duhet ta vëmë në gjumë,
Sa të bëjmë shoqërinë,
Si trimi me shokë shumë,
Ahere pra trimërija
Ka kohënë të tregohet
Edhe shpreh te Perëndija,
Shqipërija të nderohet,
Djemtë tanë le të venë,
Gjersa të bëjmë gatinë,
Zoti t'u apë shëndenë,
Pa prapë këtu na vinë."
Kështu tha me mendim plaku
Që ishte shumë i vuar,
I ishte ftohurë gjaku,
Ditë të shuma kish shkuar.
Manushi fjalën ja preu,
Tha: "Tani le të mbarojmë",
Pa i tha dhe mbretit: "Ngrehu,
Nesër prapë kuvendojmë."
Neve fjalët po i themi
E punën të bër' e zëmë,
Po në dorë nuk' e kemi,
Mbretëresha q'është mëmë,
Ajo munt në këtë punë
Të apë bashkë me mbrenë
Një funt të mirë, them unë,
A të ven' a të mos venë.
Jakëni tani të vemi
Të huajtë t'i nderojmë,
Me ta ca fjalë të themi
E pakë kohë të shkojmë
Njeriu në vënt të huaj
Shpirtin' e ka të brengosur,
I duketë dita muaj,
E pandeh që s'ka të sosur."
Kështu tha plaku Manushi,
Se pleqtë kshu e mentonin
Po të rinjt' ishin si prushi,
Këto fjalë s'i dëgjonin.
Mbreti u ngrit menjëherë,
Tha: "Nesër mblidhemi prapë,
Mentohemi gjat' e gjerë,
Gjithëkush shortënë t'apë."
Pa duallë të menduar,
Gas në zëmrë nukë kishin,
Ishin si të zëmëruar,
Sikur s'qen' ata që ishin.
Nata me rrobet të zezë
Po tfaqej në hapësirë,
Dritat' e qiellit u ndezë,
Dukeshin si ar i grirë.
Zogjthitë zunë foletë,
Vetëm bilbili këndonte,
Nata me t'errët e qetë
Mal'e fusha po mbulonte.
Mbrenë gjumi nuk' e zuri,
Po rrij në roba i xgjuar,
Mentohej e psherëtinte
Me zëmrë të përvëluar.
Nga të vij i shkreti gjumë,
Që mentimetë i shkonin
Nëpër mënt të ti si lumë
Edhe nga syt' i mburonin.
Kur yll' i ditësë dolli,
T'errëtit humbi si vesë,
Dritën në vënt të ti solli,
Nukë duroi më në shtresë.
Mbreti me një rënkim ngrihet,
Pa zë e lan sy e duar
Dhe vishet' e përsëritet,
Pa vete duke shpejtuar.
Mbretëresha ishte ngritur
Dhe ish veshur e ish ngjeshur,
Posi nuse përsëritur,
Punonte llërëpërveshur.
Ishte shumë punëtore
Edh'e urt' e e xgjuar,
Për çdo pun' i vinte dore,
Ish' e mir' edh'e lëvduar.
Pesë vasha bukuroshe
Edhe shërbëtore tetë,
T'i shihnje, janë yj, thoshe,
Edhe ajo hëna vetë.
Vashatë si pëllumbesha
Rrotull' e kishin rrethuar,
Edhe në mest mbretëresha
Rrij si lul'e lulëzuar;
Me duar si pej ergjëndi
Po punonin e mësonin,
S'hiqeshin nga avlëmëndi
E si thëllëza shikonin.
Mbretëresha edhe vetë
Kishte zënë e punonte,
Pun' e saj ish pa të metë,
Nga të tjeratë ndërronte.
Ishin ëngjëj ato vasha,
Kishin leshëra të arta,
S'ishin si lisi të trasha,
Faqet i kishin të zjarta.
Mbreti gjëkundi kur vinte,
Mbretëresha mbretëronte,
Po edhe aty kur rrinte,
E pyette dh'e dëgjonte.
Gjoni nër gra posa hyri
I ngrehurë posi gjeli,
Të gjitha me radh' i qyri
Dhe vashat i përkëdheli;
Mbretëreshën' e zu pej dore
Dhe i tha: "Të dua pakë",
Dorën, q'e kish pej dëbore,
I zuri dhe i tha: "Jakë".
Ajo me re e shikojti
Dhe, sado q'e pa të qeshur,
Hidhërimn' e kupëtojti
Dhe u ngrit llërëpërveshur.
Me të hyrë në të ndarët,
Dorë pej dore u zunë,
Duke thënë me të parët
Mbreti të shkretënë punë
Mbretëreshës liksht i erdhi,
Kur e dëgjoi atë fjalë,
E trëmbi shumë dh'e verdhi,
Lott' i vanë si valë,
Si dellëndyshet kur venë
Me vrap t'arrijnë më parë,
Po gjejnë prishur folenë
Dhe zoqt' e tyre të vrarë!
Asht'u mahnit mbretëresha,
"Djemtë, tha do të dërgohen!
Unë jetënë ç'e desha!
Popo! të më largësohen!
Qysh të duronj un' e zeza
E të rronj pa ta në jetë?
Kjo brengë pse ra si reza,
Zot'i math e i vërtete?"
Më pastaj të shoqt i thotë
Me helm edh'e zëmëruar:
"Është turp në gjithë botë,
Kjo 'shtë pun' e shëmëtuar.
Foshnjatë ne të dërgojmë
Në një vënt fare të huaj
E neve të dëshërojmë!
Këtë fjalë mos e thuaj!
Cila mëm' e cili atë
Djemtë penk i ka dërguar?
Punë fort shum' e mëkatë,
Kurrëkush s'e ka punuar!
Shpirtin' e ap, djemtë s'venë,
Pa ta s'bën dot asnjë ditë,
Dhe ata neve s'na lenë,
S'bënenë kshu miqësitë!
Djemtë q'i kam gjithënj' afrë,
T'i dërgonj lark nga shtëpia,
Të rin atje si të vafrë,
Mos e dhëntë perëndia!
Murati, mbret' i Tyrqisë,
S'e di ç'është bir e bijë,
S'ka pjesën' e njerëzisë,
Dashuri s'ka në fëmijë
Ajy do të mbretëronjë,
Që të bënjë ligësitë,
Të vrasë e të shkretonjë,
Të derthnjë gjak nat' e ditë!
Ah! moj Shqipëriz' e mjerë!
Më të mbajtë perëndia,
Mos të shtëntë ndonjëherë
Zoti ndër duart të tija.
Është prishës e shkretonjës,
Është kafsh' e egërsirë,
Është vrasës e mundonjës,
Shpirterrët' e zëmrëkllirë."
Kështu tha e zëmëruar
Dhe mbrenë në syt e shihte,
Dhe zëmër' e përvëluar
Me fort e me vrap i rrihte,
Kur ëngjëll' i urtësisë
Në shpirtit të saj xbriti,
Erth nga an' e Perëndisë
Dhe zëmrënë ia trënditi.
Mëndjen' e ktheu menjëherë
Dhe tha: "Bëni si të doni,
Ju mendohi gjat' e gjerë,
Mua s'duhet të më thoni.
Për shpëtimt të Shqipërisë
E kam gas e nder në jetë,
Ap fjalë ndaj perëndisë,
S'pendohem dhe të mbes shkretë."
Mori fjalënë dhe vate
Mbreti, e më s'ndenj gjëkundi,
Sindëkur u tha ndajnate,
Fjalës' i doj dhënë fundi.
Në mest shumë fjalë thanë
Parësija që u mblodhë,
Për paqë nevojë panë,
Papo miqësinë zgjodhë,
Të rinjtë shum' u përpoqnë,
Se punën nuk' e pëlqyen,
Më pastaj mënjan' u hoqnë
Po mëndjenë nuk' e kthyen!
Pleqësija dhanë shortë
Të bëhetë miqësija,
Po të zihet me të fortë
M'anët tjatërë gatija,
Gjithë kombetë të mblidhen
Një ligë në mest të vënë,
Me besa-besë të lidhen
E turqitë t'i përzënë.
Pastaj të gjithë u ngrinë
E në të huajtë vanë
Edhe bënë miqësinë
Pas mënyrësë që thanë.
Mbreti tha: "Tani ju shkoni,
Pa djemtë ne i dërgojmë,
Edhe sulltanit i thoni
Që fjalënë s'e harrojmë."
Të huajtë gjithë u ngrinë
Si u bënë këto fjalë,
Nga qyteti duke dalë.
Ditët ishin duke shkuar,
Vininë me vrap si lumi,
I trumbull a i kulluar,
Q'ikën e nuk e zë gjumi.
Dit' e zezë afërohej
Që të ndaheshin fëmija,
Zëmëra po u helmohej
Dhe shtëpin' e mbuloi zia.
Mbreti një plak të besuar
Dhe një plakë q'i kish rritur
E i kish pritur ndër duar
Dhe ish e mir' edh' e ditur,
U nisi, dhe disa vetë,
Mësimdhënas e të tjerë,
Shërbëtorë shtat' a tetë,
Të matur edhe të vlerë,
Djemtë ishin të gëzuar
Që të hipinë në kuaj,
Si të mëdhenj e të çquar
Të venë në vënt të huaj.
Mbretëresha po mentohej
E ndë mëntt gjë tjatrë s'vinte,
Helmi i saj po i shtohej,
Të tërë natënë s'flinte.
Koh' e ndarjes u afrua,
U mbaruanë gatitë,
Edhe dita u shënua,
Opopo! e zeza ditë!
Mëma dhe motratë qanin
Edhe djemt' i përqafonin,
Gjithënjë pranë i mbanin,
I puthnin e i pushtonin.
Mbretëresha u helmua,
Tha: "Ç'bëra e zeza unë!
M'u shkurtoftë jeta mua!
Qysh e bëra këtë punë!
Si mi mori mënt e mija
Zot' i math e i vërtetë,
Të ndahem ngaha fëmija,
Të mbes kërcure dh'e shkretë!
E pata shkruar në ballë
Këtë të shkretë mynxyrë,
Të ndahem që më të gjallë
Me të këtillë mënyrë!
Vall' a do të mi dërgonjë
Kurdoherë që të dua,
A fjalën do ta harronjë,
Të më digjet zëmra mua!
Ah! kam frikë pej mynxyre!
Mos nuk' i shoh më në jetë,
E të vdes nga mall'i tyre,
Ta lë dhe shtëpinë shkretë."
Këto thosh dhe me lot qante,
Mallëngjimi nuk e linte,
Ngashërimënë s'e mbante,
Dhe mëndj' e saj rreth i vinte.
Ditënë që do të shkonin,
Mbreti u ngrit që me natë,
Gjithë bota lot lëshonin
Edhe i varfëri atë
Pastaj djemtë pran' i mori,
I puthi e i qafojti,
Psherëtiti fort i gjori,
Lottë çurkë i lëshojti.
U thotë: "Të silli mirë,
Të bëhi njerës në jetë,
Të mos mbetni n'errësirë,
Po të jini të vërtetë,
Nat' e ditë të këndoni,
Çdo q'u duhetë ta dini,
Gjithë gjuhët t'i mësoni,
Po shqipenë mos e lini;
Mirësit' e Shqipërisë
I mbani, mos i harroni,
Nga vetijat' e Asisë
Ndruhi, mos i afëroni;
Mëmëdhen' e kombin tuaj,
Shtëpinë e njerëzinë
Dhe atje në vënt të huaj
T'i doni, dhe miqësinë
Shqipëtar' e Shqipërinë
Kurrë të mos i harroni,
Kini dritë urtësinë,
Çdo gjë me mënt ta gjykoni;
Të bëhi trima të urtë,
Të zottë të mbretëroni,
Jo të marr' e mëndjeshkurtë,
Ndaj duhetë të mësoni;
Të bëhi shumë të ditur,
Fjalëbukur' e të çquar,
Shpirtdashur e mëndjendritur,
Të mir' e të kupëtuar.
Zoti e nderoj njerinë,
I dha mënt që të gjykonjë,
Të punonjë mirësinë,
Të ligatë t'i mërgonjë
Ruani nder' e shëndenë,
Burrërin' e trimërinë,
Kombin' edhe mëmëdhenë,
Njerëzin' e mirësinë.
Shqipëria jush ka shpresë,
Edhe pret shumë të mira,
Po të mbani juve besë,
Nuk' e ha dot egërsira,
Mësimet do t'u mësojnë
Ato punëra q'u duhen
Atyre që mbretërojnë
E mbretrë të mirë quhen;
U duhetë njerëzija,
Zotërija e të tjera,
Mirësija, trimërija,
Gjithë vetijat' e vlera;
Kombinë shumë ta doni,
E si fëmijë ta kini,
Me të drejtë të gjykoni
E çdo punëzë ta dini;
Dhe në brengë të mësohi,
Dhe shpirtinë ta mundoni
E kurrë të mos rëndohi
Në doni të mbretëroni;
Kini njohë të qëruar,
Dhe ndjenja të larta shumë,
Zëmër edhe shpirt të çquar,
Mëndje pa lodhj'e pa gjumë."
Kështu u tha i ziu atë,
U fali udhën' e mbarë,
I puthi, u dha uratë,
Edhe u hoq duke qarë.
Gratë gjithë psherëtinin,
I luteshin Perëndisë,
Prapë shëndoshë të vinin
Prensërit' e Shqipërisë.
Mbretëresha gjer në shkallë
Dolli me zëmrë të thyer,
I puthi djemtë në ballë
Dhe u nda e mallëngjyer.
Dhe ata djemthit' e mitur,
Kur e panë që u ndanë,
Mbenë posi të mahnitur
Dhe me lot të hidhur qanë
Për herë të par' e panë
Sa dhemb njeriu e shtëpija,
Mëmëdheu e gjithë ç'janë,
Dhe shokët' e njerëzija.
Hipnë në kuajt e shkuan
Si zogu kur lë folenë,
Njerëzin' e përvëluan,
Shkretuanë mëmëdhenë.
Kapëtuan më tjatr'anë,
Nga mali kokënë kthyen,
Krujën e bukur s'e panë,
Më tepër u mallëngjyen;
U dukej sikur kish shkuar
Një kohë fort shum' e gjatë,
Që ishin ndar' e mërguar
Nga motr' e nga mëm' e atë
Gjithënjë Krujën mendonin,
Dhe nga malli psherëtinin,
Mëmëdhenë s'e harronin,
Të gjitha nër mënt' u vinin.
Ng' ajy mall' i shum' u mpinë,
Sa të katrë u sëmurë,
Jo vetëm për njerëzinë,
Po dhe për gur' e për drurë.
Zëmëratë u rënkonin
Se s'i linte dashurija,
Mërgimnë nuk' e duronin,
S'ndaheshin nga njerëzija.
Njeriu kudo të rronjë,
Nuk e harron mëmëdhenë,
Zogu le të fluturonjë,
Po nër mënt e ka folenë.
Uji sado që të ngrihet,
E të hapetë ndë erë,
Të mblidhetë e të shtrihet,
Prapë mbi dhet do të bjerë
Ngado të vej' e të bredhë,
Të ndryshohet' e të ndrrohet,
Prapë mbi dhet do të rrjedhë,
Veç atje mund të qetohet.
Mbretëreshës' ajo ditë
Ju duk fort e shëmëtuar,
Zëmrën e kishte të mpitë,
Të djegur, të përvëluar.
Për djemthit fort keq i vinte,
Edhe qant'e s'përdëllehej,
Gjithënjë po psherëtinte,
Me fjalë nukë gënjehej.
I thoshinë të mos qanjë,
Djemt' aqë lark nukë vanë,
Dhe zi për ta të mos mbanjë:
"Rrofshin, desh Zoti, gjall' janë,
Kurdo t'i duash, të vinë,
Dhe kartë do të dërgojnë,
As shtëpin' as njerëzinë,
As mëmëdhen' e harrojnë."
Po atë s'e lij rënkimi,
Dhe fjalëtë s'i dëgjonte,
Mallëngjimnë hidhërimi
Edhe lottë po ja shtonte.
U ngrys e shkoj dhe ca natë,
Mbretëresha nukë flinte,
Vashat' u mblodh' edhe gratë
E vunë në shtrat të flinte;
Po s'e linte mallëngjimi,
Pa rrinte në shtresë zgjuar,
Zëmrën' e saj hidhërimi
Ia kishte fare helmuar;
Nukë flij e zeza mëmë,
Syt' e zes me lot ju mbushnë,
Edhe gjithë atë mbrëmë
Në zëmrët të saj kish prushnë
Mendja në djemthit' i vinte,
Derdhte lot shum' e rënkonte.
Perëndija e dëgjojti,
Të vëllan' e vdekjes thirri,
Me të matht të saj e çojti
E i vate ndaj të gdhiri.
Gjum'i qet' u afërua,
Edhe i qëndroj mbi krye,
Mbretëresha u qetua,
Kur n'ëndrrë ju rrëfye
Një rrip' e një shkretëtirë,
Dhe pas një shpelle qëndruar
Një kuçedrë, nj'egërsirë
Me ca sy të sgurdulluar!
Në mest të gjakut po rrinte.
Rreth e rrotullë vështronte,
Shumë frynt'e shkrefëtinte,
Dhe tym e flakë lëshonte!
Tre nga djemt' e saj kish zënë
E si ujku po i çante,
Si shqerra posht' i kish vënë
Edhe mushkërit u hante!
M'i vogëlëthi po vinte
Si ëngjëll pshjellë me dritë,
Si lëmsh' i diellit ndrinte,
Nat' e errët' u bë ditë.
Kuçedrësë ju lëshua,
I ra me kordhët dh'e vrau!
Mbretëresha shpejt u zgjua,
"Un' e zeza" tha dhe qau!
U ngrit, u vesh duke qarë,
Ndenj si e varfrë në vatrë,
Me fytyrëzë të vrarë,
Që s'e kishte herë tjatrë.
Ra zija, mbuloj shtëpinë,
E u hap dalëngadalë,
Zuri gjithë Shqipërinë,
Errësoj fusha e male!
Mbretëresha më s'kuxonte
Të hyj në dhomët të tyre,
Se djemt' e gjora kujtonte,
S'ja dil dot asaj mynxyre;
Posi nje fatzi i mjerë,
Që kthehet zëmërëdjegur,
Vjen më shtëpi, hyn më derë,
Po gjen t'ëmënë të vdekur,
I qaset, po s'kuxon kurrë
T'i ngrerë cipën' e shkretë,
Ndonëse 'shtë trim e burrë,
S'e sheh dot shuar përjetë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

III

E zeza Adrinopojë!
Q'u bëre burim i zisë,
Vure botën në nevojë,
Në helmit të ligësisë!
Djemthitë ndaj teje erdhë,
O qytet i mallëkuar!
Sa lot të varfërit derdhë
Me zëmrë të dëshëruar!
Ishte mbushurë qyteti
Me njerëzit të Azisë,
Ardhurë gjithë rrëmeti,
Posi tuf' e bagëtisë,
Zëmrëtrumbull e shpirterrët,
Të egër' e të tmerruar,
Të gjithë për në skëterrët,
Të tresh' e të shëmëtuar; { të trash' }
Të tër' ishin kokëpshjellë,
S'kishinë gjë të pëlqyer,
S'dijnë të korr' e të mbjellë,
Po të marr' e të rrëmbyer;
Ishinë të sgurdulluar,
Të veshurë ndër lëvere,
Turi-e buzëlëshuar,
E ndë të rreme përherë
Me tumane gjithë veshur,
Dhe me hekura ngarkuar,
Të vrenjtur' e të paqeshur,
Të keq e të zëmëruar.
M'i madh'i tyre, Murati,
S'kish ndër mënt kurrë të mirë,
Posi e gjet nga i ati,
Më të ligat kish dëshirë
Në jetë njeri s'peshonte,
Dhen' e zij gjithë të tinë,
Kostandinopojën donte
Dhe Romën' e Italinë
Doj të hynj në gjith' Evropë,
E gjithë kombet që qenë
Rrih t'i bënte mijë copë
Ta shkretonte gjithë dhenë.
Urdhër i tij': "Vraje! Vare!"
Këto dy fjalë dij mbreti,
Hell edhe grep e lavare
Ishte mbushurë qyteti!
Prensërit' e Shqipërisë
Rrininë të papërzjerë,
Nukë dilnin pej shtëpisë,
S'trazoheshin me të tjerë.
Ajy m'i vogël'i tyre,
Që vij nga gjithë m'i çquar,
Pej fytyr' e pej mënyre,
Zoti e kish lartësuar,
Të mirat gjith' i kish dhënë,
Të ligat ja kish mërguar,
Gjë të metë s'i kish lënë,
Së gjithash e kish mbaruar.
Kish shpirt e zëmër' e ndjenjë,
Edhe mënt e njoh' e hije,
Shtat edhe sjell' e rrëfenjë,
Dhe fuqi pej Perëndije.
Në krah të djathtë, kur lindi,
Kishte një shenjë si shpatë,
Gjithë botënë e bindi,
Edhe miq e mëm' e atë,
Që do të bëhëj trim burrë,
Mëmëdhenë ta nderonte,
Nukë do të mundej kurrë
Sa të ish e sa të rronte;
Ëndërr' e ëma kish parë,
Sikur polli një dragua,
Kur ishte më të me barrë,
Pa andaj shum' u gëzua.
Mësoj gjithë dituritë,
U bë njeri i mësuar;
Shpirtit i dha dhe më dritë,
Ndritoj zëmrën' e qëruar;
Kishte gjithë urtësitë,
Ish mëndje me shumë dritë,
Kish me vet'he Perëndinë.
Kordhën' aqë mir' e msojti,
Sa kushdo q'e shih, çuditej,
Njeri t'i dilte s'kuxojti,
Se e dij që do të shtritej;
Aqë keq shtij me shigjetë,
E me ushtë kur shënonte,
Trimi burr' e i vërtetë
Kurrë dëm nukë qëllonte.
Kohën' e shkoj duke msuar,
Mbushi vjet tetëmbëdhjetë,
Ishte ëngjëll i uruar,
Pa u bë, si deshi vetë
Aqë shum' i shëndosh' ishte
Sa njëqint burra ta zinin,
Ajy brengë nukë kishte
Se poshtë dot nuk' e vinin.
Një ditë që kishte dalë
Me të tijtë, të dëfrente
Jashtë, hipurë në kalë,
Dhe posi hëna çkëlqente,
Dukej q'ishte bir pej mbreti,
Gjithë duallë dh'e shihnin;
U çudit gjithë qyteti,
Që s'e dinin' e s'e njihnin;
Sa qe i vogël' e djalë,
Rrij brënda, msont'e s'delte,
Herë tjatërë s'kish dalë,
Jashtë derës nukë shkelte.
Dielli që del nga qarku
Mos pandeh q'e pjellën retë,
Edhe ky s'lindi nga barku,
E dërgoj Zot'i vërtetë.
Sulltani e pa tek vinte,
Edhe tha: "Ç'ësht' ajy burrë?",
Se gjer ahere s'e dinte,
Nuk' e kishte parë kurrë.
"Pa e ktheni e ma bini,
Tha, se qenka trim' i mirë,
Cili vall' ësht', a e dini?
Ndrin si ylli më të ngdhirë."
Mbreti ish me parësinë,
Prensi zbriti edhe hyri,
Të gjithë kryetë ngrinë,
Shumë ua zuri syri;
Pastaj si e kupëtuan,
Gjithë më këmbë ju ngrinë,
Me fjalë shum' e lëvduan,
E me nder të math e prinë,
Gjith' ishinë kokëpshjellë,
Dhe fytyrëshëmëtuar,
Kok' e tyre ish si shpellë,
Rrininë buzëlëshuar.
Të gjithë shum' e pëlqenin
Të parët' e mbretërisë,
Një emrë donin t'i gjenin,
Pas mënyrës' së Turqisë,
Nj'ëngjëll nga qiell'i lartë
Perëndija me vrap nxori,
Zbriti me një re të zjarrtë,
Fytyrë dervishi mori;
Dervishi i lar', i ndrruar,
U dha si dritë më derë,
Sa ishinë rrotull shtruar,
Gjith' u ngrinë menjëherë,
"O i mirë!" i tha mbreti,
"Nga na vjen e nga të kemi?
S'më ngjan të jesh nga qyteti,
Se s'të njeh ndonjë nga ç'jemi."
"Jo, tha, unë jam i huaj,
Që rendin me udhëtarë,
S'rri as me jav' as me muaj,
Po sa munt ikënj më parë."
Mbreti i tha: "Ti i mirë,
Që shënditke gjithëmonë,
E shum' ujëra ke pirë,
E di këtë trim ç'e thonë?"
Dervishi fjalën ja preu;
Tha: "Un' atë sot s'e pashë,
Ky zot është Skënderbeu;
Me t'an' aty lasht' u ndashë.
Ja pruri ëngjëlli vetë,
Këtë emër' edhe nderë,
Q'e kish pasurë në jetë
Aleksandr'i math njëherë! { Skënder = Aleksandër }
Se dhe shpirt'ish i atija, { Skënder bej = zoti Aleksandër }
Në mëmëdhet të tij prapë
Dërguar nga Perëndija,
Frik' armikëvet t'u apë,
Si dhe një herë qëmoti,
Q'ishte trim, burr' i vërtetë
U tregua aq' i zoti
Sa la emërë përjetë."
Po turqitë nuk' e dinin
Shqipëtar' e math të shkuar,
Pa at' emërë s'ja vinin,
Q'e kishte për të nderuar.
Në shumë të madhe punë
E qeshi mëndja sulltanë,
E gjeti si firaunë, { firaunë = faraonin }
Që rrit' më shtëpi Mosanë! { Mosa = Moisi }
Pas ca kohë Skënderbeu
Njeri i math u tregua,
Trimërinë e rrëfeu,
Nga gjithë burrat' u çqua.
E lartësoj trimërija,
Trimn' e vërtetë me pallë,
Aqë sa e vu Turqija
Në shumë të lartë shkallë.
Fat'i bardh' i mirësisë
Në mijëra ushtëtarë
Zgjodhi trimn' e Shqipërisë,
E vu mbi gjithë të parë.
Skënderbeu kudo lëftonte,
Njeri përpara s'i rrinte,
Burrë s'u gjent t'i qëndronte,
Po i muntte ngado vinte.
Na erdhi n'Adrinopojë
Një tatar i math ng'Asija,
Që nuk i flitej me gojë,
I rëndë nga trimërija;
Ishte i math sa dy buaj,
I egër e i tmerruar,
Kish fuqi sa katrë kuaj,
Ish si lum' i trumbulluar.
Tatari një trim kërkonte,
Me sqimë të madhe delte,
Po njeri nukë kuxonte
Në gjurmët e tij të shkelte;
Po mburrohej me një fjalë
Dhe i trëmbte gjithë ç'qenë:
"Kush ësht' i zoti të dalë,
Thosh, të njohë vetëhenë!"
Një njeriu, që tek shkelte,
Tronditej i tërë dheu,
Kush mundte tjatrë t'i delte,
Veç trim'i math Skënderbeu?
Duallë të dy kaluar,
Në hekur të rëndë veshur,
Mburojat marrë nër duar
E kordhat' e prehta ngjeshur;
Mënjan' ish fytyrëqari,
Që si nat' e zezë nxinte,
M'anët tjatrë shqipëtari
Si dielli vetëtinte.
Bota që e panë djalë
Prensinë, kundrejt tatarit,
Hipur si ëngjëll më kalë,
Gjithë ja dhanë të qarit;
Me shumë re po shikonin, { me shumë re = me shumë vëmëndje }
Luteshin për Skënderbenë,
Se si perëndin' e donin,
Gjithë njerëzit që qenë,
E dinin q'ish trim tatari,
S'pandehninë që të mundej,
Ish i math si qipi bari, { qipi = mullar }
Pa nga vëndi nukë tundej.
Skënderbe, o jetëgjatë!
I tha: "Ti mik, mase thua
Me mburrje shum' e lëvdatë,
"Nukë ma del njeri mua";
Edhe me shpresë gënjehesh,
Në mëmëdhet tënt të thuash,
Nonjëherë kur të kthehesh,
"Unë kurrë s'u rrëzuash!"
Po shpesit q'i është shkruar,
Të mos shohë më folenë,
Futetë si i verbuar,
E heth në rrezik vet'henë."
Këto tha dhe ju lëshua,
Prens' i bukurë si ylli,
U derth posi një dragua
Që po suletë nga pylli.
Të dy kordhëtë i hoqnë,
Njëri-tjatërin të priste,
Me fuqi shum' u përpoqnë,
Shoku-shoknë s'munt ta vriste,
Se ishin veshur në hekur,
Dhe dininë të lëftonin,
Ishin fort mirë të pjekur,
Pa vet'henë e mburronin;
Po trimi, q'i lij pas shokët,
Hoqi fort mirë një shpatë,
Tatarit i ra në kokët,
Ra i ziu si lopatë.
Gjithë ç'qen' atj'edh'e panë,
Thirr' e thanë shumë fjalë,
Pastaj i erdh' atje pranë
Skënderbegut e ju falë
Pleqt' u çudinë nga fati
Dhe i dhanë shum' urata,
Me dorët të tij Murati
I fali disa dhurata.
Pas këtij shumë të tjerë,
Që kuxuan' e lëftuan,
U ndenë mbi dhet të mjerë,
Nga vdekja nuk' u mërguan.
Dy persë trima të msuar
Këtë punë e dëgjojnë,
Edhe duke ashpëruar
Erdhë në Brus' e kërkojnë
Nga mbret'i gjithë Turqisë
Një burrë që të lëftojnë,
E në mest të njerëzisë
Trimërinë ta tregojnë:
"Zgjith në gjithë ushtëtarë
E nga gjithë që ke pranë,
Të dëgjuar' e të parë,
Një trim të lëftojm", i thanë.
Murati trimat i psholli,
Që kish në mest t'ushtërisë,
Po asnjë nga gjithë s'dolli
Drejt trimavet të Persisë.
Skënderbe'u ashpërua,
U ngrit e hekurat veshi,
Pastaj dolli si dragua,
U vërsul posi rrebeshi.
Persëtë vëllezër' ishin,
Dhe m'i madhi Jahja thuhej,
Trimëri te madhe kishin,
M'i vogli Mustafa quhej.
Jahjaj së pari qëllojti,
Po shigjeta prap' u kthye,
Mburronjënë nuk' e shpojti,
Maj' e hekurtë ju thye;
Pastaj Skënderbeu qëllojti
E me rrëmbim shumë shturi,
Shigjeta mi kok' i shkojti
Persit, e në shtat s'e zuri;
Ahere posi petriti
Mi Jahjanë u lëshua,
Dhe shpatën' e lar' e qiti,
Pers'i varfër' u tmerrua.
Ndihmë s'gjeti veç me vrapi,
Se e pa që s'mundej kurrë,
Mori dhenë posi capi,
Nukë qëndroj dot si burrë.
Mustafaj q'ishte mënjanë,
Dhe luftën' e tyr'e shihte,
E pa q'u munt të vëllanë,
U derth fshehtazi t'i ndihte.
Trimi shpejt e kupëtojti,
Që po vinte me të qetë,
Me bisht të syrit shikojti,
Hoqi me vrap një shigjetë,
Gjithë fuqinë e mblodhi,
Dhe Mustafan' e shënojti,
Si rrufe me vrap e hodhi,
Tejpërtej të zin' e shpojti;
I çpoj hekur e mburrojë,
Edhe shtatn' e tij shigjeta,
U këput, pa, si sgërbonjë,
Vdekja e mbuloj e shkreta;
Jahjaj mori shumë frikë
Dhe s'e priti Skënderbejnë.
Skënderbeu tha: "Mos ikë,
Se trimat shpinë s'rrëfejnë."
U derth me kordhë në dorë,
Si dragoj i ashpëruar,
E kohë persit të gjorë
Nuk' i la për të mërguar.
Me shumë tmerr e pa shpresë,
Skënderbeut ju këthye,
Hoqi kordhënë ta presë,
Jahja trimi u gënjye!
Posi dragonjtë u zunë,
Me kordhatë të këqija,
Njëri më tjatërin shtunë,
Po s'i vrau Perëndija!
Luanin shpatat e prehta,
Ndrininë e vetëtinin
Nd'erë si pëndë të lehta,
Njëra-tjatrënë godinin,
Pa kur e panë Jahjanë
Gjithë bota, q'ishin mbledhur,
Të shtriturë posi kanë,
Mbyturë në gjak e verdhur,
Kokën' e trupin' i kish çarë
Me një shpatë q'i kish hequr,
Dhe më dy e kishte ndarë,
E pa ndjerë kishte vdekur!
I kish rën' e shkreta shpatë,
Përnjëherë si rrufeja,
Ja bëri ditënë natë,
Gjaku i vij si rrëkeja;
I venitur' ishte nderë,
Ishte pa frym' e i qetë,
Me të vdekurit përzjerë
Ish i mjeri n'atë jetë.
Gjithë bota u çudinë
Me fuqit të Skënderbeut;
S'ja kish njeri trimërinë,
S'kish shok mbi faqet të dheut;
Nderi edhe dashurija
Nga gjithë bota i shtohej,
Papo gjithë njerëzia
Për atë trim përgjërohej;
Dhe vetë sulltan Murati
E donte keq Skëndrbenë,
Më shumë dhe nga i ati
E më teprë se Mehmenë
Skënder' e math prap' e ngjalli
Zot'i math e i vërtetë,
Muratnë shpresa e talli
Pandaj e lartësoj vetë
Ngaha vënt' i Perëndisë
Skënder' i math prapë dolli
E i dha nder Shqipërisë,
Se ajo sërish e polli.
Skënderbe'u bë i parë
Mi ushtërit të Turqisë,
Mi mijëra ushtëtarë
Kryeprens' i Shqipërisë.
U hoth të parënë herë
Nd'Azi ng'Adrinopoja,
Se ishte vend i përzjerë,
Pa atje e doj nevoja;
Si u hodhë përtej denë,
Skënderbegu me të dalë,
Mbloth ushtëtarët, që qenë
Rreth, e u tha këto fjalë:
"O vëllezrë ushtëtarë,
Q'u nistë bashkë me mua,
Unë punë të pambarë,
E të papëlqyer s'dua!
Duhet të jini të mirë
E të kini trimërinë,
Të mos bëhi egërsirë,
Po të mbani njerëzinë
Jo të merrni, të rrëmbeni,
Të shani e të godini,
Të rripni e të gënjeni,
Po faqebardhë të jini;
Grat' e foshnjat t'i mburroni,
Dhe pleqet t'u bëni nderë,
Të falurit t'i lëshoni,
Mos i përdorni si berrë
Trimi e çëmon njerinë,
E sheh si vet'hen' e tija,
S'do të likn' e ligësinë.
Punënë mir' e mejtoni,
E ndonjë të mos gënjehet,
Se pastaj më turpëroni,
Po kush do, që sot të kthehet;
Njeri s'duhetë të qahet
Nga shokët e mij ndë jetë
Dhe asnjë mënt të mos mbahet
Për të keq e për të metë
Dua të kini dëshirë
Për të drejt' e të vërtetë,
Për të mbar' e për të mirë,
Gjithënjë në këtë jetë
Luftëtarët t'i lëftoni,
Në luftë do t'i godini,
Po pastaj mirë vështroni,
Njerës të urtë të jini;
Unë dua trimërinë,
Dhe i falem burrërisë,
Po dua dhe njerëzinë,
Që ësht' udh' e Perëndisë
U kam vëllezër' e shokë
E miq me gjithë dëshirë,
Edhe mbi sy e mbi kokë,
Kur t'u shoh n'udhët të mirë
N'u pafsha në prapësirët,
Në dëm e në të këqija,
Në të lig' e të pështirët,
S'shpëtoni duarvet t'mija."
Unjnë kokën' ushtëtarët
E Skënderbegut ju falë,
Vegjëlija dhe të parët
I dhanë besë dhe fjalë
E shtroi kaq mirë Azinë,
Sa gjësendi s'pëpërinte,
Ngriti dëmn' e kusërinë,
Qëngji me ujkunë flinte;
U bë mbret'i gjith' Azisë,
Çdo pun' e vuri ndë udhë,
Doj udhën' e Perëndisë
Njeri s'mir asnjë kërpudhë,
S'bëri një gjë të përhirë,
Një punë të papëlqyer,
Botën' e linte të lirë,
Kurrë zëmrë s'kishte thyer;
Kish udhën' e njerëzisë,
Pa njerëzit gjith' e donin,
E tërë bot' e Azisë
Atë me gisht e tregonin.
Mënt shum' e urtësi kishte
Dhe të çquara vetija,
Ëngjëll' i qiellit ishte
Dërguar nga Perëndija;
Në zëmrë kish mirësitë
E ndë mëndje diturinë,
Në shpirt kish të madhe dritë,
Kish të bën' me Perëndinë
Ishte së gjithash i zoti,
Si shqipëtarët' e parë,
Si Pirroja q'ish qëmoti
E të tjerë kordhëtarë
Dinte mirë të lëftonte,
Edhe kishte fuqi shumë,
Dhe zëmëra i punonte,
Trimërija s'i kish gjumë.
Kur mirrte kordhën në dorë,
Edhe delte të lëftonte,
Ish si dashi me kurorë,
Njeri kundrejt s'i qëndronte.
Kishte në mënt urtësinë,
Që çdo pun' e çquan mirë,
Mirësin' e ligësinë
S'i përzjen t'i bënjë kllirë,
Ish burr' i gjall' e i gjatë,
E në shpatullat i gjerë,
S'ish i ligur' e i thatë,
Po ish si lulja në verë.
Ish i bardh' e faqezjarrtë,
S'kish gjësendi të pështirë,
Ish i florinjt' e i artë,
Edhe i leht' e shtatmirë.
Ishte mbret i bukurisë,
Si dielli epte dritë,
Kish hijen' e Perëndisë,
Natënë e bënte ditë.
Fytyrën' e kish të mirë,
Zënë t'ëmbëlë si mjaltë,
Zëmërnë plot mëshirë,
Vetëdijënë të naltë.
Kish të gjitha mirësitë
Dhe të tërë urtësinë,
Njerëzin' e dituritë
Dhe fuqin' e trimërinë.
Armëtë e ati zoti
Burra të fortë t'i zinin,
Katrë a pesë qëmoti,
Nga vëndi dot nuk' e ngrinin!
Lufta posa zij të ndizej,
Ajy s'duronte aspakë,
I hipën kalit e hidhej
Përmbi armikët si flakë
Edhe nuk mirrte të tjerë,
Të shumët në vënt i linte,
Vetëm dyzet jeniçerë,
Edhe si rrufeja binte.
Kali më fort hingëllinte
Dhe hidhej si vetëtima,
Asgjësendi s'doj të dinte,
Si rrufeja bij mi trima;
Posi shqipja fluturonte
Edhe ngrihej drejt përpjetë,
Nga goja shkumbë lëshonte,
Thoshnje do të pijë retë.
Skënderbegu kordhëzhveshur,
Lëshohej posi fajkua,
Me fytyrëzë të qeshur,
I bukurë si pallua;
Ish në luftë shum' i pjekur,
Nukë frikësohej kurrë,
Ishte i veshur ndë hekur
Edhe trim i fort' e burrë.
S'u munt kurrë Skënderbeu,
Që lëftonte nat' e ditë
Njeri udhënë s'ja preu
As me luftë, as me mitë.
Turqisë i ndihu fati,
Skënderbegu e xgjeronte,
Dhe në front prehej Murati,
Burri trim për të lëftonte.
Mundi Europ' e Azinë,
Si Skënder' i Math njëherë,
E madhoj shumë Turqinë,
Bëri Mbretëri të gjerë.
Trimëri e Shqipërisë,
Skënderbe' burr'i vërtetë,
I hodhi themel Turqisë,
Fat i zi, o fat i shkretë!
Gjithë bota Skënderbenë
E dëgjoj edh'e zij ngoje,
Emër'i tij mori dhenë,
E gjithë dridheshin soje.
Edhe në Adrinopojë
Sulltan e të tjerë ç'qenë,
Më s'kishin tjatrë në gojë,
Po gjithënjë Skënderbenë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

IV


Gjoni dërgoj shumë herë
Njerës në Adrinopojë,
Kërkoj djemtë mbret' i mjerë,
Se kishte mall e nevojë
Po sulltani i përgjigjej
Sot e nesrë, pas zakonit,
Nat' e ditë po i digjej
Zemër' e varfërë Gjonit.
Në Evropë kish dërguar
Njerës e ndihm' u kërkonte,
Po s'e kishinë dëgjuar,
Se njeri s'doj të lëftonte.
U tha: "Të bëhemi shokë
E ta përzëmë Turqinë,
Kemi armiknë mi kokë,
Po të bëjmë miqësinë."
Evrop' e shkret' atëherë
Ishte për djall' e për lumë,
Priste Ruson' e Volterë,
Ta zgjuanin ng'ajy gjumë:
Kokën në trastë ta vënë
Disa njerës të vërtetë,
Pa ta bëjnë si e bënë,
Të lulëzuar për jetë.
E kish mbuluar fe-zija,
Njeriu s'e doj njerinë,
Mbretëronte e padija,
Nukë ishte si taninë.
Shqipëtarëtë punojnë,
Gjith' ata kombet' e shuar
Përpiqenë që t'i zgjojnë
Ng'ajy gjum' i mallëkuar.
Gjon'i gjorë u mundua,
Po ndihmë s'gjet dot gjëkundi,
Sa u plak, u dobëtua,
Pa ra e vdiq më së fundi!
Murati posa dëgjojti,
Që mbet pa mbret Shqipërija,
Gjithë ç'kish thën' i harrojti
Dhe dolli nga njerëzija;
Fjalën s'e mbajti Murati,
Me të pabesë punojti,
Dorënë me vrap e zgjati,
Shqipërinë e shkretojti!
Vëllezrët e Skënderbeut,
Q'ishin në Adrinopojë,
Lark shtëpis' e mëmëdheut,
S'i lanë të hapnin gojë,
Po të tër' me vrap i zunë,
Me një tmerr të keq i mblodhë,
Pa në burg të thell' i vunë,
Edhe hekurat' u hodhë!
Pastaj dërgoj Xhybelinë,
Q'e kish të math e të parë,
Për të marrë Shqipërinë,
Me njëzet mij' ushtëtarë.
Shqipëtarët pisk e panë,
Se kish djemthitë Murati,
Ng'ajo frikë nuk' u ranë,
Mos i vriste dorëgjati.
Hyri armiku në Krujë
Edhe zuri Shqipërinë,
Vendi gjith' u bë rrëmujë,
Njeriu harroj njerinë!
Ish thënë vallë nga Zoti
Këjo pun' e mallëkuar?
Mot' i zi, mot' i verbuar!
Opopo, Zot i vërtetë,
Që ke ligë mirësinë,
Qysh munde ta shohç në jetë
Ndë robëri Shqipërinë?!
Mbretëresha që pa fatnë,
E gjith' ato hidhërime,
U hoq, vate zuri Matnë
Me lot e me mallëngjime!
Është keq njerith' i mjerë
Kur ka qënë si desh vetë,
Pastaj bije menjëherë
E s'i mbetet gjë në jetë!
Po shumë trima me besë
Pas mbretëreshës' i ranë,
Pa ngushëllim e pa shpresë
Edhe vetëm nuk' e lanë.
Katrë nga vashat' e tija
Mbreti vet' i kish martuar,
Pa nxjerrë nga Shqipërija,
Dhe m'e vogëla ish vluar.
Mbretëresh' e gjorë rrojti
Sa arriti dhe atëzë,
Me një trim burr' e martojti,
Q'ish e bukur si thëllëzë.
Rroj', se vërtet s'e harrojnë
Helmin' e zi kurrë gratë,
Po bashkë më atë rrojnë
Të pandarë dit' e natë.
Helmin në zemër' e pshehin
Edhe me të përdëllehen,
Armiknë mik e pandehin,
O, të gjoratë ç'gënjehen!
E burratë nuk' e qasin,
E njohën më mir' armiknë,
Papo duanë ta vrasin,
Andaj e gjejnë rreziknë.
Mbretëresha ish drobitur,
Ra në sëmundj'e në lëngime,
Posi dritëz' e venitur.
Nat' e dit' ish në mejtime,
Se la plënkn' e la shtëpinë
Edhe gjithë ç'kish në jetë,
Humbi djemt' e mbretërinë,
Mbet e varfëra e shkretë!
Pa u tret e u kullua
Dhe zëmrën' e përxhëlliti,
U doq e u përvëlua,
Syn' e bukur e veniti.
Që kur u nda, më s'qe thënë
T'i shihte me sy në jetë,
Më nuk' ua dëgjoi zënë,
Po mbet kërcurez' e shkretë!
Dit' e bardhë iu bë natë,
Nat' e tmerruar' e sterrë,
U bë një plakëz' e thatë,
E jeta iu bë skëterrë.
Mejtonte djemt' edhe qante,
I dridhej buza së mjerës,
Lott' e saj s'muntte t'i mbante,
Ishin si breshër' i verës.
Ah! o jet' e shkreta jetë!
Që s'qëndron më një, po ndrohesh,
Je e rreme, s'j'e vërtetë,
Vet'e vete, pa ndryshohesh!
E mëson njerin' e mjerë
Të heqnjë e të duronjë,
Të ngrihetë e të bjerë
Dhe të parat t'i harronjë.

Dimëri kish shëmëtuar
Faqen' e dheut q'ish tharë,
Moti, q'ishte egërsuar,
Kish fishkur lulet' e barë.
Shpestë ishinë të qetë,
As lëvrinin, as këndonin,
Kishinë zënë foletë,
Dridheshin edhe rënkonin,
E retë sterrë të zeza
Dhen' e kishinë mbuluar,
Q'ish i bardhë posi veza,
Në mest të tyre qëndruar.
Gjë e gjallë s'pëpërinte,
Jeta gjithë ishte shuar,
Ish thëllim e frynt' e binte,
Bota ishte e shkretuar!
E bukura ishte kthyer
E kishte zënë verinë
Edhe prap' e kish gënjyer
Të bukurin, ditëzinë
Dhe Afërdita në verë
Hipën sipër' e zë malë
Edh'e dërgon Shtun' e mjerë
Nëpër veri me një fjalë
Në dimër' e në dëborë
Vetë vet'e zë verinë,
Ahere Shtunit të gjorë
I ep mal' e arratinë.
Ajy e kërkon ta gjenjë,
Pa shëndin e shpreh ta pjeknjë,
E ajo rreh ta gënjenjë,
Zëmrënë vështron t'i djeknjë,
Andaj kurrë s'e ka pjekur,
Si ajy që kërkon fatnë,
E ndjek, po nuk' e ka gjetur
Këmbëdjall' e sylugatnë.
Afërdita zu verinë,
Dimëri e pushtoi dhenë,
Shtuni mori malësinë,
Dhe qielli lëshoi renë
Syri më s'të shihte qiell,
Yll a hënë nukë shihej,
As ditë, as drit', as diell,
Ishte nat' e dita s'ngdhihej.
Kur munt errësira dritën,
Dhe nata si qen' i qetë
E kafshon edh'e ha ditën,
Ç'të mira të shohç në jetë?
Udh' e dyer ishin zënë,
E drurëtë kishin ngrirë,
Një zi e keqe kish rënë,
Gjithë botën' e kish mpirë
Jeta ishte në pushime
Edhe dukej e tmerruar,
Kulloninë hidhërime,
Vdekja gjith' i kish mbuluar!
Qielli me Perëndinë,
Hedhurë cipën' e zisë,
Po qante për Shqipërinë
Që humbi vahn' e lirisë.
Një natë të tëmerruar,
Që ia kish thurur dëbora,
Mbretëresh' e dëshëruar
Ishte keq për vdekj'e gjora!
Kish kënduar gjel'i parë,
Po këndonte gjel'i dytë,
Buz' e shkretë i ish tharë,
Po kur hapi të dy sytë!
"Djemtë!" tha dhe psherëtiti
Dhe rreth e rrotull shikojti,
Sytë përpjetë i ngriti,
Pa e la jetën' e shojti!
E! po përse Perëndia
Mbretëreshës' i dha vallë
Kaqë shumë të këqija?
E pati shkruar në ballë?
Mëngjezi e gjeti vdekur
Posi një thëngjill të shuar,
Ftohur' e bërë si hekur
Edhe tretur' e kulluar.
Dukej brenga që kish hequr,
Në buzët të përzhëlitur,
Dhëmbj' e zëmrës i kish mbetur
Mbi syt, q'ishte i venitur!
Jeta kërkon ta mundonjë,
Po vdekja s'e lë njerinë,
Papo i vjen ta shpëtonjë,
Dhe s'ia dinë mirësinë!
Më nestrët hapnë dëborën
Edhe mihnë dhen' e shkretë,
E vunë në varrt të gjorën,
E mbaroi të zezën jetë!
Vashatë mbenë pa mëmë
Dhe pa vëlla e pa atë,
U erth' gjëmë përmi gjëmë,
Dit' e tyre u bë natë!
O Adrinopoj' e shkretë!
Q'ishe fron' i ligësisë,
Një emrë të keq përjetë
Ke marrë ndaj njerëzisë
Se ty se pari të zunë
Njerëzit' e mallëkuar,
Gjithë të ligat' i prunë,
T'i hodhë në krahëruar!
Si mjer' ata, që i zinin!
Kurrë s'kishinë shpëtime,
Ndër thonjt të tyre i vinin,
E më s'lininë kursime!
Skëterr' e jetës' ish burgu,
Se kishte shumë mundime,
Dhe ajy që hynte, murgu,
Bij në helm' e nd'idhërime!
Ish në t'errët nat' e ditë,
Gjë s'shihte e gjë s'dëgjonte,
Nukë shihte kurrë dritë,
Jetën në të zez' e shkonte!
Ishin ca të mallëkuar,
Vinin rrotull n'errësirë,
T'egër' e të tëmerruar,
Mundonjës e të pështirë!
Këmbëzbathur, kërsinjthatë
E shumë të shëmëtuar,
Lakuriq e mjekrëgjatë,
Pa zëmrë në krahëruar;
Gjithë gërxhe kok' e tyre
Nga rreckat' e nga lëveret,
Me fytyrë prej mynxyre,
U vininë rreth të mjerët!
Kishin nëpër breza thika
Dhe ndër supa kordhe vartur,
T'i shihnje të merrte frika,
Ndjenje në zemrë të mardhur!
N'emërit të Perëndisë
N'atë vënt të mallëkuar
I faleshin djallëzisë
Duke larë këmb' e duar!
Muret' e burgut të errët,
Gjak edhe helmë kullonin,
Mjerë kush hyn në skëterrët,
Egërsirat' e mundonin!
Atje brënda gjente djallë
Dhe mundime të këqija
Më nukë delte i gjallë,
Atje mbretëronte zija!
Ca për jetë i mundonin,
I vrisninë ca të tjerë,
I mbytnin' e i helmonin,
A i therrninë si berrë
Prensërit e Shqipërise,
Vëllezërit e Skënderbeut,
Q'ishinë penk ndaj Turqisë,
Edhe shpres' e mëmëdheut,
Ata më shum' i munduan
Në burgut, q'i kishin vënë,
Se fron' e t'et e kërkuan
Pas fjalësë që qe dhënë.
Një natë të tre i zunë,
Një e mbyn' e një e helmuan;
Më të madhë posht' e vunë,
E pren' edh'e copëtuan!
Me të pabesë e pati,
E gjettë me Perëndinë!
Ku kish bes' e fe Murati,
Që shtu në lakt Shqipërinë!
E përmbysi Shqipërinë
Dhe shtëpin' e mbretërisë,
Edhe pruri ligësinë
E djallëzin' e Azisë.
Të parët s'i lij nakari,
Që kishin më Skënderbenë,
Thoshin': "Erdhi shqipëtari,
E na vu në dorë mbrenë
Të gjithë na la pas soje,
E dolli vetë në ballë,
Neve njeri s'na zë ngoje,
Sa të jet' ajy i gjallë."
Zunë ta bintninë mbrenë,
Sicilido tjatrë fjalë
I thoshte për Skënderbenë
Edhe këlliste një halë.
Me fuqit të dhelpërisë
Donin ta humbnin përjetë,
Pas mënyrës' së Turqisë,
Që të ha si qën' i qetë.
I thoshinë: "Skënderbeu
Është njeri i pabesë,
Zotn' e math tën' e gënjeu,
Dh'e shtu me lajka në shpresë
Mos pandeh kurr' e mos thuaj,
Se për ne nukë përpiqet
Një njeri, që ësht' i huaj;
Ësht' armik, po si mik hiqet;
Edhe sot e këtë ditë
S'i pëlqen njerëzit tanë
E mban gjithnjë të titë,
Shqipëtarëtë ka pranë
Mban rrobën' e Shqipërisë,
Është shqipëtar i tërë,
S'është miku i Turqisë,
Këmbën' e t'et rreh të zërë.
Nuk' e do kombinë tënë,
Punët tona s'i pëlqejnë,
Një tjatër' udhë ka zënë,
Si na thon' e na rrëfëjnë.
Sa ka trima e të parë,
Që i ka me nder e shokë,
Janë gjithë shqipëtarë,
Q'i mban për vdekj'e për kokë.
E mori gjithë Sirinë,
Dhe bota sindëkur thonë,
Kërkon ta bënjë të tinë,
Edhe ta ngrehnj' atje fronë,
Pandaj përpiqet e vuan,
Ka synë te mbretërija,
Ushtëtarët shum' e duan,
S'dalinë nga fjal' e tija.
Froni yt nuk' është mirë,
Sa të jet' ajy i gjallë,
Po ki për neve mëshirë,
Se pastaj më t'i kesh mallë."
Këto fjalë vënt i bënë
Muratit, dhe po mentohej,
Ethetë nisnë ta zënë,
Fytyra zu t'i ndryshohej.
Thosh: "Mos marrë Arabinë,
A mos vinj' e marrë fronë,
A të zërë Shqipërinë,
E ma bën sindëkur thonë!"
Doj ta vriste po s'kuxonte,
Se ushtëtarët' e donin,
Kish frikë mos e pësonte,
Ngriheshin' e ja kërkonin.
Pastaj tha me mënt të tija:
"Tani për pakë ta lemë,
Po së shpejti nga Sirija
Me një mënyrë ta ngremë.
T'i shkruanj: "Shum' u mundove,
Më paç uratë, matanë,
Asinë tani e shtrove,
Dua të jesh këtu pranë
Të vinç, se munt të na ngjanjë
Nonjë luftë më kët' anë,
Vendin' aty le ta mbanjë,
Një nga të parët që janë"
Ta sjell këtu e të mbesë
Ca kohë n'Adrinopojë,
Ta mbanj me fjal' e me shpresë
Edhe ta lë ndë nevojë
Sa të humbasë fuqinë,
Ushtëtarëtë të ftohen,
Ta harrojnë dashurinë,
Për të më të mos mejtohen.
Pastaj moti do ta shtjerë
Dhe atë ndër duart' tona.
Si shturi shumë të tjerë,
Se sot dita është jona.
Skënderbeu do e vuan,
Sa të jetë gjall' Murati!
Të tjerëtë ç'gjë fituan,
Ç'mundi të bënte i ati?
Në mos ndihtë Perëndija,
Këtu janë dhelpëritë,
Rroft' e qoftë pabesija,
Dhe djalli e djallëzitë!"
Kshu tha dhe karta u shkrua,
Kartëshpënësin' e nxori,
Dhe ajy më s'u mënua,
Udhën' e Sirisë mori.
Dielli posa kish dalë,
Edhe drit' e tij kish rënë,
Kishte ndriturë malë,
Hijeja rrëzat kish zënë
E kish zbukuruar vera
Vendinë me lule t'arta,
Fushat' e ndera, të gjera
Ishinë bërë të zjarrta.
Trim'i madh dolli nga tënda,
Thëllëzatë po dëgjonte,
Zën' e tyre ja kish ënda,
Dhe mëngjezë shum' e donte,
Po vinte rreth duke shkelur
Përmbi luletë me vesë,
Që posa ishin çelur,
Si zëmëra kur ka shpresë
Ushtëtarët kishin dalë,
Nëpër sheshe po shënditnin,
Shikonin fushën' e malë,
Syt' e zëmratë zbavitnin;
Bujqitë gjithë lëronin
E tërë bota lëvrinte,
Njerëzitë po punonin,
Asnjeri pa punë s'rrinte;
Lumenjtë me vrap nxitonin
E dheu po lulëzonte,
Shpesëtë gjithë këndonin,
Trimi po shiht'e dëgjonte.
Pasi shkoj një copë ditë,
Mblodhi gjithë parësinë,
Pa gjyqet e gjithësitë
Që duheshin për Sirinë.
Dita kishte marrë vrapnë,
Gjëkundi nukë qëndronte,
Se nata kish hapur çapnë
E pas soje po nxitonte;
U ngrys e po errësohej,
Bilbili zu e këndonte,
Skënderbeu po mejtohej
Edhe bilbilë dëgjonte;
Shumë herë psherëtiti
Nga ajo zemër' e gjerë,
Breshërimë lotsh i xbriti,
Po kur heth sytë më derë,
Pa, tek po vinte, Hasanë,
Një plak me bes' e i vjetrë,
Q'e mbante gjithënjë pranë,
Dh'e doj nga gjithë më teprë.
"Jak', i tha, Hasan, pa jakë,
Se kam rënë në mejtime,
Shko, rri, të të tregonj pakë
Nga ç'më thotë mëndja ime.
Më nuk' e duronj dot mallë
Që kam për mëm' e për atë,
Dhe s'di a janë të gjallë,
I kam ndër sy dit' e natë.
Kam fort mall për Shqipërinë,
Për miq e për të njohur
E për gjithë njerëzinë,
I kam lottë të pashtrohur;
Shumë kohë këtë herë
Shkoj pa marrë ndonjë kartë,
Zëmërn' e ndjenj fort të mjerë
Edhe nga malli të zjartë.
Zëmrënë dhëmbja ma mbushi
Me helm e me hidhërime,
Pa më digjetë si prushi,
E kam plot me mallëngjime
Për motërat' e për farët,
Për vëllezër' e të tjerë
Dhe për gjithë shqipëtarët
E për mëmëdhen' e mjerë.
Aqë kam një mall të shumë
Për Shqipërit nat' e ditë,
Sa s'kam as prëhje as gjumë,
Më gjeti si çilimitë!
Unë vuanj për Tyrqinë,
Po nukë më mbeti shpresë,
Më vjen keq për Shqipërinë,
Tyrqit' i shoh të pabesë.
Ti e di si kam lëftuar
Gjithënjë për mbretërinë
E ç'punëra kam punuar,
Po të mirënë s'e dinë.
Si desha unë Tyrqinë,
Ashtu dua dhe Murati
Të më dojë Shqipërinë
E t'i bënjë nder tim ati."
Tek tha dhe një psherëtimë
E zjart' i del Skënderbeut,
Q'ish nj'e madhe dëshmimë
Për dhëmbjet të mëmëdheut.
Hasanit, q'e dij ç'ish bërë,
Ç'kish pësuar Shqipëria,
Këto fjalë si gjilpërë
I shkuan në shpirt të tija:
Dy-tri herë psherëtiti
Edhe erth' u mallëngjye,
Më pasdaj dorënë ngriti
Edhe drejtpërdrejt iu kthye,
Pa i tha: "T'u ngjattë jeta!
I ke të tëra në dorë,
Në të ndritoft' e vërteta.
Kurrë s'mbetemi të gjorë."
Këto pakë fjalë thanë
Burri trim e i uruar
Bashkë me çelë Hasanë,
Që e kishte të besuar;
Pastaj dolli Skënderbeu,
Po vij rrotull si dragua,
Fjalënë atje e preu,
Parësija ju afrua.
I përshëndoshi me rradhë,
Buzënë më gas e vuri,
Të vogëlin' e të madhë,
Gjithë për dore i zuri.
Të mugëtitë po vinte,
Së qetazi nata delte,
Hapësirënë e nxinte,
Ndë erët lehtazi shkelte.
Mishratë ndë hell u vunë,
Parësija po dëfrenin,
Trimatë vallen' e zunë,
Nëpër sheshe po kërcenin.
Ndënjnë dhe hangër' e pinë,
Duke thënë fjalë shumë,
Një copë her' u zbavinë,
Po pastaj ranë në gjumë.
Në zi ishte Shqipërija
E në të këqija shumë,
E kish shkelur ligësija,
Ish në robëri për lumë!
Këtë radhë erdhi vera,
Po zëmrat' i gjet të ftohta,
Nukë si herët e tjera,
Q'ishin me gas e të ngrohta!
Më s'ish zonjë Shqipërija,
Shqipëtari s'ish i zoti,
E kish zënë dobëtija,
Q'i kish prur' i shkreti moti.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

V


U ngrit fat' i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri,
Mori udhën' e Asisë,
Duke ikur si i marri,
Me një rrobëzë të çqyer,
Me fytyrë të tmerruar
Dhe me gjak lyer e ngjyer
E me sy të zgurdulluar;
Posi hije mori dhenë,
Duke ecur me vrap shumë,
Papo u hodh përtej denë
Si ajy q'ikën në gjumë.
U shëmbëllye me Gjonë,
Mori fytyrën e tija,
Shtanë dhe zën' e zakonë
Edhe u derth nga Syria.
Plaku me shkop duke shkuar,
Posi nata mori dhenë,
Pa vëndethit e uruar
Dh'erth e gjeti Skënderbenë
Pa iu qas edh'e fërkojti
Me mall shum' i mjeri atë,
Në mest të tendës qëndrojti,
I zi sterrë posi natë!
I ligur, i dobëtuar,
I grisur, i çkatërryer,
I shkretë, i varfëruar,
I qar' e i mallëngjyer!
Ish i venitur, i vdekur,
I rrithte si lumë gjaku,
Ishte përgjynjur' e tretur
Dhe dridhej i tërë plaku!
Si ajy lipës' i gjorë
Që ka mbeturë pa bukë,
Rri ndë shi e në dëborë,
Ngjeshur i mjeri me zhukë!
Ahere kur fryn e bije,
Jeta është gjith' e qetë,
Reja dëborënë shtije
Mbi dhet të ftoht' e të shkretë!
Ajo plakëz' e sëmurë,
Kur i vjen e zeza natë,
Pandeh që s'gdhihetë kurrë,
Aq i duketë e gjatë!
Po kur kthehet sërish vera,
Që vjen me lul'e me fletë,
Dhe me të mira të tjera,
Bënetë tjatërë jetë,
Dita sa vjen madhësohet,
E vë posht ahere natën,
Pa tretet e dobëtohet,
Ngjan me plakë brengëgjatën.
Bujku zë e lëron arën,
Duke parë mirë motnë,
Heth mir' e bukurë farën,
Pa shpresën' e ka më Zotnë
S'i mallëkon kurrë qetë,
Se ësht' e madhe mëkatë,
Nuk' e do Zot'i vërtetë,
Pa i quan mëm' e atë.
Këthehetë prapë moti,
Po çdo kohë ka një shijë,
Ashtu e ka bërë Zoti,
Q'i vu të gjitha më vijë.
Vinë, venë, sërish vinë
Të gjitha ç'janë në jetë,
Pa vëre re njerëzinë,
Ta njohç fjalën' e vërtetë.
Qysh bije në vjeshtë shiu,
Lumi qysh i vete detit,
Ashtu të thotë njeriu
I derdheshin lotët mbretit!
Posi rrëkeja i vinin
Dhe i mirrin krahërorë,
Nga mjekër' e bardh' i binin,
Që e kishte si dëborë!
"Fle? i tha, o jetëgjatë!
Nuk' e di se ç'është bërë,
Ç'e gjet të zinë tët atë
E Shqipërinë të tërë?
T'u shua fare shtëpia
Nga turqit' e mallëkuar,
Hyri ndë kurt Shqipëria,
Është shuar' e shkretuar!
Tyrqitë si egërsira,
Armikët' e njerëzisë,
Me mënyra të pështira,
Me dhelpërit të Azisë.
E muarrë Shqipërinë
Dhe shkoj e vate lirija!
Prunë dëmn' e babëzinë!
Po mbretëron ligësija.
Vëndet' e shumë i zunë,
I prishnë duke shkretuar,
Në zgjedhë të keq'e vunë
Shqipëtar' e varfëruar.
Ç'hoqi Shqipëriz' e gjorë,
Vashatë gjith' u përmblodhë,
Për të mos rënë në dorë,
Nga shkëmbi përposh u hodhë.
Tët vëllezërë të tërë
Egërsiratë i vranë,
S'tregonetë ç'kanë bërë,
Gjë të gjallë nukë lanë!
Fle ti, shpres' e Shqipërisë?
Mëmëdheu të ka shpresë,
T'i përzësh mbren' e Tyrqisë,
Që ia ka me të pabesë.
Ti përpiqesh si i marrë!
Jakë në mënt e mos vuaj,
Murati po të bën varrë,
Armiknë tënt mos e duaj!
Ati që të shoi shtëpinë
Dhe bëri rop shqipëtarë
E të shkretoi Shqipërinë,
Duke ndar' e duke vrarë,
Armikut të Shqipërisë
I bën të mirë në jetë?
Errësirës' së Asisë
Që të la kërcu të shkretë!
Apo rreh të març Asinë,
Si Skënder' i Math njëherë,
Të ngrehsh këtu mbretërinë,
Pa ta lësh nëpër të tjerë?
Ish i math me të vërtetë,
Mbi të gjithë mbretërojti,
Po pastaj fron' e la shkretë,
Mëmëdheu gjë s'fitojti.
Pirroja lëftoi Greqinë,
Edhe Romën' e të tjera,
N'Afrikë Evgjitërinë,
Sindëkur ja pruri hera,
I dhan' emrë Shqipërisë,
Po veç emërin i lanë,
T'ish urdhër i Perëndisë,
Ishin ndryshe vëndet tanë.
Burratë, që pinin retë,
Botënë në dor' e vinin,
Muntnin një themel përjetë
Vëndit të tyre t'i shtinin.
Ty ta la rradhënë moti,
Që ta nderonç Shqipërinë,
Fuqi më të dhëntë Zoti,
E bëfsh gjithë mbarësinë!
Të gjithë humburë venë,
Veç një munt emrë të lerë,
Që lëfton për mëmëdhenë,
S'mundohetë për të tjerë,
Mëmëdheu të ka shpresë
Që ta nxjerç pej robërie,
Nënë xgjedhë të mos mbesë,
T'i apç dritë si ka hije.
Qysh munt të lësh Shqipërinë
Në kurt e në të këqija
E të vuanç për Tyrqinë?
Ç'të mirë pe nga Tyrqia?
S'të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin' e mjerë
E s'të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin' e nderë?
Robërin' e Shqipërisë
Edhe gjëmën' e tyt eti
Dhe mynxyrën' e shtëpisë
Qysh munt ta shohç, që të gjeti?
Gjakn' e gjithë Shqipërisë
Tani ti je nënë barrë
T'ia nxjerrç nga hundët Tyrqisë,
Veç teje s'ka kush ta marrë.
Do të lësh në këtë jetë
Nj'emrë shumë të uruar
E një dritë të vërtetë,
Q'ajo kurrë s'ka të shuar.
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë,
Muratit i pinja gjaknë,
Sot s'gënjehesha me fjalë,
Të shoh vëllezërit vrarë,
Shtëpinë time të shuar,
Shqipërin' e shqipëtarë
Të lidhurë këmb' e duar!"
Kështu tha, dhe posi era
Iku duke qar' i gjori
E dolli me vrap nga dera,
Ajy qënëke Mënttori!
Skënderbeu u tmerrua,
Dhe zëmëra q'e kish trime,
Ju doq e ju përvëlua,
Ju bë cop' edhe thërrime.
Me tmerr e me breng' u xgjua,
Burr' i math e trim i mirë,
Dhe ndënj pak' e u mejtua,
Kur sheh që posa ish ngdhirë
Qiellin' e kishin zënë
E gjithë qarkunë retë,
Dukej sikur kishte rënë
Një zi e madhe ndë jetë.
Derën' e tëndës' e hapnë,
Një kalorës po thërriste,
Kali kishte marrë vrapnë,
Ajy, sa mundte, bërtiste.
Vinte nga kryeqyteti,
Nga Adrinopoj' e shkretë,
Sillte kartënë nga mbreti,
Që s'kish fjalë të vërtetë.
Skënderbeu e këndojti,
E mori vesh pabesinë
Dhe një shërbëtor dërgojti
E thirri vetë njerinë
I tha: "Kartë pse s'më prure
Nga im at', apo s'të dhanë?"
At'i ra të zi pej ure
Posa i zu ngoje t'anë,
Po e mblodhi, s'u rrëfye,
Tha "Vetëm këtë më dhanë"
Edhe fytyra ju kthye,
Djersë të ftohta i ranë.
I tha: "Po nga Shqipërija
Nonjë fjalë s'ke dëgjuar?"
Ajy mbloth supat e tija,
Dhe vu dorën në krahëruar.
Skënderbeu tha: "Ç'më thua?
Tim vëllezrë s'i ke parë
Dhe s'të thanë gjë për mua?
Këjo punë s'ësht' e mbarë."
Ajy me gjuhët të trashë
Tha: "S'i njoh, t'u ngjattë jeta!
E s'të them dot se i pashë,
Se s'pshihetë e vërteta."
Trimi më tej nuk' e shpuri,
Po qëndroj e u mejtua,
Ëngjëlli ndër mënt ja pruri
Dhe lott' i vanë si krua.
Më s'ndenj, po që atë ditë
Mblodhi pleqt' e parësinë
Urdhëroj, bënë gatitë,
Të parë la një të tinë.
E dëgjuan ushtëtarët
Që ikënte Skënderbeu,
Pa gjith' i mori të qarët,
Thanë "Të na pikë dheu!"
Më nesëret gjith' u ngrinë,
Edhe pleqt' e parësija
Skënderbeut po i vinë
Brënda në tëndët të tija.
Ajy ish ngritur pa ngdhirë,
Kishte zën' e po mejtohej,
Punëtë s'i gjeti mirë,
Pa zëmëra i përvëlohej.
Kur ata në der' u dhanë
Të vrënjtur e të helmuar,
Të gjithë afër i vanë
Me fytyrë të tmerruar!
Popo, ish bërë zapati!
Mynxyr' e madhe kish ngjarë,
S'kish mbetur njeri nga ç'pati,
Ç'gjë t'i thoshinë më parë!
Për vëllezër' a për mëmë,
Për t'an' a për Shqipërinë,
Nuk' ishte një e dy gjëmë,
I kishin mbyllur shtëpinë!
Desh t'i thosh atë Sandushi
Nga gjithë ç'qenë më parë,
Po sytë me lot i mbushi
Edhe u mbyt duke qarë.
Skënderbeu: "Pse s'më thoni?"
U tha, "Shokë! Ç'është bërë?
Të gjitha të m'i tregoni!
Mos bëhi si gra të tërë!"
Pastaj të tëra ja thanë
Me vaj e me mallëngjime,
Mijëra rrufe i ranë
Në atë zëmërën trime!
Të gjithë shokëtë qanin
E më shumë shqipëtarët,
Ngashërimënë s'e mbanin,
Nuk' e prisnin dot të qarët.
Skënderbeu ish mahnitur,
I dridhej buza dhe qante,
Rrufet' e kishin goditur,
Lottë më s'mundte t'i mbante.
Ajo zëmër' aqë trime,
Që s'doj të dij nga shigjeta,
Nga të tilla hidhërime
U munt far'e ju nxi jeta.
Kish shpresë të vij një herë,
E t'i gjen si i kish lënë.
Popo, njeriu i mjerë!
S'kemi gjë në dorët tënë!
Skënderbeu s'përdëllehej,
Ra në sëmundj'e në lëngime,
Shëndeti më nuk' i kthehej,
Ish ndë eth'e ndë rrënkime.
Ndënji tre a katrë muaj
I sëmur' e në shtrat rënë,
Në vënt të larg' e të huaj
Shkoj me brengë disa hënë.
Si mori mirë shëndenë,
Zgjodhi nga gjith' ushtërija
Sa shqipëtarë që qenë
E të pakë nga Azija,
Papo u hoth në Evropë,
Erdhi në Adrinopojë
Me zëmrë mijëra copë,
Që s'tregonetë me gojë.
Gjithë bota nga qyteti,
Sa e njihnin e s'e njihnin,
Si mizërija, rrëmeti,
Duallë jashtë ta shihnin.
Një t'atillë trim' e burrë,
Gjithë njerëzit' e donin,
Se shok s'kish pasurë kurrë,
Papo me gisht e tregonin.
Ishte trim posi dragua,
Kish mëndjen' e urtësinë,
Ish i bukur si pallua,
Kish me vehte Perëndinë.
Kur u poqnë me sulltanë,
E priti mirë si djalë,
E vuri dhe ndenji pranë,
Pa i tha t'ëmbëla fjalë,
Po të gjitha ato fjalë
Të rrem'e për faqe qenë,
Rrodhë të tëra si valë
S'e gënjeu Skënderbenë.
Tha: "Je shtyll' e mbretërisë,
Me ty mbahetë Turqija,
Je fuqi e Perëndisë,
E di vetë Perëndija.
Nga mynxyratë që ngjanë,
M'erdhi më shumë keq mua,
Që i pata këtu pranë,
Zëmëra, m'u përvëlua!
Po një punë q'ësht' e thënë
E vjen nga Zot'i vërtetë,
Nuk' është në dorët tënë,
S'i gjëndetë bar në jetë.
Tani mos del nga qyteti,
Se s'kemi nevojë kaqë,
Armik pothua s'na mbeti,
Me të gjithë kemi paqë
Edhe vetëm mos më lerë,
Kur të kesh volinë, jakë
E më piq ngandonjëherë,
Të rrim' e të flasim pakë
S'dua të mërgohesh meje,
Se unë tek ti kam shpresë,
Njeriu tjatrë veç teje,
Në jetë nuk' i sjell besë
Më pastaj në dashtë Zoti,
Në u bëftë si them unë,
Si të mbarohetë moti,
Kam mejtuarë një punë,
Të të bënj mbret e të parë,
Si i kam thënë tyt eti,
Përmi gjithë shqipëtarë,
Se froni sot ty të mbeti."
Kshu tha, po ja kupëtonte
Skënderbeu djallëzitë,
Bëhej sikur i besonte
Dashurin' e miqësitë.
Kohë në qytet qëndrojti,
S'delte fare nga shtëpija,
Murati ç'kish bër' i msojti
Të gjitha nga miqt' e tija.
Të vëllezërit' i vinin
Në ëndërrë, edhe plaku,
Kundrejt si hije i rrinin,
Si krua u rrithte gjaku!
Skënderbeu kohë priste,
Edhe volinë kërkonte
Sulltan Muratnë ta vriste
Edhe fronë ta rrëzonte,
Të hiqte kordhën' e gjatë,
E t'i bij sa kish fuqinë,
T'ja bëj krahërorë govatë
E t'i nxirrte mushkërinë,
Apo ta shtinte nër duar
E posi berrë ta therte,
A ta shkelte në krahëruar
Edhe shpirtinë t'i merrte,
Posi ujku qen' e plakur,
Që s'i kanë mbetur dhëmbë,
E zë dh'e ngorth pa përgjakur,
Duk'e xhvaturë me këmbë!
M'anët tjatërë Murati
Kishte soje frikë shumë,
Synë hapët si lugati
E mbante edhe në gjumë!
Papo nënë dhet punonte
Me djallëzi nat' e ditë,
Varrë Trimit i rrëmonte,
Po s'i shkonin djallëzitë.
Ndër këto gjëndej Murati,
Po s'ja kishte ënda vrapnë,
E më s'i dha kohë gati,
Luftatë sërish u hapnë.
Hynjadhi, mbret i Vllahisë,
Që kish dhe Transillvaninë,
Vlladislla i Polonisë,
Q'ish bashkë me Ungarinë,
Ju lëshuanë Turqisë
Të dy bashkë menjëherë,
Në rrëmet të ushtërisë
U përzjenë dhe të tjerë.
Murati mbloth ushtëritë
Me mijë si mizërija,
Edhe bëri çpejt gatitë,
Sindëkur e kish Turqija.
Pa nukë bëri të parë
Skënderbe burrën' e trimnë
Mbi të gjithë luftëtarë,
Q'e kish gjithënjë fitimnë
Po Muharrem benë nisi,
Q'ish një turk i tëmerruar,
Dhe i trashë posi lisi,
E dërgoj për të lëftuar,
Pastaj ndënj e u mejtua,
Rreziknë e kupëtojti,
Vet'hesë ju zëmërua
Për të parin që dërgojti;
Thirri të birë, Mehmenë,
I tha: "Si ja shtie unë,
Të dërgojmë Skënderbenë,
Muharremi s'bën dot punë
Po të mos ta bënj të parë,
Vetëm ndihmës le t'i jetë,
Që të vejë puna mbarë,
Shum' urdhërë të mos ketë.
Armikëtë Skënderbeu
Do t'i muntnj' a vritet vetë,
Këjo punë më pëlqeu,
Se del mbroth, sido të jetë."
Këto tha dhe çoj Mehmenë,
Me fjalë të rreme shumë
Ta gënjente Skënderbenë,
E pandehte q'ish në gjumë.
Me të mbaruar Mehmeti,
Skënderbeu u mejtua,
Pa tha "Kur urdhëron mbreti,
Mos më pyet fare mua."
Kshu tha dhe në pakë ditë
Burri trim e zot' i mirë
I mbaroj gjithë gatitë,
U nis me shumë dëshirë
Sa shqipëtarë që qenë,
Nëpër ushtërit i zgjodhi,
Dhe të nipnë Hamza benë,
E të tjerët gjith' i mblodhi;
Mori dhe turq' e të tjerë
Ngaha kombet e Azisë,
Sindëkur e bën' ngaherë
Për sulmët të ushtërisë.
I hipi burri trim kalit
E mori në dorë frenë,
Si dielli majë malit,
Kur del e xbukuron dhenë
E la për jetë qytetnë,
Ndjeu thelbin' e gëzimit,
Lëshoj kalën, mori dhenë,
Shokët' i ranë pas trimit.
Pa një ditë ndaj mëngjesi
Dolli më një vent të lartë,
Zoti zëmrënë ja ndezi,
Erth e ju bë fjesht e zjarrtë!
Pa malet e Shqipërisë,
Që ndë vogël'i kish parë,
Në kohëzët të lirisë,
Pa ndjeu në zëmrët zjarrë,
Një gas që nuk' e kish ndjerë
Që kur lindi, gjer ahere,
Kurrë ndonjë tjatrë herë,
I erdhi me shumë ndere,
Ishte plot me ëmbëlsirë,
E kish një të naltë ndjenjë,
T'uruarë e të mirë,
Të vyer' e pa rrëfenjë.
Shtu syt' e pa mëmëdhenë,
Lott' i vanë si burimi,
Sa shqipëtarë që qenë
Qanë gjithë nga gëzimi.
Kur n'atë koh' i vjen Mari,
Marrë fytyrë njeriu,
Edhe gjuhë shqipëtari,
Veshur si bari syziu.
Mbante krrabënë në dorë,
Syn' e zi e kishte pishë,
Fytyrënë si dëborë,
Sterrë kësul' e këmishë!
Ishte posi djalë mbreti,
I kish dirsurë mustaqja,
Gush' e tij si shkumbë deti,
Posi trëndafili faqja.
Tha: "Zotërinj shqipëtarë!
Luftënë q'u bë e patë?
Hynjadhit i vate mbarë,
Turqet u dha shumë datë!
Nuk' e patnë Skënderbenë,
T'i nderonte këtë radhë,
Të shumët kafshuan dhenë,
S'e hangrë dot me Hynjadhë
Nëpër fushat kanë rarë
Ca më bark e ca mi krahë,
Të plagosur' e të vrarë,
Bërë të varfërit rrahë!
Të pakëtë që shpëtuan,
U kthyen' e zunë vrapnë,
Tani posa kapëtuan,
Posi zoqtë u përhapnë,
Të tërë muarrë dhenë,
Njëri tjatërin s'e panë,
E shihni Muharrem benë?
Krye të par' atë kanë,
Përtej në rrëzët po shkojnë,
Sindëkur i kanë thyer,
Ikin me nxit e s'vështrojnë,
E kanë për të rrëfyer!"
Skënderbeu duke parë
Turqit' e Muharrem benë
Të prishurë e të vrarë,
Dhe gjaknë që mbyti dhenë,
Sa s'ishinë shqipëtarë
I hoqi gjithë mënjanë,
U tha: "Hiqi ju më parë,
Nga të tërë shokët tanë,
Të piqni Muharrem benë
E gjëkundi mos e lini,
Gjersa të zërë qytenë,
Ikëni e më mos rrini."
Tha kshu, dhe ata u ndanë,
Duallë nga ushtërija,
Kuajtë me vrap i nganë,
U ra pas dhe këmbësija.
Ahmeti tha: "Skënderbeu
Pse i ndau shqipëtarët
E neve vetëm na ktheu,
Po nxitojmë si të marrët?!"
Kshu tha, pastaj u mërguan,
Shqipëtarët vetëm mbenë,
Qëllimet i kupëtuan.
Po shikonin Skënderbenë.
Skënderbeu u gëzua,
Shqipëtarëtë i mblodhi,
I vështroi posi dragua,
Trimëri në shpirt u hodhi,
Duke u thënë:"Shqipëtarë!
Vdiqmë a jemi të gjallë?
S'jemi ne q'ishim më parë?
Kjo prapësi ç'është vallë?
Të lëftojmë për Tyrqinë
E të lëmë mëmëdhenë,
Të harrojmë Shqipërin
Të vrasim vetë vethenë!
Të vuajmë për Tyrqinë!
S'shihni tyrqit ç'na punuan,
Gjaknë duan të na pinë!
Shpirtin të na marrën duan!
Turp i math e turp përjetë
Të bjerë kshu Shqipëria!
Të mbesë pa zot, e shkretë!
Të urdhëronjë Tyrqia!
Ta prishnj' e ta varfëronjë,
Në rrezik të math ta hedhë,
Ta ndynj' e ta dobëtonjë,
Ta mundonjë nënë xgjedhë!
Si foshnjatë na gënjeu
E me djallëzi na shturi,
Gjithë ç'kishim i rrëmbeu,
Në dorë, si desh, na vuri!
Më dobëtoi Shqipërinë,
Më vu në kurt shqipëtarë,
Ma mbylli fare shtëpinë,
Nukë më la fis e farë!
Tani duhetë ta themi:
U ndothmë fare në gjumë,
Si të vegjëlit i rremi
Na qeshi, na qeshi shumë!
Po paskëtaj të më shohë,
Se arriti dit' e mbarë,
Për së çpejti do ta njohë,
Do ta njohë shqipëtarë!
Në millt shpatën s'e vë kurrë,
Pa dëbuarë Tyrqinë!
Të vinjë kush është burrë
Të shpëtojmë Shqipërinë!
Ç'e dua unë vet'henë
Me turpit të Shqipërisë,
Nuk e shoh dot mëmëdhenë
Nënë xgjedhët të Tyrqisë!"
Kush është bir shqipëtari,
E ka pjesë trimërije
Sot një flakëzë pej zjarri,
Në zëmër' i zbret Perëndije."
Kështu tha me zë të zjarrtë
Trim i bukur Skënderbeu,
Zëmrat' i dogji si kartë
Të tërë i mallëngjeu.
Këto fjalë shqipëtarët
I bënë më shumë trima,
Gjithë s'mbanin dot të qarët
Q'u vinte si vetëtima;
Posi deshtë me kurorë
E rrethuan Skënderbenë
Me rradhë muarrë dorë,
Lidhë bes' e bënë benë.
Me fuqit të Perëndisë
Mari ngul krabën e tija,
Hap fjamurn' e Shqipërisë,
Thotë: "Rroftë Shqipërija!"
Fjamurit gjithë ju falë
Me shumë gas e me shpresë,
Duke thënë disa fjalë
Të urta me besa-besë.
Burri trim u fal me Zonë
Me zëmërë të ndrituar
E më nukë mbeti vonë,
Po kur e panë kaluar,
Kur hingëllinte Bardhushi,
Q'ishte i math e i lartë,
Me flakë gazi ja mbushi
Zëmrënë, q'e kish të zjarrtë!
Fluturoj posi fajkua,
S'shkelte mbi dhe, po ndë erë,
E rrëfenin si pallua
Leshratë dhe bisht'i gjerë!
Dëgjoj q'erdhi Skënderbeu,
Rrodhi gjithë Shqipërija,
Ngriti krye mëmëdheu,
Pru lirinë Perëndija!
Zokn' e mjerë kur e vënë
Në kuvli, qysh varfërohet,
As ha as pi, as nxjerr zënë,
Po unj kokën' e mejtohet,
Si ajy q'e kanë vënë
Në burk e në të këqija,
Ndë hekura duke shtënë,
Pa i digjet mushkërija,
E kur shpëton nga kuvlija,
Qysh fluturon me gas shumë,
I bëhetë zëmër' e tija,
Q'e ka të butë si brumë,
Ashtu edhe Shqipërija
Anembanë u gëzua,
Dhe djalli e djallëzija
U përmbys e u mërgua.
Erdhi si vera lirija
Edh'e nderoj Shqipërinë,
Dha urdhërë Perëndija,
Pa e shpëtoj njerëzinë.
Si shqerratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë,
Rreth e rrotullë vështrojnë,
Me një sy si vetëtimë,
Ashtu edhe Shqipërija
Po e kërkonte lirinë,
Pa ja fali Perëndija,
I dha gjithë mirësinë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

VI


Kruj', o qytet i bekuar!
Prite, prite Skënderbenë,
Po vjen si pëllump i shkruar,
Të shpëtonjë mëmëdhenë
Shqipëtarët t'i shpëtonjë
Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë,
Edhe ty të të nderonjë,
Që je krej'i Shqipërisë,
Ka pas trima shqipëtarë,
Që s'u trembet syri kurrë,
Ndë zëmërt të tij ka zjarrë,
Ësht' i urt' e trim e burrë.
Mirë se erdhe, o verë!
Që na prure mirësinë,
Dhe për shumë vjet të tjerë
E zbukurofsh Shqipërinë.
O Shqipërizë! gëzohu,
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu,
Të zbriti nga Zoti drita!
Edhe juve, o të vdekur,
Merri ngaha ky gas pjesë,
Që shkuatë buzëpjekur,
Nd'atë jetë, paçi ndjesë!
O moj vash' e Shqipërisë,
Që më rri duke mejtuar,
Pa i xhvish rrobat' e zisë,
Arriti dit' e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali
Nga armët' e trimërisë,
Hingëllint'e s'mbahej kali,
Që sill mbren' e Shqipërisë
Trimatë bashkë me mbretnë,
Me nxit posi vetëtimë,
U futn' e zunë qytetnë
Me të madhe kërcëllimë.
Turqit, q'e kishin qytetnë,
Papandehurë e panë
Që u dha si drita, mbretnë,
Pa s'hapnë goj' e gjë s'thanë
Se fjala po q'u dëgjua,
Që vinte i bir'i mbretit,
Shqipërija u lëshua
Edhe ju derdhë qytetit;
Burrat trima më s'mënuan,
Gjith' u mblodhë posi reza,
Kryeqytetn' e rrethuan,
Armikn' e preu e zeza.
Zjente bota, tundej dheu,
U ngrit gjithë Shqipërija,
Duke thën': "Erth Skënderbeu,
Erdhi vetë Perëndija."
Mysliman' e të krishterë
U derdhë për mëmëdhenë,
E kishin të bashkë nderë
Si vëllezërë që qenë
Pa Zoti nuk' i la shkretë,
U bë mbret' i Shqipërisë
Trim'i mir' e i vërtetë,
U mbarua koh' e zisë.
Pleqtë, q'e kishinë parë
Në kohët të foshnjërisë,
Van' e puthnë duke qarë
Dritëzën' e Perëndisë.
Gjithë ç'qenë shqipëtarë
Me rradhë mbretit i vanë,
Si vëllezrë më të parë,
E me gas të math e panë.
Skënderbegu, bukuroshi,
Burri trim pa shok në jetë,
Miqtë gjith' i përshëndoshi,
Posi vëllath i vërtetë.
U sul gjithë njerëzija,
Të shihninë Skënderbenë
Pleq, të rinj dhe foshnjërija
Gjith' e donin shumë mbrenë.
Pa Skënderbegu dërgojti,
Të parin e turqet pruri,
S'e shau dhe s'e qërtojti,
Po afër soje e vuri;
I tha: "Sulltani harrojti
Fjalënë dhe miqësinë!
Me ç'sy e faqe dërgojti,
Edh'e shkeli Shqipërinë?
E dinë bota e tërë,
Edhe vet' e di Murati
Fjalënë që kishte bërë
E besën q'i dha tim ati!
E dini si kam lëftuar
Për sulltan e për Turqinë,
Dhe ajy qysh më ka shuar
Vëllezërit' e shtëpinë!
S'janë punëra të lehta
Këto që janë punuar,
Dhe nukë rrinë të pshehta
As janë për të harruar,
Njeriut që të bën mirë
T'i bësh kaqë të këqija,
Nuk i bën as nj'egërsirë
Këto që bën mbretërija,
Të isha turk edhe unë,
Ta kisha zëmrënë kllirë,
Sot u bënja tjatrë punë,
Nuk' u flisja me të mirë.
E drejta vetë rrëfehet,
E të miratë po njihen,
Çdo gjënë jetë çpërblehet,
E gjësendi nukë lihet.
Mbret ndër ju 'shtë djallëzija,
Nuk' është kurr' e vërteta,
Dhe ligj' është ligësija,
Edh'e rremeja e shkreta!
Nesrë të ngrihesh pa gdhirë,
Merr shokëtë edhe shkoni,
E pa bërë ditë mirë,
Qafënë ta kapëtoni;
T'u ap njerës, t'u përsjellin,
E njeri të mos u ngasë,
Në mes të tyre t'u pshjellin,
Kurrëkush të mos u flasë."
Këto fjalëz' i tha mbreti,
Turku ndënj e u mejtua
Një copë herë së qeti,
U vrenjt e u sgurdullua.
Po domosdo e dëgjojti,
Dolli me mejtim nga dera,
Menatë u ngrit e shkojti,
Më s'e zuri drekëhera.
Kështu e bëri Osmani,
Q'ish në Shqipëri i parë,
I dërguar nga sulltani,
Po s'i vate puna mbarë.
Në fortesat gjithë ç'qenë
Nga ushtëri' e Turqisë,
E dëgjuan Skënderbenë,
Q'erth në front të Shqipërisë,
Dhe u ra gjithëve pika,
Ikn' e lanë Shqipërinë,
Më s'shikuan pas nga frika,
Po muarrë arratinë.
Të pakëtë që kuxuan
E s'ikënë si të tjerët,
Dëm e kotë u munduan,
E pësuanë të mjerët.
Rrëmet'i faqes së dheut,
Të vij më një vënt' i tërë,
S'ja dilte dot Skënderbeut,
E gjë s'kishte për të bërë.
Menjëherë Shqipërija
E hoqi cipën e zisë,
Dolli në shesht mirësija,
Ra dritëz' e Perëndisë.
U hoq nata, erdhi dita,
Gazi, kamja, dashurija,
E vërteta, miqësija.
Mbretëritë e dëgjuan
Se u bë mbret Skënderbeu,
Mbretëtë gjith' u gëzuan,
Këjo punë u pëlqeu.
Dërguanë më të parë,
Me miqësi, me uratë,
Njerzët të urt' e të mbarë
Te mbreti i madh jetëgjatë
Me mënyrë të pëlqyer
E me shumë nder i priti
Mbreti, edhe më të kthyer,
Gjer në funt të shkallës zbriti.
Nga gjithë mbretrët m'i madhi,
Që ishte burr' i vërtetë,
Dhe shum' i ndjerë, Hynjadhi,
Erth te Skënderbeu vetë,
Pa u ngrit dhe erdhi vetë
Dhe Vlladislla si Hynjadhi,
Ndënjnë ditë shtat' a tetë
Te shpirt e zëmërëmadhi;
Erdh' e panë Skënderbenë,
Mbren e ri të Shqipërisë,
Q'emër i tij mori dhenë
Si emër' i Perëndisë
Mblodhi pleqt' e parësinë,
Si përsolli dhe Hynjadhë,
E Vladisllën, Shqipërinë
E vu në sër' e ndë radhë,
Mbretëri ishte lirija,
Që kish çdo shqipëtar pjesë,
Ligë ishte njerëzija,
Vëllezërija ish besë.
Si e ndritoj Shqipërinë,
Vuri punëtë me radhë,
Vate të shihte shtëpinë,
Po ç'të shohë! një gërmadhë!
Mall'i sat ëm'e tyt eti,
Skënderbe! atje të shpuri,
E madhe gjëmë të gjeti!
Ra qielli e të zuri!
Dallëndysheja kur kthehet
E gjen prishurë folenë,
Qysh qëndron e mallëngjehet?
Ashtu e gjet Skënderbenë.
Gjësendi s'kishte harruar
Të kohës' së miturisë,
I kishte ndë krahëruar,
Me mallthit të njerëzisë!
Pa andaj shum' u helmua,
Se s'i gjet si i kish lënë,
Me psherëtim' u mejtua,
Tha: "Nukë qënka thënë!"
Ja mbuloj zëmrënë zija,
Lottë si gurra i vanë,
Në gjith ato të këqija
Përnjëherë erdh' i thanë"
"Motërat' e zotërisë
Të gjitha bashkë po vinë",
Pa mbreti në mest të zisë
Ndjeu gaz' e la shtëpinë.
Me vrap si qifti u kthye,
Të shihte motrat' e tija,
Zëmëra ju përdëllye,
I dha durim Perëndija,
Të gjorat motra kur panë
Mbrenë trim të Shqipërisë,
Të vetëmëthin vëllanë,
Ëngjëllin' e Perëndisë,
Që më s'e kishinë parë,
Si e mori penk Turqija,
Në foshnjëri ishin ndarë,
Dhe q'atë dit' u ra zija;
Pa i kishin shumë mallë
N'ato ditët të këqija,
I kishinë sy në ballë
E shpresë nga Perëndija;
Papo bashkëzë të pesa
Në mest të tyr'e rrethuan,
U zbriti nga Zoti shpresa,
Me mall shum' e përqafuan.
Zot' i math e i vërtetë!
Emri yt qoft' i lëvduar,
Të qofshim falë për jetë,
Mos qofshim teje mërguar!
Ti i dhe nder mirësisë,
Dhe zëmrës' së mallëngjyer
Në vajt e në mest të zisë
Ngushëllimn' i ke rrëfyer!
Skënderbe, pa lere vajnë,
Se po vinë shqipëtarët,
Dhe burratë trima s'qajnë,
Lëre, pa lëre të qarët,
Se 'shtë në gas Shqipërija,
Q'erdhe ti, mbret i vërtetë,
Sikur zbriti Perëndija
Nga qiejt' e lartë vetë.
Pa këndo me ëmbëlsirë,
O ëngjëll i ligjërisë,
Atë burrë trimn' e mirë,
Q'i dh'aqë nder Shqipërisë.
Këndo, këndo Skënderbenë,
Që s'ka pasur shok në jetë,
Që lartësoj mëmëdhenë,
Kordhëtari trim me fletë!
Lum ti, Shqipëri, o lule,
Që pate trim të vërtetë,
Kurrë në turp nuk' u ngule,
Të la nder të math përjetë!
Mos ki keq, se kurdoherë
Do ta kesh ditën' e mbarë,
Koha ty do të ta bjerë,
Si ta pat prurë më parë,
Po të dojë fati, plaku,
Të t'apë foshnjë të rezë,
Qumësht të bënetë gjaku,
Dhe më s'sheh ditë të zezë.
O kohë, që rrjeth si lumi
Edhe s'rri gjëkundi fare,
As dremit, as të zë gjumi,
Dhe më t'errët hiqesh xvarrë,
Hapu, hapu, errësirë!
Të shoh mbren' e Shqipërisë,
Trimn' e bukur' e të mirë,
Nder' e gjithë njerëzisë,
Rrethuar me burra trima,
Shqipëtarë të vërtetë,
Me fjal' e pa blegërima,
Me mënt e pa gjë të metë,
Në fjalë t'urt' e të qetë,
Të but' e të kupëtuar,
Në luftë trima me fletë,
Posi kuajt' e harbuar,
Qysh duken yjtë kur erret,
Që ndrijnë në hapësirë,
Edhe në mes të të tjerët
Prëma ndrin shumë më mirë, { Yll i Mbrëmjes, Afërdita }
Ashtu edhe ti më ndrinje,
Mbret i math i Shqipërisë,
Në mest të shokëvet rrinje
Posi drit' e Perëndisë.
Zoti dha një vetëtimë,
I tërë qielli ndriti,
Një gjëmim, një kërcëllimë,
Malet' e lart' i trënditi.
Oshëtimë dha Tomori,
Edhe zjarr e flakë qiti,
Flaka qiellinë mori,
Gjithësija vetëtiti.
Këjo shënjë s'ish e pakë
Që dha Zoti mi Tomorë,
Nxori zjarr dhe zë e flakë
Nga majatë me dëborë!
Hodhë syt' e panë malë
Dhe gjithë më këmb' u ngrinë,
Kur më der u dha një djalë,
Tha: "Rrëmet i math po vinë."
Se fjala kish marrë vrapnë,
Pa kishte mbushurë dhenë,
E hapi sa mundi çapnë
Dh'e dëgjuan gjithë ç'qenë
Shqipërija anembanë
Ish në dasm' e në gëzime,
Ditën' e liris' e panë,
Që e pritin pa durime.
O liri e shënjtëruar!
Ëngjëlli i Perëndisë,
Erdhe me gëzim ndër duar,
I dhe dritë Shqipërisë.
Vallë kur do të vish prapë,
E të na sjellç atë ditë,
Përse rri pshjellë me napë?
Pa hiqe, të shohëm dritë!
Mbreti posi Perëndija,
Ishte mbyturë në dritë,
Rrij ndaj soje bukurija,
Edhe gjithë mirësitë
Mejtohej si të shpëtonjë
Mëmëdhenë nga mynxyra,
Ta ngrer' e ta lartësonjë,
Edhe i qeshte fytyra.
Parësin' e Shqipërisë,
Që i erdhi Skënderbeut,
Ati' mbretit t'urtësisë,
Mbretit trim të mëmëdheut,
Ti ëngjëll, do të ma thuash,
E të m'i sjellç në mënt mua,
Dhe një nga një të m'i quash,
Si ç'i ka ndër mënt të tua.
Nga gjithë, q'erdhë, m'i parë,
Dukagjini, mbret i ndjerë,
Që s'pat shok nër shqipëtarë,
Dhe Zahari me të tjerë,
Sicili nga vend' i tija
U nis e gjithë u derdhë,
Të shumë si mizërija
Skënderbeut miq i erdhë.
Mëndjeshumi Araniti { Aranit Komneni }
Me shumë shokë të ndjerë
Pej Vlore me vrap arriti,
Edhe të tjer' e të tjerë,
Tanush Topja dhe Gjon Shpata,
Të parët' e Shqipërisë,
Erdhë edhe Lato Gjata
Ndë rrëmet të parësisë,
Edhe Maneshi nga Berati,
Moisi Dibrani burrë,
Shumë të parë nga Mati,
Trima të patrëmbur kurrë
Prens' i perëndishm' Urani,
Që kish shum' emrë qëmoti,
Me burra nga Elbasani,
Edhe Boshdar Nartioti,
Palë Dushmani i ndjerë,
Dhe bukuroshi Gjon Kokë,
Një i parë nga çdo derë
E me shumë trima shokë.
Trimatë nga Malësija
Erdhë me armë të lara,
U çkul gjithë Shqipërija,
Kshu ishin kohët' e para.
Gjithë erdh' e u gëzuan
Kur e panë Skënderbenë,
Dhe me gas van' e qafuan
Si vëllezërë që qenë
Me zemrë të dëshëruar
Mbreti të gjithë i priti,
Me fytyrë të gëzuar,
I qafoj e i gostiti.
Në mest të ati' rrëmëti,
Q'ishin mbledhur të tërë
E ish mbushurë qyteti,
S'kish ku yë hithnje gjilpërë,
U ngrit mbreti i ndjerë,
Fjalëëmbëli zëbukur,
Araniti mendjegjerë,
Q'ish i hijshëm' e i dukur,
Gjithë trimatë pushuan,
Vunë vesh ndë fjalë mirë,
Plaknë me mënt e dëgjuan,
Që flit me shum' ëmbëlsirë.
Tha: "Vëllezrë shqipëtarë!
Ju miqthit' e Skënderbeut,
Mbretrë, zotërinj, të parë,
Gjithë djemt' e mëmëdheut!
A e dini, sot, o shokë,
Rrezik i math nga Azija
Na ka ardhurë mi kokë,
Po s'poshtetë Shqipërija;
Zot'i madh pastë lëvdatë
Që nuk e la Shqipërinë
Pa zot, pa mbret e pa atë,
Kurrë s'ja zbriti fuqinë,
Mbret i gjithë Shqipërisë
Sot të jetë Skënderbeu,
Erdhi ng'an' e Perëndisë,
Të shpëtonjë mëmëdheu;
Gjithë, ç'jemi shqipëtarë,
Këtë zot për mbret ta njohim,
Dhe për të math e të parë,
Pa ashtu punë të shohim;
Në doni që të shpëtojmë,
Çë të thot' ajy të bëjmë,
Fjalën' e tij ta dëgjojmë
Dhe kurrë të mos bëzëjmë.
Se turku kërkon ta hedhë
Në robëri Shqipërinë,
Në zi, në brengë, në zgjedhë,
Pa rreh ta bënjë të tinë.
Po nukë humb trimërija,
Shqipëtarët s'e harrojnë,
Do t'i ndritonj' urtësija,
Se t'urtëtë kupëtojnë."
Kshu the, plak i perëndishmë!
Mbret' i ndjer' e i lëvduar!
T'ish njeriu i tanishmë,
Mase s'të kishte dëgjuar;
Po ata të gjithë ç'qenë,
Zotërinjt' e urtësisë,
E njohnë mbret Skënderbenë,
Mbren' e gjithë Shqipërisë,
Mbret mbi mbretërët të tjerë,
Mbi gjithë ç'ishin të parët,
Mbret e trim e burr' i vlerë
Përmbi gjithë shqipëtarët.
Gjithë përnjëherë thirrë
Parësija dhe rrëmeti
Me gas shum' e me dëshirë,
Sa u tunt gjithë qyteti:
"Mbret i gjithë Shqipërisë
Do të jetë Skënderbeu,
Edhe hij' e Perëndisë,
Q'i kish mallë mëmëdheu."
Paskëtaj të gjithë ç'qenë
Mbledhur atje atë ditë,
E rrethuan Skënderbenë,
Ajy në mest posi dritë
Së pari mbretëtë vanë
Edhe pleqtë e të parët,
Dorën' e besën' i dhanë,
Pastaj gjithë shqipëtarët.
Papa edhe mbretëritë
E njohnë mbret Skënderbenë,
Edh'e njohnë q'atë ditë
Më të math nga gjithë ç'qenë
Të gjith' e vunë të parë,
Kordhëtar' e Shqipërisë,
Të math mi gjith' ushtëtarë,
Se do t'i binin Turqisë,
Sa nder mori Shqipërija,
Edhe ç'emrë shqipëtari,
N'ato ditët të atija,
Q'u bë nga gjithë m'i pari!
Ishte i par' i të paret,
Edhe krej'i ushtërisë,
Ball' i gjithë luftëtaret
Dhe i gjithë njerëzisë.
Skënderbe, o jetëgjatë,
Më nise këngë dhe valle,
M'u zbavite dit' e natë,
Me miqthit' e tu u çmalle!
Sa lodra e sa gëzime!
Sa gjahe dhe bredhj' e vrape,
Dhe kalori e dëfrime,
Derën' e parajsës hape!
Kuajvet, që hingëllinin,
Flak' u delte nga potkonjtë,
Dhe armët' e lara ndrinin,
Me vrap nxitonin langonjtë.
O kohë që nxiton shumë,
Poshtë kurrë nukë bije,
Po ikën me vrap si lumë,
Ato që merr, ku i shpije?
Shtrigë, kuçedr' e pabesë!
Ha djemthitë q'i pjell vetë!
Asnjë nukë munt të mbesë
Pa ngrën' ajo goj' e shkretë?
Edhe dielli, q'ep dritë,
Edhe hëna do të vdesë?
Edhe yjtë nonjë ditë
Do t'i hash me të pabesë?
Evropa ishte e shuar
Edhe gjithë njerëzija
Nga frika ishte tmerruar,
Prit' shpëtim nga Shqipërija.
Gjithë mbretrëtë që qenë,
Shqipëris' i prunë besë,
Dhe mbren' e saj, Skënderbenë,
E kishin të par' e shpresë,
Ç'u bë emr'i Shqipërisë,
Dhe liri e saj e ndjerë?
Ajo drit' e Perëndisë
Vallë më s'vjen tjatrë herë?
Në kurt kurrë Shqipërija
Nukë hyri, e në zgjedhë
S'e ka shtënë Perëndija
Edhe nukë do ta hedhë,
Po kërkon emrin' e vjetrë
Dhe nderë që pat njëherë
E s'e kish nonjë vent tjetrë,
Zoti sërish do ta bjerë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

IX

N'ato kohë venetjanët
Gjithë den' e kishin zënë,
E të detit të gjith' anët
Në dor' i kishinë vënë.
Pa dhe nga të Shqipërisë,
Ca qytete t'anës' s'detit
Ishinë të Venetisë
Edhe në ditët të mbretit.
Lekë Zahari kish vdekur,
Q'ish një prins i Shqipërisë,
E Dajini kishte mbetur
Pa zot e në mest të zisë,
Q'ish qytet me shumë hije
Dhe me gas në Mirëditë,
Thoshnje kurrë nukë bije
Bukuri e tij në shkitë,
Aq i bukur ish Danjini,
Pa kish dëshirë ta zinte,
Po dhe Lekë Dukagjini,
Q'e kish fqinjë s'doj ta linte,
Se mëm' e Lekë Zaharit
Zu udhën e marrëzisë,
S'desh t'ja linte shqipëtarit,
Po ja fali Venetisë!
Pa mbreti tha: "Venetija
S'hyn në mest të Shqipërisë,
Se s'mbet shkretë Shqipërija,
Që t'i mbesë Venetisë."
Venetija e kërkonte,
U bë armik menjëherë,
Skënderbeu nukë donte,
Puna ishte e përzjerë.
Kah u bë ngalje një plakë
E përgjunjur dh'e mahnitur,
Ndezi një të madhe flakë
Me dorëzët të drobitur!
Me Turqin' e me Sërbinë
E kish prishur Skënderbeu,
S'doj ta prish' me Venetinë,
Papo puna s'i pëlqeu.
Po domosdo do ta prishte,
Se vu këmbë Venetija,
Puna rrezik të math grishte,
Kish dëm shumë Shqipërija.
Mbreti mblodhi parësinë,
Dhe çelën' e trimërisë
Q'e nderonin Shqipërinë,
Për punët të Venetisë,
Po pshehtazi erdh' e zunë
Venetjanëtë Dajinë,
Ushtëtarë shumë vunë
Brënda në qytet të rrinë.
Edhe mijë trembëdhjetë
Dërguanë luftëtarë
E Danil Huriqi vetë
Ishte përmbi gjith' i parë.
N'anët të Drinit qëndrojti
Ushtëri' e Venetisë,
Fushënë gjith' e mbulojti
Armiku i Shqipërisë!
Kish italjanë, dalmatë,
Gjithë burra luftëtarë,
Të mbëdhenj, te tresh', të gjatë,
Kombe shum' e shumë farë.
Skënderbe' burr'i vërtetë,
Dhe trimatë shqipëtarë,
Mijë plot katrëmbëdhjetë,
Muarrë udhën' e mbarë:
Pesë mijë me Hamzanë
E rrethuanë Dajinë,
Edhe nëntë mijë vanë
E kapërxyenë Drinë
Shtatë mij' ish kalorija,
Të hekurt ishin të tërë,
E dy mijë këmbësija,
Posi pylli ishin bërë.
Moisiu ish mënjanë
Me shumë të mirë shokë,
Të gjithë burra dibranë,
Trima për vdekj'e për kokë
M'anët tjatërë Tanushi
Me dy mijë luftëtarë,
Edhe Muzakë-bardhushi
E shumë burra të parë
Në mest ishte vetë Mbreti,
Skënderbegu trim e burrë,
Pas soje gjithë rrëmeti,
Që s'ishte mundurë kurrë
Dukagjini me Uranë
Me pakë shokë të tjerë
Ishin hequrë mënjanë
E nuk ishinë përzjerë,
Moisiu munt dalmatët
Me ata burra dibranë,
Dhe gjithë shqeht' e harvatët
Dhe dolli më tjatrët anë.
Pas ati' edhe Tanushi,
Duke zhveshur jataganë,
Kalit i ra e ja mbushi
Dhe u fut nër italjanë
Ata me ushta i pritnë,
Shqipëtarët shpatat çkulë
Edhe i pren' e i shtritnë,
Pa i bënë fare vrulë.
Mez'i ushtëris' s'armikut
E pa që anët u thyen
Dhe mbet në mest të rrezikut,
Papo erdh' e u rrëmbyen,
U derdhë mi Skënderbenë,
Si galat me sokëllimë,
Duke shtënë drejt i venë
Mbreti posi vetëtimë
U hoth përmbi ta me shpatë,
Të tër' e zeza i preu;
Më çdo herë gjasht' a shtatë,
I pritte të vdekur dheu.
Erdh' u ranë shqipëtarët,
Nga vendi që patn' i çkulë,
Pa i bënë byk barbarët,
Fjamurë në mest e ngulë.
Po dalmatëtë u mblodhë,
Që kishin marr' arratinë,
Mi shqipëtarët u hodhë,
Duke mbledhurë fuqinë
Gjenë përpara Uranë
Edhe Lekë Dukagjinë,
Që i pritn' e i përndanë,
U dhanë prap' arratinë.
Atë ditë shqipëtarët
Të gjith' armikët i shuan,
Vetëm pak nga të parët
Edhe Huriqi shpëtuan.
Ishin dhe ca shqipëtarë
Me armikëtë përzjerë,
Punuanë si të marrë,
Popo, ç'bëtë, o të mjerë!
Nga gjith' ata tradhëtorë
Të kombit, të mëmëdheut,
Kishin rënë në dorë
Dy të parë Skënderbeut:
Andreu me Bolkathanë,
Q'ishin bërë me barbarët
E goditnë shqipëtarët!
Dukagjini desh t'i vriste
Edhe bashkë me Uranë
Të hiq shpatën' e t'i priste
Andrenë me Bolkathanë,
Pa u ngrit me vrap nër shokë
Dhe u derth tek ish Andreu,
Po ati' dorën mi kokë
I vu vetë Skënderbeu
Edhe e shikoj Uranë
E i tha: "Dhe ti o burrë!
Mos, mos e nga Bolkathanë,
Se këto s'i bëmë kurrë
Ne s'i kemi vrar' barbarët,
Q'i kemi vënë në dorë,
E të vrasëm shqipëtarët,
Të prishimë dy të gjorë!
U mbloth i tërë rrëmeti,
I shikonte si armikë,
Atyre po u thosh mbreti:
"Perëndija s'pattë frikë?
Ësht' i lik e i pabesë
Kush tradhëton mëmdhenë
E kombinë, pa s'ka shpresë,
Se atë gjall' nuk' e lenë.
Qysh u ndothtë ju të marrë,
Ju bët' armik kombit tuaj;
Tek ishitë shqipëtarë,
Përse u bëtë të huaj?"
Kështu u tha Skënderbeu.
"Mbret' i math, o jetëgjatë!"
Tha Bolkathaj e Andreu,
"Bëmë të madhe mëkatë!
Neve më s'duhet të rrojmë
Me gjithë këtë të metë,
Kombinë ta tradhëtojmë!
Më nukë jemi për jetë!"
Mbreti u tha dhe ca fjalë,
Ata shum' u mallëngjyen,
Pastaj fajnë ua falë,
Se të gjorët' u gënjyen,
Pa të vërtetën' e njohnë,
Ng'ajo që bënë më parë,
Me gjithë zëmr' u pendohnë
Dhe u bënë shqipëtarë.
U kthye në Dajin mbreti
Edhe gjithë ushtërija,
Po dhe s'ish dhënë qyteti,
Ishte brënda njerëzija.
Parësija e të tjerë
Thanë: "Tani më ç'mënojmë,
T'i hidhemi menjëherë,
Ta marrim edhe të shkojmë."
Mbreti u tha: "S'është mbarë
Që ta marrim e të shkojmë,
Se ka brënda shqipëtarë,
S'më ka ënda t'i lëftojmë
Ata do t'i marr' urija
Edhe do t'epenë vëtë,
Pse të vritet njerëzija
Pa nevojë të vërtetë?"
Kshu tha mbreti, pa e lanë
Pa goditurë Dajinë,
E pshuallë, po s'i ranë,
Kursyenë njerëzinë.
Mbren' e Bosnjësë, Stefanë,
Për të ndihur Venetisë,
E rremnë ca venetjanë,
Edhe ju derth Shqipërisë,
Po Skënderbeu s'mënojti,
Marinonë me Hamzanë
I nisi dhe i dërgojti
Me trima përmbi Stefanë,
Me t'arritur shqipëtarët,
Mbret'i Bosnjësë u thye,
Edhe iku me të parët
Pa kësul e pa qyrdye!
Marinoja me Hamzanë,
Me burratë shqipëtarë,
Gjithë Bosnjës' anembanë
I vunë flakën' e zjarrë.
Pastaj Marinua Leshnë
Zuri kundrejt Venetisë,
T'u epte mirë rrebeshnë,
N'i derdheshin Shqipërisë,
Kur e mori vesh sulltani,
Që lëfton me Venetinë,
Ju lëshua dhe Stefani,
Tha: "E hangra Shqipërinë!"
Nisi prapë Mustafanë
Me mijë pesëmbëdhjetë,
Dhe në Shqipëri u dhanë
Luftëtarëtë si mbletë.
Pa Skënderbeu Uranë
Dërgoj, me trima të tjerë,
Ta ndalojnë Mustafanë,
Po në luftë të mos bjerë
Pa i tha: "Të zini malë,
E t'i bëni të mënojnë,
Me vrap më dërgoni fjalë,
Po të zën' e të lëftojnë."
Turqitë e kupëtuan
Shqipëtarë q'ish i pakë,
Edhe më nukë mënuan,
Po e derdhë fill e flakë
E muarrë me rrëmujë,
Si s'e panë atje mbretnë,
U nisnë drejt për në Krujë,
Ta zënë kryeqytetnë.
Po arriti Skënderbeu,
Erth në fushët tek shkon Drini,
Udhën' armikut ja preu,
Duke ardhur nga Dajini.
La Hamzan' atje të parë,
Q'e kish rrethuar qytetnë,
La dhe shumë luftëtarë,
Dhe ca u nisnë me mbretnë.
Venetjanët' e mësuan,
Q'erth ushtëri e Turqisë
Edhe më nukë mënuan,
Ju lëshuan Shqipërisë.
Marinoja luftoj mirë,
Pa s'e muarrë dot Leshnë,
Armikëtë gjith' u vdirë,
Zot'i math u dha rrebeshnë.
Po të tjerë më tjatr' anë
Hyn' e zunë Shqipërinë,
Posi karkaleci ranë
Edhe lanë vetëm hinë!
Mbreti ish nd'anët të Drinit,
Lëftonte me Mustafanë,
Venetjanëtë Dajinit
Ju derdh' e gjetnë Hamzanë.
Hamzaj e ndau ushtërinë,
Një anë jashtë lëftonte,
Edhe tjatëra Dajinë
E rrethont' e s'e lëshonte.
Me gjashtë mij' ishte mbreti,
Katrë mij' ish kalorija,
Kundrejt gjith' ati rrëmeti,
Që kish dërguar Turqija.
Lufta posa ishte ngrehur,
Shigjetatë vetëtinin
Dhe shpatatë ishin nxehur,
Gjak kërkoninë të pinin!
Vdekj' e shkretë rrotull vinte,
E zez' edh'e shëmëtuar,
Në mest të luftës lëçinte,
Trimat' ishin ashpëruar.
Trim'i turqet Karakushi,
Q'ish një i par' i Turqisë,
Kalit i ra e ja mbushi,
Dolli jashtë ushtërisë
Dhe thirri: "O shqipëtarë,
A ka në ushtërit tuaj
Një burrë trim e të parë
Të lëftonjë me të huaj?
Këtu njihet trimërija,
Le të dalë, pa të shohë,
Një nga gjithë parësija,
Vet'hen' e tija ta njohë!"
Kështu thirri Karakushi,
Pa u ngidhë shqipëtarët,
Me një gas të math Tanushi
U nis të dil me të parët.
Në mest të gjithë rrëmetit
Maneshi posi fajkua
Erth, ju afërua mbretit,
I tha: "Falma lejën mua."
Mbreti qeshi edh'e mbajti,
E i tha "Rri ti" Tanushit;
Maneshi si flaka vajti,
Dhe ndënj kundrejt Karakushit,
I tha: "Më ngjan se gënjehesh,
Pa mburre kështu si gratë,
Apo pandeh që të kthehesh
Edhe ta kesh për lëvdatë?"
Pas kësaj i tha Maneshi:
"Me ç'armë do të lëftojmë?"
Ajy fjalë nukë deshi,
I tha: "S'duhet të mënojmë",
Edhe një usht' i vërviti
Me rrëmbim të math armiku.
Ky me mburronjët e priti,
Ashtu shpëtoj nga rreziku;
Pa një shigjet' i vërviti
Me të madhe fishëllimë,
Në sy të djatht' e goditi,
Ja bëri tejpërtej vrimë
Posi rrufeja shigjeta
E mori në syt të mjerën,
Përnjëherë ju nxi jeta,
Ra nga kali, kafshoj terën.
Qysh erth e u ashpërua
Edhe mori me nxit malë,
Iku e u egërsua
Aq' ajy i shkretë kalë!
E la të vdekur të zotnë,
N'anët të lumit arriti,
Hyri brënda, bëri notnë,
Dolli tej dhe hingëlliti.
Kur u mërgua nga lumi,
Hodhi syt' e mori zallë
Dhe shkrefëtiti vrapshumi,
Po nuk' e nxirrte dot mallë!
Në Adrinopoj' arriti,
Duke ikur dit' e natë,
I ra derës' e i ngriti,
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

X


N'Adrinopojë Murati
Me të bir' e me të tjerë
Brengë të brëndëshmë pati,
Dhe trazim ndër jeniçerë.
Pastaj u hoth mbi të tjerë,
Andej, këtej i përlau,
Papo humbn' ata të mjerë
Si lëpushkat q'i ha kau!
Njeri nukë i qëndronte,
Aq' ish i fortë Murati,
Të gjithë i dobëtonte,
I ndihte djalli dhe fati.
Vetëm një që nukë mundte,
Skënderbe trim shqipëtarë,
Pa qante dhe kokën tundte,
Në zëmër' e kish nakarë.
Pa prishurë Shqipërinë,
Q'ish në kufit e një fqinjë,
Nuk' e shtonte dot Turqinë,
E kish në syt si dëllinjë.
Pa e mblodhi parësinë,
Bënë fjalë gjat' e gjerë,
Si ta prishnjë Shqipërinë
Edhe më të mos ta lerë.
"S'ka të mbarë, tha, Turqija,
Sa është gjall' Skënderbeu,
Do prishurë Shqipërija",
Gjithëve kjo u pëlqeu.
Dyqint mijë luftëtarë!
Njëqint mij' ish kalorija!
Gjithë t'egër' e barbarë,
U mbloth' e u bë gatija!
Mi gjith' ata ushtëtarë
Q'ishin mizëri e mbletë,
Mi të parëtë m'i parë
Ish sulltan Murati vetë.
Pa dhe djalli këtë herë,
Për të shuar njerëzinë,
Top e gjyle kishte nxjerrë,
Të vris njeriu njerinë!
Me arm' e me ushtëtarë,
Me kamilla e me kuaj,
Me shumë burra të parë,
Me të tit' e me të huaj,
Me të madhe kërcëllimë
U nis i tërë rrëmeti,
Me zë e me oshëtimë
Dolli me nxit nga qyteti.
Pa Skënderbeu i mblodhi,
Erth e tërë Shqipërija,
Parësija me vrap rrodhi,
Dhe pas gjithë vegjëlija.
Fortesën' e Sfetigratit,
Që prara Dibravet ishte,
Ja la sipërë Perllatit,
Q'ish shumë trim e shokë s'kishte.
Skënderbeu dolli vetë
E solli rreth Shqipërinë
Me kalorës dymbëdhjetë,
E fortësoj njerësinë.
Prap' u kthye n'ushtëresë
Dhe përhapi trimërinë,
Dhe gas edhe bes' e shpresë,
Gëzoj gjithë njerëzinë.
Fjal' e atij edhe gurë
Munt ta ngjallte me të parët,
Dhe ta bënte trim e burrë,
Jo trimatë, shqipëtarët!
Fortesat' i fortësojti,
Pa përndau parësinë,
Nëpër vënde i dërgojti,
E pas mbajti Moisinë.
Ishin të zottë të parët,
Burra gjith' e shumë trima,
E të tërë shqipëtarët
Ishin posi vetëtima!
Parësi' e Shqipërisë
Ishte bërë zjarr e flakë,
S'i trëmbëshinë Turqisë,
Ndonëse ishin më pakë
Një lëftonte me një mijë,
Edhe nukë trëmbej kurrë,
Armikëtë s'doj t'i dijë,
Ishte kordhëtar e burrë.
Më trim mi gjithë të parë
Ishte Uran bukuroshi
Dhe Tanushi kordhëtarë,
Hamzaj, Muzakë djaloshi,
Dukagjini, Moisiu,
Maneshi shpatullgjerë,
Golemi mjekërëziu,
Edhe të tjer' e të tjerë.
Pa të tërë shqipëtarët
Ishin shumë trim' ahere,
S'i ndaje dot nga të parët
E nonjë pas nukë lere.
Gjithë ç'qenë mbretëritë
Njerës kishinë dërguar,
Skënderbeu me të titë
I pritnë duke gëzuar.
Të dërguarit' u thanë:
"Ç'ndihm' u duhetë, na thoni,
Se gjithë mbretërit tanë
Do t'u apënë ç'të doni."
Skënderbeu : "Na gëzuat,
Miq të mir' e të vërtetë!"
Tha "dhe shumë na nderuat,
Nder u dhëntë Zoti vetë.
Kur t'u kërkojmë, të vini,
Tani gjithë ushtërinë
Gati e n'armë ta kini,
Dhe ahere letë vinë."
Me urtësi Skënderbeu
U tha vetëm këto fjalë,
Të dërguarit' i ktheu
E dërgoj me ta të falë,
Gjith' ushtërit' e Muratit,
E shumë si mizërija,
Ju lëshua Sfetigratit,
U çkul e tërë Turqija!
E rrethuan Sfetigratnë,
Sulltani njeri dërgojti
Ta bindte burrë Perllatnë
Perllati ndënj' e dëgjojti,
Pa i tha: "Thuaj Muratit,
Sa të jetë gjall' Perllati
Fortesën e Sfetigratit
S'e merr dot kurrë Murati."
Me të msuar këtë fjalë,
U ashpërua Murati
Posi deti kur hedh valë,
Tha: "Dal, pa më sheh Perllati."
Krisi topi si gjëmimi!
Si rrufeja gjyl' e shkretë
E rrih fortesën, po trimi
S'u trëmb, ish burr' i vërtetë.
Armikët' u zëmëruan
Dhe gjithë fuqin' e mblodhë,
Fortesësë ju lëshuan,
Me rrëmbim të math u hodhë.
Menjëherë shqipëtarët
Ua dhanë me shigjetë,
Stavë u bënë të vrarët,
Ranë përdhe posi fletë
Të tjerëtë u përhapnë,
U trëmbn' e u frikësuan,
E gjithëkush zuri trapnë,
Nga fortesa u mërguan.
Pas asaj gjithë të parët
Thirrë dhe Murati vetë,
Ju lëshuan luftëtarët
Prapë fortesës si retë.
Po të brëndësmitë prushnë
Dhe finjën' e vajn' e zjerë
U hodhë dhe sheshn' e mbushnë
Me të vdekur' e të nderë.
Prapë e muarrë vrapnë,
Shoku-shoknë më s'e panë,
Iknë gjith' e u përhapnë,
Sicili nxitoj mënjanë.
Sulltan Murati tha: "Unë,
Që njerëzit gjith' i munda,
Të pësonj sot këtë punë
E të më thyhetë hunda!
Unë kaq' kombe të tjerë
I prisha dhe i kam vrarë,
E të mos munt këtë herë
Ta nxjerr tej me shqipëtarë!"
Pa tha, "Atë që të kthehet
Këtu vdekja do ta presë
Si mjerë kush të gënjehet!
Hidhuni përmbi fortesë!"
Pas kësaj, gjith' u përmblodhë,
Duke shkelur mi të vrarë,
Dhe fortesësë ju hodhë
E nëpër muret u varë
S'vunë re usht' e shigjetë
Si galatë u vërvitnë
Dhe u vranë shumë vetë,
Po të tjerëtë u ngjitnë.
Më s'bënte punë shigjeta,
Po kur zhveshnë shqipëtarët
Shpatat' e prehta të shkreta,
I mori djalli barbarët.
"Oburra!", thirri Perllati,
"Sot ta marrë vesh Turqija
Dhe vetë sulltan Murati
Ç'trima djem ka Shqipërija.
Biruni me vrap, o shokë!"
Tha, edhe gjithë po shtinin,
Turqit' pa dor' e pa kokë
Nga mur'i fortesës binin.
Kur nj'e madhe kërcëllimë
E tundi të tërë dhenë
Dhe ndriti një vetëtimë,
Turqit të mahnitur mbenë!
Një zë i math po dëgjohej,
Një rrëmet unjej nga bregu,
Tymi sa vinte po shtohej,
"Popo!", thanë, "Skënderbegu!"
Vërtet po vij me vrap Mbreti,
Moisiu dhe Muzaka,
Në mest të ati' rrëmeti
U hodhë mbi ta si flaka!
Kish dhjetë mijë të zgjedhur,
Të tërë ishin kaluar,
Gjithë çela ishte mbledhur,
Vdekjenë sillnin nër duar.
Kalorinë e dërgojti
Sulltani mi Skënderbenë,
Mbreti gjith' i copëtojti,
Pa u dha dërrmën' e dhenë.
Armikët' i ngau data,
Gjith' ushtërin' e lëshojti
Murati, po erdhi nata
E vdekjenë e ndalojti.
Nga kjo punë u helmua
Fort shumë sulltan Murati,
N'anët tjatrë u gëzua
Me shokët' e tij Perllati.
Mbreti me shokëtë iku,
Zuri një vent të mërguar,
Po s'e mori vesh armiku,
Pa ndenj gjithë natën zgjuar.
Jashtë po rrinte Murati,
Edh'e tërë ushtërija,
Me shokët brenda Perllati,
Ata edhe Perëndija,
Gjithënjë fjal' u dërgonte,
E rrihte t'i mashtëronjë.
Pun' e rremeja s'mbaronte,
Pa më s'dij si të punonjë.
Kërkonte t'i haj më besë,
Po fjal' i dërgoj Perllati,
"Mos bjerë më atë shpresë
Se s'epetë Sfetigrati."
Pshihej dielli, dil hëna,
Shkonte nata, vinte dita,
S'mbaron dot pun' as e thëna,
As gënjeshtëra, as mita.
Armikët' ishin radhosur,
Nëpër sheshe kishin rënë,
Të sëmur' e të plagosur,
Vendin' e kishinë zënë,
Dhe nga vap' e zjarr'i shumë
Ishin prer' e dobëtuar.
Ca kishin rënë në gjumë,
Të tjerëtë rrinin shtruar.
Hëna herë në re pshihej,
Herë delte e tregohej,
Epte drit' e përsëritej
Dhe prapë me re mbulohej.
Ahere majë një bregu,
Me Tanushn' e me të tjerë,
Kishte dalë Skënderbegu
Dhe i pa gjithë të nderë.
O hëna krahrorergjëndtë!
Ti u bëre tradhëtore?
Zoti për faj mos ta zëntë!
Të gjorët më qaf' i more!
I pa ashtu Skënderbeu
Dhe u fal më Perëndinë,
Pa shokëvet u rrëfeu,
Tha: "E shihni ushtërinë?
E shihni sulltan Muratnë,
Q'ish i patundur si shkëmbi,
Veç këtu s'e gjen dot fatnë,
Pa gjithë botën e trëmbi.
Ajy që nuk' u munt kurrë,
Që ka prishur mbretëritë,
S'i ndënj kundrejt ndonjë burrë,
Ndaj nesh ka rënë në shkitë!
Gjithë botën' e ka marrë,
S'e ka trëmburë rrëmeti,
S'munt dot vetëm shqipëtarë.
E shihni? Këmbëkuc mbeti!
Pa t'u derdhemi një herë,
Atje tek janë të shtritur,
Të dremitur' e të prerë,
Të dobët' e të drobitur."
Me të thënë këshru mbreti,
Gjithë burrat' u gëzuan,
U lëshuanë së qeti,
Armikut ju afëruan.
Pa nisinë Moisinë
Me shumë trima të tjerë,
E qyrë mir' ushtërinë
Dhe u kthyen menjëherë,
Gjith' u derdhë më të qetë,
Në mest t'ushtërisë vanë
Burrat trima të vërtetë,
Armikët fare s'i panë.
Moisiu, si turk veshur,
U thosh më gjuhët të tyre:
"Përse s'flini?" duke qeshur,
Me farë turku mënyre!
Ujku i urëtë shumë
Kur futet ndaj bagëtisë
Dhe barin' e gjen në gjumë,
S'ja mbyll derën e shtëpisë
Ashtu edhe shqipëtarët
Me vërtik shum' u lëshuan,
Pa i shuanë barbarët,
I therë e i rrëzuan!
Ç'u ka bërë Skënderbeu
Armikëvet atë natë,
I griu, i shoj, i preu!
Ish rrufe ajo, s'ish shpatë!
Aqë ngrinte shumë shpata,
Sa shkelte mi yjt' e shkonte,
Me vrap nga frik' e saj nata
Ditësë vent i lëshonte!
Gjaku më gjut kish arritur,
U mbush vendi me të vrarë,
Armikëtë të mahnitur
Po ikënin duke qarë!
Sa të zgjuhetë nga gjumi
E të marr' armët' armiku,
Gjaku ish bërë si lumi,
Mbreti me shokëtë iku.
Bisha duke përlëfytur
Deshtë i lë mbi dhet rrahë,
Edhe ikën në gjak mbytur,
Nxiton si shqipja me krahë!
Më të nesëret Murati
U ngrit me shum' idhërime,
Më anët tjatrë Perllati
S'e la të bënte fitime.
Tri herë muarrë vrapnë,
Të tri herët' i përndanë,
Gjith' ushtërin' e përhapnë
Dhe shumë syresh i vranë.
Shqipëtarët dit' e natë
Më të gjith' anët u binin,
Atyre u hiqninë shpatë,
Fortesës ngrënje i shpinin.
Një mëngjes gjith' e rrethojnë
Armikëtë Sfetigratnë
Dhe i bien' e s'pushojnë,
Po s'e trëmbin dot Perllatnë!
Firuz pashënë Murati
Me mijë tetëmbëdhjetë
E dërgoj me vrap lugati
Të zij vënt, të rrij i qetë,
Skënderbenë ta ndalonjë,
Ta mbanj' e të mos e lerë,
Dhe ky vetë të lëftonjë
E fortesësë t'i bjerë.
Murati këto po shtinte
Dhe Sfetigratn' e shtrëngonte,
E Skënderbeu po vinte,
Se të gjitha i mësonte.
Kishte mijë dymbëdhjetë
Burra trima shqipëtarë,
Dhe sa të gjith' ishte vetë,
Q'ishte mi të tër' i parë.
Firuz pasha më një gropë
E kish ndarë ushtërinë,
E kishte bërë tri copë
Edhe po priste të vinë.
Më nj'anë vete Muzaka,
Moisiu më tjatr'anë,
Mbreti vet' u fut si flaka,
Armikëtë gjith' i ranë,
Po ajy si vetëtima
Hyri me kordhë në dorë,
I ndau burratë trima,
U dha gjithëve tërthorë.
Si i hapi e i prishi,
Qëndroj e u çloth mënjanë,
Të parëtë gjith' i grishi,
Për luftënë fjalë thanë.
Firuz pasha: "Shqipëtarë!"
Thirri, "Ku e kini mbrenë?
Jo më nxjerrki ca kusarë!
Ç'e gjet vallë Skënderbenë?
Ajy burri trim që kini
Iku vall' e mori malë?
Pa ma bini, pa ma bini,
N'është trim, këtu të dalë."
Kështu u tha Firuz pasha
Me buj' e duke lëvduar
Dhe duke vrarë të trasha,
I ziu e kish të shkruar!
Mbreti trim, me të dëgjuar
Këtë fjal', u ashpërua
Dhe hyri me nxit kaluar,
Posi fajkoj ju lëshua,
I tha: "Do ta mësosh mirë
Ku ësht' ajy që kërkove!
S'më vjen keq, se me dëshirë
Vdekjenë vetë e ftove."
Duke thënë kshu, e ndoqi,
Ju hoth me vrap edh'e zuri,
Një kordhë të mir' i hoqi,
Kokënë përdhe ja shturi!
Koka ra dhe ligjëronte,
Nuk' i kishte sosur fjalët,
Trup'i tij dhe po qëndronte,
Sindëkur ishte mbi kalët!
Armikëtë si e panë
Që u vra e ra i pari,
Gjithë ç'kishinë i lanë
Dhe ikënin si i marri.
Katrë mijë luftëtarë
Kishin rënë posi duaj,
Mben' ata më vënt të vrarë
Dhe gjë e plaçka e kuaj.
Murati ish derdhur vetë
Që ta mirrte Sfetigratnë,
Po la mije shtat' a tetë
Dhe s'e mundi dot Perllatnë.
Shtat' a tetë mij' u vranë,
E shih q'u prish ushtërinë,
Më s'e nxij dheu sulltanë,
Pa e mblodhi parësinë,
Tha: "Fortesënë ta lemë,
Se puna nukë pronditi,
Si druri që s'lëshon pemë",
Edhe ushtërin' e ngriti.
"T'i derdhemi Shqipërisë,
E tejpërtej", tha, "ta djegim,
Tëmerr të math njerëzisë
T'i apëmë e t'i ndjekim;
Pa duke bërë rrëmujë,
Përpara gjithë t'i vëmë,
Të hyjmë brënda në Krujë,
E gjësendi të mos lemë."
Mblodhi shokë' Skënderbeu,
Që hanin hekur me dhëmbë,
Armikut udhën' ja preu,
Nuk' i la të bënin këmbë.
I pa që iknë Perllati
E ju derdhë Shqipërisë
Ushtërija dhe Murati,
Papo ju duk dit' e zisë,
Tha: "O shokë, ne më çpresim?
Po shuhetë Shqipërija,
Jakëni gjithë të vdesim!
Si ta apë Perëndija!"
Kshu tha burri trim, Perllati,
Dhe vuri armët' e lara,
Mori udhënë nga Mati,
Që t'u dil turqet përpara.
Fluturuanë si flakë
Edhe në fortesë lanë
Nga shokëtë ca të pakë,
Q'ishinë gjithë dibranë.
Shërbëtori që bij ujë,
Tha: "Popo, ç'na qënka thënë!"
"Ç'ësht' ", i thanë, "kjo rrëmujë?"
Tha: "Qeni në pust ka rënë!"
Dibranët nuk' e pinin
Ujët' e kërmës' së shkretë,
Tjatrë pus s'kish, qysh të rrinin?
Pa ujë s'rrohet në jetë.
Një tradhëtor, kanë thënë,
Për të mirët të Turqisë
E pat shtënë në pust qënë,
Q'i bëri dëm Shqipërisë!
Gjith' ata burra dibranë
Muarrë armët' e shkuan,
Fortesën, vetëm e lanë,
Opopo! qysh u marruan?
Ata posa kishin dalë
E me shumë vrap po vinin,
Muarrë të gjithë malë,
Kërkonin ujë të pinin.
Armikëtë ishin thyer
Dh' ata që mbenë të gjallë,
Përsëri ishinë kthyer,
U poqnë ballë për ballë.
Këta me vrap ua dhanë
Edhe përpara i vunë,
Njëzet a tridhjet' i vranë
Dhe fortesën prap' e zunë.
Armikëtë e rrethuan
Si mizërija fortesën,
Po dibranëtë lëftuan,
U bënë gati të vdesën.
Sulltani nukë mënojti,
Se i pa se s'kishin shpresë,
Me njeri fjalë dërgojti,
T'ikin me arm' e me besë
Etj' e shkret' i kishte prurë
Afrë vdkjesë të tërë,
Ishin gjithë të sëmurë,
Pa të ndryshmë qenë bërë!
Vëndësit dhe luftëtarët
Me armë në dorë shkuan,
Nuk' i mbajtnë dot të parët,
Punë të keqe punuan!
Armikëtë më s'mënuan,
Po fortesësë ju derdhë
E gjithë shum' u gëzuan,
Se pa luftë brënda erdhë.
Kështu e mori Murati
Fortesën' e Shqipërisë,
Ra pa luftë Sfetigrati
Q'ish në kufit të Turqisë!
O fortes' e Sfetigratit!
Rrufeja të të kish rënë!
Sa re në lakt të Muratit,
Nukë je më për të qënë!
Ishe zonjë, zojn' të bënë,
Dolle pej sër' e pej radhe,
S'je paskëtaj për të qënë!
Perllati ishte përzjerë,
Nër luftëra ishte ndodhur
Me gjithë shokët' e tjerë,
Pa ish këputur' e lodhur.
Kur e dëgjoj këtë fjalë,
U mahnit, mbeti si shtyllë,
Në zëmërt i erth një valë
Dhe u verth e u bë dyllë!
Tha: "Popo, ç'bëra që ika!
Të më mirr ushta në ballë,
Të më paske rënë pika,
Sot të mos isha i gjallë!"
Kështu tha çelë Perllati,
Në shpirtit kish brengë shumë,
Krahrorgjeri, leshragjati,
I derdhi lottë si lumë!
Nuk' e linte trimërija,
Pa vu kokënë ndër duar,
E mundonte vetëdija,
Ish vrënjtur' e shëmëtuar!
Burr'i math, i trash', i gjatë
Ndënji pak e u mejtua,
Hodhi dorënë mi shpatë,
Mbreti trim ju afërua.
Foshnja kur i flet ati,
Si e lak me lotthit dhenë?
Ashtu dhe çelë Perllati
Qau kur pa Skënderbenë!
Dhe i thotë: "Mos më lerë
Të më vrasë vetëdija,
Dua të vdes menjëherë,
Se më s'më nxë Shqipërija!"
Pa e qafoj Skënderbeu,
Duke thënë shumë fjalë,
Zëmrënë ja përdëlleu,
Q'ish plot breng' e gjithë valë.
Foshnja, gra, pleq, luftëtarë
Rrininë buzëlëshuar,
Me fytyrëzë të vrarë
Faji i kish turpëruar.
Mbreti u tha: "Keq mos kini,
Pa prap' e vëmë në dorë,
Juve shëndoshë të jini,
Pa Zoti s'na lë të gjorë.
Kijeni zëmrën të gjerë,
Kurrë mos u dobëtoni,
Puna sido që të bjerë,
Burra e trima qëndroni."
Kshu tha, po shum' u helmua
Nga ky dëm i math që patnë,
Po nukë ju zëmërua,
Se e doj shumë Perllatnë.
U dha gjë, plaçkë e arë
Të ardhuret Skënderbeu,
Dhe shtëpi e qe e farë,
Të gjithë i ngushëlleu.
Si u muarr Sfetigrati,
U nis për n'Adrinopojë,
Më s'ndenji fare Murati,
Se pa të madhe nevojë,
I numëroj luftëtarët
Si tufën' e bagëtisë,
Ishin shuarë barbarët,
S'ish as gjysm' e ushtërisë.
La tetë mij' ushtëtarë
Dhe topa gjyl' e të tjera
Në Sfetigrat q'e kish marrë,
A ja la, të themi, hera.
Skënderbeu e mësojti
Dhe dolli me dhjetë mijë,
Më çdo anë i dërgojti,
Përpara, pas e nër ijë:
Herë vënt të ngushtë zunë,
Herë në ball' i goditnë,
Herë përpara i vunë
E herë në prit' i pritnë.
Kështu i pren' e i vranë,
Të shumëtë mb'udhë mbetnë,
Të pakëtë mezi vanë
E zunë kryeqytetnë,
Mbreti erth në Kruj' e zbriti,
Edh' e hapi ushtërinë,
Pas dy muaj e porsiti
Të mblidhetë, parësinë.
Mbreti pa punë po s'rrinte,
S'lodhej kurr' e s'i rëndohej,
Edhe në gjumë kur flinte
Për Shqipërinë mejtohej.
Dolli e pa Shqipërinë
Edhe gjyqet' e çdo punë,
Vuri nd'udhë mirësinë,
Njeri s'la në të përdhunë.
Në ditët të ati mbreti
E sa rroj ajy në jetë,
Në Shqipëri njeri s'mbeti
Në të keq e në të metë.
Shqipëtarët gjith' i qitte,
Q'i kish djem e i donte,
Për luftë vet' i stërvitte,
Shumë bukur' i mësonte.
Nga ajy zot e mësonin
Luftën me shumë dëshirë
Shqipëtarët, pa lëftonin,
Me armikët' aqë mirë.
Vate vetë këtë herë
Skënderbeu pa Hynjadhë
Edhe mbretërët e tjerë,
Miqt' e tij gjithë me radhë.
Derdhi këtë herë topa,
Pru italjan' e gjermanë
E ç'i duhej nga Evropa,
Dhe fransës' e venetjanë.
Të gjith' i kish miq, si thamë,
Po më mik i Shqipërisë,
Q'e kish mbreti vëllamë,
Ishte mbret'i Italisë.
Alfonsin kish mik për kokë,
Vëlla të dashur përjetë
E ballë në gjithë shokë,
Mbreti trim e i vërtetë.
Sindëkur i porositi,
U mbluadhë parësija,
Mbreti me nder shum' i priti,
Si ja epte njerëzija.
Parësi e mëmëdheut
Ishte mbledhurë e tërë,
Për dasmët të Skënderbeut
Fjal' e mejtim kishte bërë.
Pa mbretit të gjith' i vanë
Me një zë e me një gojë,
Përnjëherë gjith' i thanë:
"Neve shohëm një nevojë.
Të lutemi gjithë ç'jemi,
N'emërit të Shqipërisë,
Një fjalë që do ta themi,
U bëftë e Perëndisë.
Kombin duhet ta gëzojmë
Edhe gjithë Shqipërinë,
Andaj duam ta martojmë
Këtë herë zotëninë."
Mbreti qeshi dhe tha: "Mua!
S'më dini që s'mbanj dot zgjedhë?
Tani kërkoni një grua
Në robëri të më hedhë!"
Pleqësi' e parësisë
Dhe më afërë i vanë:
"Kjo dëshir' e Shqipërisë
Do të mbarohet'" i thanë.
"Paskëtaj më s'të dëgjojmë,
Se kjo punë është jona;
Mëmëdhenë s'e shkretojmë,
Për tjatrë gjë urdhërona."
"U ap fjalë që të vlohem,
Si të marrëm Sfetigratnë,
Do t'u dëgjinj të martohem,
Po pa të mundim Muratnë."
Skënderbeu këtë fjalë
Tha, ata gjith' u gëzuan,
I thanë: "Të qofshim falë"
E fjalë të tjera s'shtuan.
Ushtërinë prap' e mblodhë,
Të gjithë trimatë vanë
E Sfetigratit ju hodhë,
Më të gjith' anët i ranë.
Fjal' e njeri dërgoj mbreti,
Që të epenë me besë,
Po këtë s'e desh Ahmeti,
Q'ish i parë në fortesë
Tha: "Sa gjak derdhi Turqija
Edhe prapë nuk' i mundi,
Të derthnjë dhe Shqipërija,
Pa të shohëm më së fundi."
Më topt edhe për fortesë
Shqipëtarët s'ishin msuar,
Në të huajt kishin shpresë,
Se ata ishin të vuar.
Po e dinte Skënderbeu
Dh'e njohnë gjithë të parët,
Që s'fitonte mëmëdheu
Pa stërvitur' shqipëtarët.
Gjithë të huajt' Turqija
Menjëher' i frikësonte,
Fill e vetëm Shqipërija
Dhe shqipëtari lëftonte!
Mbreti e rrethoj fortesën,
Që t'i lij n'uri të mbesin,
Dhe Dërgoj tanushn' e Shtresën
Me shok' udhënë t'i presin,
T'i rrinë kundrejt Turqisë,
Asnjë armik të mos lenë
T'i qasetë Shqipërisë,
T'u apën dërrmën' e dhenë.
Përsëri sulltan Murati
Me dyqint mij ushtëtarë
Erdhi drejt posi zapati,
Si edhe herën' e parë.
Andaj e tër' ushtërija
Erdhi në Krujë dhe mbreti,
E u zunë nga gatija,
Se kohë shumë s'u mbeti.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

XXI


Mbreti priti miqësinë
Dhe i përcolli të tërë,
Q'i nderuan Shqipërinë
Dhe punëtë që kish bërë
Pa i erdhi parësija
Nga çdo an' e Shqipërisë,
Edh'e tërë zotërija,
Se ish hij'e Perëndisë.
Të gjithë duke nderuar,
Mbret'i priti shumë mirë,
I pushtoj në krahëruar
Me gas shum' e me dëshirë.
Këtej mbret'i Shqipërisë
Edhe e tërë Shqipërija
Kish gazet' e Perëndisë
Q'i do gjithë njerëzija;
Andej sulltan'i Turqisë
Vate shum' i zemëruar,
Sepse dëmn' e Shqipërisë
Zot'i math e kish ndaluar;
Po ra në shumë lëngime
E në smundje të këqija,
N'idhërim' e në rënkime,
I dha brengë Perëndija.
Shihte ëndërr' e thërriste,
Thoshte: "Po vjen Skënderbeu!"
Dhe dridhej e angulliste,
Sikur do ta pinte dheu!
U tremb shumë këtë herë
Sulltani nga Skënderbeu,
Se ja shtu në baltë nderë
Dh'e vërteta s'e gënjeu.
Pas ca muajsh u shërua
Dhe u ngrit si nga qivuri,
Ndënji pak' e u mejtua,
Pa Ali pashënë pruri.
I tha: "Ali pashë, ç'thua?
Si t'ja bëjmë Shqipërisë?
Që nukë më la nder mua
Dhe faqe ndaj njerëzisë."
Ali pasha ju këthye,
Fjalën' e kishte ndër dhëmbë,
Pa një her' u kapërxye
Dhe u ngrit me nxit më këmbë,
I tha: "Unë të kam thënë
Që mos e nga Shqipërinë,
Se Zot'i math s'e ka thënë
Ta bënjë njeri të tinë.
Ne të zëmë miqësinë
Me të zon' e Shqipërisë
Dhe ta kemi Shqipërinë
Një fortesë të Turqisë.
Kshu them e kështu kam thënë,
Fjala s'më është dëgjuar,
Po jam prapë tek kam qënë
M'atë fjalë kam qëndruar.
Kaqë herë që lëftuam
Ne kurrë s'kemi fituar,
E sa ushtëri dërguam
Shqipëria i ka shuar.
Edhe ta marrç Shqipërinë,
S'bënetë rob shqipëtari,
Po pyet ata që dinë
E mos puno si i marri;
Ata në dorë të huaj
Kurrë nukë kanë rënë
Dhe s'bijenë, po mos vuaj,
Se s'hyjnë në zgjedhët tënë.
Nukë merret Shqipërija
Si thoni, me të përdhunë,
Po përjetë miqësija
Do të na hyjnë në punë."
Kështu i tha Ali pasha,
Pa u bint sulltan Mehmeti,
Q'i vrit më parë të trasha,
Se të vërtetën' e gjeti,
Pa Ali pashës i thotë:
"Fjala jote ësht' e mirë,
Gjer më sot vuamë kotë
Si të marr' e si ë pirë.
Tani pa merr ushtërinë
Dhe mos më dëgjo as mua,
Po hiq e zërë kufinë
Edhe bëj ashtu si thua."
Kshu tha dh'e nisi Alinë
Me mijë pesëmbëdhjetë,
Vate dhe zuri kufinë,
E punoj si deshi vetë.
Zu paqën' e Perëndisë,
Q'ësht' e lartër' edh'e mirë,
E ju bë mik Shqipërisë
Me besë e me dëshirë.
Pa nisi pesë të parë,
I dërgoj me vrap te mbreti
Me qëllim shumë të mbarë,
Miqësisë udh' i gjeti,
U bë mik me Skënderbenë,
Mik me shpirt edhe me besë,
Se e donte shume mbrenë,
Kishte njerëzije pjesë.
U poq edhe shumë herë
Me mbren' Ali pasha vetë,
Q'i bënte si duhej nderë,
Se e dij q'ish i vërtetë.
Miqësi shumë rrëfyen
E bënë vëllazërinë,
Edhe kanisqe çkëmbyen
Mbret'i urtë me Alinë.
Koha me paqë po shkonte
Duke rrjedhurë si lumi,
Gjëkundi nukë qëndronte,
Dit' e natë s'e zij gjumi,
Papo koha duke shkuar
Përsëritet gjithë jeta,
Gjësendi s'le pa ndryshuar,
Gjith' i merr me vet'h'e shkreta!
Lulevet nuk u le erë
E drurëvet s'u le fletë,
Njeriut të zi, të mjerë,
Ja nxin të shkretënë jetë!
Sjell thinjët' e pleqërinë,
Fishk faqen, kërrus kurrisnë,
Shtije poshtë dhe fuqinë,
Njerin' e than si murrisnë!
Lulenë q'e çeli vera.
E prishi dimër' i shkretë,
Po sërish kur i vjen hera
Lulëzohet' e nxjerr fletë.
Kshu vdes edhe koha vetë
Edhe dimëri dhe vera,
Po ngjallen sërish në jetë
E dukenë si të tjera.
Kështu e tha Perëndija,
Andaj po plakej dhe mbreti
Dhe gjithë shokët' e tija,
U plak dhe sulltan Mehmeti.
Dimër'i lij vjeshtëtë prapa
E atë e ndiqte vera,
Pas verësë vinte vapa,
Pa vinin vjeshtët' e tjera.
Bilbili zij' e këndonte
Ndër lule m'er' e në fletë,
Pa pastaj sërish pushonte
Dhe rrinte ca koh' i qetë.
Moti shkont'e përsëritej
Edhe paqa fortësohej
Fuqija nuk' i venitej,
Gjithënjë më shum' i shtohej.
Ish në prehje Shqipëria
Edhe gjithë shqipëtarët,
Mbretëronte urtësija,
S'kishin të bënin të marrët.
Mbreti shpirtmath me Alinë
Piqeshinë kurdoherë
Dh'e shtoninë miqësinë,
Nuk' e lininë të bjerë.
Dhe vëndetë që kish zënë
Rreth Shqipërisë Turqija,
Gjith' ishinë më të dhënë,
Se i donte Shqipërija.
Tërësin' e Shqipërisë
Edhe mbren' e mbretërinë
Do t'i njih mbret'i Turqisë,
Kshu e bënë me Alinë.
Po djajtë e djallëzitë
E çmëntnë sërish Mehmenë
Dh'e prunë më atë ditë,
Q'u bë prap' armik me mbrenë!
Nga Jeziti, nga Mervani,
Nga Mavij' e mallëkuar
Mori mësime sulltani,
Udhën e gjet të punuar!
Pa s'e donte Shqipërinë,
Nuk' e donte Skënderbenë,
Sepse kishte urtësinë,
Përpiqej për mëmëdhenë.
E ngriti me vrap Alinë,
Se u bë me shqipëtarët,
U përpoq për Shqipërinë,
Nukë lëftoj si të parët!
Qëllimet që zu Mehmeti
Dhe udhën' e mallëkuar
E kupëtoj mirë mbreti,
Që rrij gjithënjë i zgjuar,
Pa dolli me parësinë,
I erth rrotull Shqipërisë
E pa gjithë njerëzinë
Mbret'i math i urtësisë.
I dha fuqi Shqipërisë
E fortësoj çdo fortesë,
Po më shumë njerëzisë
I dha trimëri e shpresë.
Dimëri që helmon dhenë,
Çvesh drurët' e s'u le fletë,
Lulet i bën sikur s'qenë
Me ftohtësirët të shkretë
Me atë të thatë dorë
Që shtije gjithë thëllimnë,
Shtron dëborë mi dëborë,
Heth helmin' e idhërimnë
Me atë dorë të shkretë,
Së largu duke qëlluar,
Hodhi me fort një shigjetë,
Oh, shigjet' e mallëkuar!
E pa të dirsurë mbrenë,
Që përpiqej e punonte
Gjithënjë për mëmëdhenë,
Edhe gjumi s'e qetonte,
Pa shigjetën' e vërviti
Me fuqi të madhe shumë,
Mbren' e mirë e goditi!
Ç'bëre, o dimër', o lumë!
Mbret'i math e i vërtetë
Ndjen brënda në krahëruar,
Nga e nëmura shigjetë,
Një të shkretë të sëmbuar!
Atë që s'e zinte shpata
Edhe ushta e shigjeta,
Smundja me duar të thata
Ndër rroba e shtu e shkreta!
Mbreti me shokët zu Leshnë,
Atje ethetë ja dhanë,
Shëronjësit' u përveshnë
E të gjithë bashk' i vanë.
U çkul gjithë parësija,
Njeri pa ardhurë s'mbeti,
Rrodhi gjithë Shqipërija,
Erth' aty tek ishte mbreti.
Mbreti thirri parësinë,
U dërgoj me vrap një djalë,
Tha: "Gjithë këtu të vinë,
Se kam t'u them shumë fjalë."
Kshu tha, pa erth parësija
Edhe pleqtë mëndjeshumë,
Se kish njerëz Shqipërija,
S'kishte mbeturë për lumë.
Maksimi q'ish i dërguar
Te mbreti, nga Italija,
Dhe Jasafi i lëvduar,
Që ishte nga Venetija,
Hynë tok me parësinë
Edhe me pleqt të uruar,
Q'e mbaninë Shqipërinë
Si lulen' e lulëzuar.
Ata hynë me gjak ngrirë
Edh'e përshëndoshnë mbrenë
Gjithë me zëmrë të mpirë,
Të sëmurë shum' e gjenë!
Pa Skënderbe bukuroshi
Gjithëve u bëri nderë,
Sicilin' e përshëndoshi
Dhe zu fjalën menjëherë,
Tha: "Erthmë e do të vemi,
Mase prapë do të vimë,
Se këtu përjetë s'jemi,
E nukë mundim të rrimë.
O vëllezrë shqipëtarë!
Ju të jini të bashkuar,
Sindëkur qetë më parë,
Që të jini të nderuar;
Mos e lini trimërinë
Dhe bashkimnë në mest tuaj,
Po ta kini miqësinë,
Se nukë jini të huaj,
Jini gjithë shqipëtarë,
Kini mëmë Shqipërinë,
Jini një fis e një farë
E besoni Perëndinë
Përpiqi ditë edhe natë,
Mëmëdhenë ta shpëtoni,
Armikut hiqini shpatë,
Kurrë mos u frikësoni;
Sindëkur kini lëftuar,
Ashtu prapë të lëftoni,
Që të jini të shpëtuar
E të kini gjithë ç'doni;
Mos e humbisni lirinë
E mos bëhi rob në jetë,
Po të doni mirësinë,
Ua ep Zotth'i vërtetë.
Im bir sot foshnj' ësht' e djalë,
Nukë munt të mbretëronjë,
Se në luftë s'munt të dalë,
Mëmëdhenë ta shpëtonjë
Se ka vetëm njëmbëdhjetë
Vjet e nukë ka më shumë,
Që ka lindurë në jetë,
Vërsa s'u poq, është brumë
Së pari do të mësonjë
Qysh mbahetë mbretërija,
Pa pastaj të mbretëronjë,
N'e ka thënë Perëndija;
Ato ditë sa të vinë,
Ju të njihni për të parë
Çelë Lekë Dukagjinë
Gjithë ç'jini shqipëtarë,
Ajy në këmbët të mbretit
Të gjykonj' e të lëftonjë,
Të jet' i par'i rrëmetit
E çdo punë ta mbaronjë,
Kur ka luftë Shqipërija,
Pas fjalës që kemi bërë,
Do t'i ndihnjë Venetija
Me fuqit të saj të tërë
Në ardhtë vetë sulltani,
Veç ndihmes së Venetisë,
Do të ndihnjë Ferdinani
Me ushtërit t'Italisë
Ashtu edhe Shqipërija
Do t'i ndihnjë Venetisë,
N'i arthtë siprë Turqija,
Sindëkur dhe Italisë.
Im bir e ka mbretërinë,
Me t'ëmënë për ca kohë
Le të zërë Apolinë, { Napolin }
Sa të rritet' e të shohë."
Kshu tha mbret'i Perëndisë,
Ajy zot' i zotëruar,
Mbret'i urt' i Shqipërisë,
Dhe i mir' e i lëvduar.
Pa u kthye më të birë,
I tha: "Ti, o jetëgjatë!
Vështro të bëhesh m'i mirë
E m'i urtë nga yt atë."
Nga fjalëtë që tha mbreti,
Shkronjësi shum' i mësuar,
Bardhuli, q'ishte si deti,
Asnjë nukë la pa shkruar.
Mbreti ish më këtë fjalë,
E të tjerëtë dëgjonin,
Kur më der' u dha një djalë,
Nukë muntnë ta ndalonin,
Tha: "Armikëtë po vinë,
O burra, o shqipëtarë!
Nxitoni, se na përpinë,
Delni, sa muntni, më parë!
E kapërxyen kufinë,
Mijë plot tetëmbëdhjetë
Me Ahmet pashën po vinë
Duke unjur tatëpjetë."
Kshu tha, pa me të dëgjuar
Këtë fjalë shqipëtarët,
Muarr; armëtë nër duar
Dhe duallë me të parët.
Skënderbeu zgjeth të parë
Dh'e vu në këmbët të tija
Tanushnë mi luftëtarë,
Se ishte bërë gatija.
U ngrit edhe vetë mbreti:
"Armët e kalënë!" thirri,
Po fuqi më nuk' i mbeti,
E zunë miqt' e i biri.
Posi lisi duke rënë:
"Zot'i math e i vërtetë!
Le të bëhet ç'është thënë,"
Tha, "se unë s'rronj për jetë
Po më ki kujdes, Ti vetë,
Shqipëtar' e Shqipërinë,
Mos m'i lerë kurrë shkretë,
Se Ti e do mirësinë
Në dorë të huaj kurrë
Shqipërija të mos bjerë,
Shqipëtari trim e burrë
Të jet' e ta ketë nderë
Mbaje Shqipërinë zonjë,
Të ketë gjithë të mirat,
Të rronj' e të mbretëronjë,
Të mos ta han' egërsirat,
Fali lirinë ta ketë
Edhe gjithë mirësitë,
Të jetë m'emrë përjetë,
Epi jet' e dit' e dritë!"
Këto fjal' i tha dy herë
Me zëmrë shumë të qetë,
Pastaj ra ndë gjum' i prerë!
Oh, moj sëmundj'e shkretë!
Ëngjëlli i trimërisë,
Fytyrë pej djalë mbreti
Dhe gjuhën' e Shqipërisë
Duke marë, erth e gjeti,
Dhe i tha: "Mos ki keq kurrë,
Se s'i shtije Perëndija,
Shqipëtari është burrë,
Do të rronjë Shqipërija;
S'ja ngre dot njeri lirinë,
Se ja dha Zot'i vërtetë,
Edhe gjithë mirësinë,
Ja ka falurë përjetë."
Kshu tha ëngjëll'i uruar.
"Fort mir' ", i tha Skënderbeu,
"Unë vete i gëzuar,
Ndryshe nukë më tret dheu."
Shqipëtarët u përveshnë,
Për shpëtimt të Shqipërisë
Jetënë më nuk e deshnë,
Dërrmën i dhanë Turqisë.
Hynë n'ushtërit si flakë,
Një të gjallë nukë lanë,
Me Ahmet pashënë pakë
Te sulltan Mehmeti vanë.
Pa kur erdhë shqipëtarët,
Skënderbenë keq e gjenë,
I mori gjithë të qarët,
Se e donin shumë mbrenë.
Më nesëret duke ngdhirë
Mbreti la jetën' e shkretë!
Shpirt'i math e shum' i mirë
Vate te zot'i vërtetë!
Me gjëmim, me vetëtimë
Reja poshtë shin' e shtije,
Pa lumi me ngashërimë
Prapë në det vet'e bije,
Dhe sërish ngrihet përpjetë
E lëçin ndë hapësirë,
Prap' atje e hedhin retë,
Se ajy ësht' i pavdirë.
Kur deshi Zot'i vërtetë,
Që ka kryer gjithësinë,
Të delte faqeza vetë,
Tfaqi në jetë njerinë,
Neve Atë burim kemi,
Detnë pa funt e pa anë,
Andej vim' e atje vemi,
Ajy është gjithë ç'janë.
Trup'i mbretit ishte shuar!
Mjekr' e bardhë si dëborë
Ish hapur mbi krahëruar!
Popo, njeriu i gjorë!
Gjashtëdhet' edhe tri herë
E kish parë Skënderbenë
Në jet' e bukura verë,
Që vjen e zbukuron dhenë.
Dolli Lekë Dukagjini
Më derët, q'ishte rrëmeti,
Tha: "Shqipëtarë, ku jini!
Se na la të shkretë mbreti!"
Kur dëgjuan këtë fjalë
Të idhurë shqipëtarët,
Thanë: "Mbret, të qofshim falë!"
Dhe gjithë i mori të qarët!
Mbretëresha edhe gratë,
Burratë dhe djal'i mbretit
Me lot qanë dit' e natë,
Se më s'dukej mëng' e detit!
Me nder të math njerëzija
Në Lesh Skënderben' e vunë,
Shpirti shkoj te Perëndija,
Se këtu më s'i mbet punë.
U vesh gjithë Shqipërija
Në të zi e zuri zinë,
Parësi e vegjëlija,
Q'e donin si Perëndinë.
Qaje, moj Shqipëri, qaje
Atë njerin' e vërtetë!
E zinë për jetë mbaje,
Se shok më s'i vjen në jetë.
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

HISTORI E SKËNDERBEUT
(1898)

XXII


Me zëmërë plag' e flakë
Shqipëtarët mbanin zinë,
Se nuk' ish mynxyr' e pakë
Këjo q'e gjet Shqipërinë.
Mbretëreshënë së pari
Nisin' bashkë me të birë,
Që s'pushoninë së qari
Edhe zënë far'e ngjirë
Në lundrë brënda i vunë
E shumë nga parësija
U nisnë bashk' e i shpunë
Dhe shumë nga vegjëlija!
Edhe grat' e parësisë
Me mbretëreshënë vanë,
Pas udhës së Shqipërisë,
Vetëm fille nuk e lanë
Vanë e ndënjnë për jetë,
Mbretëreshësë s'ju ndanë,
Ishin njerës të vërtetë
Qëmoti prinditë tanë.
Mbretëresha psherëtiti,
Duartë në gji i vuri,
Sytë plot me lot i ngriti,
Të qarët' e vajnë zuri,
Tha: "Zotthi im i vërtetë!
Mos e prish, ti, Shqipërinë,
Si ka qenë le të jetë
Mos ja ngrerë mirësinë."
Pa tha: "Jet', e zeza jetë,
Qysh mbete pa Skënderbenë!
Më dukesh fare e shkretë!
Unë sot le mëmëdhenë!
Le shtëpin' e njerëzinë,
Me zemrë të përvëluar!
Le miqthit' e Shqipërinë
Në rrezik e të helmuar!
Më s'e shoh dot me sy mbrenë!
Në këtë të shkretë jetë!
E po vallë mëmëdhenë
Do ta shoh dot sërish vetë!
A do ta shoh Shqipërinë
Dhe miqt' e farën' e fisnë!
Kryeqytetn' e shtëpinë!
Ah, për ku, për ku më nisnë!
Mbrenë s'e kam për të parë
Un' e zeza, un' e mjera!
Po të mos i shoh as varrë!
Kështu tha zonj' e vërtetë,
Pej flake një ngashërimë,
Pa dashurë fare vetë,
I dolli si vetëtimë!
Duke qarë i dëgjonin
Gra e burra këto fjalë,
Zëmrat' e tyre rënkonin,
Posi deti kur heth valë.
Pa u mblodh' e përdëllenin
Mbretëreshënë fatzezë,
U përpoqnë ta dëfrenin,
Se në shpirtit kish një rezë.
Zot'i math', q'ep idhërimnë,
E helmon njerin' e gjorë,
I fal edhe përdëllimnë,
Se çdo gjë e ka në dorë
Më nj'an' i ep idhërimnë,
Më nj'anë durim e shpresë,
M'anët tjatërë mundihmë,
Për çdo derë ka një lesë.
"Zot' i math e i vërtetë!"
Tha mbretëresha: "Kam shpresë,
Bëj si të duash ti vetë,
Se të kemi prurë besë."
Këto fjalë ishin thënë,
Lundra po e çante denë,
Shumë kohë nd'ujë s'bënë,
Po çpejt terënë e gjenë.
Van' e zunë Apolinë,
Dolli gjithë njerëzija,
Me nder të shumë i prinë,
Ish e tyre mbretërija.
Djalën' e mbretit e panë
Në Itali njerëzija:
"Qënka Skënderbeu, thanë,
Pa nukë vdes Shqipërija."
N'Apoli e ngrehnë fronë,
Ndënji mbret'i Shqipërisë,
Që kish për t'ardhur më vonë,
Se ish shpres' e njerëzisë.
Po zoti s'e kshte thënë
Që të ngrihej mbretërija,
Punëtë ndryshe u bënë,
Se ashtu desh perëndija!
Ng'ajy fis e ng'ajo derë
Nxori njerës trimërija
Të mbëdhenj shum' e të ndjerë,
Q'i trashëgoj Italija!
Skënderbeu të na vdesë,
Zot' i math e i vërtetë!
E Shqipëria të mbesë
Pa mbret, pa zot, si e shkretë!
Ta mbulojnë ligësitë!
E t'i ngrihetë e mira!
Dhe të vinjë më një ditë,
Që ta shkelnjë egërsira!
Kjo fjalë s'ësht' e vërtetë,
E kurrë mos e besoni,
Se Shqipëria ndë jetë
S'ka mbetur kurrë si thoni;
Nukë ka mbetur' e shkretë,
S'e humbi kurrë lirinë
Dhe përjetë do ta ketë,
Si dhe gjithë mirësinë
Shqipëtari s'u mposht kurrë,
Pat ngaherë lartësinë,
Se ka qënë trim e burrë,
Pandaj s'e humbi lirinë.
Dërguanë mbretëritë
Njerës të mir' e të parë,
Pa shkuarë shumë ditë,
Në Krujë ndër shqipëtarë,
Njohnë Lekë Dukagjinë,
Q'ishte në këmbët të mbretit,
Përdëllyen Shqipërinë
Gjithë, veç sulltan Mehmetit.
Pa edhe n'Apoli vanë
Gjithë të parët te mbreti,
E ngashëllyen për t'anë,
Për mynxyrët që e gjeti;
Ish në front të Apolisë,
Se e kish dh'atë të tinë,
Po ish mbret'i Shqipërisë,
Ashtu e kishte porsinë.
Kur dëgjoj sulltan Mehmeti
Të këqijatë që ngjanë,
Që e la jetënë mbreti,
Vu kësulënë mënjanë!
Pa nisi shumë të parë
E ja dërgoj Shqipërisë
Me mijëra ushtëtarë
Armiku i Perëndisë!
Shqipëtarëtë u mblodhë,
Kordhët' e lara i zhveshnë,
Përmbi armikët' u hodhë,
Jetënë më nuk' e deshnë.
Armikëtë kur i panë,
Q'u vërvitnë si fajkonjtë,
Posi zogjtë u përndanë,
Nxituanë si langonjtë
Më nj'anë u ra Tanushi,
M'anët tjatërë Urani,
Leka, Zaka e Malushi
Manul Pika e Tushani,
U lëshuanë si flakë,
Të gjith' armikët' i vranë,
Shpëtuanë ca të pakë,
Te sulltan Mehmeti vanë.
Kur e pa sulltan Mehmeti
Që s'e munt dot shqipëtarë
Pa qënë dhe vetë mbreti,
Si s'e mundi dhe më parë,
Ndenji pak' e u mejtua,
Tha: "Kjo punë kshu të mbesë!
Opopo! ç'më gjeti mua!
Unë kisha tjatrë shpresë!"
Kështu tha i zëmëruar,
Dhe bëri sërish gatinë
E nisi për të dërguar
Në Shqipëri ushtërinë
Po dhe ata dhe të tjerë
Shqipëtarëtë i muntnë,
Lëftuanë shumë herë,
Gjithë jetënë e tuntnë!
Nj'ushtëri kthehej, një vinte,
Pas asaj tjatrë dërgonte,
Në prëhje kurrë s'i linte,
Se luftënë s'e pushonte,
Po shqipëtarët si flakë
Hynin në mest t'ushtërisë,
Sado q'ishin më të pakë,
Dërrmën' i epnin Turqisë.
Ndihte edhe Venetija
Edhe mbret'i Italisë,
Po dhe vetëm Shqipërija
S'i trëmbej kurrë Turqisë.
Trimatë duke lëftuar
Si u thoshte trimërija,
Sa armikë kanë shuar
E di vetë Perëndija!
Hije e mbretit e mbante,
Nuk' e linte Shqipërinë,
Të huajtë i përndante,
Pa merrninë arratinë.
Lëftoninë dit' e natë
Për shpëtimt të Shqipërisë
Burratë trima me shpatë,
Nukë ju falë Turqisë.
U ther', u pren' e u vranë
Dhe ranë dëshmimëtarë,
Po vëndinë nuk' e lanë
E njeri s'guxoj ta marrë.
Sa përpiqej Shqipëria,
Se robërinë s'e donte,
Aqë më shumë Turqija
Luftën' e shkret' e shtrëngonte.
Egërsir', o egërsirë!
Më qafë përse i bije?
A s'munt të bënç kurrë mirë?
Se e mira s'të ka hije!
Nukë të le ligësija
Që të duash mirësinë,
E ç'të bëri Shqipërija
Që kërkon t'i ngresh lirinë?
Sa qe gjall' sulltan Mehmeti,
Lufta ishte e paprerë,
Një ditë pa luftë s'mbeti
Shqipërija, zonj' e ndjerë
Po Evrop' e shkret' u shua,
Papo ra dhe Venetija,
U prish e u dobëtua,
Sindëkur dhe Italija;
Gjithë puna u ndryshua,
I vate mbarë Turqisë,
Liri' e mjer' u çalua,
Më s'i mbet vent mirësisë,
Se dragoj i Shqipërisë
Më nukë ishte në jetë.
Q'i rrinte kundrejt Turqisë,
Mbeti Evropa e shkretë!
Pa ishte thënë të venë
Turqitë duke lëftuar,
Të hyjnë brënda në Vjenë,
Se Evropa ish e shuar!
Shqipëria s'hyri kurrë
Nënë zgjedhë të Turqisë,
Shqipëtari ishte burrë,
E mbajti nder' e lirisë.
Të gjithë kombetë ranë,
I dobëtoj robërija,
Shqipëtarët' armë s'dhanë,
Pa i nderoj Perëndija.
Më pastaj si vdiq Mehmeti,
Vërtet e njohnë të birë,
Po veç nj'emrë kishte mbreti,
Shqipëria ishte mirë.
Mbretëronte shqipëtari,
Urdhëronte parësija,
Punët' ishinë së mbari,
Se gjykonte njerëzija;
Mirësija ishte besë,
Ligë ishte urtësija,
Trimërija ishte shpresë,
Dhe udhë vëllazërija;
Të huajtë lark qëndronin,
S'i qaseshin Shqipërisë
Dhe së largu e vështronin,
P'afëruarë kufisë.
Kurdoherë Shqipërija
Me ligë të saja punonte,
Pleqësi' e parësija
Gjykonte dhe mbretëronte.
Kurrë djemt' e Skënderbeut
S'ja kanë harruar mallë
Kombit edhe mëmëdheut,
Pa në kurt kurrë s'e kallë,
Se kanë pasur' at' Atë,
Q'i fali nder njerëzisë,
Armikëvet u dha datë,
I vu vjeftë Shqipërisë,
Gjithë bota po e dinë,
Q'ajo Shqipëri e ndjerë
Kurtin' edhe robërinë
S'e ka hequr' asnjëherë.
Më pastaj u bë m'e ndjerë
E më shum' u lartësua
Dh'e shtoj e s'e humbi nderë
Dhe emëri ju madhua.
Q'aher'e t'hu sa ka nxjerrë
Trima m'emr' e të dëgjuar
Shqipërija nga çdo derë
Ata kanë mbretëruar.
Sa ishinë shqipëtarë,
Ishin burra të vërtetë,
Të bashkë e të pandarë,
Të dashur' e miq përjetë
Andaj kurrë Shqipërija
Në jetë s'u dobëtua,
Miqësi' e mirësija
Dhe lirija s'ju mërgua;
Se kish djem të paçëmuar,
Të zot e t'urt' e të mirë,
Pa ka qën' e lulëzuar,
Kurrë s'ka qën' e vështirë.
Shqipëtarëtë s'e lanë
Nënë zgjedhë Shqipërinë,
Gjithënjë për ta u vranë,
E deshnë si Perëndinë
Për shpëtimt të Shqipërisë
Gjithënjë janë përpjekur
Dhe n'udhët të Perëndisë
Kanë rën' e kanë vdekur;
Pa Shqipërija s'ka rënë,
E mbajti Zot'i vërtetë,
Është sindëkur kish qënë
Dhe përjetë do të jetë.
Edhe në Turqit të tërë
Shqipëtarët kurdoherë
Punëtë i kanë bërë,
S'i kanë bërë të tjerë.
Kë të zësh ngoje më parë
Ng'ata burrat' e vërtetë,
Q'ishin vërtet shqipëtarë,
Shokë s'kishinë ndë jetë!
I dhanë nder Shqipërisë,
Mbajtnë dhe Turqin' e shkretë,
Oh, i dhanë shpirt Turqisë!
Ata trimat e vërtetë!
Trimërinë nuk' e pshehnë,
Andaj e mbajtnë Turqinë!
Dhe m'anët tjatërë ngrehnë
Mynxyrënë! Grekërinë!
Mbajtnë plakën' e pabesë!
Atë dhelprënë dinake!
E nuk' e lanë të vdesë
Posi shtriga varfanjake!
Ngrehnë, popo, një mynxyrë!
Në kufit të Shqipërisë
Një dosë, kurvë të ndyrë!
Burimnë e ligësisë!
Këto bëri trimërija,
Se i ra pas marrëzisë,
Nuk' ish bashkë urtësija,
Q'i ep dritë trimërisë.
Ca kapërxyen denë,
Egjyptënë van' e zunë,
Ngrehnë fron' e vunë mbrenë
Edhe bënë shumë punë
Ca bashkuan Italinë,
Si të tjerët që punonin
E vriteshin për Turqinë,
Po gjësendi s'trashëgonin!
Po edhe për Shqipërinë
Shqipëtarët' u përpoqnë,
S'e harruan' urtësinë,
Soje kurrë dorë s'hoqnë
Dhe për të huaj lëftuan
Edhe për vet'he u vranë,
Të tjera punë mbaruan
Dhe mëmëdhenë s'e lanë.
Po ka një kohë çdo punë,
Pa thënë Zot'i vërtetë,
S'bëhetë me të përdhunë,
Pema s'lëshon lul'e fletë.
Shpirt'i Skënderbeut thotë:
"Djemt' e mij trima, ku jini!
Mos mundohi më për botë
Atë marrëzi e lini!
Bëhuni bashkë të tërë,
Madhojeni miqësinë,
Vëllezërë duke bërë,
Përpiqi për Shqipërinë
Po të jini të bashkuar,
Ësht' e bërë Shqipërija,
Dhe puna gjith' e mbaruar,
Si do vetë Perëndija;
Fortësoni dashurinë
Dhe bashkimnë, sa të muntni,
Lini nakar' e zilinë,
Nga e drejta mos u tuntni;
Bëhuni miq në mest tuaj,
Si ësht' udh' e urtësisë,
Mos përpiqi për të huaj,
T'i mërgohi marrëzisë
Njëri-tjatërinë doni,
Se kini gjithë një shpresë,
Të huajtë t'i mërgoni,
Q'e kanë me të pabesë
Të gjithë një gjuhë kini
Dhe një bes' e një mënyrë,
Djemt' e mëmëdheut jini,
Kini një gjak, një fytyrë
Kini besë Perëndinë
Gjithë ç'jini shqipëtarë
Edhe mëmë Shqipërinë,
Si e pattë dhe më parë
S'jini grekër' as bullgarë
As turq as tjatërë s'jini,
Jini fjeshtë shqipëtarë,
Pse gënjehi tek e dini?
Selanik e tatëpjetë
Është vënd'i Shqipërisë,
Kjo fjalë ësht' e vërtetë,
Është fjal' e Perëndisë.
Perëndija Shqipërinë
E bëri për shqipëtarët,
S'e bëri për djallëzinë,
Për të liqt' e për kusarët;
Zot'i math vëndinë tuaj
E bëri për ju të tërë,
Për fqinjë e për të huaj
S'e ka bërë, s'e ka bërë.
Zoti kombet' i ka ndarë
Edhe gjuhëtë me kohë,
Pa u dha sy për të parë
Dhe mëndjenë që të njohë
Të lesh vëllanë s'ka thënë
E të bësh vëlla një tjatrë,
Që s'ka as gjuhën' as zënë,
Ta marrç e ta vësh në vatrë!
Po shtoni vëllazërinë,
Ecëni pas urtësisë,
Madhojeni miqësinë,
Q'është udh' e Perëndisë
Hapni sytë dhe punoni
Të gjithë për Shqipërinë,
Tjatërë gjë mos kërkoni,
Ajo e sjell mirësinë.
Dashurin' e mëmëdhethit
Dhe zogu s'e harron kurrë,
Që lëvrin në mest të gjethit
E s'e le folen' e gurë.
Për lirit të Shqipërisë,
Për shpëtimt të shqipëtarit
Po vjen ndihm' e Perëndisë,
Q'i ep dritë punëmbarit,
Po ju zini miqësinë,
Bëhi të zottë të rroni,
Të shpëtoni Shqipërinë,
Paskëtaj të mbretëroni.
Kini besë miqësinë
Edhe ligë mirësitë,
Udhëzë vëllazërinë,
Urtësitë ndihm' e dritë,
Zot'i math e i vërtetë
Do t'i apë Shqipërisë
Shpëtimn' e lirinë vetë
Dhe dritën' e njerëzisë."
Kshu thotë shpirt'i uruar,
Nuk' e harron Shqipërinë,
Se për atë ka lëftuar,
I la nder' e mirësinë.
Shpirt, o shpirt, ta dëgjoj zënë,
Fjala jote poshtë s'bije,
Bëhenë gjithë ç'ke thënë,
Ky është zë Perëndije!
Zot' i math! Zot' i vërtetë!
Fali, fali Shqipërisë
Gjithë ç'i duhet në jetë,
Se je mbret' i gjithësisë.
A e shihni Skënderbenë?
Mbren' e mirë, trim e burrë?
U përpoq për mëmëdhenë,
Pa s'i vdes emëri kurrë.
Skënderbeu ësht' i gjallë,
Rron e mbretëron përjetë,
Kjo fjalë s'është përralë
Ndaj t'urtit ësht' e vërtetë.
unknown123

Post by unknown123 »

e kom lexu en klase te shtate :)
User avatar
qenpo
Posts: 2350
Joined: Sun May 29, 2005 9:53 am

Post by qenpo »

Bravo t`kofte !
Solitude
Posts: 286
Joined: Tue Aug 15, 2006 2:37 pm

Post by Solitude »

Trim i madh aj Skenderbe
qe luftoj per memedhe
e kur sulej si gjylja e topi
pirolla i koft keti Kastrioti
edhe pse vdiq ky trim i ralle
e mban ne zemer 'çdo shqyptar'
kane kaluar 500 vjet
emri i tij ne histori mbet
ta japim fjalen Skenderbe
na shyptaret ne kete dhe
tane do te vdesim per memedhe
tan do te vdesim, pleq e te ri
per flamurin kuq e zi
per Kosove e Metohi
e per nenen Shqypeni
e per kete ish Jugosllavi
e per Austri e Itali
oooooo more hej, hej
ma shum spe sgjas se boll e kom sarih, more hej
Post Reply